E enjte, 18.04.2024, 06:10 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Erkandi bën për vete Pekinin

E enjte, 14.08.2008, 09:05 PM


Erkand Qerimaj
Shtangisti shkodran zuri vendin e parë në baterinë B dhe të 13-in në total

Olimpiada e Pekinit ka shënuar një tjetër akt shumë interesant për sportin shqiptar, teksa peshëngritësi Erkand Qerimaj zuri vendin e parë në baterinë B, duke triumfuar përballë 14 kundërshtarëve të tij. Edhe pse në klasifikimin e përgjithshëm peshëngritësi shkodran u rendit në vendin e 13-të, performanca e tij ka qenë e shkëlqyer, duke bërë për vete mijëra spektatorë kinezë, që për shumë minuta ta përcillnin me duartrokitje sportistin shqiptar.

Ka qenë një ditë e mbarë për Erkand Qerimajn në Pekin, ndonëse garimi i tij nuk ishte në zonën e medaljes. Paracaktimi në baterinë B nuk e ka demoralizuar aspak sportistin më të ri në peshën 77 kg, madje ai ka gjetur forcat për të bërë një garë spektakolare. Për të mos përsëritur gabimet e një dite më parë, kur Gert Trasha nuk arriti të kualifikohej, trajneri Genc Barkiçi dhe vetë sportisti vendosën të mos rrezikojnë, duke deklaruar pesha të kalueshme. Në stilin e shkëputjes shkodrani e nisi me peshën 145 kg, të cilën e ngriti me shumë lehtësi dhe sipas specialistëve, me një teknikë të pastër. Në provën e dytë peshëngritësi kaloi me lehtësi peshën 150 kg dhe në të tretën me peshën 154 kg ai siguroi vendin e dytë pas francezit Bardis. Deklarimi në stilin e shtytjes ka qenë më i larti për Erkand Qerimajn, që e nisi garimin me peshën 182 kg, i vetëm në konkurrim. Me provën e dytë, ku në bosht ishin 187 kg, Erkand Qerimaj siguroi vendin e parë në dygarësh me diferencë nga kundërshtarët dhe prova e fundit ka qenë një shoë për të gjithë të pranishmit. Tifozët vendas janë ngritur në këmbë dhe mes shumë ovacionesh kanë përcjellë garimin e kampionit shqiptar, që imitonte të njëjtën përshëndetje që bënte dikur i madhi Aleksandër Kondo. Me vullnetin e tij të plotë, Qerimaj kërkoi 193 kg në bosht, por që nuk mundi dot t‘i mbajë, duke rrezikuar disa vende në klasifikimin e përgjithshëm. Dhe pas përfundimit të garimit në kategorinë A, sportisti shkodran u rendit në vendin e 13-të me 341 kg në dygarësh. "Mund ta kisha ngritur edhe provën e fundit, por u rrëmbeva nga ovacionet e publikut, që më prishën në një mënyrë ekuilibrin. Ishte vërtet një garë shumë e mirë dhe për këtë dua të falënderoj trajnerët e mi, Zef Kovaçi dhe Genc Barkiçi, që kanë punuar kaq shumë me mua. Është e vërtetë që ne nuk kishim deklaruar objektiv për t‘u ngjitur në podium, por dëshironim të bënim një garim të mirë dhe fakti që unë dola i pari në baterinë time me 14 shtangistë, do të thotë shumë. Jam vetëm 20 vjeç dhe do t‘i hedh hapat me kujdes drejt një të ardhmeje më të mirë. Muajin e ardhshëm në Durrës do të luftojmë për medaljen e Evropianit", deklaroi Erkand Qerimaj, pak çaste pas përfundimit të garës.

Për trajnerin Barkiçi, performanca e sportistit të tij ishte e shkëlqyer dhe tani objektivat e Erkandit nuk do të jetë vetëm për përfaqësim, por edhe për medalje: "Erkandi ka bërë një garë spektakolare, siç e patë edhe vetë, saqë i gjithë pallati i sportit ka qëndruar në këmbë për minuta të tëra. Erkandi me këtë garim reagoi se është vërtet një talent i shtangës. Tani rruga është e hapur për të. Në olimpiadën e ardhshme ai duhet të luftojë për medalje. Londra nuk është as afër, por as larg, ndaj duhet shumë punë dhe përkushtim", përfundoi Barkiçi.

Pas përfundimit të garës, Erkandi është përshëndetur nga ministri Ylli Pango, që ishte i pranishëm gjatë zhvillimit të garës, presidenti i KOKSH, Hysen Domi dhe sekretari Stavri Bello. Sportisti shkodran do të vazhdojë të stërvitet në fshatin olimpik, deri në përfundimin e aktivitetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora