E shtune, 20.04.2024, 12:38 PM (GMT+1)

Mendime

Idro Seferi: Diplomacia shqiptare dhe tryeza maqedonase

E enjte, 14.08.2008, 09:00 PM


Diplomacia shqiptare dhe tryeza maqedonase 

Nga Idro Seferi

Një njoftim i shkruar keq ishte ngjitur në kioskat e shëmtuara të policisë kufitare shqiptare, në kufi me Maqedoninë. Një polic po sqaronte të gjithë qytetarët se, për shqiptarët është i ndaluar kalimi në shtetin fqinj, qoftë edhe për një orë, pa paguar sigurimin e udhëtimit për pesë ditë, e që në zyrat e kompanisë së sigurimeve aty afër kushton 5 euro. "Muhabeti" filloi aty dhe qytetarët kërkonin sqarime nga policët e shkretë shqiptarë, që të lodhur nga vapa e mesditës kujtonin gjithnjë pagat e tyre të vogla.

Mendova se ishte vetëm një problem i radhës. Por, nuk ndodhi kështu. Në bisedë me policin kuptova se maqedonasit dhe të gjithë shtetasit e huaj, të cilët hyjnë në Shqipëri, mund të paguanin vetëm nga një euro në këtë periudhë e të kalonin pa problem. "Madje, shpesh nuk kanë të holla dhe u themi t‘i paguajnë kur të kthehen", sqaron më tej polici.

Në atë pikë kufitare unë isha me shtatë shokë të mi shqiptarë. Ata duhet të paguanin edhe nga 10 euro për vizat. Pra, 105 euro për të shkuar për një drekë afër Shën Naumit. Sigurisht, ishte shumë ironike dhe e keqe për miqtë e mi që, pas gjysmë ore, kaluan duke paguar të gjitha të hollat, kurse unë, me pasaportë serbe, kalova lehtësisht, i shoqëruar edhe me urime mirëseardhjeje.

Pas shumë lajmesh në mediat shqiptare për konfliktin me vizat kam menduar se pse shqiptarët shajnë vetëm Maqedoninë. Normalisht që ky është një dënim dhe poshtërim i radhës për shqiptarët, të cilët jetojnë andej kufirit dhe një tension tjetër për të drejtat e njeriut. Por kjo më kujtoi një vendim të çuditshëm të Ministrisë së Jashtme shqiptare, kur hoqi vizat për serbët, në një kohë që Serbia nuk i hoqi për shqiptarët. Por, absurdi në diplomacinë shqiptare dhe me sistemin e administratës publike nuk është thjesht risi. Diplomacia shqiptare nuk ka ndonjë traditë dhe administrata publike përgjithësisht nuk ka ndonjë vazhdimësi. Sistemi i punësimit është partiak dhe kur vjen partia tjetër ndërrohen edhe pastruesit në ndonjë shkollë fillore, sepse nuk i përkasin partisë fituese!!!

Ndërkohë që po mendoja këto, vapa e krijuar nga asfalti nën këmbë po ma humbte durimin në pikëkalimin e Tushemishtit. Mua m‘u kujtua një histori. Ma kishte treguar një mik. "Zefi, një mësues fshati, po priste me ankth komisionin e Ministrisë së Arsimit. Po vihej në dyshim vendi i tij i punës (që edhe ashtu nuk kishte kush t‘ia merrte në ato kodra të humbura). Por, frika është e pranishme në Shqipëri. Në orën e matematikës ai po shpjegonte shifrat dhe shumëzimin. 6 shumëzim 5 bëjnë 32. Këtë e përsëriti tri herë. Pas kësaj, inspektori i Arsimit i tha Zefit të bënte kujdes, sepse 6X5 nuk bëjnë 32, por 30. Zefi i shkretë doli para nxënësve dhe tha: Me vendim të Ministrisë së Arsimit, që sot 6 herë 5 bëjnë 30 dhe jo 32"...

Qartë besoj!

Gjithçka bëhet edhe më e qartë kur kalon pranë tabelës shqiptare të kufirit, të shpuar nga plumbat. Asnjëherë nuk e kam kuptuar (bëhet fjalë për vizat me Maqedoninë) përse shqiptarët nuk reaguan. Sepse as tani, Maqedonia nuk lejoi festimin e shkronjave shqipe në Manastir, hoqi gjuhën shqipe si zyrtare, flamurin. Të gjitha këto janë të drejta që nuk i mohohen askujt. Atëherë, pse shqiptarëve?

Maqedonia tha se ishin shqiptarët që u dhanë ngjyrë të zezë zgjedhjeve maqedonase. Nuk pati reagim nga Tirana zyrtare. Askush nuk tha një fjalë. Shqiptarët, veç Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe ndonjëherë Turqisë, nuk mund të dalin askund pa viza. Ndaj, kryeministri shqiptar dhe shefi i diplomacisë do të duhej të kishin kaluar nga Shkupi, por jo për fotografi dhe dreka, por për t‘ua numëruar ca fjalë maqedonasve. Megjithatë, kot e kam, mendoj me vete. Në një shtet të këtij rajoni më ka ndodhur të gjej ambasadën shqiptare të mbyllur edhe në ditë pune. Jo në Serbi.

Dreka ishte e mirë, edhe pse kushtoi tre herë më shumë dhe e shoqëruar me ndjenjën e keqe që unë kalova aq lehtë me pasaportën serbe para fytyrës së bashkëkombësve të mi. Më erdhi shumë inat që buxheti i shtetit më vjedh dhjetë për qind të të ardhurave çdo muaj, pasi unë as që jetoj në Shqipëri. Fundja, qytetarët shqiptarë e meritojnë që ministri i tyre i Jashtëm të shkruajë një letër për ta. Ndoshta një kartolinë për Shkupin. Por, nuk e shkruan dot, se edhe ai ka hallet e veta: është nën hetime.

Pas kthimit në Shqipëri, po kthehesha prapë për në Shkup. Do të prisja nga Athina një kolegen time shqiptare, e bashkë do udhëtonim drejt Beogradit, si të ftuar në një seminar. Pas dhjetë orësh udhëtimi nga Athina në Selanik, maqedonasit i thanë se nuk mund të merrte vizë në kufi, por vetëm në ambasadë, në Athinë, sepse shtetasit shqiptarë mund të kalonin në atë mënyrë torturuese vetëm nga Shqipëria. Tri viza kishte marrë për të arritur në Bosnjë. Dhjetë orë mbeti në Athinë dhe dy ditë iu deshën për në Beograd. A ka më keq? Ndoshta po. Ndryshe nuk shpjegohet ëndrra që kanë shqiptarët për ta pasur atë letrën shumëngjyrëshe (vizën) në pasaportën e tyre.

Pas lodhjes, duke pritur, m‘u kujtua sërish polici shqiptar në kufi, ai që më tha "mirupafshim në edicionin e radhës", por edhe një barsoletë sllave: "Të dhjefsha Maqedoninë, që ka në perëndim Shqipërinë"!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora