Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halil Haxhosaj: Shfaqje me temë të zezë të korrupsionit

| E marte, 05.04.2016, 08:25 PM |


Recension

Premierë teatri

SHFAQJE ME TEMË TË ZEZË TË KORRUPSIONIT TRAGJIK

Martin McDonagh: “Dorëzimi në Skopan”, komedi në regji të Ilir Bokshit e  në interpretim të aktorëve të Teatrit të qytetit të Gjakovës

Nga HALIL HAXHOSAJ

Në vend të prologut

Teatri i qytetit të Gjakovës dha premierën e dytë të këtij viti dhe të këtij sezoni, shfaqjen “Dorëzimi në Spokan”, me regji të Ilir Bokshit. “Dorëzimi në Spokan” është vepër e Martin McDonagh, që autori e ka shkruara gjatë periudhës kur ka qenë në Amerikë. Kjo vepër është një komedi e zezë, e cila pa ndonjë ndërhyrje të madhe nga regjisori do të përfundonte tragjikisht, pra do të shndërrohej në tragjedi.

Premiera e dytë e këtij viti për Teatrin e Gjakovës shënon një rast tjetër historik të zhvillimit, sepse u vunë themelet e organizimit, funksionimit dhe të konsolidimit si teatër nën patronatin e Kuvendit të Komunës së Gjakovës. Edhe pse ka një numër të vogël aktorësh të pranuar, vetëm katër, dy prej të cilëve luajnë në këtë projekt, në të ardhmen kjo gjë do të konsolidohet me pranimin e aktorëve të tjerë rezistencë. Por, prapë i mbetet borxh, sepse është teatri i dytë profesionist e kombëtar në Kosovë dhe vitin tjetër, më 2017, shënon hiç më pak se dyzet (40) vjetorin e lindjes dhe të funksionimit.

Tema dhe shtjellimi i shfaqjes

Shtjellimi i shfaqjes “Dorëzimi në Spokan” mbështetet aty ku regjisori e trajton tekstin e autorit McDonagh të përkthyer nga Shkëlzen Berisha çka dëshmohet se teksti nuk është i botuar si vepër, pse jo, si komedi, në gjuhën shqipe. Andaj, mund të thuhet se regjisori Ilir Bokshi e ka lexuar tekstin e përkthyer dhe e ka bërë regjinë e saj në skenën e Teatrit të qytetit të Gjakovës. Prandaj në premierën e shfaqjes depërtuan elemente, ndjenja, forma, lëvizje, theksime dhe interpretime të një atmosfere, që diku-diku lente shpesh qëndrime të përgjithësuara, por që ngjizeshin në atmosferën e krijuar. Për t’u arritur domethënia, pse jo edhe qëllimi i shfaqjes, regjisori e ka të ngulitur në rrëfimin e saj, mbase edhe si qëllim e figuracion dorëzimin e elementit që shfaqet objektivisht në dhomën e një hoteli që është diçka e jashtëzakonshme. Fjala është për një dorë të prerë që i mungon personazhit Karmajkell, e cila bëhet shkak i lojës së mashtrimeve të atyre që e kanë bërë profesion këtë gjë duke u bërë tinejxherë për të fituar, Tobi, zezak dhe bukuroshja biondinë, Merillin. Kjo formë e shprehjes dramatike sa vjen e thellohet, por nuk mbulohet me hijet e fshehtësive apo të moskuptimeve në skenë. I nakatosuri që kërkon dorën e prerë, duke i kuptuar këto mashtrime të tyre, përdor forma të ndryshme që më tepër janë të vrazhda, por edhe funskionale dhe të efektshme mbështetur në konfliktin dramatik. Andaj, kështu, tema kryesore e shfaqjes është kërkimi i dorës së prerë në forma dhe vende të ndryshe. Shumë i thonë personazhit të gjymtuar e pa dorë, Karmajkell, se ja kanë gjetur dorën dhe kështu duan ta mashtrojnë me qëllim që të fitojnë. Por ai nuk pengon askënd, i merr të gjitha duart që ia sjellin dhe i fut në valixhe. Kjo valixhe shndërrohet në koleksion duarsh të prera të sjella nga mashtrues të ndryshëm.

Ngjarja ndodhë në një dhomë hoteli ku dy personazhet, mashkulli zezak Tobi dhe femra bukuroshe biondinë, Merillin, i premtojnë se ja kanë gjetur dorën. Në këtë pikësynim gërshetohet dhe rrjedh më tutje realizimi dhe konflikti dramatik i komedisë. Për ta ngjizur dhe dendësuar më tej zhvillimin e këtij mashtrimi, i gjymti vendos t’i  mbajë peng Tobin e Marillinin.

Kërcënimet me thika e lidhja me zinxhir të dy së bashku me duar zhvillon tempon e mëtejme të ngjarjes, e cila tashmë ka rëniet e ngritjet e konfliktit sipas gjendjes dhe situatave që krijohen në një hapësirë të caktuar skenike, në shtratin e dhomës. Ky qëndrim i fiksuar skenik shpesh duket paksa i njëjtësuar, sepse aktorët që interpretojnë janë të detyruar ta kthejnë shpinën kah publiku, që ndonjëherë u kalon në shprehi. Por edhe kështu nuk paraqet ndonjë statikë të tepruar as nuk bëhet pengesë e pakalueshme e zhvillimit të rrjedhës dramatike. Format e kërcënimeve të të nakatosurit, Karmajkellit, fitojnë formën e kulmimit me rastin e spërkatjes me benzinë dhe ndezjes së qiririt për t’i djegur. Ky tentim zgjohet nga urrejtja e shtresuar ndaj zezakut, por edhe ndaj femrës bukuroshe që bashkëpunon me të.

Recepsionisti, Mervini, i cili punon në hotel, e zbërthen ngjarjen në të mirë që të mos ketë përfundim të keq, madje që mashtruesit të mos vriten. Edhe ai është person që ka mëkatet e veta, sepse njihet për të bëmat, sidomos për konsumim të narkotikëve. Ai është i njohur për Tobin, nga i cili kishte siguruar narkotikë. Recepsionisti, Mervin, është hallka e ndryshimit të kahes dhe pengesa e trajtave të zeza që janë prezentë në këtë komedi, e cila sado pak është komedi e zezë. Kjo është pak a shumë tema e shfaqjes së komedisë “Dorëzimi në Skopan” në natën e premierës.

Interpretimi i aktorëve dhe gjuha

Premiera e komedisë “Dorëzimi në Skopan” e Martin McDonagh, në regji të Ilir Bokshit ka katër personazhe që rolet i interpretuan: Edi Kastrati-Karmajkelli, Edmond Hafizademi-Tobi, Albulena Kryezu-Marillin dhe Bujar Ahmeti-Mervin. Secili nga personazhet dendësohet me veçori dhe të përbashkëta që ngjizen dhe latojnë strumbullarin e shfaqjes si realizim skenik, apo si shfaqje në skenën e Teatrit të Gjakovës. Duke u kapërdirë nëpër këto hallka, qëllimi i regjisorit Bokshi arrin atë që synon, por edhe karakteret e personazheve defilojnë dhe shpërfaqen nëpër hallkat e rrjedhës dramatike. Kështu, vetvetiu shfaqja merr kompletimin, i cili sa vjen e definohet në rrjedhën e vet.

Sipas formës së shfaqjes personazhet shpesh janë të gjithë në skenë e të veçuar, por jo të vetmuar. Qëndrim të dyjëzuar, të pandarë në skenë nga fillimi deri në mbarim të shfaqjes kanë Tobi (Edmond Hafiademi) dhe Marillin (Albulena Kryeziu). Të gjitha këto dhe veprime të tjera gërshetohen edhe me efektet e tjera të skenës, dritave dhe të muzikës.

Meqë fjala është elementi bazë i një shfaqje, edhe në këtë premierë ajo pati një synim të tillë. Gjuha skenike e përdorur nga aktorët ishte në një nivel të caktuar, edhe pse nuk u komunikua tamam në standardin letrar. Po ashtu nuk u përdor as e folmja nëndialektore e gjakovarishtes, por në diksion vërehej diksion i të folmes kosovar, gjegjësisht i asaj që përdoret më shumë në Prishtinë me disa trajta karakteristike që përdoren edhe në radio, televizion e të tjera. Në disa raste dhe momente të dialogut të personazheve përdorej ndonjë fjalë e zhargonit të “pist”, që rrjedhte si antivlerësuese me situatën dhe shtjellimin e konfliktit dramatik. Mbase, këtë gjë e ka teksti i përkthyer, por ato shprehje kanë mundur të zëvendësohen me fjalë tipike shqipe që kanë të njëjtin efekt, mbase edhe më të qëlluar. Kjo u vërejt edhe nga spektatorët, ë nuk duartrokiten, madje as nuk bënë ndonjë gjest kur dëgjoheshin fjalë e shprehje të tilla “të pista”. Kulmi u arrit kur recepsionisti Mervin komunikoi me bukuroshen biondinë Marillin, në fund të shfaqjes. Fjala skenike, në premierën e kësaj komedie, qëndroi në nivelin e duhur dramatik e artistik.

Aktori Edi Kastrati që interpretoi rolin e Karmajkellit kishte një barrë paksa kryesore në shfaqje. Ai me një vokacion të duhur, sjellje e lëvizje të matur skenike, pa teprime e tejkalime, me diksion të matur dhe të duhur artistik e dramatik, arriti ta interpretojë këtë rol ashtu siç duhet në nivel dhe sipas kërkesave të regjisorit. Edhe rastet e dialogëve me të tjerë qëndronin në nivel pa teprime, pa karikime apo tejkalime të tepërta.

Edhe Bujar Ahmeti në rolin e Recepsionistit Mervin arriti ta perfeksionojë rolin. Qëndrimet e tij, gjestet, e sidomos lëvizjet skenike e plotësonin dhe e pasqyronin këtë rol. Madje, ky personazh shpërfaqej i tillë nga të gjitha anët dhe aspektet.

Ndërkaq, Edmond Hafizademi në rolin e Tobit zezak edhe kësaj here dëshmoi për një interpretim të vetin që herë pas here po vjen duke u konsoliduar, e pse jo edhe duke përparuar.

Albulena Kryeziu në skenën e teatrit nuk u treguar nën nivelin e interpretimeve të roleve në seriale televizive e të tjera. Talenti i kësaj aktoreje u dëshmua edhe këtu, edhe pse në disa skena gjatë interpretimit bënte ndonjë grimasë zëri që shkallohej nga interpretimi. Por, kjo gjë nuk zgjatej dhe çdo gjë pastaj binte në binarët e duhur.

Në tërësi, ky grup aktorësh dëshmoi aftësitë e veta gjenerale, por edhe individuale që i dhanë shpirt, dimanikë, koncept dhe zhvillim premierës së shfaqjes “Dorëzimi në Skopan” në regji të Ilir Bokshit. Andaj, Teatri i Gjakovës ka kuadro të reja që do të shkëlqejnë në dërrasat e skenës së tij në premiera dhe në projekte të tjera.

Skenografia është punuar nga Petrit Bakalli, për kostumet është përkujdesur Vesë Kraja, ndërsa muzika është punuar nga Trimor Dhomi, asistent Valon Pallaska, e të tjera.

Skenografia ka shtrirje që përkon me zhvillimin e ngjarjes dramatike edhe pse aty-këtu me hapësira të pakontribuara. Ndërkaq muzika e Trimor Dhomit koordinohej mirë me skenografinë e sidomos me efektin e dritave. Andaj, muzika e tij në disa premiera të këtij teatri ka pasur sukses.

Efekti i dritave, kostumet dhe elemente të tjera janë pjesë që funksionuan në këtë premierë.

Në vend të epilogut

Kjo premierë e dytë në Teatrin e Gjakovës dëshmoi se patjetër duhet të shpejtohet në konsolidimin dhe plotësimin e tij për të pasur rrjedhë dhe jetë më të gjatë artistike. Dëshmi, përveç të tjerash, ishte edhe publiku i Gjakovës, i cili është i krijuar dhe i rritur bashkë me këtë teatër dhe pa të cilin nuk mund të pajtohet. Edhe trupa artistike të kompletohet sa më parë dhe të zgjedhën drama për sezonin e ardhshëm.

Pasi që dy premierat e këtij sezoni ishin tekste të letërsisë botërore, është mirë që për shfaqjet e sezonit të ardhshëm të përzgjidhen drama nga letërsia shqiptare.