E marte, 19.03.2024, 04:51 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Zylo: Nga internimi në Savër në botën e lirë amerikane

E diele, 03.04.2016, 07:17 PM


Adriana, nga internimi në Savër në botën e lirë amerikane

E trishtë është ta them, por unë në Mëmëdhe nuk gjej ndonjë moment lumturie në jetën time, sepse kalova një kalvar të tërë vuajtjesh, dënimesh, pushkatimesh dhe persekutimesh…  Adriana Dine Radi

Bisedë me znj. Adriana Dine – Radi

Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Znj. Adriana Dine – Radi ka lindur ne internim.  Babai i saj Dr.Lazër Radi ka qenë i burgosur, internuar në gjithë kohën e zezë të diktaturës, nëna e saj pati të njejtin fat persekutimi, bashkëshorti Dine Dine u burgos politikisht për 10 vjet, vjehrri u burgos dhe u pushkatua pa gjyq, ndërsa gjithë fisi Dine u persekutuan dhe përndoqën tmerrësisht. Znj. Dine Radi lindi në Lushnje, më 8 korrik 1959, ne internim. Mbaroi shkollën fillore dhe 8-vjeçare në Savër të Lushnjes. Në vitin shkollor 1974-1975, e përjashtojnë nga Gjimnazi  “20 Tetori” i Lushnjes. Më 1976, martohet me Dine Dinen. 1976-1990 - punon në punë të rënda në Bujqësi në Gjazë të Lushnjes. 1991 - vendoset në qytetin e Nju Jorkut

Ka dy fëmijë një djalë dhe një vajzë Ervinin dhe Suelën.  Ervini nga një djalë i lindur në internim, në Amerikë mbaroi një nga shkollat më prestigjioze fakultetin e Shkencave Politike në Columbia University.  Momentalisht, Znj. Dine Radi jeton dhe punon në qytetin e Nju Jorkut

Znj. Dine na flisni ju lutem për fëmijërinë tuaj dhe si e keni përjetuar atë?

Unë kam lindur në Lushnje, ndërkohë që prindërit e mi ishin në Kampin e internimit Çermë të Lushnjes, në korrik të vitit 1959.  Në atë kohë, babai im, Dr. Lazër Radi, sapo qe transferuar nga kampi i internimit në Kuç të Kurveleshit në kampin e Çermës.  Fillimisht u vendosën në Gradishtë, më pas në Çermë, dhe mbas dy vitesh qëndrimi aty, i transferuan në nji tjetër Kamp interrnimi, në atë të Savrës, në fillim të vitit 1960.

Në Savër, kam kryer shkollën fillore dhe tetëvjeçaren, më pas kam vazhduar gjimnazin në Lushnje, por pa mbaruar vitin e parë më përjashtuan.  Kam punuar për më shumë se nji vit si punëtore bujqësie, derisa në vitin 1975, u martova me Dine Dinen, i cili ridhte nga një familje e njohur nacionaliste dibrane.  Në vitin 1980, kishim nji fëmijë pa mbushur ende vitin, kur përjetova arrestimin dhe burgosjen e bashkëshortit tim për motive politike me 10 vite heqje lirie. (agjitacion e propagandë).  Mbas një viti, nga dëshpërimi për të birin, më vdiq edhe vjehrra, duke më lënë me djalin që nuk kishte mbushur ende dy vjeç.  Në këtë situatë të vështirë, munda të mbijetoj vetëm në saje të prindërve të mi dhe kushërinjve të burrit që m'u gjendën gjithmonë pranë, në kohët më të vështira të jetës sime...

Ju keni lindur në internim, në Savër, të dënuar nga diktatura e egër komuniste, cilat janë disa nga momentet më të vështira të jetës suaj atje?

Deri në moshën 31 vjeçe, krejt jeta ime është vërtitur në tre kampe interrnimi në Myzeqe: në atë të Çermës 1959-1960; në atë të Savrës 1960-1975, dhe atë të Gjazë 1975-1990.  Kampe ku krejt ne brezi i fëmijvë të lindur nga prindër të dënuar dhe të burgosur, pësuam padrejtësisht dhe vijuam fatin tragjik të tyre.  Kam pasur gjithashtu edhe fatin “të shetis” edhe nëpër mjaft burgje të vështira si ai i Spaçit, i Qafë-Barit, Zejmeni dhe Kampi i Kompleksit Dinamo, ku bashkëshorti im qe i detyruar të vuante dënimin e tij politik.  Mjafton të lexoni disa nga  rrëfimet e mia të kësaj periudhe të cilat i kam paraqitur të shkruara në sitin www.radiandradi.com, e ku pasqyroj sigurisht me thjeshtësi dhe sinqeritet prej gruaje dhe nëne, vetëm një pjesë shumë të vogël të vuajtjeve të mia të pafundme.

Po për të krijuar një ide më të plotë po ju përmend edhe pak gjëra të tjera: Isha fëmijë dhe shumë gjëra nuk arrija t'i kuptoja, prindërit tanë ishin munduar me mish e me shpirt që ne të mos e ndjenim atë botë të egër ku jetonim... kështu, mbasi mbarova tetëvjeçaren, mendoja se duhej të isha e lumtur mes moshatarëve të mi, në shkollën e re që munda të regjistrohem me njëmijë sakrifica.  Pa përfunduar vitin e parë të gjimnazit u gjet një pretekst qesharak për të më përjashtuar mua dhe një shoqen time që ishte ashtu si unë.  M'u desh të filloja punë me kazëm e lopatë që në moshën 14 vjeçare.  Mbas dy vitesh u martova dhe u vendosa në Gjazë.  Më vdiq fëmija i parë pa mbushur ende 2 vjetët.  Dhe djali që më lindi më pas, Ervini, nuk kishte mbushur ende vitin, kur më burgosën bashkëshortin... një vit më pas më vdiq edhe i vetmi person që kisha pranë, vjehrra.  Pra, e vetme, në një kamp përqëndrimi me një foshnje në krahë, kur nuk isha me shumë se 21 vjeçe... E kështu mund të vazhdoj pafund, mbasi e trishtë është ta them, po nuk gjej ndonjë moment që mund të quhet çast lumturie në jetën time.

Ju jeni e bija e Dr. Lazër Radit, një intelektual i shquar i Kombit, çfarë keni mësuar nga babai juaj dhe si do ta ruani pasurinë kulturore që ju ka lënë babai?

Babanë e kam pasur mbështetje morale e pikë referimi përgjat gjithë jetës sime.  Prej tij kam mësuar gjithçka që nga më e thjeshta e deri tek privimet e mëdha të familjes sonë.  Për mua ai ka qenë jo vetëm prindi dhe familja, po edhe shkolla, edhe libri, edhe besimi, edhe shpresa.  Këshillat e tij më kalisnin vullnetin, më ringjallnin shpresën si mund t’ia dilja me sukses përballë çdo lloj vështirësie, të isha dinjitoze përballë peripecive dhe vuajtjeve, sidoqë ato të më paraqiteshin. Nuk e di nëse do t'ia kisha dalë pa figurën e tij frymëzuese dhe pa atë jetën e tij pranë jetës sime.  Edhe pse kemi qenë të varfër materialisht si pjesa dërmuese e popullit shqiptar, duke pasur nji baba të tillë pranë ne u ndjemë të pasur shpirtërisht, dhe mundëm të përfitojmë edhe në ato kushte izolimi mjaft nga kultura botërore që na trasmetohej përditë prej tij.

Si unë edhe vëllezërit e mi Jozefi e Luçiano Radi, u lidhën mbas krijimtarisë së babait tonë, dhe të tre së bashku po përpiqemi të bëjnë publike gjithë ato dorëshkrime të shumta, si ese, poezi, publicistikë, përkthime të cilat babai nuk pati kohë  t’i nxirrte në dritë e që ne së shpejti do t'i kemi gati për botim...

Me një fjalë, të ishe vajza e vetme e Lazër Radit, për mua ka qenë një fat dhe privilegj i madh... Ai ka ndarë me mua të gjitha dhimbjet pa u ankuar kurrë, se po bënte shumë apo diçka të veçantë.  Pastaj të ishe në konfidencën e tij është diçka që fjalët e mia janë tejet të varfëra për ta dëshmuar si duhet... Ndjehem krenare sa herë përmendet emri i tij... dhe kurrë nuk me ka ndodhur që një njeri që e ka njohur atë të ketë thënë diçka tjetër veç respektit të thellë ndaj tij...

Vëllai juaj Jozef Radi, është një poet i talentuar dhe një eseist i shkëlqyer, si janë frymëzuar fëmijët tuaj nga vëllai dhe babai juaj si shkrimtarë të mirënjohur ndër lexues të shumtë?

E vërteta është se fëmijët e mi ishin ende të vegjël, kur ne u detyruam të largoheshim nga Shqipëria. Duke u rritur, nën shtysën e babait të tyre, Dines, herë pas here edhe ata shfletojnë veprat e gjyshit e të dajës së tyre. Sigurisht frymëzohen, po unë besoj se edhe ata ndjehen krenarë për arritjet e tyre dhe përpiqen mos të mbeten mbrapa për sa ju është e mundur. Pa harruar se sot ata jetojnë në realitete të tjera dhe me interesa të tjera...

Babai juaj Dr. Radi kishte 100 Vjetorin e lindjes, si u ndjetë Ju, si bija e tij që shteti dhe institucione të ndryshme kulturore heshtën për veprën e tij?

Shteti dhe institucionet kulturore edhe sot e kësaj dite heshtin për vlerat e kollosëve të vlerave të artit e letërsisë shqipe që ata gjatë regjimit komunist i etiketuan si “reaksionarë”. Do të habitesha sikur të kishin vepruar ndryshe me babanë tim.

Po ne si fëmijë, po bëjmë gjithë përpjekjet që vepra e tij, puna e tij, vlera e tij nji ditë do të vlerësohet.  Im atë thoshte gjithnjë: “E keqja nuk mund të jetë kurrë e përjetshme!”

Ç'mund të na tregoni për nënën tuaj të ndjerë, e cila rridhte nga një familje fisnike dhe ashtu si ati juaj e persekutuan po aq egër?

Eh, vërtet ç’mund të them për nënën time?!  Një grua 20 vjeçe që mbasi ia dënuan të shoqin me tridhjetë vite burg, dhe mbas nji viti i vdes fëmija i parë, në moshën 24 vjeçe e dënojnë dhe e persekutojnë njësoj si bashkëshortin e saj...  Duke jetuar tmerre të parrëfyeshme... Ajo që mund të them është se ajo e ndoqi gjithkund bashkëshortin e vet me besnikëri deri në vdekje, duke i rritur tre fëmijë në kushte kampesh dhe vuajtjesh, dhe duke ndarë jo vetëm ditë të vështira po edhe sakrifica të panumërta. Ajo grua ishte nji mbështetje e jashtëzakonshme për atë njeri të jashtëzakonshëm që ishte im atë... Edhe sikur vetëm kaq sa tregova është e mjaftë për të dëshmuar vlerat e saj... e që në fund të fundit ishte nji grua e thjeshtë, dhe një nënë e devotshme si pakkush...

Ju keni në krah një bashkëshort shembullor, Dine Dinen, nip i ish ministrit të Brendshëm dhe ish Kryeministër i Shqipërisë... Kam lexuar që i ati i tij është vrarë, dhe ai u interrnua qysh fëmijë e më pas edhe u burgos... çfarë mund të na thoni për jetën e tij të vështirë?

Bashkëshorti im rjedh nga një familje e njohur nacionaliste dibrane. Bir i një oficeri zogist, Esat Dine dhe nip i ish/kryeministrit Fiqiri Dine, ai përjetoi gjithë pasojat e një jete të vështirë që për fat të keq e njohu qysh fëmijë. I ati u burgos dhe u torturua për vdekje dhe së fundi, për motive politike u vra pa gjyq nga forcat e regjimit. Xhaxhai, Fiqiriu, emigroi në Greqi e më pas në Belgjikë, ku edhe ndërroi jetë, kurse krejt fisi i tij u persekutua, për gati një gjysmë shekulli.  Dinia, që në fëmijëri njohu tmerret e kampeve shfarosëse të Turanit, Tepelenës, Porto-Palermos, Savrës dhe së fundi Gjazës. U arrestua e dënua për agjitacion e propagandë me dhjetë vite burgim që e vuajti në burgjet e Spaçit, Zejmenit (Lezhë), Qafë-Barit.

Në emigracionin në Amerikë, ka botuar vazhdimisht shkrime me karakter publicistik, ese, kritikë letrare, përkthime dhe tregime të përjetuara në skëterrën komuniste. Ka në dorëshkrim “Kujtimet”, ku përshkruan gjithë vuajtjet e tij, tonat e të mjaft prej bashkëvuajtësve në kampet dhe burgjet komuniste.

Cili është reagimi i fëmijëve tuaj tashmë të rritur për jetën tuaj aq të vështirë dhe tejet diskriminuese?

Veçanërisht djali, i cili ka qenë më i rritur kur jetonim në Shqipëri, vonë, tepër vonë, na ka treguar episode tronditëse, ku del qartë diskriminimi që ju bëhej edhe fëmijve të të deklasuarve. Duke qenë se ka mbaruar fakultetin e Shkencave Politike në Columbia University, ai është i interesuar të dijë gjithçka ndodh sot në vendin e tij, dhe ndjehet tejet i revoltuar për atë që ndodhi dikur, por më shumë për atë që vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite në këtë të ashtuquajtur “demokraci”.

Nëse do të shihnit persekutorët tuaj në mjedise të ndryshme, çfarë do t'u thoshnit atyre?

Ata nuk e meritojnë t'u flasësh, sepse ata nuk kanë asgjë njerëzore... Po nëse do t'ju thosha diçka do të ishte: “Të paktën, të kishit kërkuar ndjesë...!”

Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve të krimeve nga diktatura?

Dosjet duhej të ishin hapur prej kohësh, po as sot nuk është kurrë vonë për t'u hapur. Do të ishim çliruar nga shumë ankthe e komplekse që po na marrin frymën. Sikur të bëhej kjo, gjithçka mund të ndryshonte rrënjësisht.

Kur erdhët në Amerikë dhe cila ishte rruga për të arritur në botën e Lirisë?

Kjo është histori e gjatë.  Dua vetëm të theksoj që një rol vendimtar luajti kushëriri i parë i bashkëshortit tim, i ndjeri, Hiqmet Dine, i cili nuk kurseu asgjë për të përshpejtuar ardhjen tonë në Botën e Lirë. I mbetemi mirënjohës përjetësisht.

Cilat janë disa nga përshtypjet kryesore të jetës suaj si grua në Amerikë?

Nuk mund të themi se shpresonim të gjenim parajsën. Kemi punuar shumë e po vazhdojmë të punojmë, por mund të them vetëm një gjë: për njerëzit e aftë e të përgjegjshëm, Amerika është vendi më i mirë në botë, ku secili mund të gjejë rrugën e vet pa ndjerë asnjë lloj diskriminimi.

Si e shikoni rolin e gruas në Diasporë dhe të komunitetit për çështjen kombëtare?

Roli i gruas në Diasporë dhe ai i Komunitetit për çështjen kombëtare janë një vlerë shumë e çmuar për Shqipërinë e shqipëtarët, kudo që janë. Përsa i përket gruas në veçanti, më lejoni t’ju bëj një kompliment: Ju jeni një prej aktivisteve ku seicili mund t’ju merrte si shembull.  Unë e vlerësoj kontributin tuaj!

Në SHBA, ka një komunitet të konsiderueshëm të rinjsh... sa të integruar e shihni ju këtë komunitet në jetën amerikane?

Ndoshta është një veçanti e të rinjve shqiptarë, por unë i shoh mjaft të integruar me jetën amerikane, po aq sa i shoh të lidhur edhe me jetën brenda komunitetit tyre.

Gjë e cila ndodh edhe me fëmijët e mi!

Çfarë ëndrrash ka të parealizuara Adriana?

Dëshira ime e vetme ishte të vazhdoja shkollën e mohuar në vendin tim, por kjo më qe e pamundur sepse më duhej të punoja për të mbajtur familjen e t'i shkolloja fëmijët.  Kjo ëndërr nuk u realizua ndonjëherë.

Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit "Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut" ideuar nga "Albanian Excellencë", libër që do të botohet për herë të parë për grate e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?

Endrra ime më e madhe ka qenë lumturia e fëmijëve. Sot ndjehem e lumtur që lodhja ime nuk më shkoi kot, të paktën e plotësova te fëmijët e mi atë ëndërr që nuk munda ta realizoj për veten time, në vendin tim!  Ata mbaruan shkollat e larta dhe ecin sot në mënyrë të pavarur.  Më vjen mirë që më konsideroni si grua të realizuar. Ju faleminderoj!

Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

Krahas misionit të saj të natyrshëm, mbarëvajtjes së familjes, nuk kam dyshim  se gruaja shqiptare, me inteligjencën e saj, do të jetë e pranishme në çdo fushë të jetës  në art e në kulturë, biznes e gjer në politikë... unë besoj në vlerat dhe aftësitë e gruas shqiptare... sepse kam besuar në veten time!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora