E enjte, 28.03.2024, 02:24 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Masakrat serbe në Dumre

E diele, 03.04.2016, 07:20 PM


Serbët në Elbasan, 1913

PËRMENDORET E PANGRITURA TË MASAKRAVE SERBE NË DUMRE

Kujtesë historike

NGA PËLLUMB GORICA

Historitë e masakrave ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit të kaluar janë ende të paharruara. Aq të pashoqe ishin këto sa nuk mbetën pa u vënë re nga udhëtarët e studiuesit e huaj, duke përmendur fakte interesante me vërtetësi, të cilat i bën të njohura. Ato kanë vlerë të madhe historike, sepse e shkruara mbetet. Veçse është e pamundur që në një shkrim modest të shprehesh me hollësi, por shkurtazi do të paraqesim disa nga këto momente.

Një fillimshekull tragjik

Trojet tona kanë vuajtur gjithmon nga pushtuesi. Ndonëse e kanë copëtuar dhe grabitur shekujve, si një trup i plagosur kanë lënguar gjithmonë. Pas Shpalljes së Pavarësisë, ekzistenca e shqiptarëve qëllimisht po tkurrej me shkëputje të trojeve të tjera, dhe rreziku u shfaq më shpejt se sa mendohej. Kjo periudhë e fillimshekullit të kaluar ka qënë një nga momentet më të trishtuara në historinë shqiptare, e cila nuk mund të kalohej pa lënë gjurmë. Drejt trojeve tona u derdhën kafshimet e bishave që na rrethonin, të grekëve në Jug, bullgarëve në Lindje, serbo-malazezëve në Veri-lindje. Krahina të tëra shqiptare u kërcënuan nga mësymjet e tyre pushtuese e shkatërruese, me  ngjarje të hidhura. Sidomos në ditët e para pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e cila shënoi edhe momentin kyç për krijimin e shtetit shqiptar, situatat u rrokullisën me një shpejtësi të madhe. Shteti i sapo krijuar shqiptar, në terësinë e tij të brishtë territoriale ku shtrihej, po krijonte institucionet, të cilat punuan për hapjen e shkollave, postë telegrafisë, të strukturave ushtarake, e xhandarmarisë, etj.  Ndërkohë, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e nisi veprimtarinë diplomatike për të njohur Shqipërinë në Europë. Ajo protestoi pranë Fuqive të Mëdha kundër monarkive ballkanike të etura për cënimin e kufijve të Shqipërisë.

Forcat serbe kishin pushtuar Kosovën dhe shumë krahina në Veri të Shqipërisë, po me inkursionet e tyre në fund të vitit 1912, dhe fillim të vitit 1913 kërcënuan edhe Shqipërinë e Mesme. Erdhën tek dera siç thonë shqiptarët. Serbët kërkonin pushtimin e territoreve deri në Shkumbin, duke bërë edhe reprezalje të panumërta në popullsinë e pambrojtur. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën një varg ngjarjesh të rënda. Përshkrimi i imtësishëm i tyre, përmasat, dëmet, natyrisht janë të dokumentuara me kohë, ku janë shkruar në studime, libra, veçse këtu me anë të disa fakteve kuptimplote, të rrëfyera nga histori të shumta gojore prej bashkohësve, trasmetuar brez pas brezi, na mundësojnë t’i përmendim. Një kujtesë kokëforte, e ngjeshur ngjarjesh, e dhunshme që të kujton krimet e shumtuara të ushtrisë serbe, si gjithë ushtritë fqinje me orekset e tyre lakmitare.

Edith Durhami, kjo, njohëse e trojeve tona, dhe një mike e madhe e kombit tonë, bëri të mundur ndërkombtarizimin e çështjes shqiptare në botë për të thënë të vërtetën e hidhur ndërmjet përshkrimit të gjallë të këtyre ngjarjeve barbare. Le të citojmë disa radhë nga botimi i saj, “Njëzet vitet e trazirave të mëdha

Gjatë kësaj kohe Shqipëria ishte e shqetësuar për vdekje. Serbët dhe Grekët si do që ishin ngopur me gjak kërkonin të thithnin edhe gjakun e saj. Nga krahinat e pushtuara na vinin lajme të dhimbshura mbi mizoritë e panumërta që bënin si serbët dhe malazezët në popullsinë shqiptare. Në lezhë duke kaluar nëpër fshatrat e djegur dëgjova rrëfime macabre të serbëve. Në Krujë merrnin njerëz nga rruga dhe i varnin pa gjyq. Pothuajse pesëdhjetë vetë e patën këtë fat. Oficerët serbë përgjegjës për këto mizori ishin Dragoslav Voivoniç dhe Dragoljub Petroviçi. Në Tiranë dhe në Elbasan gjenden mijëra njerëz të shkretuar, me këmbë të copëtuar dhe të këputur nga rruga. Ata janë dibranë e lumjanë të ikur prej barbarive të shkaktuara. Në Kavajë dhe në Peqin mësuam për masakra të tjera serbe.  Dhe në vend që t’i mbulonin krimet e tyre, serbët përkundrazi mburreshin me këto dhe vazhdonin të thërrisnin: Vdekje shqipëtarëve!.

Gjëra të tmerrshme po ngjajnë. Unë po tmerrohem para tyre… nuk dua të them më gjatë, por Luma u shua krejt. Në ato anë nuk shikohet gjë tjetër veç kufoma dhe hirit.” Letra e një ushtari serb në fletoren “Radniçkë Novinar.”

Një përmbledhje të shkurtër, të këtyre ngjarjeve, i trajtoi edhe Lef Nosi  në “Dokumentet historike”. Ky botim i rëndësishëm, që është bërë i njohur vetëm pas viteve ’90, tregon për këtë periudhë të vrullshme, ecuritë kronologjike të shtrira në kohë e hapësirë, figura patriotike qoftë të njohur, por edhe pak të njohur, gadishmërinë e tyre në shërbim të çështjes kombëtare, dhe vet historinë tragjike shqiptare, të këtij fillimshekulli. Këto Lef Nosit ja mundësonte qenësia e tij në detyrën e Ministrit të parë të Postë Telegraf në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe si një intelektual i mprehtë, i gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Po sjellim tekstualisht një pjesë nga libri në fjalë i tij, të korrespodencave të kohës, për të dhënë sadopak atmosferën e kësaj periudhe.

Vlonë, 16 Vjeshta e Tretë 1328-1912

Me anë të zyrës telegrafike t’Elbasanit

Komandantit Serb Gjeneral Metoviçit

Tyke qenë se gjithë Mbretniët e Mbretnia e Juej e pohojnë qenjen kombëtare të kombit Shqiptar, edhe ai e ka shpallë Indepedencën e Tija e i  ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet të Mëdha, Mbretnivet të Ballkanit dhe Ministriës së Punvet të Jashtme të Serbiës, marr vesht ndashti, se Fuqia Ushtarake qi asht ndën komandën Tuej, po ecën përpara e ka vu mend me Shkelë Elbasanin. Asht e ditun se sikur shkelja e tokës Shqiptare asht kundër së drejtës, asht edhe shkelja e Elbasanit prej Jush do me thanë se kërkoni me i nngelë mbë qafë nji vendi independent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiën. Protestoj vepërimin Tuej edhe lutem të prapseni nga ky vepërim.

Kryetari i Qeverriës së Përkohshme Indepedente Shqiptare

Ismail Qemali”

“Berat, 14 Vjeshta e tretë 1328-1912

Shërbesë telegrafike me randësië të madhe e urgjente Shkëlqesiës Tija Ismail Qemal Beut Vlorë

Sikurse ju tregova edhe ma parë, ushtria qi asht tyke ardhë pa pushim, nuk asht vetëm ajo e Trupit Ushtarak të Vardarit, por ashtë edhe e fuqiave të ndryshme. Numri i saj si duket, nuk asht sikurse ju asht thanë… Ndo nga vështirësia e mulkimit të nji shumice të jashtëzakonshme qi shtohet përditë, ndo nga vrevat e rreziqet qi mund të lejnë, pa dyshim nuk e shof në sigurim vendin. Lutemi me na tregue ç’duhet të bajmë edhe presim ma parë nga Zoti e pastaj nga Shkëlqesia e Juej, qi të shpëtojmë nga këto vreva e nga këto rreziqe. Aziz Vrioni”

Elbasan 19 Vjeshta e Tretë 1328-1912

Të Naltës Kryesië të Qeverriës së Përkohshme Shqiptare Vlonë

Pas të thanmes s’Ahmet BejMatjes, i cili erth këtu, populli i Lumës edhe nji pjesë e Malsiës së Dibrës qi asht njitë me të, të ndezun nga hymja e Serbvet në Lumë me vrasje e me djegje shpiash, i kanë ndenjun kundër edhe kanë vramë afro gjashtë batalione ushtarë. Fuqiën tjetër qi ka mbetë e kanë shporrë e largue nga Luma tyke pushtue edhe disa topa e mitraloza. E ranmja e Serbvet më qafë me këtë mënyrë, nji populli qi nuk do me qënë në luftë me ‘ta asht kundër detyravet njerzore e të Drejtës Ndërkombëtare. Mirpo nji sjellje e këtillë kundrejt nji popullsie të Shqipniës sikurse asht Çermenika - qi nuk i uka bind e shtrue kurrë regjimit të parë - mendojmë se do të shkaktojë nji situatë si ajo e Lumës. Këtu, pa ditë gja Qeverria e Vendit, ushtarët Serbë po vijnë nga dhetë e nga tridhetë edhe sot a nesër pritet nji fuqië ushtarake, numrin e së cilës nuk e dimë.

Pasi situata e sotme asht tepër e padallueshme, lutemi qi tyke bame me të shpejtë hapa dipllomatike përanë kabinetevet, t’i epet nji përfundim i shpejt i çashtjes edhe të merren masa sa ma shpejt, qi ushtria Serbe të mos e konsiderojë popullin e kësaj ane si armik e si Ottoman, edhe të na bani me ditë.

Kryetari i Qeverrisë se Përkohshme të Shtetit

Indepedent të Shqipnisës n’Elbasan

Aqif Pashë Biçaku”

Përballë rrezikut që kanoste invadimi i forcave pushuese me qëllimet e tyre shkatrrimtare u ngritën patriotët mes një lufte të brendëshme të elementëve antishqiptarë. Në Durrës ushtria serbe jo vetëm pushtoi qytetin dhe rrethinat, por burgosi dhe torturoi dhjetra patriotë. Pamjen tragjike të këtyre ditëve në Durrës e përshkruan shkurt patrioti durrsak, Stefan Kaçulini në gazetën “Liri e Shqipëris” botuar më datë 30 nëndor 1912:  Durrsi masi i pa Serbt te dera e shpis, mendoj t’i dërgoj një deputacion te komandanti i ushtrisë , për me i lajmëru se Serbia po shkelte tokën e flamurin e Shqipëris dhe jo të Turkis, tuj ju lutë t’ndaloj operasionin deri sa t’ merreshin vesht. Serbët ju përgjigjën; Ne kemi shumë ditë qi e kemi marrë këtë rrugë dhe se kemi urdhën, t’mrim ja gjallë ja vdekë n’Durrës e ne nuk njofim ndonji Shqipni vetqeverisun. Mos me shku më gjatë, kalorsia e Serbiëve mriti n’Durrës më 29 arriti ushtria kamësore e urdhërume nga komandanti Boliç...”

Historia e harruar e masakrave serbe në Dumre dhe Sulovë

Me veçantitë e tyre, ngjarjet kryesore kanë përshkrime interesante, por edhe për të tjera pak të njohura, e të trazuara nuk duhet heshtur. Në konteksin historik paraqet interes për t’u trajtuar, mungesa e shkrimit të historisë, të disa ngjarjeve e momenteve të veçanta që kanë ndodhur. Ndonëse ka kaluar një shekull, për këto ngjarje të rënda me krimeve të shumtuara të ushtrive serbe ndaj popullsisë së trevave të Elbasanit, që kujtesa historike është akoma e freskët dhe kokëforte, mjegulla e harresës për fatin e mirë nuk mund t’i lerë në heshtje ato dhe t’i anashkalojë. Historianët e trevës në fjalë janë përpjekur të sjellin fakte të hulumtuara për këto zhvillime, por më shumë rreth masakrave barbare të shkaktuara nga serbët në Allajbeg të Dumresë dhe në Linas të Elbasanit, të cilat janë vetëm një kapitull i vogël ngjarjesh në territoret shqiptare. Është për të ardhur keq që historiografia e Shqipërisë deri në fillim të viteve ’90  nuk dihet për ç’arsye, edhe pse shkroi dy rreshta rreth ngjarjes në Dumre, e deformoi vendndodhjen e saj në një vendbanim tjetër, ndërsa për ngjarjen në Linas të Sulovës nuk u ka kushtuar asnjë rresht!?. Kur historia dokumentohet, nuk ka më mirë dhe ajo nuk duhet të harrohet, por as nuk duhet të tjetërsohet, veç të përjetësohet.

Në një dokument që gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, dosja 4/1, faqe 101 shkruhet për një njoftim nga Gramsh, më 9 mars 1913, për kryesinë e Qeverisë së Vlorës “Ushtria serbe okupoi Prefekturën e Elbasanit në dhjetor të 1912. Serbët kanë arritur deri dy orë afër Gramshit”. Përballë kërcënimit u ngritën patriotët e trevës, duke hedhur kushtrimin për të grumbulluar trupa të armatosura vullnetare, si i vetmi mjet ndaj këtij rreziku të madh. Thirrjes iu përgjigjën të gjithë dhe çdo shtëpi dërgoi nga një luftëtar. Por, të shkruash sado shkurt për këto ngjarje duhet patjetër të përmendësh shumë patriotë, që me ndikimin e tyre të padiskutueshëm kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarjet madhore të historisë tonë, ndaj nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet kurrsesi kontributi i Aqif Pashë Elbasanit, i cili ka meritën e kushtrimit dhe organizimit të luftëtarëve nga treva e Elbasanit për t’i paraprirë uraganit pushtues serb. Natyrisht luftëtarët e krahinave të Dumresë dhe Sulovës së bashku me ata të Vërçës, Shpatit, e Darsisë së Peqinit nën drejtimin e Çeç Cërrikut, Beqo Gjinit, nga Sulova, i Hasan Hysës, Sul Zdravës, nga Dumreja, i Musa Cakanit, Dervish Plakës nga Shpati etj, në kohë kishin zënë shtigjet, duke parandjerë rrezikun që u kanosej atyre. Të vendosur në kodrat e Cërrikut, Malasenit, Shtërrmenit, Gostimës, Shtëpanjës, serbët të komanduar nga gjenerali Metoviç kërkonin një rrugëkalimi drejt bregdetit për eleminimin e shtetit të sapo krijuar shqiptar. Ata bënë përpjekje të shumta për të vazhduar rrugën për në Berat e më tej në Vlorë po kudo u ndeshën me prita të banorëve. Luftëtarët nga Dumreja dhe Sulova, zunë kodrat e larta të Valasit, Broshkës, Gjyralës, Floqit, Banjës, Lumasit, dhe krijuan një brez mbrojtës me qëllim pengimin e përparimit të serbëve. Historitë gojore tregojnë se ata që morën pjesë në qëndrimin e përhershëm në pozicionet, nuk harrojnë të ftohtin e madh, shiun që nuk pushoi për javë të tëra, mungesën e ushqimeve dhe të tjera sende të nevojshme, e sidomos mungesën e armatimeve, por ishin mjaft të vendosur për të penguar serbët. Ndonëse qëndresa dhe pjesmarrja me sakrifica e përmendura të dumrasakëve dhe sulovarëve ishte e madhe, furia sebe me anë të ekspeditave ndëshkimore hyri në Dumre dhe Sulovë, duke shkaktuar masakra ndaj popullsisë. Le t’i bëjmë jehonë ngjarjes më barbare në trevën e Elbasanit, si ndër të shumtat në territoret shqiptare, të Allajbegut në Dumre. Çka ngjau në Allajbebeg të Dumresë i kaloi kufijtë e barbarisë.

Historiani nga Belshi, Shefqet Hysa në gazetën “Dumreja” mars 2006 shkruan rreth masakrës së Allajbegut: “Në javën e fundit të marsit 1913, ushtria serbe pas përpjekjeve që bëri, vendosi të sulmoi në drejtim të Belshit. Me topa gjuajti kodrat e Shalësit, Cërrikut, Xibrrakës për të frikësuar e terrorizuar popullsinë e krahinës. Këmbsoria serbe u prit me plumba nga luftëtarët e Dumres,  të grupuar në një cetë e drejtuar nga Sulë Zdrava, Hasan Hysa dhe Abaz Bali. Përplasja qe e ashpër, duke i shkaktuar ushtrisë serbe dhjetra të vrarë e shumë të plagosur. Plagosen edhe dhjetra luftëtarë nga Dumreja, ku vritet Kamber Xhemal Dervishi nga Belshi. Municioni i luftërarëvë nga Dumreja mbaroi dhe u detyruan të tërhiqen. Ushtria serbe e tërbuar nga humbjet vërshoi pas tërheqjes së luftëtarëve, duke bërë terror. Ajo hyri nëpër shtëpi e lagje të Shalësit dhe Belshit, duke djegur, plaçkitur bagëti, por edhe kapën e vranë burra e djem të rinj. Siç ndodh zakonisht në kushte të tilla banorët u larguan për të shpëtuar kokën në pyje nga kjo murtaje shfarosëse. Tmerri e terrorri që kishte shkaktuar ushtria serbe në gjithë zonën bëri që nuk guxonte kush të lëviste nëpër rrug, dhe kush kapnin e vrisnin në vend.Vranë disa prej tyre, por, edhe kapën shumë të tjerë, duke i terrorrizuar, të cilët i grumbulluan në kodrën e Monrës, dhe pasi zgjodhën më të rinjtë i nisën në shtabin e ushtrisë serbe të vendosur në Allajbeg. Atje i mbajtën tre ditë, duke i vënë të punonin për të hapur dy gropa të mëdha. Një pasdite vonë,  i afruan tek gropat, të lidhur dhe i qëllojnë me plumba njëherësh. Sikurse të mos mjaftonte kjo i shponin me bajoneta, një për një ashtu të vrarë. Nga dyzet burra, dy me plagët që kishin marrë nuk kishin vdekur, por shpëtuan, dhe në mbrëmje pasi ushtria serbe u largua, ata të lidhur në errësirën e natës më shumë zvarrë se në këmbë rrëshqasin drejt një përroi, ku gjenden nga barinjtë e fshatit Grykësh në gjëndje gjysëm të vdekur. Ata ishin Isuf Sulë Dervishi dhe Hasan Bejte Sina, të cilët panë me sy e vuajtën në shpirt atë masakër dhe e tregonin më pas. I mjekon mjeku Cane Hoxha nga Belshi, dhe pasi u shëruan e mbijetuan edhe shumë vite si dëshmitarë të  barbarisë ç’njerzore, që shkaktoi ushtria serbe në Dumre.”

Edhe pse e harruar nga historia, populli i Dumresë e përjetsoi këtë masakër në këngë:

Aqif Pasha ka çu fjalë/ Po vjen servbi me taborrë/ T’i dalim para për ta ndalë/ Rrugën t’ja presim për në Vlorë/ Në Cërrik lufton nji çetë/ Serbi me top ata me dyfekë/ Lart në kodër në Allajbeg/ Serbi bëri një mysybet/ Dyzet djem lidhur në brez/ I theri i la të gjithë mbi dhet/  Ti o kral me gjithë ushtri/  Dogje Belëshin e bani hi/ Por Dumreja s’të la kurrë/  Që në Vlorë të rrëzosh flamurë/ E gjithë bota ta mësoj/ Ç’bani serbi në këto anë/ Vrau dogji e shkatërroj/  Të zaptojë vendin nuk e lanë.”

Pa hyrë në hollësi të tjera, të fakteve të përmendura më sipër, të kësaj masakre dhe dëmeve nga ana e serbëve, le të shkruajmë edhe për ngjarjen makabre të shkaktuar në mars të 1913 në Linas të Sulovës. Është tronditëse që pushtuesi zgjedh viktimat e radhës krejtësisht të pafajshme. Prej dëshmive historike të rrëfyera ne kemi shkëputur ato të treguara nga 75 vjeçari, Sadik Metushi, nipi i njërit prej atyre që u masakruan nga ushtria serbe në Linas të Sulovës. Natyrisht një rrëfim i interpretuar me emocionin e ngjyrave të kohës:

Ishte mars dhe gjethi kishte çelur në pyje. Duheshin siguru ushqimet për ditë të këqija. Duhej të mbilleshin edhe arat. Xhaxhallarët  e mi dhe të tjerë nga fisi ynë kishin shkuar në pazarin e Beratit, të shisnin djath, duhan e lëkura bagëtish, të blinin sende të nevojshme, dhe  miell e misër farë për të mbjellë arat. Në Sulovë kishte ardhur haberi që vendit i kishin msy ushtritë e huaja, greku e serbi. Në Qafën e Blirit ushtarët serbë i kapën teksa po ktheheshin nga pazari i Beratit. Në mënyrë të rrufeshme pasi i kontrolluan, i vunë përpara, dhe duke i torturuar i dërguan në Linas, në breg të lumit  Devoll, në vendin e quajtur Dushku i Madh. Pastaj gjithçka ndodhi shumë shpejt. I masakruan barbarisht me thika e bajoneta, duke vrarë katër prej tyre: Ismail Osman Metushin, Hysen Braush Metushin, Kalem Braush Metushin, Sadik Braush Metushin. Por, Haxhi Sulo Metushi në çastin e kësaj gjëme shpëton në kacafytje e sipër me një ushtar serb, dhe si dëshmitar i kësaj ngjarje vjen në fshat, duke lajmëruar burrat që të organizohen dhe t’i ndjekin. Sapo kryen masakrën serbët ikin në drejtim të Dumresë.”

Pëllumb Gorica”Sulova e Poshtme në shekuj”, ADA 2009

Çuditërish kjo ngjarje në historinë e shkruar, që do t’i hyj në kohë asaj, dhe emrat e këtyre burrave të pafajshëm, që u a morën jetën në mënyrë ç’njerëzore, i ka mbuluar pluhuri i harresës. As edhe një përmendore  për të kujtuar masakrën e këtij episodi barbar të pushtuesëve serbë në krahinën e Sulovës. Dhe nuk ka gjë më të pavlerë se harresa. Ndaj, organizimi i aktiviteteve përkujtimore të këtyre masakrave rikuperon historinë e harruar nga ata që ngrohin karriket e institucioneve akademike. Mjaft është heshtur një shekull të tërë. Asnjë masakër nuk mund të krahasohet me një tjetër, veç ato mbeten fakte të pakundërshtueshme, të cilat vazhduan prej serbëve një shekull të tërë në viset e Kosovës, dhe kulmin e arritën në vitin 1998  me barbari në Prekaz, Gjakovë, Reçak, Rahovec e Krushë të Madhe, e me varre masive kudo trojeve të saj, por për fat të mirë, as u shua rraca shqiptare në Kosovë, e as nuk mbeti nën pushtimin serb. Asgjë nuk është me e dhimbëshme se kjo kohë e përgjakshme, ku lotët akoma rëndojnë për jetët e prera në mes nga makuteria e syve të kuçedrës, që kërkonte viktima. Kosova tani ka fituar lirinë dhe ka formuar shtetin e vet, por përmendoret e kujtesës së barbarëve serbë, të përbindshave, që krijuan Sebrenicën e Mostarin në Bosnje, janë atje, për të folur dhe kujtuar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora