E marte, 16.04.2024, 12:38 PM (GMT+1)

Mendime

Ruka, muratori që u arratis në mënyrë spektakolare

E shtune, 02.04.2016, 08:00 PM


Flet Tasim Ruka, muratori që u arratis në mënyrë spektakolare në 19 shtator 1990

-      U arratisëm në orën 12, midis Konispolit dhe Kepit të Stillos, pasi dinim çdo lëvizje të patrullës

-      Në fillim premë klonin në një kthesë dhe mandej u zhvendosëm një kilometër larg

-      Sa kaluam klonin, mbi kokat tona filluan breshëritë e automatikut

-      Prozhektori e bëri natën ditë dhe ne u strukëm në ferra

-      Në Filat na morën në postën e policisë dhe një i Asfalisë na pyeti me rrënjë dhe me degë

-      Në Athinë u habitëm, dyqanet super të mbushura, ne nuk kishim ç’të hanim

-       Kur kalonim rrugës, dyqanxhinjtë na kapnin për mënge që të blinim një pako kafe, në Shqipëri një pako kafe blihej me mik

-      Nuk na keqtrajtuan, pasi thamë të vërtetën dhe u thamë se dëshira ishte të shkonim në Amerikë

-      Kam përjetuar në mënyrën më të dhimbshme eksodin e vitit 1991, turma njerëzish drejt Greqisë

-      Nuk u besoja syve, vëllezërit tanë vinin nga mali më dëborë, ku shumë humbën jetën

Nga Albert Z. ZHOLI

Është arratisur nga Shqipëria në vitin 1989, pikërisht më 19 shtator, duke lënë në shtëpi një vajzë të sapolindur dhe një djalë 5 vjeç. Pas ushtrie ka punuar në bonifikim (ndërtim ) në Gjirokastër prej ku i lindi dëshira për të shkuar në botën e lirë. Dëshira e tij, ëndrra e tij ishte Amerika (pasi aty kishte shkuar gjyshi në vitin 1945), por arratisja e çoi në fillim në Greqi. Një arratisje që nuk përshkruhet me fjalë, si në filmat horror të Hollivudit. Një arratisje spektakolare mes plumbave dhe prozhektorëve, që i ndiqnin. Biseda me të erdhi rrjedhshëm nën shoqërinë e mikut të tij të ngushtë, këngëtarit të mirënjohur Ylli Baka. Nga viti 1990-1993 qëndroi në Greqi nga ku bëri dokumentet për në Amerikë. Takimi me të ishte tepër interesant, pasi ai në çdo moment nuk e fshihte mallin që kishte për atdheun dhe fshatin e Labërisë, Picarin e legjendave. Në bisedë mundohej të fshihte lotët e mallit dhe emocionet i shoqëronte me psherëtima.

Kur dhe si jeni arratisur nga Shqipëria?

Eh, të të tregoj për atë ditë, më duket si skenat e një filmi. Ishte data 19 shtator 1990. Ishin ato vite kur kishte filluar liberalizimi. Pra nuk ishte më ajo luftë klasash dhe në Rumani kishte rënë në mënyrë brutale Caushesku. Kisha vite që mendoja që të arratisesha, pasi kisha pasur gjyshin në Amerikë, i cili kishte shkuar që në vitin 1945 dhe ëndrra ime ishte ky vend, që në mendjen time quhej vendi më i bukur dhe më demokratik në botë. Isha nisur disa herë të arratisesha, por kisha kthyer mendjen pasi kisha prindërit dhe më vonë krijova familje. Isha i dyzuar midis lirisë sime dhe internimit të familjes. E mendoja se çfarë do tu ndodhte atyre sa të merrnin vesh që unë u arratisa. Por ja erdhi dita.

Po pse erdhi pikërisht në këtë datë arratisja juaj?

Pas një bisede me një kushëririn tim, mësova se ai kishte bërë ushtrinë në kufi, në zonën e Konispolit. Ai njihte mirë klonin e rrethuar nga Konispoli në Kepin e Stillos se si dhe kur lëviznin patrullat, se si ishte ndërtuar kloni, si jepej sinjali, etj. Me një fjalë ai ishte në dijeni të çdo gjëje që kishte të bënte me ruajtjen e kufirit. Kjo ishte gjëja më e sigurt që më bënte të besoja se mund të realizohej me sukses arratisja. Plus pastaj që kufiri nuk ruhej me atë fanatizëm si më parë.

Si ndodhi atë ditë?

19 shtatori i 1990 ishte një ditë gri. Pra nuk kishte as shi, por as diell. Ishte si një ditë e mjegullt. Ne ishim tre veta që njiheshim mirë me njeri-tjetrin që nuk mund ta tradhtonim njeri-tjetrin. Kishim marrë me vete nga një palë ndërresa dhe disa ushqime dhe një shishe me ujë. Kishim menduar që të kishim diçka për dy-tri ditë. Kaluam lundrën e Butrintit dhe qëndruam në disa fusha larg lëvizjeve dhe larg klonit derisa u errësua. Kur shkoi ora 12:00 ne u afruam tek kloni. Ndoqëm sa kaloi patrulla e radhës. Kloni ishte me tela me gjemba dhe ne ishim të armatosur me pinca (qesh). Kur pamë se ishte qetësi u afruam tek kloni. Premë një tel dhe prekëm telat e tjerë derisa u bë një si shkëndijë që tregonte se telat ishin prekur dhe në postë jepej shenja e alarmit për prerje ose për kalim kloni. Ne sa dhamë sinjal ikëm larg një kilometër nga vendi ku lamë shenjë dhe filluam prerjen e telave në vend tjetër ku dhe terreni ishte më i thyer. Aty dhe shikimi nga të tjerët ishte më i vështirë. Filluam të presim telat e klonit. Ishim të tre të shkathët ndaj i premë shpejt. Poshtë dëgjoheshin zërat e ushtarëve. Ata kishin mbërritur në vendin e parë ku premë telat e mashtrimit. Pasi premë telat e klonit e dinim mirë se ishte brezi i butë ku patjetër lije gjurmë. Pastaj vinte një shtresë e rrafshët me tela me gjemba që vështirësonte kalimin. Duke i ditur pengesat ne i kishim marrë masat. I kaluam dhe ato me shumë vështirësi. Në këtë kohë u ndez prozhektori i postës së kufirit. Ishte një prozhektor i fuqishëm që e bënte natën më ditë se dita. Prozhektori rrotullohej. Sa ikte nga zona jonë ne lëviznim. Ai prozhektor na prishte shumë punë se na humbte kohën e lëvizjes. Çdo sekondë ishte me shumë rëndësi. Ai vazhdoi për disa minuta të jepte dritë mbi kokat tona. Në këtë kohë dëgjuam dhe ushtarët që po vinin.

Si reaguat?

Kur prozhektori ikte nga kokat tona, ne lëviznim me vrap. Kishim për të kaluar dhe lumin Pavlla. Ishim afër vendit ku kishte cekëtinë dhe nuk kishte arsye që të hidheshim me not. I dinim me përpikëri lëvizjet. Kur u futëm në ujë prozhektori nuk mund të na kapte. E kaluam me vrap. Tashmë ishim më të çliruar. U sulëm drejt malit për të shkelur në tokën greke. Në këtë kohë një breshëri automatiku kaloi mbi kokat tona. Si duket ushtarët kishin arritur në vendin ku kishim kaluar por ne tashmë ishim shumë larg. Por plumbi qorr edhe të kapte. Nuk ishim shumë larg, rreth 1km dhe shkelnim në tokën greke. Zërat e ushtarëve nuk dëgjoheshin dhe kjo bëri që të ishim më të qetë. Pra ata nuk mund të orientoheshin ku ishim, por dhe e merrnin me mend që i kishim mashtruar dhe e kishim kaluar klonin e përbindshëm.

Kush ishte me ju?

Ne ishim tre veta, Luan Dalipi, Arben Tena dhe unë, të tre nga Picari. Të tre njiheshim dhe dinim pse kishim ikur.

Ku shkuat, pasi shkelët tokën greke?

Ne ndalëm vetë afër postës së kufirit. Lexuam një tabelë që shkruante Filat. Ushtarët sa na panë u afruan dhe na shoqëruan në postë pa asnjë fyerje, sharje apo ofendim. Përkundrazi u sollën shumë mirë. Na futën në një sallë na sollën për të ngrënë dhe të pirë. Pastaj filluan telefonatat. Erdhi një nënoficer që dinte shqip mirë dhe  filloi të na pyeste. Ishte i Asfalies.

Aty ju pyeti?

Në fillim aty, pastaj na çoi në një zyrë të veçantë. Na pyeti për shumë gjëra, nga jeni, emër mbiemër, ku keni punuar, ku e keni bërë ushtrinë etj.... Na pyetën disa herë si duket donin të dinin se mos gënjenim. Por u bindën. I thamë me sinqeritet se kush ishim dhe cila ishte dëshira. U thamë troç se donim të shkonim në Amerikë. Pasi ikëm nga dhoma e Asfalisë na çuan në një dhomë të veçantë dhe na morën të gjitha dokumentet. Ne i kishim marrë me vete dokumentet pasi donim të ishim korrekt me ato çka do an pyesnin. Nuk na pyetën shumë, por na thanë se do ju çojmë në Athinë. Pas tre ditësh me një makinë ushtarake na nisën për në Athinë.

Po në Athinë, a ju provokuan?

Jo, aty na çuan në një zyrë amerikane dokumentesh. Ishte në Kallpaq. Na plotësuan gjeneralitet, në bazë të pasaportave që na kishin marrë në Filat dhe na dhanë nga një pasaportë njëvjeçare me gjeneralitetet tona. Nuk na bënë as presion dhe as nuk na provokuan më. Pastaj na thanë dilni dhe kërkoni punë. Pra na cilësuan si emigrantë politik.

Ju pyetën, se ku doni të shkoni?

Po dhe ne, të tre i thamë se duam të shkojmë në Amerikë. Ata na thanë se duhet të keni një garanci nga njerëzit që keni aty. Shokët e mi e filluan të bëjnë dokumentet, ndërsa unë po mendohesha të gjeja rrugë tjetër, pasi tashmë nuk kisha më njeri, gjyshi nuk kishte pasur lidhje me ne dhe nuk dinim asgjë.

Ku punove në Greqi?

Punova në ndërtim. Unë isha specialist ndërtimi dhe punë gjeta menjëherë. Atëherë kishte shumë punë dhe paguheshim mirë.

Si ju duk Athina?

Eh si na u duk. Na u mbush syri, na u ngop syri. Ku kishim parë dyqane super të mbushura, mish, sallam, fruta, televizorë, lavatriçe, frigoriferë pa hesap. Të luteshin të blije. Në Shqipëri me mik gjeje një pako kafe, aty pronarët të luteshin bli një pako kafe. Një kontrast i paparë. Si nata me ditën. Zot ku kishim jetuar, në mesjetë.

Si e pritët eksodin e madh të shqiptarëve në vitin 1991, drejt Greqisë?

O zot, se çfarë skenash rrëqethëse. Tashmë më dukej e pabesueshme se ishin skena masive. Mijëra familje me fëmijë të vegjël drejt maleve me borë për të ardhur në Greqi. E pabesueshme. Skena rrëqethëse. Televizionet nuk pushonin ditë e natë me lajme tronditëse. Largime masive. Nga ushtarët pati edhe sjellje të egra, pati edhe vrasje në kufi nga të dy anët. Ishte një pështjellim i pamenduar. Një situatë që dhe sot nuk mund ta besoj se ka ndodhur me bashkatdhetarët e mi.

Po ju, a ju kthyen ndonjëherë në Shqipëri, nga ato kthimet që bënte policia?

Po. Njëherë punonim së bashku me Artur Dade dhe Sabri Hamzaj, dy çuna nga Mashkullora në një pallat brenda, bënim ristrukturimin e një shtëpie. Ishte ora 15: 10. Në atë orë në Greqi ishte pushim. Dikush lajmëroi policinë dhe ajo vjen dhe na merr dhe direkt në Kakavijë. O zot ç’kemi hequr për të ardhur. Shkuam disa herë nga Konispoli dhe Kakavija me këmbë, por aty bëhej hataja me ushtarët grekë. Kam parë keqtrajtime të paimagjinueshme. Pastaj gjetëm një kallauz i cili na hipi në një autobus. Duke ditur gjuhën sa na pyetën na lanë të kalonim.

Si i bëtë dokumentet për në Amerikë?

I bëra nëpërmjet Kishës Katolike. Më ndihmoi shumë. Ata gjetën të gjitha linjat deri sa në vitin 1992 shkova në Ambasadën Amerikane në Athinë dhe bëra intervistën. Ishte një intervistë me përgjegjësi. Pas disa muajsh më doli viza bashkë me bashkëshorten dhe vajzën. Ishte një gëzim i madh, djalit nuk i doli në të njëjtën kohë.

Kur shkuat në Amerikë, çfarë ndjetë dhe kush ju priti?

Në mars 1993 shkuam në Amerikë. Zbrita në Nju York, ku më çuan në Florida. Çfarë të të them? Aty mu duk se isha në ëndërr. Një aerodrom sa gjithë Tirana dhe Durrësi bashkë. Marramendëse. E pabesueshme. Ja kjo ishte Amerika që ëndërroja dhe që e do e gjithë bota. Mua më pritën pjesëtar të kishës katolike ku kisha bërë kërkesën si refugjat politik për të ardhur në Amerikë. Isha me vajzën dhe me bashkëshorten. Na çuan në një shtëpi me dhomë dhe kuzhinë ku ishte e mobiluar me të gjitha të mirat. Një shtëpi që në Shqipëri nuk mund ta mendonim.

Ku punuat si fillim?

Pjatalarës si të gjithë refugjatët në ditët e para. Pastaj fillova si shtrues pllakash. Pas shumë vitesh krijova biznesin tim të shitjes së pllakave. Pra deri në vitin 2008 jam marrë me këtë biznes dhe pse kisha shumë mangësi në gjuhën angleze si fillim. Nga viti 2008 deri në 2012 ra puna në biznes për shkak të krizës, por pas vitit 2012 puna vazhdon në mënyrë të rregullt. Kriza sikur ka kaluar.

Ju jeni anëtar, por dhe drejtues i Shoqatës vatra, si u bëre pjesëtar i kësaj shoqate me emër?

Në fillim më afruan dy miqtë e mi Islam Peçi dhe Adriatik Spahiu duke ditur që isha simpatizant i “Vatrës”, pasi ajo trajton çështjen kombëtare dhe e simpatizoja qysh kur isha në Shqipëri. Atë kohë “Vatra” në Shqipëri ishte si mit. Filozofia e Vatrës është vetëm çështja Kombëtare. Në zgjedhjet e fundit me 2015 të votave unë jam Kryetar i Shoqatës për Florida. Kjo është një përgjegjësi për vetë emrin që mbart kjo Shoqatë me emër të madh. Florida ka katër nëndegë dhe ka shumë simpatizantë.

Cilat janë festat, që festoni në mënyrë korrekte?

Janë dy festa, ajo e 28 nëntorit festa e pavarësisë dhe ditën e festës së Kosovës 17 shkurti 2008. Por bëjmë dhe aktivitete të tjera me karakter patriotik. Para dy javësh në bashkëpunim me shoqatën “Motrat Qiriazi” dhe Anna Kohen (çifute që ka jetuar në Vlorë, e ardhur nga Greqia) filmin shqiptar “Besa” për rreth 400 hebre në Amerikë. Të gjithë sa panë atë film u çuditën dhe nuk e besonin se kjo mund të ishte bërë në Shqipëri ndaj hebrenjve. Ky film tregon për një shqiptar ku një çifut (që banonte në Shqipëri i strehuar në një familje në Tiranë) para se të vdiste i la amanet të çonte dy libra në Jerusalem. Shqiptari vdiq dhe ja la amanet djalit të vet amanetin e çifutit. Djali shqiptar pas 10 vjetësh që vdiq babi, kur ishte hapur Shqipëria e çoi në vend amanetin e babit dhe të çifutit. Të gjithë çifutët nuk e kishin idenë për Shqipërinë. U bëri shumë përshtypje ky veprim dhe pas filmit me orë të tëra na pyesnin shumë për Shqipërinë

Po me grupet shqiptare të këngës, a keni lidhje dhe a kryeni aktivitete?

Sigurisht. Lidhjet më të fuqishme i kemi me grupin e Ylli Bakës, të cilin e kemi ftuar tre herë në Florida. Koncertet e këtij grupi janë të suksesshme për vetë reporterin e këngëve, pasi këndojnë shumë këngë patriotike, këngë të kurbetit dhe këngë popullorë të jugut. Kur vjen ky grup salla ndizet.

Cilët janë miqtë e tu më të mirë në Amerikë?

Së pari, dua të përmend Dalip Grecën. Një gazetar dhe publicist, që të befason me dijet dhe me universin e tij profesional. Gazeta që ai drejton “Dielli” mbetet diell për të gjithë shqiptarët në SHBA. Por kam miqësi me të gjithë shqiptarët, që e quajnë veten shqiptarë të vërtetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora