E merkure, 24.04.2024, 01:56 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Refleksion

E premte, 01.04.2016, 08:46 PM


Refleksion

Nga Reshat Kripa

Ulur këtu në qoshen time rri dhe meditoj. Meditoj për jetën time. Meditoj për të kaluarën dhe të ardhmen time dhe çuditërisht nuk, shoh ndonjë diferencë të madhe ndërmjet tyre. Para syve më del e kaluara ime që rrjedh nga një familje që gjatë luftës për liri më shumë ishte rreshtuar me atë që quhej Lëvizja Nacionalçlirimtare se sa çdo lëvizje tjetër e asaj kohe. Kështu dy motrat e mia Drita Kripa, që më vonë do të merrte mbiemrin Pelingu dhe Fatushe Kripa vepronin me njësitet guerile të Frontit Nacionalçlirimtar duke shpërndarë trakte kundër pushtuesve në kryeqytet. Dy djemtë e hallës, Bardhyl dhe Petrit Emiri ishin në rradhët e partizanëve. Po ashtu tezja ime Zyhra Radhima ishte themeluese e organizatës së gruas komuniste në Vlorë dhe dy kushurinjtë e nënës time ishin Shyqyri Alimerko, Hero i Popullit dhe Sinan Gjoni, themelues i Partisë Komuniste për Vlorën që në vitin 1946 u ekzekutua nga diktatori.

I vetmi ndryshim që mund ta quajmë të tillë, ishte se im atë ishte një tregëtar i ndershëm që me djersën e ballit kishte mundur të ndërtonte një fabrikë vaji me të cilën mbante familjen. Kështu që erdhi dita dhe të gjitha kontributet e dhëna në favor të  lëvizjes komuniste të fshiheshin me zero dhe familja e jonë të etiketohej me termin “borgjez” dhe në mënyrë ta pakuptueshme të dëbohej nga Tirana për “arsye politike” dhe të degdiseshim në qytetin tonë të lindjes, në Vlorë, ku filluan të na trajtonin si armiq. Përse erdhi kjo? Edhe sot e kësaj dite unë nuk di t’i jap përgjigje.

Një gjë e tillë bëri që im vëlla, Besnik Kripa në moshën 17 vjeçare, në vitin 1950, së bashku me dy shokë të tij, të ngrihesh kundër të ashtuquajturit pushtet popullor dhe të shpërndante trakte antikomuniste. Një vit më vonë edhe unë, së bashku me dy shokë të mi, të moshës 15 vjeçare, të zhvillonim të njejtin veprim. Pasojat ishin Besniku i dënuar me 15 vjet burg, ndërsa unë me 5 vjet. Qysh nga ai çast unë e kisha hedhur poshtë gjithçka kishin bërë pjestarët e familjes time në favor te regjimit, pasi e konsideroja si një veprim të pamatur dhe aspak të drejtë. Ndaj u shpalla kundër tij.

Atëherë, në këto kushte, ndodhi përmbysja e madhe. Gjatë periudhës së burgut mësova se historia nuk ishte ashtu siç ma kishin mësuar por krejt ndryshe. Mësova se kishte edhe një histori tjetër, të kundërt me të parën, që më intrigonte së tepërmi pasi, në këtë histori shikoja Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e madhe ku përfshiheshin Kosova dhe Çamëria si dhe të gjitha viset ku flitej shqip dhe kjo ndjenjë kombëtare u ngulit në zemrën time për të mos u shkulur kurrë.

Vitet kaluan dhe, së fundi, kuçedra e kuqe që kishte zaptuar vendin, e theu qafën. Prisja që të zbatoheshin parimet që më kishin mësuar ata burra me të cilët kalova vitet e tmerrshme të sistemit totalitar.  Prisja që në skenën politike shqiptare të dilnin edhe ato figura të ndritura të historisë shqiptare që sistemi totalitar i kishte lënë qëllimisht në hije. Por vura re se kjo nuk ndodhi. Në tastjerën e politikës shqiptare filluan të lartësoheshin po ato figura që ishin nderuar dhe mbinderuar në të kaluarën.  Edhe kur bëhej fjalë për ndonjë figurë të re, që nuk ishte përmendur deri atëherë, flitej me zë të ultë që as nuk dëgjohej.

Një miku im, shkrimtar dhe poet që, si unë,  vetëm pas ndryshimeve demokratike ka filluar të shkruajë, ka botuar edhe disa shkrime kushtuar personave të ndaluar nga sistemi i kaluar duke i vlerësuar ata. Një ditë, duke biseduar me të, kur i thashë se përse nuk shkruan edhe për figurën e njerit nga liderët e nacionalizmit shqiptar, të madhit Mit-hat Frashëri, tha:

-           Unë mund të shkruaj për këdo por për Mit-hat Frashërin jo.

Mbeta   i   habitur.  Përse? Nuk  e  pyeta      gjatë.  Kjo  është  një  e  drejtë  e  tij.  Por    mos

shkruash për një personalitet që ka lënë gjurmë në historinë e këtyij kombi, si Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Konferenca e Paqes në Paris e të tjera dhe të përqëndrohesh në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ku figura e tij mbeti, si gjthmonë, e papërlyer por që u nxi nga propaganda komuniste, nuk më duket normale. Më gjeni një dokument ku përlyhet figura e tij dhe unë do t’ju jap të drejtë. Unë do t’ju thoja se, në rast se figura e tij paskësh qenë e përlyer me pushtuesit, atëherë si u pranua dhe u ulën me të në tavolinë komunistët në Konferencën e Mukjes?

Të nderuar qytetarë të Shqipërisë! Përpara se të shfaqni mendim për periudhën e Luftës    Dytë

Botërore, ktheheni veten në ato vite dhe gjykoni sikur të jeni ende në atë kohë. Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria ishte kthyer në kufijtë  e  saj  natyralë. Kush  e  ktheu    këto kufij? Nuk ka rëndësi. Mjafton që u kthye. Atëherë ata burra të rrallë a nuk do ta  quanin  këtë  vënien    vend    një

padrejtësie që komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë Shqipërisë në Konferencën e Londrës? Por ishte tradhëtia e drejtuesve të lëvizjes komuniste që dërguan në Kosovë batalionet partizane për t’ia dorëzuar atë vullnetarisht autoriteteve serbe dhe nuk mjaftoi kjo, por duhej derdhur edhe gjaku i mbi 4000 kosovarëve dhe shqiptarëve në masakrën e Tivarit që të realizohej kjo dëshirë makabre a atyre që nuk kishin atdhe. Për fatin e keq të këtij kombi shkaktarët e vërtetë të këtij holokausti do të ishin një figurë e urryer e elitës komunsite, ish komisar i forcave partizane në Kosovë, që për ironi do të bëhej Presidetnt i Republikës pas përmbysjes dhe një atentatori të paskrupull të njësiteve guerrile në Vlorë, që ishte emëruar komandant i këtyre forcave në Kosovën martire.

Këto gjëra meditoja me veten time. Meditoja sepse kohët e fundit ka shpërthyer një fushatë e shfrenuar e atyre që kërkojnë të rehabilitojnë sistemin e përmbysur. Qarkullon fjala “Shokë” e harruar pas viteve 90-të. Qarkullon portreti i diktatorit nën hundën e qeveritarëve. Qarkullojnë filmat e realizmit socialist ku çdo partizan ishte një hero dhe çdo ballist, legalist apo përfaqësues feje ishte një tradhëtar.  Duan ta rehabilitojnë por jo që ta kthejnë atë. Ky mund t’ju duket si një paradoks. Keni të drejtë por ai është realiteti i sotëm. Për ata çakenj sistemi sotëm është burimi i mbipasurimit të tyre. Sot nuk ka më ideale, nuk ka parime. Sot ka vetëm anarshistë dhe karrieristë që përpiqen për realizimin e parimeve obskurantiste të tyre dhe për këtë janë gati të bëjnë pakt edhe me djallin.

Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora