Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sidheri: Çarmatosja e mendësisë gjakatare moniste

| E enjte, 31.03.2016, 08:00 PM |


2 Prill 1991; ose çarmatosja e mendësisë gjakatare moniste

Nga Elvi Sidheri

Pa dashur aspak t’i hyj diskutimeve lidhur me atë që bashkërisht do të mund të konsiderohej si e fundmja ditë e përgjakshme e regjimit komunist në vendin tonë ? duke iu avitur kështu 8 dhjetorit, prostestave të para qysh në fillim të vitit 1990 në Shkodër me tentativën për rrëzimin e bustit të Stalinit, në Kavajë apo me kontestimin masiv të ekipit të mbështetur kryesisht nga Sigurimi i Shtetit në Kuçovën thellësisht të majtë në stadium; me çarjen e murit të ambasadave në Tiranë më 2 korrik apo shpalljen e pluralizmit dhe krijimin e forcës së parë opozitare në 50 vite ? gjithësesi një datë spikat dhe do të yjëzojë përherë në qiellin e lirisë shqiptare... 2 Prilli 1991.

Jo se datat e tjera që përbëjnë gurët kilometrikë të demokracisë sonë ende tepër të brishtë; përmban një dozë më të pakët rëndësie sesa 2 Prilli 1991; por sepse thelbësisht në pakrahasueshmërinë dhe në papërsëritshmërinë unike të secilës prej këtyre ngjarjeve që patën ndriçuar rrugëtimin e shqiptarëve nëpër metrat e fundit të kalvarit të tyre gjysëmshekullor përmes tunelit të errët monist drejt lirisë së ëndërruar, data si 2 Prilli 91 përcaktojnë njëherë e mirë të ardhmen, dhe të djeshmen e zymtë ia dorëzojnë përfundimisht honeve të së kaluarës tinëzare; duke blatuar me gjakun e protagonistëve të tyre, dëlirësinë e së ardhmes tonë të përbashkët.

Kështu pra, i këtillë do të ishte ai 2 Prill i njëzetë e pesë viteve më parë.

Porsa kish ndodhur 20 shkurti dhe kufoma e derdhur në bronz e kryelugatit tonë diktatorial, qe “përdhesuar” pakthim (si kundërshti popullore epokale ndaj “përjetësimit” krejt të panatyrshëm që shpura e tij kërrmëzuese u pat rrekur për pesë dekada të gjata, që t’i mvishte kësaj krijese djallëzore, që ia pati shitur shpirtin prej kohësh tërë demonëve satrapë të botës lindore, qysh nga Beogradi, nëpër Moskë e Pekin, duke e furnizuar ferrin pandalur me sivëllëzerit e tij të së njëjtës prerje sadisto-moniste, sa herë mëtonte të zbulonte ndonjë grup armiqësor në rradhët e Partisë; por fatkeqësisht edhe parajsën me mijëra e mijëra shpirtëra të pafajshëm njerëzish të thjeshtë, intelektualësh, klerikësh atdhetarë, të shkolluarish, mendjesh gjeniale e patriotësh pafund).

Diktatura rrinte në këmbë mbi patericat e një sistemi të mirëkonsoliduar me kalimin e dhjetëvjeçarëve, të mbarsur nën metodat dhe këshillat jugosllavo-ruse dhe përvojën brutale të rrënjëve anadollake të mendësisë së zbatuesve të luftës së klasave dhe sendërtuesve të PUSHT-etit Popullor monist; por frymën s’e kish më të gjatë sidoqoftë.

Tik-taku i orëve të saj të fundit po ndihej gjithnjë e më fort, bashkë me këmbanat e kishave të lagjeve katolike të Shkodrës; aty ku regjimi kish bërë qysh në ditët e tij të para të “Pushtimit të ri” monist të kamufluar nën petkat e një çlirimi të dhunshëm të këtij qyteti më 29 Nëntor 1944, kur bajonetat naziste, qenë zëvendësuar nga pushkët dhe shtypja, masakrat, operacionet ndëshkimore dhe grupet e ndjekjes të klikës së re filojugosllave që pak ditë më parë, po aq përgjakshkëm qe futur triumfatore mes një pushkatimi dhe tjetrit të elementëve “reaksionarë” edhe nëpër rrugët e kryeqytetit, në Tiranë.

Por tashmë, këmbanat në Shkodër sërish patën nisur të binin, të lira, me tingujt e tyre të amëshueshëm, që i drejtoheshin qiejve të hyjshme, pa u druajtur asfare nga grahmat e fundit kërcënuese të pasonjësve të vonë, të diktatorit (Vullnetarët e Enverit), statuja megalomane e të cilit, një muaj e gjysëm më parë qe gremisur përtokë nga populli në mes të Tiranës.

Këmbanat binin, oshëtinin, çlironin adhurimin e tyre të dëlirë për hyjin, duke dalë haptas nga ekzili apo ilegaliteti i 50 viteve ndjekje, persekutim, tortura, çnderim, përçmim dhe luftë shfarosëse e të gjitha levave dhe veglave të verbëra të regjimit.

Këmbanat binin, muezinët këndonin, Krishtlindjet qenë festuar pa drojë, Bajram e Pashkë gjithaq.

Shkodra në të gjithë plotësinë e veçorive të veta të pahasshme tjetërkund përveçse në këtë ambient kaq të rrallë qytetarie, fisnikërie, njerëzish të paepur në kulturën e tyre thelbësore dhe në genin e tyre të pamposhtur, në gjakun e nxehtë që vlon ndër vena para çdo padrejtësie, dhe në gjoksin krenar që i kundërvihet kujtdo përdhosësi të shpirtit të lirë shkodran; qoftë ai turk-osman si në 1479-ën, serbo-malazez si në 1913-ën apo komunist si në 1944-ën e më tej; nuk i qe përulur as me hir, e as me pahir 200 Petritëve dhe kryelugatit që i udhëhiqte.

Merhumi ynë gjakatar, në Shkodër, te shkodranët e çdo përkatësie fetare, e çdo shtrese sociale ? borgjezë, tregtarë , intelektualë, politikanë, priftërinj, jezuitë, hoxhallarë apo apo njerëz të thjeshtë qofshin, te banorët e secilës lagje të qytetit, nga Xhabija në Gjuhadol, nga Parruca nëpër Zdrale e Durgut apo Rus e Serreq, e gjer në Malësitë e Mbishkodrës ? kish hasur veçse në mospranimin e shkodranëve padallim.

Sepse për shkodranët, si edhe shumicën e shqiptarëve fundja, por sidomos banorët e këtij qyteti dhe zone, me komunistët dhe komunizmin e dirizhuar dhe hartuar në Moskë apo Beograd, nuk i bashkonte vërtetë ASGJË.

Nuk i bashkonte mosdashja tërësore e atdheut nën frymën tjetërsuese internacionaliste të Moskës; nuk i bashkonte urrejtja ndaj lirive themelore të njeriut dhe fesë, që në Shkodër ngaherë kish patur fortesat e saj të dijes, të besimit dhe të patriotizmit; nuk i bashkonin aq më pak rrënjët jugosllave të 200 petritëve dhe shokut Enver; në një qytet që me sllavët ish ndeshur për jetë a vdekje prej së paku një mijëvjeçari thuajse papushim; nuk i bashkonte tërbimi i çartur i monizmit kundër Perëndimit që përherë në Shkodër pati gjetur portën kryesore të depërtimit në trojet shqiptare, dhe që sërish në Shkodër, kish patur mbështetësit e tij më të flaktë; aty ku gjurmët e jetësës dhe kulturës perëndimore, harlisen sot e kësaj dite në çdo kënd, çdo cep dhe rrugicë të hijshme mesdhetare shkodrane.

Shkurt monizmi në Shkodër kishte jo vetëm të kundërtën e egos së vet orientalo-satrapo-anadollake; por edhe një armik për të eliminuar me çdo kusht.

Siç pati bërë me ajkën e rinisë dhe inteligjencës shkodrane menjëherë pas 1944-ës, siç kish bërë me pinjollët kryesorë të familjeve më të njohura atdhetare të këtij qyteti, siç pati bërë me klerin dhe këdo tjetër; me kujtimin e Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Mati Prendushit, At Zef Pllumit e sa e sa heronjve të tjerë të shumtë që përjetësuan edhe më tej emrin e këtij qyteti dhe zonave përreth tij, në altarin e vlerave më të larta të shqiptarësisë dhe lirisë.

E kështu, 2 Prilli 1991 pati përbërë pikën kulmore kur regjimi në zbythje e sipër monist, do të shfrynte dufin e tij gjysëmshekullor për herë të fundit mbi këtë qytet dhe kryeneçësinë krenare të banorëve të tij.

Pati qenë një goditje e rrufeshme, një model specifik (në tentativë) “Blitz Krieg-u” monist; si për t’i dhënë leksionin final këtyre njerëzve të pabindur, që zgjedhës diktatoriale i qenë përgjigjur gjithmonë me epërsinë e vlerave të tyre më të larta qytetare dhe fisnike; me sensin e spikatur të humorit dhe me dëshirën për të jetuar të lirë, edhe atëherë kur liria ishte veç një mirazh i pashqueshëm në horizontin e mbyllur të Shqipërisë Popullore Socialiste.

Por kjo goditje e rrufeshme, që do të merrte jetët e katër të rinjve shkodranë ? Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Çelës, “Dëshmorët e 2 Prillit” që paguan me gjakun e tyre harbimin vrasës monist pas fitores së Pirros të PPSH-së dy ditë më parë, më 31 mars ? gjithësesi nuk pati rezultuar aq efikase në arritjen e qëllimeve të mugëta të regjimit.

Shkodra nuk kish rënë, as qe përulur, e aq më pak dorëzuar.

Ata katër të rinj të vrarë në pabesinë më tinëzare, i qenë dorëzuar historisë, ashtu si edhe qëndresa e këtij qyteti që tashmë pati vendosur pakthyeshmërisht të mos e lejonte më të sundonte me gjak dhe shtypje, atë regjim.

Kohët patën ndryshuar përfundimisht, dhe kjo kish ndodhur edhe falë 2 Prillit 1991.

Kjo datë do të përcaktonte fundin e mirëfilltë të sistemit monist, “çarmatosjen e mendësisë gjakatare” të bishës moniste që mund të vriste, shkelte përdhunshëm këdo dhe kudo.

Tanimë nuk mundej.

Në Shkodër, më 2 Prill 1991, shkodranët i patën vënë barrierën përfundimtare kësaj zgjedhe 50 vjeçare, patën ngadhënjyer mbi autoblindat dhe snajperët monistë, patën qarë të rënët e tyre me dinjitet dhe kokën lart, dhe i patën dhënë regjimit edhe përgjigjen e duhur; për herë të parë në 5 dekada; si dikur, sërish për të parën herë, në kryengritjen e Postribës.

25 vjet nga kjo datë, kujtojmë ata djem, vlerat e atij qyteti të lashtë, dhe nuk harrojmë!