E shtune, 20.04.2024, 01:28 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Poeti i ëndrrave të thyera

E marte, 29.03.2016, 09:13 PM


Në 68 vjetorin e lindjes

Poeti i ëndrrave të thyera

Nga Reshat Kripa

E vranë poetin. Përse e vranë? Mos vallë kishte kryer ndonjë krim? Jo. Ai shkruante vetëm vargje. Shkruante për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ata mbijetuan. Mbijetuan me vargjet e tyre. Mbijetuan me idealet e tyre.

Poeti kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por fati i tij ishte se jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.

Në atë epokë makabre, në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Dora e poetit i hidhte këto në letër. Autori i lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte njeriu. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.

I tillë ishte edhe poeti ynë Vilson Blloshmi që më 18 mars kishte 68 vjetorin e lindjes. Por jetën e tij ia prenë në mes monstrat e kuqe. Ra një ditë korriku të vitit 1977 rrëzë një përroi në Librazhd. Ishte vetëm 29 vjeç. Ra së bashku me kushëririn e tij, Genc Lekën, edhe ai poet, në moshën 36 vjeçare.Më duket sikur ende dëgjoj hapin e rëndë të gardianit që kontrollon qelitë dhe më shfaqen mijra të burgosur politikë që i kanë provuar mbi shpinat e tyre tmerret e atyre qelive. Vështroj dhe para syve më dalin dy vizione: djajtë dhe engjëjt, vampirët dhe preja, xhelatët dhe viktimat dhe bëj karahasimin. Nga njëra anë terri, ndërsa nga tjetra drita.  Nga njëra anë ferri, ndërsa nga tjetra parajsa.                                                                               Lexoj një poezi të Vilsonit:

 

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur:

Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

 

Kështu ranë dy poetët tanë, “Nderi i Kombit” dhe “ Qytetar Nderi” të rrethit të Librazhdit. Ranë për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi dhe u përjetësuan me memorialin e ngritur në qendër të qytetit, nën kujdesin e ish-Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Bujar Leskaj, më 30 qershor 2006.

Por, a vriten poetët? Çuditërisht, vargjet e zjarrta të këtyre poetëve, u kallnin datën monstrave që drejtonin shtetin shqiptar. Për këtë ata përdorën dy manekinë servilë dhe hipokritë që, ndonse ishin mbushur me tituj dhe dekorata, nuk kishin ndërgjegje që mund t’i vriste më vonë. Ja se si shkruante njeri prej tyre në akt-ekspertizën e tij:

 

Këto si dhe vjersha të ndryshme, fragmente të shkëputur nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen. Mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme.

 

Ndërsa i dyti vazhdonte:

 

Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve. Simbolika e bën atë një alegori me një përmbajtje reaksionare.

 

“Ekspertë” të tillë vazhdojnë të lartësohen, madje edhe nderohen, siç duket, për meritë të kësaj ekspertize. Kjo është Shqipëria e sotme ku në të njëjtin stan bashkëjetojnë ujqërit me dhëntë. A është e mundur? Ky nuk është rasti i vetëm. Vini veshin qeverisë, kuvendit dhe drejtësisë. A nuk e shihni se në të gjitha shkallët e tyre janë ende ish- hetuesat, ish-operativët e sigurimit, ish gjykatësit, ish- bashkëpunëtorët e sigurimit që drejtojnë organet e larta të qeverisë, komisionet e kuvendit,të gjitha shkallët e gjykatave e të tjera. A thua se u shua Shqipëria për kuadro të reja? Të gjitha forcat politike çirren dhe këlthasin se janë për zëvendësimin e “xhaketave të vjetra” me të rinj. Kanë kaluar 25 vjet nga përbysja e sistemit totalitar. Kanë mbaruar shkollat e larta dhe kanë mbrojtur masterin me rezultate të shkëlqyera, madje nje pjesë e mirë e tyre , në shkollat më presticioze të botës së lirë. Mos vallë nuk janë të aftë këta për të drejtuar shtetin shqiptar por vazhdojnë ende hienat e vjetra që mbajnë në ndërgjegjen e tyre me qindra të vrarë, të burgosur apo të internuar nëpër kampet e përqëndrimit komunist? Është miratuar Ligji i Dekriminalizimit  dhe po bëhet gati për miratim Ligji mbi Reformën në Drejtësi dhe ai mbi Byronë e Hetimit. Përse në to nuk parashikohet flakja përjashta e hienave të së kaluarës të përmendur më lartë? A nuk janë edhe ata të kriminalizuar? Këto pyetje duan përgjigje.

Në këtë përvjetor të poetit Vilson Blloshmi më dalin para syve vargjet e pavdekshme të poetit të madh rus Lermontov, kushtuar vrasjes së poetit tjetër të madh, Aleksandër Pushkin:

 

U vra poeti! – rob i nderit –

Ndër shpifje e thashetheme u shtri,

Me etje hakmarrjeje prej vrerit,

U mposht krenar me plumb në gji.

Në shpirt poetit s’iu durua,

Dhunimin e turpshëm kur e pa,

Përkundër fyerjes u çua,

I vetëm si më parë...dhe ra!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora