Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Beqir Cikaqi: Intervistë me këngëtarin Gjin Shani

| E marte, 29.03.2016, 07:52 PM |


Intervistë me Gjin Shanin, këngëtar nga Dukagjini i Shkodrës

KËNGËT FOLKLORIKE DHE KOSOVARE I KAM MA PËR ZEMËR...!

Bisedoi: Beqir M. Cikaqi

U bënë 10 vjet që e njoha Gjin Shanin. Ishte viti shkollor 2005/2006, kur ishim gati me prezantuar programin para bashkatdhetarëve me nxënësit e Shkollës Shqipe të Basanos,e drejtuesit e Shoqatës “Bashkimi Kombëtar” dhe aktivistet tjerë shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të Italisë. Para programit na u prezantua një treshe e të rinjve( Gjelosh Hajdari,  Ali Kurti dhe Gjin Shani) që shprehen dëshirë të paraqiten  me një pikë muzikore. Natyrisht se në gatishmëri të tyre s’kisha aspak hezitim që të iu krijoja hapësirë për paraqitje, pasi  unë isha përgjegjës i programit. Paraqitja ishte shumë e suksesshme. Andaj  që nga atëherë në çdo program për bashkatdhetarët nga atëherë kanë marr pjesë, herë si treshe, herë si dyshe, herë si individ....

Se kush është Gjin Shani sot, cila është  jeta dhe zëri i tij, që e bëri tashmë të njohur  jo vetëm në këtë pjesë të Italisë. Për më shumë do të njihemi me bisedën-intervistën që e zhvillova ditë ma parë, në prag të Ditëve “Epopeja e UÇK-së” ku si shkasë ishte kënga e tij që i kushtohet Komandantit Legjendar Adem Jasharit.

Shkurtimisht një profil i juaji!?

Jam i lindur  me 8 gusht 1978 në fshatin Ndrejaj, komuna Shosh(Dukagjin), rrethi Shkodër. Fëmijëria dhe rinia më ka shkuar shumë mirë falë zotit, familjes time dhe njerëzve që më kanë rrethuar dhe mbështetur pa kufi. Gjëja ma e bukur që kujtojë për fëmijëri është shkolla, ku mbajë mbresa të pa shlyera. Për sa i përket rinisë së hershme kam kaluar në vendlindje , por si shumë të rinj shqiptar për të siguruar një jetë ma të mirë e komode, mora rrugën e kurbetit, dhe tani kam mbi dhjetë vite jam këtu në Itali...

Këtu (në Itali) fillimisht derisa jam sistemuar me dokumentacione të nevojshme e të domosdoshme(leje pune, leje qëndrim, banim, etj.), me këngën pak jam marr, ndërsa tani qe disa vite kam një përkushtim ma të madh për këngën ku jam prezent në manifestimet dhe përvjetorët e festave kombëtare e shtetërore, jo vetëm në provincën e Trevisos ku jetojë, por edhe ma larg deri në Peruga, madje edhe jashtë Italisë, si në: Slloveni, Zvicër, Gjermani, Austri, etj...

Kur keni filluar të këndoni,  të kujtohet paraqitja e parë para publikut?

Eh...! Për të kënduar sikur më thonë familjarët, kam nisë të këndojë refrene këngësh sapo kam folur!  Por, para publikut kam kënduar në moshën 9 vjeçare së bashku me vëllanë tim Gjovalin Shani. Festohej  1 Maji me një program në Kodrën e Shëngjergjit,  kur kem kënduar këngën e “Zylo Kamberit”. Si fëmijë kam ndier emocione të veçanta!

Këngën e keni hobi apo trashëgimi familjare?

Me thanë të drejtën këngën fillimisht e kisha  hobi, por edhe trashëgimi familjare, sepse vëllai im Gjovalin Shani është ndër këngëtarët folklorik ma të mirë në Shqipëri, të cilin e përshëndes dhe e falënderojë shumë, për të gjitha ato që ka bërë për mua, sidomos në profesionalizimin si këngëtar.

Më lehtë e ke të këndon vet apo në duet?

Megjithëse unë kam kënduar gjithmonë me vëllanë tim në duet sa isha në atdhe, me ardhjen time në kurbet gjërat ndryshuan, sepse kurbeti dhe largësia i kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Me fjalë tjera më është dashur të përshtatem në këndim vet! Tani, për mua nuk ka ndonjë diferencë nëse këndojë vet apo në duet.

Cili është zhanri i këngëve që këndon?

Unë këndojë këngë popullore e folklorike me gjithë qejf, por, muzikën folklorike e kam ma për zemër, andaj edhe këngët folklorike i këndojë me përkushtime të veçanta...

Këndon këngë me motive nga Kosova, cilat janë arsyet që  të nxisin?

Arsyet që pse këndojë këngë me motive  nga Kosova as vet nuk mundem ti shpjegojë saktë! Megjithatë, vuajtja e persekutimi që kanë pasur, mandej, trimëria e heroizmi, sakrifica e vetëflijimi, humaniteti e solidariteti, ... janë virtyte që i kam vërejtur te kosovarët, dhe më ka nxitur e më nxisin vazhdimisht. Me fjalë tjera, krahas këngëve folklorike i kam shumë për zemër edhe këngët kosovare. Më pëlqejnë shumë dhe gjithë kohën e lirë që kam dëgjojë këngë kosovare  ose me motive nga ajo pjesë e shqiptarisë.

Ke disa këngë të incizuar, ke plane të incizon të tjera?

Kam incizuar disa këngë, ndër ato është edhe kënga për Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij. Shpresojë që edhe albumin ta publikojë këtë vit. Kam disa plane për këngë të reja, ku teksti i një kënge që më pëlqen është këngë për Kosovën, ku shpresojë që do të pëlqehet nga të gjithë.

Për veq në manifestime të migracionit shqiptar  në Itali, këndon edhe në...?

Kam bashkëpunim me disa televizione me të cilat bëjë publikim e incizimeve të mia, si me  Blu Sky, TV1, TV Koplik, etj. Po këndojë edhe në gëzime familjare dhe më presin shumë mirë, për çka ndihem shumë lumtur e i relaksuar. Kam kënduar edhe në Kosovë në dasma e gëzime familjare, duke përjetuar emocione të veçanta.

Këngët i ke autoriale(ku i merr tekstet), apo këngët i përpunon?

Këngët e mia te incizuar deri më tani i kam autoriale. Tekstet e këngëve i kam nga tekst shkruesi dhe këngëtari Fran Kodra, nga profesori Kadri Fikaj dhe Qazim Çela. Por edhe nga miku im Pjetër Kola. Unë mendojë, sa do këngëtar i mirë të jesh, po nuk bëre këngë të reja nuk ke asnjë përfitim, asnjë afirmim, sepse publiku donë vetëm gjëra të reja.

Për fund të kësaj bisede, ke diçka që nuk është thënë e ia vlen të thuhet?

Sa do që bëjmë biseda, kemi zhvilluar edhe në të kaluarën, unë mendojë që gjithnjë mbetet diçka pa u thënë. Të falënderojë për të gjitha publikimet që ke bërë rreth aktivitetit të mërgatës  se këtushme shqiptare në përgjithësi dhe për paraqitjet e mia në veçanti nëpër këto evenimente. Krahas këtij falënderimi, përzemërsisht të urojë për punën dhe aktivitetin që bënë me Shkollën Shqipe të Trevisos.  Meqenëse jemi  në prag të festes së Pashkëve: Ju urojë të gjithë shqiptarëve nëpër botë GËZUAR PASHKËT!

Fund. Mars 2016. Treviso