Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Bruksel, 22 mars

| E merkure, 23.03.2016, 07:06 PM |


Bruksel, 22 mars

Nga Elvi Sidheri

Shpeshtësia e sulmeve terroriste së fundmi, faktikisht nuk do të duhej të na shtynte të habiteshin fort për ngjarjet e djeshme në Bruksel; as e dhëna kryesore lidhur me këtë makabritet të rradhës që godet zemrën e Europës, që shpërfaq qartas, nëse dikush ende s’e kish kuptuar, faktin se me rradhë po goditen simbolet e vetë kontinentit tonë të moçëm.

Qe rradha e Parisit dy herë vjet; së pari me etalonin e lirisë së medias dhe të mendimit të lirë, Charlie Hebdo; dhe paskëtaj me vetë esencën e këtij qyteti, lirinë e qytetarëve të tij për të dëfryer, për të buzëqeshur ulur me “nonchalance-n” tipikisht frënge, nëpër lokalet buzë bulevardeve pariziene, apo Senës gurgulluese...

Ishte pikërisht ky objektivi i atentateve të gjysëm-nëntorit të shkuar; normaliteti njerëzor dhe moskokëçarës, i jetës pariziene, i asaj europiane dhe perëndimore në përgjithësi.

U vranë njerëz lokaleve e bareve të Parisit, u masakruan të tjerë sikur të kishin qenë mish gjedhi që shpihet tek kasapi për t’u therur, brenda një klubi muzike; sepse... kishin kryer mëkatin kapital, të të dëgjuarit dhe kënduarit muzikë!

Të tjerë desh u patën hedhur në erë brenda Stade de France, sepse edhe ata fundja, mëkatarë të fortë paskëshin qenë, duke ditur se “guxonin” të ndiqnin hareshëm një ndeshje futbolli; shfaqje të degjeneruar sipas ndokujt, të mënyrës europiane të të jetuarit; që normalisht, sipas të njëjtit sens pervers të të llogjikuarit mendjeshkretë, përbën diçka që sërish dënohet me vdekje pa të drejtë ankimimi apo apeli të çfarëdoshëm.

Ja pra, dhe kështu, udha e gjatë s’mund të ish kurrësesi, gjersa koha ogurzezë t’i vinte edhe Brukselit të vrenjtur, verior, me një klimë acaruese plot shi dhe lagështirë pafund; me çokollatat, birrën belge që derdhet lumë në gurmazet e belgëve vendas – frankofonë apo flamandë qofshin ?, dhe të miliona turistëve që shkelin këtë kryeqytet të shumëfishtë.

Brukseli pra miq; nuk është thjesht një qytet me veçoritë e tij belge, me tisin e tij pakëz të hirtë; me retë e pandashme në qiellin e vet, piklat e shiut të ftohtë, apo karakteristikat e tjerë thelbësisht belge të ekzistencës së vet natyrale.

Jo, sepse Brukseli, sot për sot përbën edhe vetë themelin e qenësisë të papërsëritshme dhe të patjetërsueshme të Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Mbretërisë së Belgjikës, si një vend multikultural.

Prandaj, ndodh që dikush të dëndet me eksploziv, të shtrëngojë një armë automatike në dorë, dhe t’ia nisi xhiros vdekjeprurëse nëpër rrugët piktoreske të këtij qyteti unik për nga vlerat e tij ekzistenciale gjithë-europiane dhe perëndimore; e të fillojë të hedhë në erë kënde të tejfrekuentuara të aeroportit ndërkombëtar, të godasë stacione metroje e ç’të mundi më tepër.

Brukseli pra, ashtu si Parisi dy herë rradhazi vjet; si Washingtoni apo New Yorku para 15 vitesh, si Madridi 12 vite më parë (sërish në mars); si Xhakarta, Nigeria, Egjipti apo qytetet izraelite; paguan çmimin vdekësor të dëshirës për të jetuar në liri, në normalitet; në një botë ku sa vjen e shtohet shtytja për ta shndërruar normalitetin dhe jetën e lirë; në një mëkat të dënueshëm përherë dhe vetëm me vdekje; sikur vdekja të ish kthyer në qëllimin parësor, dhe synimin asgjësues të çfarëdolloj prirjeje apo guximi e dëshire për t’i frymuar ditët tonë mbi truallin e këtij planeti të përbashkët, të lirë për të menduar, për t’u sjellë siç duam, për të dashuruar lirisht, për të menduar, folur, puthur e jetuar pa frikën e mendësive mesjetare gjakatare.

Gjë që të shpie të mendosh, me të gjithë bindjen e zymtë të rastit, se Brukseli nuk përbën as stacionin e fundit, e as të parafundit, për fat të keq, të verbërisë së marrë fondamentaliste.

Terrori do të godasë sërish; të pafajshëm do ta humbin prapë, e paskëtaj të tjera herë jetën; duke rënë njëkohësisht viktima e therorë të pavetëdijshëm, të rastësishëm, e sakaq prapëseprapë padyshim heronj të sakrifikuar e të rënë në altarin e lirisë dhe qytetërimit thelbësor perëndimor.

Sepse ky është edhe kuptimi real, sa edhe makabër i kësaj lufte të pashpallur, që prej një dekade e gjysëm përgjak Europën, Perëndimin, Lindjen e Mesme, Afrikën, Azinë dhe praktikisht gjithë planetin tonë njerëzor në emër, dhe aspak të tillë në mizorinë me të cilën bashkëjeton ngaherë.

Kjo është një luftë ku mesjeta më e ndërsyer për gjak të pafajshëm, lufton për gjithçka ose asgjë, për të zhbërë dhe rrafshuar me tokën, çdo arritje, çdo përparim, çdo shenjë mirëqenieje, lirie, diversiteti, lberalizimi, demokracie, mundësish të barabarta, emancipimi femëror dhe mendësor gjithënjerëzor; çdo rreze apo nuancë qytetërimi të konsoliduar të denjë për të lënë shenjën e tij civilizuese në shekullin e XXI, në mijëvjeçarin e tretë të epokës sonë moderne.

Porsi një kuçedër shumëkokëshe që një gojë të re zjarri e gjen pandalur për të goditur me tërë llavën e prapambetjes dhe trushpëlarjes së saj krenare, qytetërimin tonë të mbështetur dhe të mbajtur në këmbë dhe jetë, pikërisht falë LIRISË DHE LIRIVE tona individuale dhe kolektive.

E pra, këto sulme që përdhosin gjithçka, gjakun e pafajshëm, jetët e atyre viktimave që marrin në qafë në emër të një ideologjie thjesht mizore, që fshihet pas termave të hyjshme, e predikuar barbarisht nga njerëz që dinë vetëm të urrejnë, gjakatarë të cilëve dëshira për të jetuar dhe buzëqeshur e njeriut normal ?europian apo jo ?, u duket si një mëkat vdekatar; të cilët dje gjithësesi, u rrekën të godisnin diçka simbolike në të qenit e saj krejtësisht gjithëpërfshirëse, Brukselin si qendrën e Europës së Bashkuar pa kufij, të ngritur mbi hirin e urrejtjes naziste të para 70 viteve!

Përgjigja na takon ne!