E enjte, 28.03.2024, 04:22 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kurora e Ballkanit

E merkure, 16.03.2016, 08:04 PM


Meditim për humorin dhe romanin “Kurora e Ballkanit” të shkrimtarit Vangjush Saro

Nga Elvi Sidheri

Kur mendojmë për realitetin e sotëm, në të gjitha dimensionet e tij, atë jetësor, gjuhësor, politik, ekonomik, gjithaq edhe letrar - e sa i përket më gjerësisht fushës së ndritur të letrave shqipe - një shqyrtim i tërthortë, sa edhe i plotë i pafundësisë së fenomeneve që përbëjnë këtë ylber dritëhijesh të përditësisë sonë, do të ishte diçka më tepër se thjesht i mirëpritur. Në funksion të këtij synimi paksa fort mbinjerëzor dhe thuajse profetiko-lirik, në një sfond qëllimshëm tepër ironik, të tjerrur në fijet e një elegance ku ndërthurren hareshëm dhe në mënyrë të kthjellët sarkazma therëse dhe humori burimor shqiptar (me një ndikim, apo gjurmë qoftë edhe të pavetëdijshme “very british”)... lidhur me realitetin tonë të gjithëditshëm, i vjen lexuesit shqiptar edhe botimi më i fundit i shkrimtarit Vangjush Saro, romani “Kurora e Ballkanit”.

Është ky libër, kjo frymë e mbrame krijuese e këtij autori, një dëshmi e mëtejshme e faktit se fatmirësisht (do na duhej ta falenderonim pandalur Perëndinë për një fakt të këtillë po të qemë mjaftueshëm të mençur dhe mirënjohës lidhur me këtë gjë)... bota krijuese shqiptare ende nuk ka shteruar; frymëzimi letrar i ngjizur dhe menduar në gjuhën tonë - duke ngërthyer të gjitha grimcat e 365 ditëshave vjetorë ku sintetizohet çdo atom i tragjikomedisë jetësore shqiptare - akoma frymon, megjithëse dihatshëm, gulçueshëm, sikur të qemë masivisht duke përthithur të fundmen frymë jo vetëm jetësore, por edhe qenësore, sa edhe artistike në këtë këndin tonë të gjysmerrësuar të botës, që quhet Shqipëri. Mandej, unë nuk do ta cilësoja ngushtësisht si një “roman humoristik” këtë pasojë të fundit të krijueshmërisë gurgulluese të burimit të pashterur të mendjes së këtij shkrimtari; jo, sepse kjo do të ish në vetvete, një lloj “sui generis” tradhëtie ndaj mendimit të tij thelbësor dhe kuintesencës së mesazhit që do të duhej të përçonte ky libër për lexuesin.

Me humorin, në Shqipëri është “buzuar”; (të më falni për këtë neologjizim të panevojshëm, në një kohë dërrmimi masiv të “dëlirësisë” Frashëriane të gjuhës sonë mëmë.) Por nevoja stilistike e pat kërkuar këtë ndërhyrje gjuhësore... pra, “vihen buzët në punë, të brumosura me ndonjë çjerrje në formë zëri të klithur”, duke u rrekur kështu së koti prej 25 vitesh kokërr më kokërr, për të sendërtuar një tip produkti të ri të Shqipërisë post-moniste, “Bejto-Humorin” e mejhaneve televizive... Atë “monstër” pseudo-humoristike, surrogatin që na serviret shpesh edhe përnatë në vend të rakisë dhe fërnetit të dikurshëm monist, dhe që jetësohet gjithmonë e më shpifshëm, përmes përçartjeve banale, të cilat mënjanë që nuk puqen askund me humorin në nivelin e tij të mirëfilltë “buzëgazëtues” apo, qoftëlarg, ironizues, me shpotinë më fine të situatave nga më të ndryshmet të përditshmërisë sonë - tejmbushur me arsye për të protuestuar - edhe, dhe mbi të gjitha, nëpërmjet përdorimit të humorit të mprehtë, si armë për t’u përballur me padrejtësinë, mungesën e mundësive, apo edhe të lirisë.

Por me këtë zhanër, po ashtu është “abuzuar” pafund, paturpësisht, diletantisht dhe pafytyrësisht, gjer në atë pikë të skajshme, saqë lexuesi, dëgjuesi e teleshikuesi shqiptar, në mos e ka harruar përgjithnjë shijen e humorit të vërtetë, gjithësesi, s’i kujton dot ato ndjesi të këndshme çlirimi të dëfryeshëm, moskokëçarjeje disaminutëshe apo disaorëshe, sa ç’zgjat një skeç i arrirë komik në televizor, apo disa faqe të një libri ku shpërfaqet vena sarkastike, ironike dhe thelbësisht, pastërtisht komike, e një autori që ende vijon i paepur në rrugëtimin plot shtigje të rrëpirta të humorit të kulluar shqiptar.

Të përçartësh në ditët e sotme për Gaqo Bushakën dhe gjeninë e tij shpotitëse të formësuar aq çiltërsisht nëpër faqet e librave të tij (jo edhe aq)... për fëmijë e rioshë; (neve pra, që u rritëm dhe ende sot, për çdo situatë ditore, kemi gati një batutë nga “Çufo”). Për Qamil Buxhelin, Tonin Milotin, Dritëro Agollin dhe Zylon e tij mitik, në rënien apo shkëlqimin e tij verbues. Për satirën e hollë të Nonda Bulkës qysh në vitet ‘30 të shekullit të shkuar; apo largqoftë të synosh majat e paarritshme të Fishtës së madh te “Gomari i Babatasit”. Do të ishte thuajse një basfemi e dënueshme me turrën mesjetare të druve të inkuizicionit, duke e gjetur veten pluskueshëm në kënetën e turbullt ku dergjet e mbytet përherë e më tepër humori i shkruar, krijuar, hedhur në letër, menduar apo vënë në skenë, në aktualitetin e përhimët shqiptar.

Prandaj, e vlerësoj shkrimtarin Vangjush Saro për këtë dhuratë që na ka ofruar të gjithëve ne që nuk ia përtojmë, pavarësisht punëve, stresit, kohës së vrenjtur, të enjteve parlamentare - humori më i shikueshëm, i ndjekur dhe i dashur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje, prej një çerek shekulli - apo çfarëdolloj arsyetimi tjetër, që masivisht na shtyn të mos lexojmë prej kohësh. Kështu, personazhe si Qako Proçka, hetuesi babaxhan tirons i vjetër Hasan Rrenga, Qato Vjeshta e gjithë kompania tjetër gazmore që na shfaqet aq natyralisht nga pena (laptopi, kanë ecur kohët) dhe mendja e autorit, do të na përqasen me tërë botën e tyre shumëngjyrëshe, të mbrujtur plot finesë, me një dozë të shëndoshë ironie dhe sarkazme tashmë të harruar për lexuesin shqiptar; duke përqafuar njëkohësisht universin letrar shqiptar, botën e librit në gjithë pasazhet e saj, nga ngjizja, gjer në botim, hapësirën e emigracionit larg vendlindjes, përtej oqeanit e më larg; fqinjësinë në ambientin e banimit, dhe vetë esencën e aktualitetit shqiptar në një këndvështrim 360 gradësh.

Një histori groteske, aktuale; rrëfyer mirë. Një libër që të përfshin dhe të shtyn ta lexosh më tej, pra, që ta vë kërshërinë në punë, të cyt të kërkosh më shumë, të përvidhesh, të meditosh; arritur kjo, falë një gjuhe tepër të përshtatur dhe të rafinuar; përmes një sarkazme dhe ironie thjesht fine, si dhe një trajtimi e njohje të thellë shumëdimensionale të realitet shqiptar, me të cilin, megjithëse nga larg, duket qartë që autori emocionalisht nuk është ndarë kurrë.

Dhe për ta mbyllur; siç dikur pohonte edhe një mendje e epërme si ajo e Viktor Hygoit të madh: “Vetë liria, fillon dhe i ka rrënjët tek ironia!”



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora