E premte, 29.03.2024, 01:53 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Pergameni i Artë

E diele, 13.03.2016, 08:54 PM


Pergameni i Artë

Një ide e lindur gjatë leximit të një  studimi të Anton Nik Berishës.

Nga Timo Mërkuri

1-Leximi i studimit të Anton Nikë Berishës “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit dhe botës së tij”(Qasje këngëve kreshike) botim i “Faik Konica” Prishtinë,  2008,  është një nga ato studime  të rralla, aqë shumë të dëshiruara, sa që  kur i gjen, edhe gjatë leximit ndjen se  të rritet  zemra “sa shtatë këngë” . Konkluzioni shkencor i aritur se “Këngët e kreshnikëve”  janë krijime të periudhës së matriarkatit, pra i bie të jenë krijime parahomerike dhe se janë krijime popullore vetëm shqiptare, të cilat kombet e tjera i kanë huazuar nga shqiptarët, ngre në një piedestal të ri kombin tonë dhe pasurinë shpirtërore të tij, dhe për pasojë edhe ne na mbush me një ndjenjë krenarie sublime , sa që natyrshëm, pasi çfleton faqen e fundit, e shtrëngon librin në gji dhe ndjen se shpirti klith brenda teje  “lumthi unë që jam shqiptar”…

E parë në këtë këndvështrim, eposi i kreshnikëve mund të shihet si një “Pergamen i Artë”, një pergamen ku, në pentagramin e vijëzuar në të, është notizuar melodia e këngëve, por edhe se dhe krahas notave,  është shkruar edhe teksti i këngëve. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se, ky tekst, mbart nëpër vargje historinë e zanafillës, qëndresës dhe triumfit të etnitetit tonë.

Jo vetëm pse ishte i artë ky pergamen, kërkonin ta përvehtësonin fqinjët tanë veriorë , por edhe për faktin e egzistencës të këtij  teksti dhe domethënies së dëshmisë së tij të stërlashtë.

Si çdo përvehtësim (vjedhje) edhe ky kishte nevojë për një parapregatitje. Kështu që u ideua afërsia e kohës së mbrujtjes dhe lindjes së eposit. Kjo u duhej grabitësve që, në qoftë se nuk do realizonin përvehtësimin, nëpërmjet zvogëlimit të moshës, do arinin zhvleftësimin e tij, dhe për pasojë, kombi shqiptar, që kryeveprat e tij letraro-historike i ka të një moshe të re, edhe për vete është një popull i ri …në këto troje.

Pastaj shtresa myslimanizuese te emrat do shërbente edhe si kërrabë, me të cilën do tërhiqnin vargjet nga vetja, si bariu delet, për këmbësh. Shumë të pakta janë emrat shqiptarë në këtë epos. Muj(s)i, Hal(yll)ili, Ajkuna dhe …i miri  Omer, që qëndrojnë shqipëtarisht nëpër vargjet  e këngëve, në një murlan emrash myslimanë, sa që pyet veten se si e nga erdhën këta persona te ky epos dhe pse nuk ikin turravrap, përkundër faktit se janë pikërisht ata shtylla veterbrore e vete eposit.

Por në studimin e tij Anton Nik Berisha u del përballë, si vetë Mujsi në mejdan, teorive dhe pretendimeve të fqinjëve tanë veriorë kur konkludon se,,,”Këngët e kreshnikëve në qënësinë e tyre përligjin organizimin matriarkal. Pra nëna udhëheq në familje”.

Dhe këtë konkluzion  e mbron  me një sërë argumentash, që përfshin: rolin dhe funksionin e artit gojor në shprehjen e botkuptimit, kulturës dhe të mjedisit ku dhe kur u krijua së pari, botkuptim, kulturë dhe mjedis puro shqiptar në epos.

“Këngët tona kreshnike cilësohen me një botë të veçantë e të pasur tematike, mitologjike dhe kalorësiake, me një system të përpunuar e të pasur shprehës poetik, me një shtjellim të  ngritur e të qëndrueshëm, me çka përligjet në mënyrë të pandërmjeme rëndësia dhe lashtësia e tyre” thotë autori dhe më tejë vazhdon: Këngët tona kreshnike me disa shtresa të lashta e me disa përbërës të veçantë, shqiptojnë një realitet krejtësisht tjetër nga ai i periudhës së  dyndjeve slave në Ballkan ose fjala vjen, i ardhjes së osmanllinjve në trojet shqiptare”…

Këngët tona kreshnike shqiptojnë një botë e një stad shoqëror të lashtë, që e cilëson një organizëm shoqëror të thjeshtë dhe që ishte tipik dhe për shoqërinë homerike.

Në mbështetje të këtij konkluzioni, autori citon edhe etnografen Andromaqi Gjergji, e cila thotë se…Nuk është fjala këtu vetëm për ato elementë të lashtë me bazë mitologjike (si metamorfozat, orët, zanat, bashkëpunimi i ngushtë i njerëzve me ato krijesa mitologjike, kuaj e zogj, kafshë që komunikojnë me heronjtë, dëshira për të patur fuqi trupore e jo pushtet e pasuri (e ca më pak dije..sh.im.) etj, por edhe për ato gjurmë të herëshme në zhvillimin e familjes që dëshmojnë për mbeturina të lidhjeve në vijëm amtare, prania e të cilave sigurisht ka një rëndësi të madhe. Ato bëjnë pa dyshim shtresat më të herëshme që hasen në epikën tonë…

Po ashtu edhe citimi i Qemal Haxhiademit se…në këto këngë….nuk ka të dhëna që të shpien qoftë edhe tërthorazi në ndonjë farë pushteti shtetëror të centralizuar. Në këto këngë nuk bëhet aluzion për zgjatime kufijsh politikë, për luftra që nënshtrojnë kundërshtarin ose për ti imponuar atij një ideologji fetare të caktuar… është një  gurthemeli me vlerë në ngritjen e  një kalaje të tillë studimore.

Në këtë plan konstatimesh, befasues është edhe konkluzioni i  Prof.Dr. Kazuhiko  Yamamato  ( cituar nga autori) ku thotë se:…provohet se sistemi i vlerave etike të shoqërisë homerike është i njëjtë me atë të Kanunit. Nga  gjashtë konceptet e Kanunit shqiptar: besës, nderit, mikut, bukës, gjakut dhe hakmarjes), pesë prej tyre (besa, nderi, miku, gjaku dhe hakmarja) e cilësojnë epikën homerike. Po sipas Yamamato.. Botën e epeve homerike e cilëson patriarkati. …ndërsa botën e ciklit të këngëve të kreshnikëve e cilëson matriarkati.

Dhe si qershia mbi tortë vjen konkluzioni se …vargu dhjetërrokësh i epikës gojore shqiptare nuk mund të trasmetohet dhe të përkthehet në mënyrë adekuate në gjuhën sërbe (boshnjake e kroate. sh.im) me dhjetërrokëshin përkatës të kësaj epike. …Miçoviçi e përktheu (dhjetërrokëshin shqiptar) me dymbëdhjetë rrokësh, trembëdhjetë rrokësh dhe katërmbëdhjetë rrokësh…dhe u shpreh se i është afruar tërësisë kuptimore të vargut shqiptar…dhe se përkthimi nuk lejon të thuash se është huazuar, është bartur nga një traditë në tjetrën, pra nuk mund të futët në kategorinë e bartjes…

2-Pra, e parë nga disa këndvështrime, argumentohet hershmëria  e krijimit të eposit të kreshnikëve, qysh në periudhën e matriarkatit, si dhe fakti që  janë krijime popullore vetëm shqiptare, pavarësisht faktit të pluhurit mysliman apo sllav që ka hedhur koha mbi supet e tij.

Por ky ep është edhe një dëshmi indirekte e faktit që kënga jonë popullore buron nga vajtimi. Deri tani mendoja se, nga vajtimi, buron  vetëm shumëzërrëshi popullor, këngëa iso-polifonike. Por ja që te “Këngët e Kreshnikëve” konstatojmë burimin nga vajtimi (me ligje dhe me botë) edhe të këngëve që këndohen me lahutë.

Dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se te ky studim, gjejmë argumentimin e lashtësisë, jo të një kënge të vetme, por të një cikli këngësh, deri në periudhën e largët dhe të mjegulltë të matriarkatit dhe për pasojë, vjetërsinë e lindjes së këngës sonë popullore dhe arsyen se  pse në këtë këngë kemi edhe sot elementë arkaikë të riteve mortore , si zëri i hedhësit të kënga himarjote apo ajo thirje eheej te kënga majëkrahu.

2.1-Nga ky argumentim I hershmërisë të eposit të kreshnikëve rezultojnë dy sinteza kryesore:

Së pari, shqiptarët kanë qënë autoktonë në këto troje shumë e shumë shekuj para periudhës  së matriarkatit, ndërkohë që popuj të tjerë endeshin nga një vis në tjetrin për të krijuar ngulimet e tyre.

Së dyti,Në periudhën e matriarkatit, populli ynë kishte konsoliduar një art gojor të një niveli të lartë artistic, qoftë si tekst, qoftë dhe si melodi, duke patur në këtë mënyrë një komunikim dhe një krijim artistic gojor shumë të përparuar për kohën dhe me vlerë artistike, që u rezistoi shekujve, në ecjen drejt së ardhmes.

2.2 -Në këtë cikël, ku vringëllijnë shpata e topuzë, klithin burrat e hingëllijnë kuajt, gjaku rrjedh lumë nëpër vargje, ku lexuesi ecën  nëpër to, si në një va, ku  vala i përplas nëpër këmbë gjymtyrë të coptuara njerëzish e kafshësh, pra nëpër këtë rrëmujë gjëmimtare lufte, një vajtim nëne e ndal rrugëtimin e diellit drejt perëndimit  sa të gjejë varin e të birit. Ky vajtim nëne i detyron burrat e pamposhtur në sa e sa dylyftime, të ulin kokën,  i detyron zogjtë të heshtin nëpër degë,….

3-Është Ajkuna që vajton Omerin e mirë dhe të vogël.

Por a se din  se kush ka ardh’/Qi nuk çohesh për mu falë/More i miri i nënës-ooo/ Amanet o more bir/Del nji her ksi burgut t’errët/Fol me nanën qi t’ka rrit/…More Omer i nënës-ooo/A thue gjogun me ta prue/Del ndonji her për me lodrue/Bjen ndër gurra me u freskue/Kërkon majet bashk me zana/Se ty vorrin ta rruen nana/More i miri i nënës-ooo

Zakonisht ky tekst, që përlot këdo që e lexon apo e dëgjon, quhet “Vajtimi i Ajkunës” ose “Ajkuna kjan ( vajton) Omerin”, siç e cilësojnë në mbledhjen e tyre At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti këtë tekst të mbledhur në Curraj të Epër. Në asnjë rast ky tekst  nuk emërtohet apo titullohet “këngë”, ndonëse është kënga e 30 e Eposit Shqiptar të Kreshnikëve  dhe këndohet me lahutë, njësoj si gjithë këngët e tjera të ciklit.

Kjo është vërtet këngë e eposit, por ka një veçori, që nuk e kanë aq të dallueshme këngët

e tjera.

Po të studiosh me vëmëndje tekstin, ndjen, kupton dhe dallon faktin që,  më shumë se gjysma e tekstit është thjeshtë një vajtim nëne për të birin e saj të vetëm të vrarë, ndërsa pjesa tjetër është pasqyrimi në vargje të zymta i rethanave dhe situatave mortore, në të cilin do dëgjohet vajtimi i Ajkunës. Qysh në vargjet e para…Drita a dalë e dritë s’po ban/Ka dal dielli e nu’ po xe... të pregatit shpirtërisht për një gjëmë të madhe që do ndodhë. Dhe gjëma nis me mallëkimin e kobshëm…Tu shkimtë drita ty o mori hanë

Vetëm një nënë e djalit të vetëm të vrarë, ka aqë fuqi dhe të drejtë morale e shpirtërore ti drejtohet me mallëkim hënës dhe më tejë. Është si ti tundësh  me kërcënim gishtin zotit, për lejimin e kobit.

Pra kemi të bëjmë me një vajtim nëne, të cilin rapsodët e mëvonshëm e kanë trasformuar në një këngë të eposit kreshnik.(Dhe unë do specifikoja…një këngë- diamant për nga bukuria dhe nga forca). Ky trasformim i vajit në këngë është tepër i zakonëshëm në botën shqiptare,( ndërsa nuk haste në popuj të tjerë). Te studimi im “Si erdhi kënga nga vajtimi” dhe “Pse mungon iso-ja te këngët e veriut” botuar te “Shënjtëria e iso-s”, e kam shpjeguar mekanizmin e trasformimit të vajtimit në këngë dhe për këtë arsye, nuk po zgjatem në këtë drejtim. Por mund të theksoj se gati të gjitha vajtimet shndrohen në këngë, (ndërsa nuk kemi asnjë rast që një këngë të shndrohet në vajtim).

Në botën shqiptare, kënga popullore e ka origjinën nga vajtimi.

Por gjithmon kam patur idenë se ky process është kryer në një kohë të mëvonëshme, duke hamendësuar se është trasformuar në këngë vetëm vajtimi me ligje.

Vajtimi me ligje ka disa rregulla dhe më kryesorja është se, nëna e djalit nuk lihet asnjëherë të vajtojë  vetëm mbi arkivol apo varin e të birit. Ajo gjithmon shoqërohet nga gra të tjera të afërme të saj, që vajtojnë bashkë me të dhe të cilat janë pjesmarëse në “asamblin’mortor.

Në pamje të parë duket sikur Ajkuna vajton vetëm, dhe në këtë mënyrë, është jashtë formatit të vajtimit që shndrohet në këngë. Por po ta shohësh me vëmëndje edhe Ajkuna nuk vajton vetëm. Bashkë me të vajtojnë edhe elementët e natyrës…Drita …dritë spo ban, dielli…nuk po  xe, zanat tue lotue, mirë bylbylat djalin po e vajtojnë, kan lan kangën zogjt e malit, kan xan vend hyjt vajin për me ndie…, ndërsa vargjet e fundit të kujtojnë motamo veprimet në ritet mortore të sotme, kur gratë e  afërme ngrenë nga vari i të birit nënën që vajton dhe e përcjellin deri në shtëpi… orët e bjeshkët ma sun e ndijnë/ftyrën lotsh mir po i a shijnë/vetë e bajnë e çojnë në Jutbinë.

Pra, vajtimi i ka të gjithë elementët e kolektivitetit për tu trasformuar në këngë. Fakti që ne e hasim si këngë edhe në kohët e sotme këtë vajtim, është dëshmi e pa kundërshtuesh -me e procesit trasformues.

4-Por edhe “Vajtimi i Ajkunës” si pjesë e eposit të këngëve kreshnike i ka të gjithë elementët e një krijimi bashkëkohor me këngët e tjera të eposit. Pra edhe kjo këngë është product  i periudhës së matriarkatit.

Pra, nga studimi i Anton Nik Berishës dhe nga të dhënat e këngës së mësipërme, konkludojmë se, procesi i trasformimit të vajtimit në këngë ka nisur (ndoshta duhet thënë është konsoliduar) qysh në periudhën e matriarkatit.

E pra, krijimet letraro-artistike të mëvonëshme të antikitetit  kanë patur përpara një përvojë të mrekullueshme, qoftë nga niveli artistik, qoftë nga teknika e laboratorit krijues e trasformues.  Është si të jesh  student-skulptor në studion e Mikelanxhelos. Ke si e çfarë të mësosh.

5-Te ky vajtim  Ajkunës nuk shohim elementë të “gjamës së burrave”, ndonëse shohim elementët e të “qarit me bot” të Ajkunës, i ngjashmën me të qarin me bot, me logori të grave të Labërisë dhe Bregdetit, dhe kjo gjëndet te vargjet…Bashkë me hy n’nji vorr me djal, nji vorr t’ri po kishe cil përbri, gurit t’malit rixha i kishe ba, të cilat, në vajtimet e sotme, vetkuptohet të artikuluara me një gjuhë e fjalor dialektik të kohës, shoqërohen me shkulje të flokëve e çjerje të faqeve…dhe lutja e gjithëkohëshme e nënave, dëshira e të cilave ka krijuar mitin e ringjalljes… Del nji her ksi burgut t’errëtse ty vorrin ta ruen nana….që shoqërohet me përkëdheje të dheut të varit, për të përfunduar me një klithmë rrënqethëse dhe rënie të fikët, që është identike me ritet mortore të sotme.

6- Kundërshtarët e emërtimit “iso-polifoni” të shumëzërëshit tonë popullor,( duke u shndruar në mënyrë të pavetëdijëshme në kundërshtarë të lashtësisë së këngës sonë popullore) të qarët me botë nuk e pranojnë si fillesë të këngës sonë( iso-polifonike), sepse i ngjaka…ulërimës së ujqërve…(sic), dhe sepse…polifonia është krijimtari e ndërgjegjëshme artistike (sic).

Dhe për këtë citojnë edhe  G.V.Hahn te “Studime shqiptare” Tiranë 2004, fq 209 ku shkruan ( në vitin 1850)…”Zija më e madhe është kur burri vdes në moshën më të bukur.Gratë që janë mbledhur rreth tij lëshojnë një klithmë rrënqethëse, që mund të krahasohet me ulërimën e ujqërve, por është e përzier edhe me tone të larta e të mprehta…”

Por vetë Hahn, e “korigjon” në faqen 211 të veprës së mësipërme, ku ai specifikon vajtimin me ligje…vajtimi ndryshon tani, bëhet me vjersha të cilat i këndon një grua, ndërsa i përcjell korri i grave të tjera…

Hahni pasqyron në fillim momentin e ardhjes së lajmit  të kobit në shtëpi, ose të vdekjes së njeriut të shtëpisë. Ky lajm natyrshëm pritet me të qara të forta dhe gjestikulacione arkaike, si shkulja e flokëve, çjerja e faqeve etj, të cilat më së shumti shërbejnë për të përballuar dhimbjen shpirtërore që ndjehet nga vdekja e njeriut të shtëpisë. Pastaj, ndoshta brenda ditës dhe sidomos pas varimit ,mbizotëron vajtimi me ligje, i pasqyruar te pjesa e dytë e Hahn.

Pra, koha është shumë e shkurtër për diferencime, një, dy apo tre ditë, për një process  shumëshekullor.

Por më me rëndësi është fakti se, si të “qarët me bot” ashtu dhe  vajtimi me ligje, të dy janë aspekte të të njëjtit process, të rritit mortor shqiptar. Laboratori krijues i popullit nuk matet me…ditë pune..

E “qara me bot”, “gjëma” nuk ka qënë një …rrëmujë ujqërisht që ulërinin në hënë. Edhe “gjëma” edhe të “qarrët me bot” kanë patur rregullat e tyre , të sanksionuara madje edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit pikërisht në  dhjetë paragrafe të këtij Kanuni ( 1235-1245), ku caktoheshin rregullat se si niste gjëma, sa veta do ishin gjamatarët, sa larg të ndjerit do rinin, pozicionin e tyre gjysëm rethor para të ndjerit, e deri në gjestet e fazës së katërt, ku burrat uleshin në gjunjë para të ndjerit dhe përkëdhelnin tokën. (Gjest që e gjejmë edhe te Ajkuna, por edhe te ritet e sotme mortore nëpër zonat  iso-polifonike).

Madje, në zonat jugore, në rastin e vdekjes së trimave në luftë, e qara me botë bëhej me mbi 40 veta, bashkëluftëtarë të heroit, të cilët, duke mbajtur në supe vigun apo arkivolin e të vrarit, “këndonin” të tërë bashkë tekstin heroik të bëmave të të vrarit, tekst që e citonte një i parë i tyre. Kujtoni përcjelljen mortore të Marko Boçarit dhe jo vetëm të tij..

Nuk kemi shumë nevojë të pyesim Hahnin për rregullat e vajtimit  shqiptar. Jemi vetë dëshmitarë, sepse këto norma e regulla janë  zbatuar nëpër morte në shtëpitë tona. Kemi parë gjyshet e nënat tona të qajmë me botë, të shkulin flokët e të çjerin faqet mmbi trupat e djemve të tyre, të godasin kokën mureve të shtëpisë, të ulërijnë në kupë të qiellit e ti tundin gishtin me kërcënim zotit, për “mosrespektimin e radhës së vdekjes”, tu bjerë të fikët në mes të vajit, nga dhimbja dhe në vareza , të përkëdhelin e të puthin dheun që hidhnin mbi arkivol. Dhe ato kanë qënë vajtime nënash , të shënjta për ne dhe jo …ulërima ujqish. Dhe të nesërmen këto nëna kanë nisur ligjërimin, me fjalët më të arta që lejonte dhimbja, duke klithur shpesh herë në mes të ligjërimit nga dhimbja që vetëm ato e dinin si e mbanin në shpirt.

Por unë dua të theksoj faktin (që dhe Hahni e pranon dhe citon) se …vajtimi bëhet në grup…, pra është vepër kolektive. Këtë fakt e ka vënë në dukje edhe Herodoti ku shkruan se…Ilirët bënin vajtim kolektiv për të vdekurit…

Vajtimi kolektiv ka një regull, vajton  vajtoria e parë me ligje, me një tekst të paramenduar apo të ngritur aty për aty dhe gratë e tjera e shoqërojnë me rrënkime vajtimtare.

Laboratori krijues i artit popullor këtë vajtore e shndroi në marrëse të këngës sonë popullore  iso-polifonike dhe rënkimet e grave të tjera  të pranishme, i shndroi në  iso.

7-Kur ka ndodhur ky proces i mrekullueshëm i shndrimit të vajtimit në këngë? Unë mendoj se për të marë një përgjigje të saktë, duhet të pyesim Ajkunën, kur ju vra i biri? Në cilin shekull të …matriarkatit.

Dhe të bëjmë llogaritë vetë.  Ndoshta një a dy vjett pas vajtimit të Ajkunës në Lugjet e Verdha, një grua apo burrë, duke shkuar atyre anëve, ka kujtuar vajtimin e saj, a ndoshta ka parë varin e Omerit dhe vetmëvete ka filluar të logasë dhimshëm  vajtimin.

Logatja është një mërmërimë melodike, që e këndon më vete e për vete një njeri i vetëm. Metaforikisht ajo është ura që bashkon brigjet e vajtimit me të këngës. Dhe tre-katër muaj më pas, një rapsod, në një moment të trishtë, duke kujtuar këtë logatje, befas ja ka marë këngës, me tekstin e saj: Lum për ty o i madhi zot/Qi sjem kan e zoti na ka dhan/Drita a dal e dritë spo ban…

Pra, qysh në epokën e matriarkatit, populli ynë konsolidoi shndrimin e vajtimit në këngë.

Qysh në atë kohë Ajkunat tona vajtonin, dhe elementët e natyrës, drurët, era, zogjtë…rënkonin. Pastaj vijuan ti shoqërojnë me rënkime e vajtime zanat, hyjnitë dhe vetë… zotat.

Prandaj janë të shënjta këngët tona popullore, se në ato janë dhe rrënkimet e …zotave.

E si mund të hiqet fjala (qoftë dhe në formën e rënkimit, të iso-s) e zotit nga kënga?

Dhe në qoftë se do ritheksojmë se jemi pasardhës të pellazgëve …parahënorë…, atëherë duhet të respektojmë faktin se edhe kënga jonë është po kaqë e vjetër.

Pse ka rëndësi pranimi dhe mbrojtja e kësaj teorie të origjinës së këngës sonë popullore, duke patur si fillesë gjëmën, të qarët me botë dhe vijueshmëri të saj, të qarët me ligje.

Jo vetëm që ka rëndësi por është dhe gurthemeli i identitetit shqiptar dhe lashtësisë të këngës (iso-polifonike dhe jo vetëm ajo). Kënga jonë popullore, në origjinën e saj, nuk ka lindur si …krijimtari artistike e ndërgjegjëshme…(sic).

Po të pranonim këtë tezë, atëherë duhet të pranonim se kënga jonë është prodhim artistik modern, i ndërgjegjshëm, i kohëve të vonëshme, i kohëve moderne, krahasuar kjo me kohën e lindjes reale të saj. Sepse  veprat artistike të ndërgjegjëshme kanë lindur shumë kohë më von nga koha kur, laboratori krijues i popullit i shndronte në këngë vajtimet, me të cilat nënat, motrat e  baballarët vajtonin bijtë e vëllezërit e tyre. Ky process nuk ka qënë…krijimtari artistike e ndërgjegjëshme, por ka qënë veprim intuitive. Kur u konsolidua kënga, shekuj e shekuj më von, përsosja e saj ( për konkurime nëpër festivale) mund të quhet …krijimtari artistike e ndërgjegjëshme.

8- Dhe për të gjitha këto, lexoni ju lutem, studimin e Anton Nik Berishës “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit dhe botës së tij”(Qasje këngëve kreshike) botim i “Faik Konica” Prishtinë,  2008 , studim i shkruar me gërma ari në fletë të qëndisur  fije argjendi, dhe do ti jini edhe ju mirënjohës, ashtu siç i jam edhe unë.

Sarandë, më  25 Shkurt- 6 Mars  2016



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora