E enjte, 28.03.2024, 07:06 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 11 mars 1948

E diele, 13.03.2016, 10:33 AM


11 MARS 1948

PUSHKATOHEN  PRELATËT  E  KLERIT  KATOLIK  SHQIPTAR

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e IV.

DOSJA 1302/II- A: “IMZOT FRANO PJETËR GJINI ME SHOKË...”

?“... Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” - vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 - 1990” fq. 36, 1993.

?“Për me shkatrrue me kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkoder...”, me porosi të sllavokomunistëve jugosllav, të cilët udhzoheshin nga Moska stalinjane, nder të gjitha vendet e Europës Lindore u zbatue i njajti plan shkatrrimi si në Shqipninë e Veriut, ku në shumë Kisha Katolike, sigurimi i shtetit në vitin 1946, futi arka me armë e bombe per me akuzue Klerin Katolik se gjoja, “këto arka ishin mëshef nga drejtuesit e Kishës...”

?Plot 70 vjetë perpara, ky projekt i komunitëve jugosllavë u zbatue në Kishen e Fretenve të Shkodres. Ndersa në Kishen e Oroshit të Mirditës dhe tek Kisha e Rubikut, u zbatue nën drejtimin e xhelatëve të Petrit Dumes, që ishin ngarkue nga sigurimi i shtetit me porosi të vetë terroristëve Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu.

?Në Shkoder ishte zbatues Zoji Thëmeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku... që, me datën 17 Nandor 1946, rreth orës 2 të mengjesit, futën armët në Kishen Françeskane të Gjuhadolit. (Dishmi e Zef Bardhokut). Ishin arrestue Provinçiali At Mati Prennushi, rektori At Çiprian Nika, dhe me daten 17 u pranguen të gjithë fretnit tjerë që ishin në Kuvendin e Gjuhadolit, i cili u kthye në burgun ma të mnershem të Shqipnisë komuniste, ku hetimet vazhduen me torturat ma shnjerzore deri në vitin 1948, derisa me 11 Mars t’ akuzuemit u ekzekutuene në Zallin e Kirit, pranë Varrezave të Rrëmajit... E edhe sot “vendi i ekzekutimit” nuk tregohet!

?Per armët e futuna nga sigurimi në Kishen e Oroshit Mirditës asht shkrue shumë pak! E pra, viktimat kanë fillue me Abatin e Mirditës Imzot Frano Gjini, e kanë vazhdue deri me 4 Prill 1986, kur vdiq në burg  ordinari i Nderuem i Asaj Kishë Don Lec Sahatçija.

?Gjyqet u zhvilluen në Janarin e vitit 1948...

Tek Dosja 1302/II – A, asht edhe ky Proces – verbal i aprovuem nga E. Hoxha:

Republika Popullore e Shqipërisë                      V.F.L.P.

Gjykata Ushtarake Shkodër

Shkodër, më 12 mars 1948 Shkresë Nr. 64/III Prot.

GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE Tiranë

Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948: Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:

1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI, 2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe, 3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:

1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!

2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!

3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!

P. Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë                    (Misto Bllaci) d.v.”

***

?Po, në zyret e kësaj hetuesije, shka bahej mbi trupat e këtyne Martirëve Atdhetarë?!

PER KËTA MARTIRË DO TË FLASIN DËSHMITARËT BASHKVUEJTËS:

?Zonja Terezina Pali (Zorba), më tregonte si e kishin torturue për vdekje në Kishë At Mati Prennushin, kur gjironin filmin jugosllavët tek Elteri me armë në dorë. Mbasi e sollën në qeli e pashë se çalonte, e pyeta: “Çka të banë Padër Mati?” - Ai u përgjegj me za të ultë - mos pyet... por, për mos me i kënaqë këta qej, eja të këndojmë... dhe filloi Ai vetë i pari kangën “Në Shkodër tonë ka ra nji dritë”... Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave, Ai na epte zemër edhe né që aso kohe ishim shumë të reja e shpesh dëshproheshim shumë. Njëditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit Nesti Kopali... Ndersa, At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuente shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa çorapët iu ngjitëshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha iu shkapte prej plagëve vetëm... kur e thërriste hetuesi, që ma shpesh e siellte pandjenja se me kambët e veta, megjithatë gjente forca me qëndrue ... Forca e tyne ishin vetëm urata e lutjët e vazhdueshme...

?Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, Monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor... piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, Ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë... mendueme se e mbytën, por jo, ishte i gjallë dhe i gjakosun fëtyrët, - E shihni? -Na pyeti Zoi, - kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!... Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: ”Për hatër të Zotit!....” dhe fshani... Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ia lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë.

Ndërsa, për Imzot Nikoll Dedën tregonte se nuk njifëj ma, ishte ba sa një fëmijë gjithë plagë, i moçatun fëtyre dhe i pazoti me ecë, kambët i kishte të qelbëzueme...

?Një bashkëvuejtës e kishte pyet njëherë, kur e gjet të shtrimë në dysheme: “Kush je ti?” - Ai ishte përgjegjë: - “Kam pas kenë Don Nikoll Deda”, me të vërtetë “s’ ishte ma Ai!”  ?I ndjeri Caf Dragusha, që asht pushkatue me këtë grup, i tregonte një bashkëvuejtësi ndër ato ditë mjerimi kur ishin në një qeli, se një natë i kishin shkue tek biruca e tij katër oficera të naltë, si dukej nga Tirana, njeni nga veshja dukej jugosllav. E kishin pyetë me kambngulje; - janë ba ose jo mbledhjet për të cilat bahet fjalë në proçes të Don Nikoll Dedës, në shtëpinë e Cin Serreqit dhe të Pjetër Dedës? - Cafi u ishte përgjegjë: - A janë ba, a nuk janë ba mbledhjet, unë nuk e dij, por, derisa më keni përzi edhe mue, e thoni, se ke kenë edhe ti, e mbasi unë nuk kam kenë aty, edhe mbledhjet nuk duhët të jenë ba! Përfundonte bisedën tue thanë: “Ah, këta komunistat, janë derbedera! Nuk i njeh kush...” Në darkë i kishte hapë sportelin Fadil Kapisyzi dhe i kishte thanë: “Po ti Caf, na ishe kenë ba edhe avokati i Cin Serreqit, dije mirë se njëqind krena me pasë, një nuk të shpëton as ty, as atij, a more vesh?” dhe me të vërtetë e kishte mbajtë fjalën, tregonte bashkëvuejtësi, mbas pak ditësh u pushkatuen të dy...

?Një Zonjë (V. K.) tregon: “... Na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të reja, 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin dhe vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit, na hidhnin ndër dhomat e priftënve... por, Ata, menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na dilte gjumi i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: “Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën!

- Jo, jo, vazhdo e flej ti, - na thonin Ata, - flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e durojmë.” Porosia e tyne ishte: “Mundohuni me durue për hatër të Zotit!...”

?Z. Ragip Meta, atëherë, i dënuem me vdekje, tregon se ishte kenë në një dhomë me 25 vetë të dënuem me vdekje. “Kur hapej dera, u çonim në kambë ashtu si ishim të lidhun dhe donim me shkue të parët, me kenë e mujtun të gjithë me u pushkatue. Na vinte keq kur nuk na merrnin kaq na ishte mërzitë jeta prej torturave, urisë, etjës dhe pagjumësisë”

?Zonja Drita Kosturi më tregonte, sësi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë, të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nëvojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt. Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj ...

?Zonja Ana Daja, tronditej kur shpjegonte sësi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun, të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës, dhe kur e merrte kolli, skuqej ai vend nga gjaku që nxirrte përgoje... E torturonte, tregonte Ajo, i pashpirti Pjerin Kçira.

?Z. Tom Leci, pyet Hafiz Dërgutin se cila asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjegjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se, u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani çka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”

?Z. Viktore Kuka, tregonte sësi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaçit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e pin atë ujë që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun... Elezi tallej në korridor, “lype ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hu ...”

?Motër Gjyzepina Radovani, infermjere në spitalin e burgut tregonte si kishte mjekue me duert e saja disa nga këta martirë. Ajo, fliste me dhimbje të madhe për At Çiprian Nikën dhe At Donat Kurtin, të parit i kishin thye kambën dhe nuk i ngjitej se kishte fillue kalbëzimi, ndërsa At Donatit, me që e dinin se asht i smurë me stomak i epnin ushqime që i ngacmonin dhimbjet, për mos me kenë kurrë i qetë. Me shumë kujdes Dr. Federik Shiroka i bante injeksione qetësuese, po mbas pak ditësh e merrnin pa u shërue ashtu si Monsinjor Gjinin, që tue e marrë me shkalc plehu, policët i thanë: “Doktor, mos harxho ilaçe kot, se për t’a pushkatuar kemi!”, - Ai u ishte përgjegjë: “Unë jam mjek, sa të jenë të gjallë dhe në duert e mija unë do të baj detyrën teme, ndër duert tueja, dini ju çka bani!”. Njeni nga xhelatët kishte murmuritë: “Hajt, hajt, se as ti nuk e ke të gjatë!..”

?Z. Loro Vata më tregonte se, në “Burgun e Kishës së Fretënve”, ka pasë njerëz që prej ditës së arrëstimit e deri mbas një viti që janë pushkatue, ose dënue e nisë ndër burgje të tjera e kampe, nuk janë la me ujë asnjëherë... se, ma, vendi i ushkurit të mbathjëve, apo  vendët e tegelave ishin të bamë zi prej morrave.

?Z. Ragip Meta më tregonte, sësi njëditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rinjë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” ... Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah ... Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë...”

?Z. Elez Troshani, thonte: “Lum ata që kanë kenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin, ndër ata dy muej para se me u ekzekutue, se nuk e kuptonin ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes...mënyra sësi shpjegonin vdekjen Ata e bante të riun po, por dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.”

?Dr. Papavrami, shpjegonte se, atëditë me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për me i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhë ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes sate!” - Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u tremb?” Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargoj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjët e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohën as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ato gjokse burrash që dukeshin si lisa ... Ranë andej stomit ... kur u afrova me vërtetuar vdekjën nuk mujta me vizituar asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri ...asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. .....Atëherë, nuk dija me kuptuar si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm ... Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor në vitin 1993, në Shkodër).

***

?Për “Lëvizjen e Postribës të 9 shtatorit 1946”, me 11 mars 1948 janë pushkatue:

1. Imzot Frano Gjini, 2. At Mati Prennushi, 3. Don Nikoll Deda, 4. At Çiprian Nika,

5. Cin Serreqi, 6. Dulo Kali, 7. Caf Dragusha, 8. Guljelm Suma, 9. Ing. Fahri Rusi,

10. Murat Hysen Haxhija, 11. Bilbil Hajmi, 12. Pjetër Prendush Pali, 13. Gaspër Simon Gaspri, 14. Xhelal Hardolli, 15. Zef Kol Prela, 16. Rasim Gjyrezi...

E sa qinda të tjerë pa gjyq, që nuk figurojnë as në rregjistrin e të vramëve...

?Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm heroik i këtyne Burrave të pastër, lyp drejtësi, paqë dhe shpagim, pa të cilat, Shqiptarët kurrë nuk kanë me mërrijtë në një Pajtim Kombëtar!

?HAPNI DOSJET E KRIMINELAVE!

?Mos harroni! Të gjitha këto vrasje e zhdukje Atdhetarësh per Enver Hoxhen e pasuesit e tij kriminelë ishin një siguri e perjetshme kolltuku, pushteti dhe grabitje e pasunisë së Shqipnisë së robnueme, që po vazhdon edhe sot!

Vazhdon Pjesa e V...



(Vota: 7 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora