Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Gëzuar Ditën e Verës Shqiptare

| E diele, 13.03.2016, 09:21 AM |


GEZUAR DITËN E VERËS SHQIPTARE

Nga Prof Dr. Lutfi ALIA

Festa Dita e Verës, më 14 mars kremtohej dhe vazhdon të kremtohet e ndriçuar me të ngrohtin përkëdhelës të diellit pranveror; në bukurinë e gjelbërimit të njomë dhe në natyrën e lulëzuar te marsit. Festa organizohet në mjedise te hapura, që lejojnë pjemarrje masive dhe kryesisht në vende të shenjta, tradicionalisht të kohëve pagane dhe jo të lidhura me ato politike dhe fetare aktuale. Këngët dhe vallet e amazonave, nimfave dhe shtozovalleve, janë pjesë e piknikut të Ditës së Verës të organizuar në paraditen e 14 marsit, janë komponente integrale të festës. Vajzat e reja kercejnë si amazonat, nimfat e shtojzovallet dhe djemtë i ndjekin me valle burrënore e luftarake.

Në festën Dita e Verës, ishin dhe dhe janë aktive lojrat dhe garat popullore, si ato që zhvilloheshin në tempujt e Artemise e te Dianes. Lojrat dhe garat në Ditën e Verës shqiptare, imitojnë situata me elemente të luftës si p.sh loja e Kalasë Dibrançe, garat me kuaj, mundje e lirë etj, etj.

Dita e Verës, apo ekuinoksi pagan, shënon kalimin nga dimri në pranverë dhe ky kapërcim stinësh, festohet me nje mori ritesh pagane te “kodifikuara”, me ceremoni gazmore disa ditore, me manifes-time familjare dhe kolektive, të cilat kulmohen ditën e 14 marsit.

Ritet, ceremonitë dhe manifestimet për këtë feste, e kanë origjinën ne antikitetin e largët pagan, të transmetuara brez pas brezi, për shekuj, deri në ditët tona.

Megjithë ndikimet e kulturave të tjera dhe modifikimet e pjesëshme, që ka pësuar në rrjedhën e viteve, Dita e Verës mbetet ende e pastër, festa e të gjithëve dhe mbareshqiptare, dita hiroshe dhe gazmore e kremtimit të fillimit të pranverës dhe gjallërimit të natyres e të jetës.

Dita e Verës që e festojmë ne shqiptarët, është e lidhur me mite të lashta, me festat e hyjneshave Artemise, Diana dhe Zana, që na e përkedhelin ëmbël fantazinë tone, deri në atë pikë, sa na hutojnë me bukurinë dhe magjitë e tyre.

Festimet për këto hyjnesha janë pjesë integrale e Ditës së Verës tonë, që në tërësinë e tyre shprehin rigjenrimin, ripertritjen, kalimin nga bota e “nënëdheshme”, pra kalimin nga dimri i ftohtë dhe izolues, që në koshiencën tonë është i lidhur me letargjinë e florës dhe të faunës, me rizgjimin e natyrës, të jetës dhe të spiritualitetit.

Me ekuinokset pagane, të lidhura me solsticet, sipas kulturës iliro – arberore, vihen në lëvizje ritmet e natyrës, ecin muajt dhe ndahet viti djellor në stinët, në katër pjesë të barabarta, që janë pauzat dhe kërcimet e valles së madhe kozmike, pjesëtar të cilës jemi dhe ne.

Ekuinoksi pagan festohej dhe nga helenet, te cilet organizonin pelegrinazhe në tempujt e hyjneshës Artemise, nga latinët që shkonin në tempujt e Diana; në traditën neo-druide, ekuinoksi pranverorë quhej Alban Eiler (drita e tokës) dhe i referohej diellit dhe ditës që barazohej me natën. Po kështu popujt nordikë, ditën e ekuinoksit organizonin festa për nder të Ostara, hyjnesha antike e agut (alba), por dhe hyjnesha e pranverës dhe e dashurisë, e cila është ekuivalente me hyjneshën Freya e popujve skandinavë (vikingët).

Të gjitha këto festime të shenjta të popujve të tjerë, kanë si temë qendrore pranverën, ripërtritjen e natyrës, kalimin nga dimëri letargjik, në rizgjimin e natyrës dhe gjallërimin shpirtëror.

Në mënyrë të veçantë dhe me shumë perkushtime, Dita e Verës shqiptare festohet nga e gjithë fshatarësia malësore dhe fusharake, sepse kjo festë eshte e lidhur ngushtësisht me bujqësinë dhe blegtorinë e ky aspekt sugjeron origjinën e lashtë, që përhumbet në shekujt e antikitetit, si shprehje e festës të hyjneshave Artemise e Diana, të cilat nderoheshin si mbrojtëse të pyjeve, korijeve, arave, e të mbjellave, e kafshëve te egra dhe shtepiake, mbrojtese e shpendëve, andaj romaket shkruanin: "In deae Dianae ara agricolarum columbae erant - Në altarin e Dianës janë pellumbat e bujqëve".

Në shkrimin pararendës, përmenda zbulimin e një pllake guri, ku janë gdhendur dy zogj, qe mund te jene “pellumbat e bujqeve - agricolarum columbae”, qe dikur zbukuronin tempullin e Dianes ne Kandavia-Kunavia, por mund të jenë dhe dy shapka, pasi hyjnesha Diana shpesh herë identifikohej me këtë shpend të egër, madje Quaglia – Shapka, ishte një ndër emërat sinonim i hyjneshës.

Me festën Dita e Verës, celebrohet fertiliteti (pjelloria) e tokës, fillimi i mbjelljeve, andaj kremtimet e ardhjes të kësaj stine, paraprijnë plugimin e tokës, mbjelljet e pranverës.

Në kulturën pagane të vendeve të pellgut mesdhetar, ekuinoksi shënon rikthimin e stinës së bukur të pranverës, ripërtritjen dhe plazmimin e natyrës, çeljen e luleve, rikthimin e dallandysheve, të lejlekëve dhe zogjëve të tjerë shtegtarë, përkon me përgatitjet dhe fillimin e mbjelljeve te pranverës.

Simbologjia e hyjneshave Artemise dhe Diana, lidhet me natyrën dhe botën e kafshëve të egra, andaj gjithmone ne piktura dhe në shtatoret, që zbukuronin tempujt, të dy hyjneshat prezantohen të shoqëruara me kafshët, kësisoj Diana e shoqëruar nga dreri i shenjtë, ndërsa ne piktura mbi kokë, shpesh i vendosin henën e re, pasi Diana ishte hyjnesha e adhuruar si hëna në qiell.

Kësisoj e imagjinojmë ne sot, por në një qirimbajtës në muzeun e Vatikanit, hyjnesha Diana nuk ka formë njerëzore, por prezantohet me disa simbole, si pemë dafine, ku janë varur armët e gjuetisë, harku me shigjetmbajtësen, të kompozuara si shtyllë konike, ku vendosen brirët e drerit dhe flakët e  zjarrit, sepse sipas mitologjisë, zjarri konsiderohet origjina e Dianës - perëndesha e dritës..

Shtatore e Dianës, mbi kokë Hëna e re (Kulti Selen).

Kulti i Dianës është adhuruar dhe nderuar përherë nga populli ynë, sidomos nga banorët e fshatit, pasi si Artemise, Diana dhe Zana jetonin në male, në livadhet, në pyjet, nuk ishin hyjnesha qytetit. Adhurimin e hyjneshës Diana, shqiptarët e shprehin nëpërmjet disa simboleve, të cilët i ndeshim kudo në familjet fshatare, si psh në gurët e latuar të portave të shtëpive shihen te gdhendur motivi i diellit, ose hëna e re (në pozicion horizontal – kulti Selene), ndërsa mbi portën e shtëpive vendosin brirë kafshësh (të cjapit, të dashit, ose të kaut), ndërsa gjuetarët, vendosin brirët e kaprollit. Brirët e kafshëve vendosen edhe në dhomat e shtëpisë, sidomos mbi oxhak, si praktikohej dikur masivisht nga fshatarësia malësore dhe fusharake.

Vendosja e brirëve të kafshëve në mjediset e shtëpive fshatare, nuk është ekspozim trofeshë gjuetie, as formë zbukurimi, por respektimi i një riti të lashtë pagan, që simbolizon nderim dhe devocion ndaj Artemise - Diana - Zana, kësisoj kërkojnë hyjneshat të jetë e pranishme dhe të mbrojnë jetën e pjestarëve të familjes, të shtëpisë dhe të pronave.

E konsideroj me rëndësi të theksoj, se festa e ditës së verës, është me origjinë dhe me përmbajtje pagane e nuk ka elemente fetare as katolike, as ortodokse, as islame dhe as bektashiane, madje ka dështuar çdo tentative e klerikëve, per t’i bashkangjitur elemente fetare.

Dita e Verës shqiptare, nuk është një argëtim, apo një piknik i thjeshtë në natyrë, por është festë teper komplekse, është festa mbarëshqiptare, që zhvillohet me ritualet e veta, në një spacium disa ditorë, e shtrirë ne pesë faza, që do t’i trajtoj ne vazhdim, ashtu si i kam përjetuar në vendlindjen time në bjeshkët e bukura të Martaneshit dhe në veçanti gjatë viteve, që kam jetuar në Elbasan, në këtë qytet të bukur, gazmor e me kulturë fatdhënëse, që për shumë shekuj, mbeti zemra dhe tempulli i kësaj feste hiroshe dhe vitale mbarëpopullore.

Faza e parë parapërgatitore e festës.

Impenjimet parapërgatitore janë të shumta dhe me angazhim të gjithë pjestarëve të familjes, por në vijën e parë, janë “specialistet” e festës, gjyshet dhe nënat, të cilat organizojnë dhe drejtojnë të gjitha aktivitet përgatitore, duke respektuar besnikërisht rradhën dhe rregullat.

Përgatitjet e festës fillojnë 3 ditë para, pikërisht me 11 mars dhe konsistojnë ne grumbullimin e harxheve për gatimin e gjellëve dhe ëmbëlsirave, lyhet shtëpia me gëlqere, pastrohen mjediset e brendëshme dhe oborri i shtëpisë, lahen dhe sistemohen veshjet, sidomos ato që do të vishen ditën e festës. Në vitet e shkuara, pergatiteshin kemisha lini dhe triko leshi, më vonë u perdoren stoferat dhe basmat e pambukëta, të bardha dhe me ngjyra.

Në disa treva jugore të vendit, si Korçë, Kostur, Kolonjë, Përmet, parapërgatitjet fillojnë në ditët e fundit të shkurtit, sepse Dita e Verës festohet më 1 mars, sipas kalendarit të vjetër Julian, që ende zbatohet nga kisha ortodokse, çka ka krijuar variacione në datat e kremtimit të festave fetare me popullaten e besimit katolik, ashtu dhe per kremtimin e ditës së verës. Edhe banorët e besimit musliman, ditën e verës e festojnë me 1 mars, por sipas kalendarit lunar, (kalendari alla-turka), me që dita e parë e muajit është 14 marsi, kështu rastësia u ka diktuar ta festojnë me datë 14, ashtu si pjesa më e madhe popullit tonë.

Faza përgatitore fillon më 11 mars dhe përkon me festën e hyjneshave Artemise - Diana (për iliro-albanezet Zana-Thana), një reminishencë e lashtësisë me rituale, që na kujtojnë pikërisht fillimin e pelegrinazheve me vizitat, dhuratat e shumëta dhe sakrifikimet ne tempull, që beheshin në nderim të këtyre hyjneshave.

Në enciklopedinë italiane “Treccani” shkruhet: “Ilirët, nga të gjitha anët e Ilirisë, udhëtonin me muaj për të nderuar dhe për të shprehur devocionin ndaj Hyjneshës Diana, perëndesha e Universit dhe e Riprodhimit”.

Në periudhën romake, Diana virgjëresha, ishte hyjnesha e maleve dhe mbretëresha e pyjeve (Montium nemorumque regina erat Diana)mbrojtëse e natyrës, e ripertritjes, e sythimit dhe e lulëzimit, mbrojtëse e kafshëve, gjuetaria me hark, hyjnesha e pranverës e dritës, prandaj për ta nderuar e në përkushtim të saj, në tempullin e Dianës çoheshin lule, shporta me fruta, ushqime, ndizeshin pishtarët dhe bëheshin sakrifikime.

Si kuptohet, grumbullimi i harxheve në fazën përgatitore të festës, evokon atë ritual të lashtë të përgatitjes të dhuratave, që ilirët, dikur i çonin në tempullin e Diana Kandavia – Kunavia, apo ne tempullin e Diana në Doklea, ku nderonin hyjneshën e tyre me lule, me ushqime, me emebëlsira e me sakrifikime dhe ku para altarit luteshin për jetë më të mirë, të shendetëshme e të begate, nën mbrojtjen e hyjneshes Diana.

Këto rite të lashta u ruajtën nga populli ynë, por me një veçori. Pasi barbarët e Teodrikut (shekulli V pas Krishtit), i shkatërruan tempujt e Dianës në Doklea dhe të Dianës në Kandavia - Kunavia, iliro – albanezët traditën e nderimit të hyjneshës Diana, e zëvendësuan me ritualet imitatore, me vendosjen e luleve në portën e shtëpisë, mbledhjen e ushqimeve me një rregull preçiz duke i grumbulluar miellin, mishin e thatë, frutat në shporta, vezët, perimet, pergatitjen e embelsirave dhe sakrifikimi i një cjapi, ose të dashit, ose të gjelit në ditën para festes.

I gjithë ky arsenal “dhuratash” ishin të paprekëshme, deri në ditën e festës të Ditës së Verës.

Bisk i bimës Kerce-perce          Tufë me lulet e veshtullës (Viscum album).

Para festës të Ditës së Verës mblidhen lulet e thanës (në malësi çelin të parat), që shënojnë ardhjen e pranverës, por simbolizojnë dhe forcën (i forte si thana). Lulet e thanës, degët me lule të pemëve frutore, tufat e vjollcave (manushaqe), karakaftet, kerce-percet, veshtulla, narcizat (lule batre) etj, i vendosin në portën e shtëpisë dhe brenda në dhoma, duke i shoqëruar me urimin: “të lulëzoi e begatë dhe e fortë jeta në shtëpinë tonë”.

Keto rituale pagane, zakonisht kryhen nga gjyshet, të cilat shqiptojnë me zë të lartë urimet dhe disa formula lutjesh, që dita e verës të sjelli të mira, mirësi, bukuri, begati, shëndet të gjithë pjestarëve të familjes dhe farefisit.

Këto urime shoqerohen dhe me formula magjie, me bestytninë, që hyjnitë e kësaj feste, t’i mbrojnë, t’iu largojne të keqen, tërsellëkun, varferinë, sëmundjet dhe t’i mbrojne nga syri i keq.

At Bernardin Palaj, në përshkrimin e festës të Ditës së Verës në Malësinë e Shkodrës dhe të trevave të tjera veriore, tregon se familjet malësore i grumbullonin mënjeanë harxhet, që do të gatuheshin në festën e Verës dhe njëkohësisht kryenin disa rite magjike të veçanta, kësisoj “Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë, mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nuk lidhet gja. Mbas darke, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë: ‘Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtringat’ etj. etj. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me i lidhë".

Keto rituale, aktualisht të modifikuara, vazhdojnë të praktikohen, kështu tre ditë para festimit të Ditës së Veres, praktikohet një bestytni e lashtë: Burrat i fshihnin veglat e punës, nuk përdornin armët e gjuetisë, gratë i fshehin shoshat, furkat dhe krëhërat e tjerrjes së leshit, për t’i ruajtur nga syri i keq. Burrat nuk duhej të prekin fshesat, furkat dhe mjete të tjera pune shtepiake, nga ato që i perdorin gratë, pasi sillnin “tersëllëk.

Kush ka pasur fatin të asistoi në kremtimin e Ditës së Verës në malësinë verilindore, por në veçanti ata që i kanë jetuar mikëpritjen elbasanase, i ka ndjekur me emocione, me gëzim e kënaqësi të gjitha aktivitetet festive, por edhe ka qeshur rreth këtyre riteve të lashta magjie.

Për të krijuar atmosferën festive, gjyshet dhe nënat përgatisin veshjet e reja për të gjithë pjestarët e familjes, sidomos këmishat e bardha dhe disa zbukurime të veçanta, që përdoreshin në këtë festë. Zakonisht qepeshin këmisha lini, por edhe me basme te bardhë e me pala në pjesën e gjoksit.

Zbukurimi karakteristik dhe me perdorim masiv gjatë kësaj feste janë veroret, të përgatitura me penjë leshi me ngjyra, kryesisht me fije të kuqe, të verdhë dhe të bardhë, të përdredhura në menyrë elegante. Veroret, e kanë marrë këtë emër, sepse përdoren vetëm në  festën e Ditës së Verës dhe iu viheshin në qafë dhe në kyçet e duarve si djemëve dhe vajzave.

Për djemte dhe vajzat e rritura, gjyshet mbledhin degë të holla kulpre dhe pasi i shkriftojnë me rrahje të kujdesëshme, me fibrat e tyre përgatisin unaza dhe dorëza (byzylyke) elegante.

Veroret me penjë me ngjyra, unazat dhe “byzylykët” e kulprës, mbaheshin fshehur dhe i u viheshin femijeve në mëngjezin e 14 marsit.

Verore “byzylyk”.  Viti 1952 – Val: veshje e vajzave për ditën e verës. (Foto Rrok Zojzi).

Në traditën tonë, per ditën e verës, gatuhen ushqime dhe embëlsira tipike. Në mote të shkuara, në fazën përgatitore gatuhej kulaçi i ditës së verës, që e ëmbëlsonin me mjaltë, ose me musht. Keto kulaça,fillimisht përgatiteshin me miell gruri, ndërsa pas vitit 1620 dhe në vazhdim, kur në trojet tona filloi të kultivohej masivisht misri, që e sollën turqit, banorët e Elbasaniti e zëvendësuan me kulaç mielli misri, një embëlsirë e veçantë dhe shumë e shijëshme, e gatuar me majë mielli misri, e njohur masivisht me emërin e famshëm ballokume Elbasani.

Miku im i fëmijërisë Kadri Çopja dhe bashkeshortja e tij Gjyljana, më treguan, se për të gatuar ballokumet, në një familje me 5 persona, duhen 7 - 8 kg miell misri, që kalohet në sitë disa herë, për të marrë 1 kg majë mielli të imët.

Si kuptohet, ballokumja është një ëmbëlsirë e veçantë, që përgatitet me delikatesë dhe mjeshtëri të rrallë. Mielli i sitës së fundit, përzihet me gjalp dhensh, me vezë dhe sheqer, që përzihen dhe ngjishen me dorë, deri sa të përgatitet brumi, që më pas e fraksionojnë në masa të vogla për kulaçët e vegjël, që piqen me kujdes në furrë me zjarr drushë.

Pas këtyre proçedurave, ballokumet e ëmbëla me shije të rrallë dhe me aromë të këndëshme dhe delikate, është e gatëshme të shijohet ditën e verës më 14 mars.

Emëri origjinal i kësaj embëlsire është “kulaçi i verës”, ndërsa emëri ballokume është shumë i vonshëm, rreth fundit të shekullit te XVIII dhe i u dha nga Sanxhakbeu i Elbasanit, i cili pasi i shioi  ëmbëlsinë dhe butësinë e kulaçit të vogël të gatuar me miell misri, gjithë kënaqësi thirri: “është ba si llokume”. Kësisoj, ballokume u ba emëri “zyrtar” i kësaj ëmbëlsire tradicionale elbasanase.

Për festën Dita e Verës, elbasanasit gatuajnë dhe një ëmbëlsirë tjetër të rrallë: revaninë me miell misri, madje kush e ka provuar, e preferon këtë ëmbëlsirë, prandaj miku im Kadri Çopja krenohet se Gjylka gatuan më mirë revaninë, madje më ka premtuar disa herë: “do të dërgoj një tepsi me revani, se është mbretëresha e ëmbëlsirave”, por deri tani, nuk ka arrijt në Siena, ndërkohë që revania që gatuan Gjyliana ka shkuar në Londër, Paris, Roma, New York, Athinë, Stamboll etj.

Në trevat e Dibrës, Tetovës, Prizrenit, Opojës, Gostivarit, Tropojës, Kukës etj, gatimi tipik për ditën e verës asht flija.

Ballokumet e Elbasanit.          Revania e gatuar me miell misëri.

Në 3 ditët para festimit të Ditës së Verës, burrat i fshehin veglat e punës, nuk prekin mjetet e punës të grave, nuk prekin enët e kuzhinës, sepse sipas bestytnive sillnin tersellek, por nuk përdornin armët dhe nuk shkojnë në gjueti, që të mos zemërojnë Artemisen, Dianën dhe Zanën e Maleve, kesisoj shmangin ndëshkimet prej hyjneshave.

Edhe grate i fshinin shoshat, furkat dhe kreherat e tjerrjes se leshit, per t’i ruajtur nga syri i keq.

Faza e dytë - data 13 mars.

Është dita e vigjiljes të festës. Paradite përfundohet sistemimi e pastrimi i mjediseve te shtepise. Në vazhdim gratë impenjohen me gatimin e ushqimeve, që do të konsumohen në drekë dhe në darkë dhe sidomos me përgatitjen e hiseve (rracioni i ushqimeve), që do të merren në piknikun e Ditës së Verës me 14 mars, që kremtohet masivisht në natyrë të hapur, në vende me bukuri të rrallë.

Të parët tanë, për të zbutur zemërimin dhe për të fituar mbrojtjen e hyjneshës Artemise, të Dianës dhe të Zanës, sakrifikonin një cjap, apo një dash në tempull.

Rituali i sakrifikimit është ruajtur me të gjitha proçedurat dhe praktikohet rregullisht në festën e Ditës së Verës. Ashtu si veprohej dikur për hyjneshat, shumica e familjeve sakrifikojnë një cjap, ose një dash, ndërsa në vitet e më pasme, me rënien e nivelit ekonomik, kjo traditë filloi të kufizohet, kësisoj një ditë para festes therej një qingj, ose kec, ndersa familjet e varfera sakrifikonin nje pule (shpesh gjela). Gjatë diteve te festës së veres, ishte rreptësisht e ndaluar të gatuhej mishi i kafshëve të egra të vrara në gjueti, çka behej per te mos fyer hyjneshen Diana.

Atmosfera parafestive, përjetohet me gezim në familje, sidomos nga femijët, që ditët e ardhëshme do të mblidhen për të festuar së bashku. Si shkruan Konica“Keto pergatitje sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi ... djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”.

Më 13 mars fëmijët dalin nëpër korije dhe livadhe, për të mbledhur lulet, fillimisht lulet e thanës, por dhe degë me lule qershie, kumbullash, bajamesh etj., mbledhin vjollcat (manushaqet), që janë lulet e para, që çelin me bukuri delikate, duke u rritur me ngrohtësinë e rrezeve të diellit pranveror.

Në Elbasan, djemt ngjiten në Ullishtë e vrapojnë të mbledhin sa më shume vjollca, për të përgatitur buqeta të vogla me këtë lule, që të josh me bukurinë e petaleve me ngjyrë të ndezur violet.

Tufat me vjollca, të lidhura me delikatesë me një fije bari, i sistemojnë me kujdes, në një shportë të vogël, të thurur me kërcellat e gjata dhe të buta të një barishte, që çel në këtë kohe.

Tufat me vjollca, djemtë ua dhurojnë prindërve, ndersa djemt e rritur, ua dhurojnë me kënaqësi vajzave, që i adhurojnë.

Viollcat janë lule të gjinisë viola të familjes Violacea, ku përfshihen rreth 600 specie.

Në trojet shqiptare lulezojnë dy tiper violash, që mblidhen me preferencë në ditët e festës, me emëra shkencore të bukur si pamja e tyre: Viola albanica dhe Viola epirota – albanica.

Të dyja këto specie violash, jane klasifikuar nga botanisti A. Baldacci në vitin 1896, i cili i klasifikoi specie tipike dhe autoktone albaneze.

Viola albanica – vjollca, violeta, viola, manushaqia.      Viola Epirota – albanica.

Lule vjollca quhet dhe Manushaqia - lulja mavi, pra i kanë dhënë këtë epitet, për ngjyrën violet të ndezur te petaleve.

Për manushqen – lulja e pranverës, Naim Frasheri i ka shkruar një poezi të bukur, ashtu si banorët e Kolonjës, Labërisë, Çamërise etj, i këndojnë këngë, ku poetët dhe kompozitorët anonim popullorë, kanë bashkuar gëzimin e verës, me idilin e dashurisë për vajzën e bukur si manushaqe.

Manushaqe lule,

lule që keputen,

do t’i bëj varse për gushën,

ditën që do bëhesh nuse.

Karakaftia – Hermodactylus tuberus.

Në Elbasan dhe ne trevat malore për rreth, mblidhet një lule tjetër e bukur dhe e rrallë, e njohur masivisht me emërin Karakaftja. Djemt rendin në ullishta, ku e kërkojnë me kujdes këtë lule, që rritet e fshehur nën hijen e ullinjeve.

Karakaftja është lule e rrallë dhe jane fatluma ata djema, që arrijnë të bëjnë një buketë. Ashtu si është e rrallë, kjo lule ka dhe emër të veçantë, Karakafte, apo lulja “Syzeza”.

Gjithmonë më ka tërhequr kjo lule e bukur me butësi të kadiftë, me petale me ngjyra të murrme misterioze dhe ndërsa kërkoja në internet, të dija sa më shumë rreth mitit të kësaj lule, gjeta dy materiale informative, së pari një poezi të bukur për Karakaften, e shkruar nga miku im Fatmir Terziu dhe në vazhdim u njoha me disa komente shkencore për natyrën e kësaj lule.

Karakaftja bënë pjesë në familjen e bimëve Iridiacea, specie e rrallë tuberose e gjinisë risomatosae, që në ditët e para të pranverës çel vetëm një lule me madhësi 5 cm.

Emëri latin është Hermodactylus tuberus, i formuar nga pamja e frutit me formë bishtaje dhe që botanistët e kanë krahasuar me gishtat e hyut Hermes (Hermodactylus).

Karakaftia njihet me emëra të ndryshëm, kësisoj italianët e quajnë “vejusha e bukur” dhe “gojë ujku”, bullgaret e njohin si “irisi i zi”, në fshatin tim Vali e quajne lulja“syzeza”, madje dhe banoret e Xibrrakës, si tregon poeti Fatmir Musaj e quajnë lulja “syzeza”; në malësinë Mirëditës, të Pukës dhe të Kukësit njihet me emërin “zambaku i zi” etj.

Aktualisht, populli i Elbasanit vazhdon ta quaj me emërin “karakafte”, ashtu si e quajtën turqit, si thotë Fatmir Terziu, ky emërtim ngjizi mirë dhe mbeti kësisoj deri në ditët tona. Fjala “Kara”, si pjesë përbërëse e fjalës “Kaftja”, është me një siglim honorik nga titulli, që u jepej ushtarakëve në kohën e Turqisë, atyre që plotësonin 12 kushtet për t’u bërë lider ushtrie, si Kara Mahmud Pasha i Shkodres etj. Mbiemëri cilësor “kaftja” ishte shtysa e ngjyrës kafè të petaleve të kadifta, qe iu shtua per kompletuar krakateristikat e pamjes te kesaj lule misterioze, kesisoj ne elbasançe u  saktesua, lulja me bukuri te rralle, qe e para lajmeron ardhjen e pranveres.

Sipas mitologjise greke hyu Hermes ishte lajmëtari i hyjnive, andaj besohej se lulja “syzeza” , që rritej poshtë hijes së ullinjve dhe në ballë të diellit, ishte lajmëtarja e hyjnive të pranverës Artemise, ndërsa për romakët Dianën dhe për iliro – albanezët ardhjen e hyjneshës Zana – Thana.

Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Mesdheut, janë kopshtet e karakaftes, e cila lulëzon në fund të shkurtit dhe fillimin e marsit dhe eshte lajmetarja e ardhjes te dites se veres.

Pra shihet qartë se, çdo emër tjetër, është larg elbasançes ‘karakafte’, që e bën atë të veçantë, tipike, të bukur si kryelulja dhe tejet natyrale për traditën e Ditës së Verës, që e mban gjallë.

Autorë të shumtë elbasanas dhe jo elbasanas si piktorë, poetë, shkrimtarë, etnografë, gazetarë dhe autor tektesh kënge, e kanë karakaften si frymëzim në krijimtarinë tyre dhe kjo lule, “përditë shihet dhe ndjehet” e pangopur në mjedisin e artit, ndaj duhet përditë e më shumë të mbahet si nusja e bukur, që ka kryevendin në atmosferën e festës Dita e Verës.

Në vazhdim po citoj pjesë nga poezia “Karakaftja”, që e frymezoi poetin Fatmir Terziu, t’i thuri këto vargje të bukura, plot art e ndjenja:

Bukuria jote bojalleshë në petalet e buta.

Drita amshuar ngjiz përmallimin hyjnor tek bruca,

buzët e mia ngjiten mes flatërzëve të tua si fruta.

Mos ik kaq shpejt lule ‘nostradamus’

ta them hapur të nëntën profeci, ç’është e vërteta,

nën ullinj paqen vajzat ende mbledhin,

mbi nurin, që trupi yt lë duke u kallur nga jeta,

edhe pse sakrifica të tilla vërtetë dhembin,

ti paqshëm na mjalton si bleta.

Mos u tret duke kujtuar, se do të ikësh,

stinët vijnë shpejt sall e shtojnë dashurinë,

ti je vetë një risk zbritës,

për vetë jetën, paqen, rininë

dhe për mitin tënd të pavdekshëm.

.....................................

Pranvera vjen e shoqëruar me ndriçim të ngrohtë dhe me lule shumëngjyreshe, që e zbukurojnë natyrën dhe festën e ditës se verës. Lulet jane dekori i festës dhe sipas trevave, banorët kanë dhe lulet e tyre të preferuara. Në të gjitha trojet shqiptare, lulja e parë e preferuara është manushaqia (Viola), por ka dhe veçori, si psh elbasanasit kanë dhe karakaften dhe luleshqerrat, lulet e pemëve frutore, që i vendosin në portat e shtëpive, në dritare dhe në mjediset e brendëshme, kësisoj e fusin lulëzimin pranveror në shtëpi.

Në Martanesh, djemt dhe vajzat mbledhin bisqet e gjelbërta të Kerce-perce, që i vendosin në derën e shtëpisë, në dorezat e dritareve dhe në mjediset e brendëshme, si zbukurim, që shpreh ardhjen e pranveres në shtëpitë e malesorëve.

Dita e 13 marsit, është e mbushur me plot impenjime, sidomos për drekën dhe darkën e vigjiljes, që paraprijnë festimet  dhe drekën e Ditës së Verës.

Në këto dy ditë gatuhen ushqime të rralla, si qepë me mish - çomleku, gjellë tipike dhe e lashtë.

Sipas mitologjisë greke, qepa personifikon përjetësinë. Gatimi i ushqimeve me qepë aplikohej në Egjyptin e lashtë, si deshmojnë zbulimet arkeologjike, ku kanë evidencuar qepë te pikturuara në afresket e varreve te faraoneve.

Në vendin tonë, gjellët me qepë gatuheshin dhe gatuhen kudo, nga veriu në jug të trojeve shqiptare.

Në pasditen e 13 marsit, gjyshet dhe nënat zjiejne vezë, rit i praktikuar në të gjitha trojet shqiptare. Në Elbasan dhe në trevat Martanesh, Çermenikë, Polis, Shpat, Prizren, Kukës, Tropojë, Gjakova,  Çameria, Laberia, vezët duhet të jenë të bardha dhe uji i vlimit të vezëve, ruhet për mëngjezin e 14 marsit, pasi të gjithë pjestarët e familjes, do të lajnë fytyrën me ujin e vezëve, me profecinë: “Të jetë e bardhë jeta e familjes”, ose me profecinë “Kalofshim vitin faqebardhë”.

Në trevat e Dibrës, Pogradecit, Korçës, Kosturit, Kolonjës, Skraparit, Gjirokastrës, Lushnjës vezët e zjera i ngjyrosin, por ky zakon është i vonshëm dhe është një imitm i vezëve të pashkëve ortodokse.

Veza e zjerë është simbol universal i rilindjes dhe i kozmosit.

Në antikitet, ky rit lidhej me mitin e zogut Feniçe, që sipas mitologjisë, para se të vdiste, e përga-tiste folènë në formë veze, që pasi ngrohej nga rrezet e diellit, me hirin e kurmit të tij formoheshin vezët, nga te cilat lindëte zogu Feniçe, prandaj antikët e quajtën “zogu i zjarrit”.

Vezët e zjera iu jipeshin fëmijëve në mëngjezin e 14 marsit.

Pasdite vonë, amvisat e shtëpisë përgatisin hiset (rracionet e ushqimit) për secilin pjestar familje, duke ia vendosur rracionin në frutjerë, apo në pjatë veçmas, ose e mbidhnin në një pecetë, për ta marr ditën e nesërme, në piknikun e festës të Ditës së Verës, bashkërisht me të gjithë banorët.

Më 13 mars, amvisat përgatisin dhe hiset, që do t’iu çohen “dhurata” familjeve të tjera më 14 mars, gjatë vizitave të mëngjesit për të uruar festën Dita e Verës.

Në traditën elbasanase, zakoni i dërgimit të hiseve në familjet e tjera thuhet “do bëjmë këmbë”, pra shkohet në vizita për urime me dhuratat (me hisen e gjellëve, të embëlsirave dhe të frutave).

Së pari, vizitat kryhen ndër pjestarët më të afërt të familjes, pra bëjnë “këmbë” te gjyshat, dajat e xhajat, te hallat dhe tezet, më pas shkojnë për vizita të motrat e martuara, me preferencë ato që jetojnë së bashku me vjerrin dhe vjerrën. Për vizita shkohet dhe të kushërinjt dhe ndër komshijt.

Dita e Verës është festë, ku vizitat e urimit shoqërohen me dhurata, duke evokuar kësisoj një ritual të lashtë, depozitimin e dhuratave në tempullin e Artemise dhe Dianës.

Darka e 13 marsit është e mbushur me aktivitete dhe argëtime familjare dhe kolektive.

Në pasdite, djemt shkojnë në korije, në kodra dhe në mal, ku mbledhin shkarpa dhe dru, me të cilat formojnë turra, që do t’i vëjnë zjarrin në darkë.

Zjarri është rituali i zakonshëm, i lidhur me legjendat mistike të hyjneshave Artemise, Diana e Zana dhe praktikohet në të gjitha trojet shqiptare.

Zjarret ndizen sapo perëndon dielli dhe kur mbrëmja fillon të ndiçohet nga drita e hënës dhe nga flakët e zjarreve. Në trevat veriore të vendit, djemtë mbledhin dëllenja dhe pasi krijojnë një pirg të madh, në darkë i ndezin zjarre. Zakonisht zjarret ndizen nga grupe familjesh në kodra dhe bëhet gare, cila familje të krijoi zjarrin më të madh.

Zjarret krijojnë atmosferë magjike, ku flakët grisin errësirën e ndriçojnë fytyrat e pjesmarrësve. Kur flakët fillojnë të pakësohen e të shuhet zjarri, sejcili përgatit një pishtar, me drutë që ende nuk janë djegur tërësisht dhe duke i tundur bëjnë të shpërthejnë xixa të shumta, si “fishekzjarre”.

Në malësi, pishtari përgatitet me dru pishe, si i thonë martaneshasit me dhena pishe. Në Gostivar, Karshiakë, Kerçovë dhe Lushnje, organizohen zjarre me pirg kashte misri ose gruri dhe bëhen pishtarë me kashtën të lidhur në majën e një shkopi, ose përdoret një litar, duke i lidhur në skaj një tufë kashte e pasi u vihet flaka, rrotullohen, duke krijuar tym dhe xixa të shumta.

Në Dibër dhe Martanesh, sapo ndizet zjarri, djemt gjuajnë gurë me bahe, disa i quajne baje, një mjet i lashtë, i përdorur për të hedhur gurët sa më larg, i njejte si fjonda e Davidit të Izraelit. Riti i hedhjes te gureve me bahe, kryhet me bestytninë të vrasin të keqen, të largojnë djajt dhe shtrigat, që dalin vetëm natën.

Në darkë, të gjithë mblidhen rreth zjarreve dhe këndojnë këngë të traditës vendase dhe hidhet valle në rreth perqark zjarrit, ashtu si vallëzonin amazonat e Artemises, si vallja e nimfave të Dianës dhe si vallja e shtojzovalleve të Zanes ilire.

Flakët e zjarreve në darkën para ditës se verës, sipas mitologjise simbolizojnë hyjneshen Diana, flakën dhe origjinën e saj nga flakërimi i dritës. Sipas mitologjisë, Diana ishte krijesa e parë në zanafillë, kur u shfaq Kaosi, që u nda në dritë dhe terr. Luçiferrit i ra hisja e dritës dhe Diana e nxitur nga uria për dritën, e gëlltiti të vëllanë dhe ndjeu në trup flakërimin e pasionit. Ky flakërim ishte agu (agimi) i ditës. Kur do të fillonte agu, Luçiferri i shpëtoi motrës sërish dhe zbriti nga qielli në thellësi të tokës, që të fshihej në errësirë, por Diana e ndoqi pas, me shitime dhe shajni, prej nga lindën Nimfat (Shtojzovallet) dhe krijesa të tjera, që ngjasonin me njerëzit (gjysëm perënditë), por që ishin të pavdekëshme.

Rikthimi i Dianës mbi tokë me dritën, simbolizon fillimin e pranverës, rifillimin, ripërtritjen e jetës, që nis ditën, kur hyjnesha doli nga thellësitë e skëterrës dhe rikthimi i saj triumfues në siperfaqen e tokës, duke marrë me vete dhuntitë e dritës, ngohtësinë, ripërtritjen, fertilitetin human.

Rikthimi i Dianes me dritën, në mote të shkuara celebrohej në ditën e ekuinoksit pagan, që banorët antikë e nderonin duke ndezur zjarre, në mënyrë që të gjithë pjesmarrësit të shihnin flakët e zjarrit të Dianës, ndërsa me ndërrimin e kalendarit, festohet më 14 mars.

Ditën e verës, latinët ndiznin zjarre nëpër kodra dhe sipas traditës, sa më gjatë të rrinin ndezur, aq më prodhimtare do të ishte toka, si dhe ujisnin livadhet, për të rritur prodhimin e barit.

Në traditën druide, riti zjarrit kryhej kur dita barazohej me natën, pra në ditën e ekuinoksit pagan të pranveres, kur dita zgjatej e ndriçuar nga dielli pranveror.

Në festën tonë, pas argëtimeve me këngë e valle, kryhet një rit tjetër i lashtë, kapërcehet zjarri e kësisoj realizohet bestytnia e magjisë për t’i djegur në flakët e zjarrit të keqiat, shtrigat, shpirtin e keq, sëmundjet, tersëlleqet, syrin e keq etj.

Në malësi thuhet, se kur zjarri me dëllenja dhe pishtarët çlirojnë shumë xixa, parathotë se pranvera do jetë me shumë reshje, me begati e me të korra të bollëshme, që do ndihmojnë për të përballuar periudhën e gjatë të izolimit nga dimëri i egër.

Këto bestytni kanë ushqyer zakonet, që malesorët në ditët e para të pranverës, të pyesin njeri tjetrin: “Si dole këtë verë?”, “Sa nxorre këtë vere?” Me keto pyetje  malësorët kërkonin të dinin si i mbijetuan dimërit të egër dhe izloues, si e përballuan të keqen, sa bageti shpëtoi nga dimri, si e pritën pranverën. Në këtë plan, Dita e Verës simbolizon rikthimin e të mirës, mirësisë, mbarësisë, dritës, gëzimit, begatisë.

Pasi perfundojnë aktivitetet e shumta ditore, në darkë zhvillohen disa rituale të veçanta e shumë interesante, kryhen ritet e magjisë. Pergjithësisht, proçedurat e magjisë zhvillohen uniforme në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët, si brenda dhe jasht kufijëve shtetërore.

Në darkë vone, familja mblidhet rreth zjarrit e pasi hanë darkën me çomlek, tavë me mish e pestil, tavë kosi etj, gjyshet kryejnë magjitë e ditës së verës, që evokojnë lashtësinë iliro-albaneze të këtyre riteve, çka shihet në simbolikën tipike që shprehin.

Ritet e magjisë vazhdojnë të zbatohen aktualisht nga malësorët, madje dhe në qytete, pavarësisht se janë modifikuar dhe në një farë menyre janë “modernizuar”.

Rreth 90 vite të shkuara, At Bernardin Palaj përshkruante bukur, si kryheshin këto rite në malësitë e veriut, ku tregon ritualin e zjarrit dhe lutjet, profecitë pagane dhe magjitë, për të larguar shpirtin e keq, të ligën, sëmundjen, djajt dhe shtrigat.

Pas bekimit te dites se veres, kryenin ritet magjike, duke i lidhur me një fije peri të zi, të gjitha të këqiat, që ato të mos dëmtonin, të mos lëndonin, të mos shkatërronin, të mos bënin keq.

Në nyjen e perit të zi, lidhej sejcila e keqe dhe çdo dëmtues në veçanti e kështu magjia i bënte inaktive. Ky rit, pa asnjë mëdyshje, është me origjine të largët, në lashtesitë ilire dhe vazhdonte te praktikohej nje shekull me parë nga malesoret e mbi Shkodres. At Palaj tregon: "Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat dhe të gjitha shtazët dëmtuese: gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë laknat e bathën, shpendin emën për emën dhe krimbat e tokës mos t’u bajnë dam ndër ara. Mbas darke, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë:”Lidhe Zot, nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtringat’ etj. etj. Kështu përsërisin këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë".

Pra si shihet, magjia kryhej nga kryefamiljari, i cili duke lidhur nyje një fije peri të zi, i lidhte të gjitha të keqiat dhe të ligat, kështu i largonte nga shtëpia e tij, që të mos i prekin pjestarët e familjes dhe të mos i dëmtonin pronat. Riti kryhej me proçedura dhe rregulla strikte, duke i përmendur me rradhë e duke i shituar një e nga një të gjitha shtrigat, djajt dhe të keqiat, që mund të rrezikonin  shëndetin e pjestarëve, por me këto magji, kërkohej mbrojtje dhe e objekteve të sferës materiale, andaj me perin e zi i lidhte të këqiat që mund të dëmtonin të mbjellat, si shiu, breshëri, tërmeti, që mund të shembënin shtëpinë; po ashtu mbronte mjetet e punës, por “lidhte” dhe sëmundjet; ashtu si lidhte lepurin të mos i hante laknat, lidhte krimbat e tokës të mos i banin dame bimëve në arë etj.

Në Elbasan, Dibër, Martanesh, Çermenike, Shengjergj, Polis etj, pasditen e 13 marsit, fëmijët merrnin një shat e shkonin nëpër korije dhe në pyll, ku mblidhnin një lloj tuberi, pra një zhardhok, të cilin elbasanasit e quajnë “buka e derrit”, ndërsa martaneshasit e quajnë burkthi.

Pasi i hiqnin gjethet burkthave, i pastronin dhe disa prej tyre i hidhnin në tavan dhe mbi çatinë e banesave, me profecinë për të larguar xhindet dhe shtrigat nga shtëpia. Pjesën tjetër të burkthave i prisnin me thikë në dy gjysma e pasi iu hiqnin pjesën e brendëshme, bënin kupa, për t’u përdorur më 14 mars, për të pirë ujë në mëngjez herët, madje pihen tre kupa uji, njera pas tjetrës.

Si më tregon Shqiponja Haslika dhe Sami Alhasa, me burkthat – kupa kryhej një rit tjetër magjie. Kupa u vihej mbi kokë femijeve dhe me një levizje të shpejtë të trupit e hidhnin në tokë.

Në se burkthi bie përmbys, parathotë se gjatë vitit, personi do të ketë shendet të dobët, por për të rregulluar shëndetin në të ardhmmen, e përsërsnin këtë veprim, deri sa kupa të binte për së mbari. Pra, kur burkthi bie me pjesën e hapur lart, atëhere do të gëzonin shëndet të mirë.

Gjate kesaj feste, martaneshasit mblidhnin dhe caronkthat, një bimë me zhardhok me pamje karrote, që rritet nëntokë dhe pasi e shkulnin dhe e pastronin nga gjethet dhe nga dheu, e rrihnin me një dru, deri sa ta shkriftonin, duke e bërë fije – fije. Këto fije i merrnin dhe i lidhnin nyje, ose i gërshetonin në qark, me profecinë të lidhnin të ligat e pjestarëve të familjes. Proçedura e lidhjes të fijeve të caronkthit shoqërohet me këngë, që këndohet në veçanti për sejcilin fëmijë.

Gjatë fëmijerisë time, i kam përjetuar këto proçedura magjie, fillimisht i kryente gjyshja ime Aishja e me pas vajza e dajës Sybe Kurti e shquar per intiligjence dhe kujtese te rralle, e cila i ka ruajtur dhe i praktikon në ditët e sotme me 40 nipat dhe mbesat e saj, duke i përsëritur formulat e magjisë me këngë, për sejcilin me rradhë dhe duke i lidhur caronkthat, deri sa fëmijet t’i zinte gjumi.

Këtë formulë magjike, po e prezantoj në vazhdim, ashtu si e këndon kushërira ime Sybe Kurti:

Në këtë ditë të verës,

Jam tuj lidh dhesin dhe përdhesin Rossellës

Jam tuj lidh dhesin dhe përdhesin Emmës,

Jam tuj lidh buburrecin

Atë që rri nëpër male,

Atë që rri nëpër livadhe,

Atë që rri nëpër trape,

Atë që rri nëpër gardhe,

Atë që rri nëpër ferrat,

Atë që rri nëpër vijat,

Atë që rri nëpër pyjet,

Atë që rri nëpër shtigjet,

Atë që rri nën urat ...

Do ta mbledh

Ta gjymtoj, ta baj trung si caronkthi,

Kur të baj me krujt kryet,

I dalshin sytë,

Kur të baj me krujt faqet,

I dalshin zorrët dhe zbërrnaqet ...

Përpos këtyre ritualeve, bashkëfshatarët e mi, me rrënjët e shkriftuara të caronkthave, përgatisnin një varg (gjerdan), ku i shtonin penjë leshi me ngjyra dhe ua lidhin në qafë fëmijëve në mëngjezin e 14 marsit, që sipas bestytnive garantonin mbrojtjen nga syri i keq, nga shtrigat dhe xhindet deri ne verën e ardhëshme. Ky gjerdan mbahej nga fëmijët deri më 6 maj, ditën e festimit të Shen Gjergjit, kur mblidheshin të gjithë fëmijët dhe i hidhnin në lumin e fshatit, kësisoj uji i merrte dhe i çonte larg të gjitha të këqiat, tersëlliqet dhe sëmundjet.

Faza e tretë: 14 marsi.

Është mëngjesi festiv i Ditës së Verës. Çdo shtëpi mbushet me gëzim të veçantë, është një ndjesi shpirtërore, që i pushton njerëzit natyrshem e në menyrë spontane, gjithëçka e lidhur me ardhjen e pranverës, me ngrohtësinë diellore, me shpërthimin e gjelbërimit, me lulëzimin, me ripërtritjen e natyrës, që inspirojnë begatinë dhe vazhdimësinë e jetës së shëndetëshme.

Shtëpitë mbushen plot me ushqime, me gatime të veçanta dhe me bollëk. Portat zbukurohen me lule dhe lastarë te lulezuar, te cilët simbolizojnë bukuritë pranverore, mirësisë dhe ripërtritjen e natyrës dhe të jetës familjare.

Ritualet e mëngjezit të dites së verës janë pothuaj të njejta në të gjitha trevat shqiptare, diku më shumë, diku me pak, diku të plota, diku të pjesëshme, por të gjitha plot me elemente antike iliro - arbërore, që janë ruajtur e transmetuar brez pas brezi, deri në ditët e sotme.

Për të evokuar lashtësinë e ketyre riteve, por sjell një përshkrim të historianëve romakë, dedikuar festimit të pranverës për nder të hyjneshës Diana, ku gjejmë plot ngjashmëri, me ritet që kryhen në festën e Ditës së Verës Shqiptare. “Në festë merrnin pjesë dhe skllevërit. Në mëngjes, pronarët dhe skllevërit zgjohen herët, lahen dhe fillojnë përgatitjet për festimet. Gratë falen në tempullin e hyjneshës, ku shenjtëronin veshjet e rejaKëtë ditë, gratë i luteshin dhe i kërkonin ndihmë Dianës në cilësinë e Luçina, mbrojtësja e lindjeve; gjuetarët i dedikonin armët, dhëmbët e derrave dhe brirët e drerave. Pas këtij rituali, nga tempulli, turma e popullit shkonte të festonte në pyllë, të gjithë mbanin në duar pishtarë ...

Si rezulton nga ky fakt historik, keto rituale jane te njejta me ato qe praktikohen ne ditet e sotme, ne veçanti nga banorët e Elbasanit dhe të trevave malore të Shqipërisë së Mesme.

Më 14 mars, banorët e Elbasanasit zgjohen herët dhe me një përkushtim të veçantë hapin dyert, që të hyjë drita, mirësia, shëndeti dhe të dali e keqia, e liga dhe të hapet bujaria për vizitorët.

Në mote të shkuara, elbasanasit zgjoheshin në agim dhe derën e shtëpisë e hapte më i moshuari. Djemt dhe vajzat merrnin shtamën dhe shkonin në krua, për t’i mbushur me ujë te freskët dhe gjatë kthimit shkulnin një plis bari të gjelbëruar, që e vinin në pragun e derës. Djemt e rinj shkonin të plehëronin dhe të ujisnin portokallat, ullinjt dhe pemët e tjera frutore në kopështin e shtëpisë.

Në Martanesh, zgjimi bëhet në 05. 30 të mëngjesit dhe të gjithe dalin jasht në oborr, për të dëgjuar këngët e zogjëve, që gjallërohen duke shoqëruar lindjen e diellit, ndërsa djali më çapkën ngarkohej me detyrën të kepuste tufa me barë të gjelbër, që ua dhuronte të gjithë pjestarëve të familjes.

Në Elbasan, në mëngjes herët, banorët i lajnë sytë me lulet e verës, me vjollcat - manushaqet dhe me karakaftet dhe më pas pijnë ujë me kupën e "bukës te derrit".

Martaneshasit e pijnë ujin me kupën e burkthit, ndërsa fytyrën e lajnë me ujin e vezëve të zjiera  natë e vigjiljes. Pirja e ujit me "bukën e derrit" dhe e ujit të vezëve me burkthin, simbolizon të vij një vit i shëndetshëm dhe i begatë.

Para ngrenies të mengjesit, gjyshet nënat dhe vajzat e rritura, iu lidhin fëmijëve veroret në qafë dhe në kyçet e duarve, ndërsa fëmijëve të rritur iu vene unazat dhe gjerdanat e kulprës, si dhe u lidhin në qafë gjerdanët e pergatitura me fijet e caronkthit, te cilat zbukurohen me penjë leshi me ngjyra.

Këto rite kryhen në intimitet familjar, madje në se aty pranë kalon dikush dhe thërret, apo uron festën, askush nuk i pergjigjet, por shqipton formula magjie mbrojtëse: “Të lënsha gjumin e sabahut, ethet e verës, morrat e pleshtat”.

Pasi vishen të gjithë me rrobat e reja (ose me rrobet më të mira), organizohet ceremonia e urimeve dhe e shpërndarjes të dhuratave në farefisni, komshijt dhe ndër miqt. Hiset e ushqimeve, që kishin përgatitur në darkë, vihen në shporta, ose në shamia-peceta, shkulet një tufë bari dhe ky komplet i jipet në dorë djalit më të vogël të shtëpisë dhe me prindër gjallë, i cili ngarkohet me detyrën të bëjë “këmbë”, pra të prije vizitat e urimit të Dites se Veres dhe për të dorezuar hiset - dhurata. Misioni i vizitave dhe i shpërndarjes të dhuratave, u ngarkohet vetëm djemëve dhe jo vajzave.

Vizitat fillojnë në shtëpitë e gjyshave, të xhajave e dajave, të tezeve dhe hallave, si dhe të motrave të martuara e me pas ndër kushërinj dhe miq. Kur arrijnë në shtëpitë e të afërmëve e të miqëve, djali pasi e vendos tufën e barit në pragun e derës, bën urimin “gëzuar ditën e verës, ju sjelltë shëndet e begati” dhe hynë brenda me këmbën e djathtë dhe ia dorezon hisen – dhuratë më të moshuarit.

Familja pritëse, e përcjell djalin deri jasht oborrit dhe i jep pjesën e saj të hises-dhuratë, pra kësisoj kryhet shkëmbimi i dhuratave ndërmjet familjeve.

Si kuptohet, festa Dita e Verës, përmbanë dhe një aspekt spiritual, që frymëzon gëzim dhe lumturi të gjithë individëve, familjes dhe shoqerisë. Spiritualiteti shprehet me rituale të veçanta urimesh, që janë refleksione të riteve antike pagane dhe që shprehin:

- Përfitime personale familjare dhe kolektive, sodisfaksione dhe gezime, që sjell festa e Ditës së

Verës, festa e ripërtritjes të natyrës dhe të jetës.

- Përfitime shpirtërore nga profecitë dhe ritet magjike, si për veten dhe për pjestarët e familjes. Këto rite nga një anë krijojnë sugjestionime personale për të gëzuar shëndet të fortë dhe begati, por    shprehen dhe ndikojne te të tjerët, si me vizitat, urimet dhe me aktivitetet e shumta argëtuese, që zhvillohen më 14 mars, të cilat kanë karakterin e një festivali popullor. Sa më shumë të kthehemi pas në kohe, aq më shpesh dhe më intensive i ndeshim këto aspekte spirituale pagane.

Në trevën e Skraparit, mëngjesin e 14 marsit, femijët shkojnë derë më derë, duke kënduar këngën e Ditës së Verës dhe pasi shkëmbejnë urimet, iu dhurojnë vezë, që femijet i thyejnë në kokë. Amvisat skraparllije, paraditen e ditës së verës, krahas embelsires, gatuainë anak (laknur) me hithra.

Në disa fshatra të Lushnjës, kryesisht të besimit ortodoks, dita e verës festohet më 1 mars, ndërsa në fshatrat e tjera me 14 mars dhe krahas vezëve, zjejnë kallinj misri dhe grurë, që gratë e shtepisë ua dhurojnë femijëve, që mblidhen duke kënduar dhe duke përplasur dy gurë në mënyrë ritmike. Pasi urojnë festën e Ditës së Verës, fëmijët kërkojne misra të ziera, grurë të zier dhe vezë të zjera.

Përdorimi i grurit të zier si dhuratë për ditën e verës nga banorët e Myzeqesë, është ritual shumë i lashtë, është Koliba (gruri i zier me perime , zarzavate dhe fruta, kryesisht me arra), që praktikohej nga ilirët, gjatë blatimeve në tempullin e Artemise ne Apolloni.

Faza e katërt.

Është pikniku i Ditës së Verës, kulmi i festes, i zhvilluar paraditen e 14 marsit, deri në pasdite.

Pikniku nis në orën 10:00 dhe organizohet spontanisht, pa lajmërime, pa tellalla, pa shpallje.

Festa Dita e Veres e 14 marsit, kremtohet në natyrën e ndriçuar nga bukuria dhe gjelbërimi i njomë, në mjedise me lulezim masiv, mbështjellë me të ngrohtin përkedhelës të diellit pranveror; organizohet në mjedise të hapura, që lejojnë pjemarrje masive, kryesisht njerezit mblidhen në vende të shenjta, tradicionalisht të kohëve pagane.

Elbasanasit lëne qytetin dhe u drejtohen vendeve me bukuri të rralla natyrore, shkojnë te Rrapi i Mansit, te Kroji i Kalit, Ulliri i Qejfit, Çezma e Lepurit, Çezmja e Kasinës, në Byshek, Gjinar, Gurra e Labinotit, në Llixhat etj.

Vendi më i preferuar i piknikut për elbasanasit mbeti lendina te Rrapi i Mansit. Që në krye të herës, ky vend idilik në faqen e një kodre në lindje të qytetit të Elbasanit, njihej dhe thirrej nga vendasit Ledhja e Madhe, emër që i referohej një grumbulli rrënojash antike, që dikur ishin me famë të madhe per ilirët. Pas pushtimit romak, gjatë ndërtimit të udhës Egnatia, aty te Ledhja e Madhe ngritën një mansio (stacion - bujtina), që shërbente si vend çlodhje për legjionarët, udhetarët dhe karvanet etj. Nga ky mansio te Ledhja e Madhe dhe rrapit që mbiu aty, lindi toponimi i ri, që përdoret ende sot: Rrapi i Mansit. Edhe përroi që gjarpëron aty pranë u quajt Manasdere.

Ka të ngjarë që Mansio i Scampus, të jetë ngritur pikërisht në vendin ku dikur, ngrihej tempulli hijerëndë i Zanës ilire (Ledhja e Madhe!), por në vitin 479 pas Krishtit, barbarët e Teodorikut e rrënuan së bashku me kështjellën e Skampës dhe shumë tempuj e kështjella të tjera ilire.

Kësisoj, si lendina e Rrapit të Mansit, vende të shenjta pagane ka dhe ne trevat e tjera te Shqiperise, ku shkohet për piknikun e festës Dita e Verës.

Banoret e Lurës mblidheshin në bjeshkë, në livadhet e lulëzuara rreth liqejve të Lurës.

Në Martanesh pikniku organizohej sipas fshatrave, kesisoj banorët e Lenës shkonin në lëndinën e Malit të Kaptinës dhe në livadhet e Lugut të Deas. Banorët e fshatit Gjon shkonin në livadhet e Luçanes, ato të Peshkut në Ballenjë e Vogel, ndërsa valatosët ne sheshin e keshtjellës të Qytezës.

Shqiptarët e Shkupit e organizonin piknikun ne Kalanë e Shkupit, ashtu si lezhjanet,  që mblidhen në sheshin e Keshtjellës mbi qytet.

Në Malësinë e Madhe mblidheshin në livadhet e bukura të Vermoshit, në Theth e në Rzem etj, etj.

Nënat dibrane i përcjellin fëmijët në piknik duke i uruar me shprehjen: “ferci, ferci nona, u bëfsh më i fortë se thana”, një urim i rrallë, por kuptimplotë.

Të gjitha familjet  marrin ushqimet e gatuara një natë më parë dhe i gezohen festës në bukurinë e natyrës të lulëzuar, duke u argëtuar me këngë, valle, humor dhe lojra të shumëta popullore, pra zhvillohet si një festival popullor..

Vallet e vajzave, të kapura per dore në rreth, shprehin dhe një simbolikë të lashtë,  janë si vallet mitologjike të amazonave të Artemise, të nimfave të Dianës dhe të shtojzovalleve të Zanës iliro-arbërore.

Vallet e djemëve, janë më dinamike dhe shprehin jo vetëm karakterin burrënore, por permbajnë dhe elemente luftarake, të lidhura me kulturën dhe historinë e vendit tonë.

Gjatë piknikut të festës Dita e Verës, zhvillohen disa lojra dhe gara popullore.

Në Elbasan, në sheshin te Rrapi i Mansit, ndërtonin një karuzel – rrotullame, për argëtimin e fëmijëve, si dokumentohet në një fotografi e vitit 1924, e fotografit Merl La Voy (1885 – 1953).

Dihet se 14 marsi përkon me festën e Marsit - hyut të luftës, kësisoj lojrat dhe garat, evokojnë nderimin dhe devocionin dhe për Marsin, perëndinë e luftës, prandaj ato imitojnë situata me elemente lufte si p.sh vallja e shpatave, loja Kalaja Dibrançe, garat me kuaj në Dibër e Shishtavec, sporti i mundjes në Golloborde, prova e forcës së krahut në të gjitha trevat nga veriu në jug etj.

Karuzeli për argëtimin e fëmijëve në festën Dita e Verës në Elbasan. Fotografi e vitit 1924 nga Merl La Voy, (National Geographic).

Gjatë piknikut më 14 mars, rinia aktivizohet në lojra të shumëllojëshme, ndër të cilat po rikujtoi disa më tipiket si:

- “Shkodrëza”, “Mjaltaz”, Kykyzash (Shkodër, Lezhe, Kosovë, Hot, Grudë, Pukë etj).

- “Furka”, “Topqellthi” dhe “Loja e gunave” në Vlorë.

- “Shpatullore” në Shkodër, Dibër, Durrës, Lezhë, Pukë.

- “Caf-caf” në Fier, Elbasan, Berat e në Shkodër;

- “Gurapeshë” në Postribë, Kosovë, Lumë, Malësi e Madhe, Martanesh, Mat, Dibër, Librazhd etj.

- “Ujku dhe delet” në Krujë, Kurbin, Mat.

- “Hutini ose skifteri”, lojë e njihur me emëra të ndryshme. Në Tiranë njihet si loja e “Hutinit”;

në Vlorë si “Gjerdeku”,”Klloçka” ose “Skifteri”; në Lushnjë si “Klloçka, bufi e zogjtë“; në

Shkodër “ Klluka”, ndersa te arbëreshët ende e quajnë me emerin e vjeteër “Pulëza”.

- “Pidak” në Peshkopi, Kukës, Shalë të Bajgorës, Rrafsh Dukagjini, Drenicë, etj.

- “Guxhaz”, është lojë kryesisht barinjshë në Kosovë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Mirditë e Has.

- Në këtë ditë feste, zhvillohen dhe lojra të tjera, si cingëla (në trevat veriore dhe në Kosove quhet

kut e klince), dokërr, loja me zare dhe me arra, kercim me litar, “luftash” etj, etj.

Gjatë ditëve të festës së verës, rinia mbledhin lule dhensh (latinisht: Bellis perennis – e bukura e përherëshme), e njohur me emera te ndryshme si: luleshqerra, luledele, lulebukurishte, lule dashurie, lule kacidhe, lule buke etj.

Luleshqerrat, me bardhësinë e petaleve dhe me thekët e pistilet në qark të verdhë diellor, janë simboli i pastërtisë trupore dhe shpirtërore, por edhe lulja e të dashuruarve.

Vajzat mbledhin luleshqerra dhe përgatisin buketa të vogla, si dhe thurin kurora e gjerdanë të bukur. Kurorën më të madhe e mbajnë për vete dhe e mbajnë në kokë gjatë gjithë ditës të 14 marsit, të tjerat ua dhurojnë shoqeve.

Për djemtë, luleshqerra është simboli i dashurisë së fshehtë, pasi me këtë lule, hetojnë në se dhe vajza që ai adhuron, ka të njejtat ndjenja. Ky sekret zbulohet me profecinë e heqies një e nga një të petaleve të bardha, duke pyetur për, për çdo petal që shkul: “më do?nuk më do?

Në se petali që mbetet i fundit përkon me fjalën “më do”, atëhere djali gezohet se ka marrë një konfermë profetike, se është i dashuruar nga vajza, që ai dëshiron.

Këto veprime zakonisht kryhen në intimitet, pa e bërë publik emërin e vajzës, që ka në zemër (dashuria Platonike). Pas kësaj prove, djali i dhuron vashës se tij një tufë me luleshqerra, por ia dhuron në fshehurazi, të mos e shohin  të tjerët, në rast të kundërt prishet “magjia e dashurisë”.

Luleshqerra, kjo lule e thjeshtë, ka forcën t’iu dhuroi buzëqeshje dhe gezime të dashuruarve, andaj e quajnë dhe lulja e dashurisë.

Në treva te ndryshme te vendit tone, zhvillohen dhe veprimtari të veçanta, të natyrës mistike dhe spirituale, te cilat ne fakt jane rezidua te profecive pagane, deri diku te modifikuara e ndonje dhe me ndikime fetare.

Përgjithësisht, pikniku i Ditës së Verës, organizohet në vende të shenjta pagane si sheshe, shpella, guva, lisa të lashtë, burime uji të veçantë, ujvara, liqej të vegjël, rrënoja tempujsh të lashtë etj.  Këto vende frekunetohen me përparësi nga gratë, që kanë probleme për të zgjidhur në jetën e tyre bashkëshortore dhe nga vajza të pafejuara dhe të pamartuara, që luten për të gjetur fatin e jetës. Këto rituale lutjesh zhvillohen njëlloj si në lashtësi, si luteshin në tempujt Artemise dhe të Dianës.

Në mote të shkuar këto vende te shenjta frekuentoheshin masivisht, kesisoj vizitonin shpella, lanin duart dhe fytyren në burime të veçanta, uleshin duke medituar dhe duke u lutur nën hijen e lisave të lashtë, ose qendronin të veçuara në lendina të shenjta, me bestytninë sugjestive, se këto vende kanë efekte sheruese, fatësjellese dhe mbrojtëse të shëndetit te tyre dhe të fëmijëve.

Etnografi Afet Jashari shkruan se, gratë e trevës së Dibrës, në ditën e verës frekuentonin shpellën e Vertekicës, të tjera shkonin ne burimin e Ujit te Kuq, me bestytninë se këto vende do t’iu sillnin pjellëshmëri, shtatzani të mbarë, fatin e mirë dhe shëndetin për femijët.

Në Elbasan, përpos Rrapit të Mansit, grate dhe vajzat shkonin të Kroji i Kalit, Ulliri i Qejfit, Çezma e Kasinës etj, ku meditonin dhe luteshin për familjet e tyre, të gëzonin shëndet, mirësi e begati.

Ne Martanesh frekuetonin shpellën e Vendit të Mirë ne Ballenjë, një guvë e thellë, e cila ka qenë e banuar që në periudhën e neolitit dhe më pas u konsiderua vend i shenjtë.

Në Koshorishtë, gratë shkonin e luteshin në rrenojat e tempullit të lashtë dhe në shpellën e malit.

Faza e pestë.

Janë ditët në vazhdim, të përjetimit të jehonës të Ditës së Verës. Zgjatja e kësaj faze, varjon sipas trevave dhe mbyllet me disa rituale karakteristike.

Elbasanasit fillojnë t’i heqin veroret, kur shohin dallendyshen e parë, dhe i hedhin në ferra, që dallendyshet t’i marrin, për të ndërtuar folenë e re.

Vajzat dhe djemt e Shkodrës, të Malësisë së Shkodrës, Malësisë të Gjakovës, të Kosovës, i heqin veroret me 21 mars, ditën e ekuinoksit pranveror dhe i vejnë nëpër degët e pemëve të kopshteve të shtëpive dhe presin të vijnë t’i marrin zogjtë.

Në Martanesh, veroret dhe gjerdani i caronkthit i zbukuruar me penj me ngjyra, mbahet nga femijet deri më 6 maj, ditën e festës të Shen Gjergjit, kur mblidheshin femijet dhe i hidhnin në lumin e fshatit, kësisoj uji i merrte dhe i çonte larg të gjitha të keqiat, tersëlliqet dhe sëmundjet.

Djemt dhe vajzat e Skraparit, Beratit, Laberisë, Lushnjes dhe Çamërise, i mbajne veroret deri me 21 mars, ditën e ekuinoksit pranveror dhe këtë ditë i heqin dhe i hedhin mbi ferra, ose mbi trendafilat dhe presin të vijnë t’i marrin dallandyshet, që t’i përdorin për të ndërtuar folenë.

Vajzat dhe djemtë e Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Kosturit, veroret i heqin pas një jave dhe i vendosin mbi shkurret e rrugës së fshatit, apo në degët e pemëve të oborrit dhe prisnin të vinin t’i merrnin zogjtë.

Kur zogu i merrte veroren e vajzave të rritura, do të thoshte se vajza do të martohej brenda vitit.