E marte, 15.10.2019, 05:26 PM (GMT+1)

Personalitete

Avdyl Sulaj: Bir fisnik i Merturit

E enjte, 10.03.2016, 09:33 PM


Bir fisnik i Merturit, mësues i përkushtuar, autor i suksesshëm

Nga Avdyl Sulaj

Këto ditë    qytetin “Bajram Curri” u zhvillua një veprimtari letrare e kulturore për të uruar dhe për të vlerësuar njeriun e virtytshëm dhe fisnik, mësuesin e përkushtuar në pension, autorin e 9 librave, Gjon Ndue Markokajn.  

Në shtator të vitit 2015 Gjoni mbushi 78 vjet. Çdokush, matyrshëm, në një datë të tillë reflekton dhe përjeton të shkuarën e tij, ndien dhe përmallim e mërzi për kohën që nuk kthehet më. Por kur ka një bilanc pozitiv e të suksesshëm ndien dhe kënaqësi, krenari dhe optimizëm për të ardhmen.  Dhe Gjon Markokaj ka një bilanc të tillë, ka një jetëshkrim të admirueshëm. Ai pas diplomimit për mësues historie dhe gjeografie, i është përkushtuar me mish e shpirt, me vullnet dhe të gjitha aftësitë intelektuale, shkencore e pedagogjike profesionit të nderuar të mësuesit. Ndërkohë  ka kontribuar për arsimimin, për brumosjen me dije e kulturë të sa e sa brezave nxënësish në rrethin e Tropojës.

Pas daljes në pension, Gjoni nuk u mbyll në vetvete apo në jetën e ngushtë private. Përkundrazi rroku penën e iu përkushtua letërsisë dhe studimeve me karakter historik, duke u dhuruar lexuesve dhe publikut artdashës nëntë libra me vlera estetike, historike dhe kulturore. Numrim më të madh të veprave të këtij autori e zënë librat nga letërsia, nga të cilët 4 janë me poezi, përkatësisht:

Shkëndija urtësie, Tiranë, 2008    

Madhështia e alpeve, Tiranë, 2010

Shkëmbi është djepi që më rriti, Tiranë, 2012

Në sofrën e Lekës, Tiranë, 2015

Dhe një libër në prozë, i titulluar: Misteret e një krimi, Tiranë, 2008

Ndërkaq ky autor ka botuar monografitë:

Raja, rrënjët dhe degët e një trungu të moÇëm, bashkautor me Simon Ramën, Tiranë, 2005

Sokol Prela i Mziut, Tiranë, 2010

Markokajt e Merturit, Tiranë, 2014

Hapësira të jetës sime, Tiranë, 2015  

Librat më të shumtë dhe me vlera letrare e artistike të këtij autori janë ata me poezi. Vetë titujt e këtyre librave që përmendëm, prezantojnë dhe motivet e tematikën që përmbajnë. Autori e mëkon zanën e frymëzimit të tij tek alpet tona, të madhërishme nga përmasat, të bukura dhe lirike nga larushia e luleve dhe e bimësisë, me terrene shumëngjyrëshe, por dhe me simbolikë si kështjella qëndrese kundër barbarëve pushtues. Kujtojmë këtu qëndresën heroike të nikajmerturasve ne vitin 1910 kundër ekspeditës gjakatare të Shefqet Turgut Pashës. Ishin pikërisht këto male që u bënë kala qëndrese, që i favorizuan ata për të thyer forcat pushtuese osmane, shumë herë më të shumta në numër.                                                                                                       Poezitë e Gjon Markakojt sjellin kumte të ngrohta lirike, sjellin erëmimin e vlagës së tokës së Malësisë së Gjakovës, vezullimin e valëve të Valbonës dhe reflekset e liqenit të Fierzës. Ato sjellin kumte estetike për historinë e traditat etnokulturore të kësaj treve, për figurat, dëshmorët, heronjtë e personalitet historike të saj. Dhe, natyrshëm, poeti i kushton vend të veçantë në poezitë e tij fshatit të lindjes, Rajës:

Ku bashkohet Valbona me Drinin

Tani i shndërruar në liqen

Shtrihet Raja ime

Më i bukuri vend… 

Ndërkaq  Gjoni u shmanget edhe artistikisht krahinizmave. Ai i poetizon vlerat artistike të alpeve e të bjeshkëve tona, të historisë e kulturës së këtyre anëve si mbarëkombëtare, të lidhura dhe me Gramozin, Sharrin, Korabin e viset e tjera shqiptare. Kështu autori ka ndërthurur në poezitë e tij të bukurën me të madhërishmen, liriken me epikën, madhështinë e shkëmbit që e rriti me lulet në qeta të tij. Gjithashtu në librat e tij poetikë Gjoni sjell poetikisht perla të urtësisë popullore, mite, doke, legjenda, tradita etj.

Ndërsa në romanin “Misteret e një krimi” autori pasqyron fatin e dy personazheve realë në skena dhe detaje tronditëse të inskenuara në regjimin e kaluar nga sigurimi i shtetit që çojnë në përfundime tragjike të jetës së tyre. Ky roman shquhet për përshkrime të gjalla e detaje të gjetura artistike, për portretizime realiste të personazheve.

Interes paraqesin për lexuesit e studiuesit dhe librat monografikë të tij. Në librin: Raja, rrënjët dhe degët e një trungu të moçëm, Gjoni dhe Simon Ramaj si bashkautor, nxjerrin në dritë rrënjtë historike të këtij katundi qysh në lashtësi. Autorët përshkruajnë në të ngjarje dhe figura historike, toponime, të cilat sikurse thotë një dijetar, janë përmendore të kujtesës njerëzore, janë relikte të gjalla të historisë së këtyre anëve, si: Shpella e Shkamit, Muret Ilire, rrënojat e nëntë kishave, Kalaja e Lekë Dukagjinit.

Autorët sjellin dhe të dhëna e dëshmi për jetën, kulturën, arsimimin, besimin fetar e karakteristikat e këtij fshati në kuadrin e shtrirjes etnogjeografike të tij.

Ndërkohë këtë libër Gjoni e vijon dhe plotëson me monografitë: Markokajt e Merturit dhe Hapësira të jetës sime. Ai ka pasuruar bibliografinë e tij dhe me monografinë Sokol Prela i Mziut, kushtuar këtij burri me emër nga Mziu i rrethit të Pukës.

Kështu kjo vepër me 9  libra e autorit Gjon Markoka, e shkruar dhe e botuar në moshën e pensionit, ashtu si librat e Ibrahim Kadri Malajt e të autorëve të tjerë të moshuar, sjellin dhe një kumt të rëndësishëm për brezat e  rinj: Se për intelektualin nuk është vonë kurrë për të bërë një vepër të mirë; se për krijuesin e studiuesin nuk është përparësore kur fillon të shkruajë dhe të botojë, pikënisja, po ku arrin me vepra, pra pikëmbërritja, ndihmesa që jep për letërsinë  e kulturën, për shkencën dhe arsimin kombëtar. 

Në hyrje të këtij shkrimi thamë se Gjoni pak kohë më parë ka mbushur 78 vjet, ndaj e urojmë të arrijë mbi 100 vjet jetë. Gjithashtu e përgëzojmë për kata libra të  çmueshë m që na ka dhënë dhe e urojmë: 

Gjithmonë të këndoftë zemra poetikisht; mos të shterroftë kurrë frymëzimi dhe mos të pushoftë dora e pena, Gjon Markoka!



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT