E merkure, 13.11.2019, 09:02 PM (GMT)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: 7 Marsi - Dita e Mësuesit

E merkure, 09.03.2016, 09:27 PM


Mësonjtorja e parë, Korçë 7 Mars 1887

Kjo ndërtesë monument e mbushur me histori të gjuhës dhe arsimit shqip

7 MARSI – DITA E MËSUESIT

Nga Adil FETAHU

Në kalendarin e historisë së arsimit në gjuhën shqipe, 7 marsi shënohet si – Dita e Mësuesit, për ta përkujtuar një ngjarje me rëndësi për arsimin shqiptar, që ishte themelimi i Mësonjëtorës  së Parë Shqipe në Korçë (7 mars 1887), e cila u hap  publikisht në qytetin e Korçës. Mësimi i shqipes deri atëherë bëhej fshehurazi nëpër shtëpi private, ngase ishte i ndaluar nga administrata e pushtuesit osman dhe i anatemuar e përndjekur nga propaganda dhe bandat klerofashiste greke. Mësonjtorja e parë e Korçës ishte shkolla e parë publike në gjuhën shqipe asokohe. Fillimisht ajo Shkollë kishte 35 nxënës, por pas tre muajve numri i nxënësve arriti në 60, kurse vitin e dytë ai numër arriti në 300 nxënës. Në te mësohej, lexohej dhe këndohej vetëm shqip. Ishte kjo një fitore e madhe e lëvizjes së Rilindjes kombëtare shqiptare,  prandaj ka mbetur simbol i ruajtjes së identitetit, dimensionit, lirisë dhe progresit kombëtar.   Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj., ndërsa drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Kur e përkujtojmë atë ditë të shënuar, duhet të kemi parasysh se asokohe populli ynë ishte nën pushtimin otoman, dhe nën presionin e egër të klerit ortodoks grek e të Patrikanës së Stambollit, dhe propagandës dashakeqe sllave (serbe, bullgare e ruse). Pushtuesi atëherë nuk lejonte mësimin në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën greke ose turke, dhe atë kryesisht mësime fetare. Në Mësonjëtoren e Korçës mësimi i të gjitha lëndëve nisi të zhvillohej në gjuhën shqipe, dhe ishte kjo shkollë laike dhe kombëtare, në të cilën mësimet i vijonin nxënës të të gjitha shtresave, djem dhe vajza bashkë.

Mësonjëtorja e Parë në gjuhën shqipe

Hapja e Mësonjëtores së parë shqipe u arrit në saje të nismës së një grupi të rilindësve, dhe me përkrahjen e masave patriotike të vendit dhe të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, vëllezërit Naim e Sami Frashëri, por edhe aktivistë e patriotë tjerë të shumtë. Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e vet për këtë shkollë. Në Mësonjëtore përdoreshin tekstet të cilat i kishin përgatitur Naimi e Sami Frashëri, e që ishin shtypur me ndihmën e Kolonisë dhe të Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Disa javë më vonë u hapën shkolla shqipe edhe në qytete tjera shqiptare, por nuk vonoi shumë kohë dhe në bazë të propagandës klerofashiste greke, administrata osmane i mbylli, kurse drejtorin e parë të Mësonjtorës shqipe, Petro Nini Luarasin e mbytën ( e helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në bashkëpunim me klerofashizmin grek dhe me Patrikanën e Stambollit. Dy vjet pas hapjes së Mësonjëtores së parë, po në qytetin e Korçës u hap Shkolla e Parë Shqipe për Vajzat. Ishte ajo kohë e vlugut të  aktiviteteve të gjithanshme të lëvizjes së Rilindjes kombëtare për krijimin e kushteve për çlirimin kombëtar, prandaj armiqtë e shqiptarëve ishin të tërbuar nga kjo lëvizje.

Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:

Hapu, hapu errësirë,

Pa jakë tëhu o dritë,

Se arriti kohë e mirë,

U gëdhi nata – u bë ditë!

- - - - - - - - - - - - - - - -

Lumja ti moj Korçë o lule,

Q’i le pas shoqet e tua,

Si trimi në ball u sule,

Të paçim për jetë hua!

Dita e Mësuesit

Dita e Mësuesit, që shënon datën e fillimit të punës së Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, është dita kur i kujtojmë edhe mësuesit tanë  të parë, prej ditës së parë të shkollës. Por i kujtojmë me respekt edhe mësuesit e të gjitha brezave, dhe të paktën njëherë në vit i falënderojmë ata për gjithë punën e vyeshme e të vështirë, por me shumë rëndësi, që kanë bërë për arsimimin tonë kombëtar. Nuk thuhet kot, se mësuesit janë arkitektët e kombit. Ata i arsimojnë, edukojnë, formojnë, reformojnë dhe transformojnë nxënësit e tyre në qytetarë të vyeshëm, të denjë e me integritet.. Në këtë mënyrë krijojnë potencialin kombëtar, me vlera të larta njerëzore e patriotike. Edhe personalitetet me gradat më të larta të çfarëdo profesioni e me pozitat më të larta të arritura, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë dhe të gjithë periudhës së arsimimit të tyre. Unë me shumë dashamirësi e respekt e kujtoj mësuesin tim të parë, Et-hem Pajazitin, një emigrant nga Shqipëria, ish-oficer i Ushtrisë së Mbretit Zog. Ishte viti 1948, kur në fshatin  tim (Rimanishtë), u hap shkolla për herë të parë, në një shtëpi private. Fshatarët kishin bërë ca banka, si ato të parkut, por shumë ma primitive, sa për t’u ulur nxënësit. Orën e parë mësuesi na e dha nga një gjysmë fletore, gjysmë lapsi dhe gjysmë gome, sepse nuk kishte të tëra për të gjithë nxënësit. Nxënësit ishim të moshave (viteve të ndryshme të lindjes), prej 7 deri 14 vjeçe. Po ajo që sot më bënë përshtypje dhe krenar, në shkollën tonë kishte edhe shumë vajza, që për atë kohë (viti 1948), ka qenë diçka e rrallë.

Shkolla shqipe – në shënjestër të regjimeve antishqiptare

Nuk është e rastësishme që të gjithë okupatorët dhe armiqtë tanë u vërsulen mbi arsimin. Shkolla shqipe dhe mësuesit qysh prej fillimit kanë qenë në shënjestër të regjimeve antishqiptare. Sepse, e dinin ata se po ta pengojnë arsimimin e popullit, e ndalin zhvillimin e tij të gjithanshëm. Për këtë qëllim, okupatori serb  gjatë gjithë kohës, me metoda të ndryshme të presionit e represionit, ka penguar hapjen dhe punën e shkollave për mësim në gjuhën shqipe. Madje, edhe në prag të shekullit XXI, kur pa se arsimimi shqiptar kishte marrë hov dhe ishte forcuar ndjenja për çlirimin e Kosovës,  pas një okupimi të egër, në periudhën 1990-1999, goditjet e para ia dha arsimit shqip në Kosovë, prej institucioneve parashkollore deri në universitet, duke i quajtur ato çerdhe e nacionalizmit. Ndërpreu financimin, pagat për personelin,  persekutoi e vrau mësues, i përjashtoi prej objekteve të shkollave e fakulteteve.  Por, duke ditur rëndësinë, se arsimimi është investimi më i mirë, populli hapi shtëpitë private dhe grumbulloi mjete vetëkontributi për të mbajtur arsimin në kushte e rrethana që të mos ndërpritej. Për fat, pas çlirimit të Kosovës (1999), arsimimi në gjuhën shqipe u kthye ne rrjedha normale, u bënë shumë investime në ndërtimin e objekteve shkollore, pajisjen me mjete mësimore, literaturë etj. U përmirësua dukshëm edhe pozita materiale e mësimdhënësve.  Por akoma në trevat shqiptare jashtë Kosovës e Shqipërisë, bëhen trysni të ndryshme mbi arsimin shqip, si bie fjala në IRJ të Maqedonisë, kur e fusin me zor mësimin e gjuhës maqedone në shkollat shqipe, qysh prej klasës së parë të shkollës fillore! Apo në Luginën e Preshevës pushteti serb nuk ua lë nxënësve tekstet shkollore në gjuhën shqipe të botuara në Kosovë, dhe nuk ua njeh diplomat nxënësve e studentëve shqiptarë të cilët i kanë kryer shkollat në Kosovë! Kurse për shqiptarët në Greqi. jo vetëm  se nuk lejohen shkolla në gjuhën shqipe, por nuk lejohet as të flasin  gjuhën amtare. Sa të dhembshme janë vargjet e këngës çame, kur thonë:

“Gjuha jonë vetëm thuhet,

Nuk e lënë që të shkruhet,

Bëmë këngë këshillat e urta,

Që të mos harrohet gjuha”...

Këto vargje të këngës, tregojnë gjendjen, dhembjen dhe mënyrën e ruajtjes së gjuhës, pa shkollë!

Sot arsimi shqip në Shqipëri e në Kosovë po bënë hapa të rëndësishëm në reforma e modernizim, në pajime dhe në  përmirësim të kushteve të arsimit. Arritjet janë të pamohueshme. Natyrisht, mbetet edhe shumëçka për t’u dëshiruar në përmirësimin e kushteve dhe në arritjen e cilësisë dhe përshtatjen e arsimit nevojave të vendit. Mjerisht, sot gjithçka është “komercializuar”, prandaj ky sindrom ka depërtuar thellë edhe në lëmin e arsimit. Hapja e shkollave dhe kolegjeve private, është bërë kryesisht për interes fitimi komercial të individëve e grupeve, dhe aty kriterit të cilësisë nuk i jepet rëndësia e duhur. Kjo dhe atmosfera e përgjithshme shoqërore, ka mundësua paraqitjen e formave të ndryshme të korrupsionit në arsim, dhe ndotjen e profesionit të mësuesit-arsimtarit-profesorit. Po, këtu po e përkujtojmë një përvjetor të rëndësishëm të historisë së arsimit, dhe po flasim për Ditën e Mësuesit, prandaj nuk duam t’ia prishim imazhin e kremtës, me deformimet dhe pandërgjegjësinë e individëve a grupeve të caktuara.

Kur flasim për Ditën e Mësuesit dhe për arsimin shqip në përgjithësi, gjithsesi duhet të kujtojmë Shkollën Normale të Elbasanit, Shkollën Normale të Prishtinës, dhe shkollat e tjera që përgatitën mësues të kualifikuar, për mbajtjen, zhvillimin dhe përparimin e arsimit në gjuhën shqipe. Nxënësit e atyre shkollave normale u shpërndanë gjithandej në trojet shqiptare dhe punuan në kushte të vështira e të rrezikshme. Sepse, puna e mësuesit nuk ishte vetëm të mësuarit e shkrim-leximit, por krahas punës edukativo-arsimore me nxënës, bëhej luftë kundër primitivizmit dhe analfabetizmit në masat e gjera popullore. Duhet t’u mësonte kulturën, traditën, historinë, vlerat morale njerëzore e kombëtare. Ata kishin ideal, vullnet e pasion për punën që bënin. E kuptuan se profesioni i mësuesit është i mirë, por i vështirë dhe me përgjegjësi. Punuan me zell, vullnet, enthusiazëm,  nderë, ndërgjegje e përkushtim në zhvillimin e arsimit shqip. Ata e quan në vend amanetin e rilindësve tanë: Mjedës, Naimit, Çajupit e të tjerëve, veprat e të cilëve edhe sot i mbajmë mend dhe recitojmë.

Është një gjeneratë i ish-normalistëve të Normales së Prishtinës (gjenerata e viteve 1956-1961), qe edhe sot e kësaj dite,  mbanë takime të rregullta vjetore, takohen për Ditën e Flamurit dhe për Ditën e Mësuesit, i kujton ditët e shkollës, ditën e parë dhe tërë shekullin e të punës, dhe akoma në këtë moshë, rreth 80 vjeçe, përcjellë ecuritë, u gëzohet sukseseve dhe preokupohet me problemet e arsimit në gjuhën shqipe. Kjo gjeneratë elite, që arsimin e ka në zemër,  është njëra nga gjeneratat më të mira dhe më e organizuara që edhe pas 55 vjetëve të diplomimit në Normalen e Prishtinës, akoma mbanë lidhje të pashkëputura. Prandaj, si pjesëtar i saj, në emër të asaj gjenerate dhe në emrin tim, të gjithë mësimdhënësve aktivë, kudo që punojnë në arsimin shqip ju uroj: Gëzuar Ditën e Mësuesit. Nxënësit tuaj ua kalofshin me të arritura më të larta. Ju uroj edhe atyre mësuesve e veteranëve që tash janë në pension, pas dyzet e sa vjetëve të punës edukativo-arsimore, të cilët ndërtuan dhe forcuan themelet e arsimit në gjuhën shqipe. I kujtojmë me pietet edhe ata mësues e arsimtarë që nuk janë më në mesin e të gjallëve, e të cilët kontribuan në arsimin shqiptar.

Ju që punoni në arsim, duajeni dhe ruajeni prestigjin e profesionit të shenjtë të mësuesit, se nuk ka nderë më imadh se të jesh mësues i mirë dhe i nderuar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT