E marte, 23.04.2024, 11:20 AM (GMT+1)

Mendime

Sinan Sadiku: Sistemi Zgjedhor i Kosovës

E merkure, 09.03.2016, 10:01 PM


KOSOVËS I DUHET SISTEMI ZGJEDHOR I KOMBINUAR MAZHORITAR-PROPORCIONAL ME RRETH 70 NJËSI ZGJEDHORE, PËRNDRYSHE ASNJË E MIRË NGA ZGJEDHJET

Me këtë sistem zgjedhor që e kemi përkundër premtimeve, zotimeve, përbetimeve... të gjitha partitë politike vijnë duke u degjeneruar, fitojnë mashtruesit, humbin të ndershmit. Kështu ka ndodhë deri tani dhe do të ndodhë edhe më tutje.

Nga Sinan SADIKU

Kosova është në krizë. Kriza ka përfshirë të gjitha fushat: arsimin, shëndetësinë, gjyqësinë, kulturën... Ajo po vjen duke u thelluar. Për ta ndalë thellimin e krizës, rrokullisjen, për ta filluar ecjen nevojiten ndryshime. Ndërrimi i partive që kanë qenë në pushtet, i partnerëve të koalicioneve nuk ka dhënë rezultate. Ai ndërrim u ka shkuar përshtati grupeve, klaneve... por jo Kosovës dhe njerëzve të saj si tërësi, e as si shumicë. Pra nga ndryshimet ka fituar vetëm një pakicë e njerëzve të cilët janë privilegjuar derisa të tjerët, shumica e popullatës janë diskriminuar. Fajtori kryesor, jo i vetmi, është sistemi zgjedhor dhe ligji që e ka prodhuar atë. Ky ligj ka pësuar ndryshime kozmetike për interesa të grupeve të ngushta partiake, e jo ndryshime substanciale që do të shkonin në favor të vendit dhe të banorëve të tij.
Mendoj dhe jam i sigurt se vetëm ndryshimi substancial i ligjit të zgjedhjeve, duke e paraparë sistemin e përzier mazhoritar-proporcional, mund ta qojë shoqërinë tonë kah këndellja, kah e mira dhe e mbara. Mbajtja e zgjedhjeve pa e ndryshuar ligjin zgjedhor nuk do ti sjell asnjë të mirë Kosovës, madje edhe nëse i  humb zgjedhjet pozita dhe i fiton opozita, edhe pse gjasat që kjo të ndodhë janë minimale. 
Në Kosovë duhet të kombinohen sistemi zgjedhor mazhoritar (i shumicës) me sistemin proporcional, me një dominim të sistemit mazhoritar. Një propozim konkret, Kosova të ndahet në 70 njësi zgjedhore dhe secila nga ato njësi ta dërgoj nga një deputet në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e tjerë, 30 sish, të shkojnë sipas përqindjes që i kanë fituar në zgjedhje subjektet politike. 

Me sistemin e deritanishëm zgjedhor se kush do të bëhet deputet kanë vendos liderët e partive e jo votuesit

Deri tani Kosova ka qenë një njësi zgjedhore, herë është shkuar me lista të mbyllura e herë me lista të hapura. Në të dy rastet, se kush do të bëhet deputet, ka vendos një udhëheqësi e ngushtë e partive e afërt me liderin. Në rastin me lista të mbyllura ajo udhëheqësi e ka hartuar dhe miratuar listën, renditjen dhe deputetë janë zgjedh ata që janë rendit në kreun e listës, sa më afër kreut aq më afër mundësitë për t`u bërë deputet. Pra votuesit kanë votuar vetëm për parti. Deputetët nuk kanë gëzuar kurrfarë autonomie dhe shumica e tyre nuk kanë guxuar as t`i shprehin bindjet e tyre e lere më t`i mbrojnë ato. Janë kujdesur vetëm t`i shërbejnë me besnikëri atij që i ka futur në liste, në mënyrë që të mos e humbin mundësinë për t`u rikandiduar dhe për tu rizgjedh edhe herën tjetër. Lidhja votues, gjegjësisht qytetar deputet, të paktën në realitetin tonë, nuk ka funksionuar, bile as nuk ka ekzistuar. Vjedhja e votave është bërë midis partive.
Në rastin me lista të hapura, përsëri se kush do të bëhet deputet, ka vendos një rreth i ngushtë, i afërt me kryetarin e partisë; porse për ta realizuar këtë, pra për ta përcaktuar kush bëhet deputet, atij rrethi të ngushtë i është dashur të punoj dhe të lodhet më shumë se në rastin e parë. Tani janë realizuar dy lloj vjedhjesh të votave: vjedhjet midis partive dhe vjedhjet brenda partisë. Vjedhjet brenda partisë kanë qenë shumë më të mëdha se ato midis partive. Një rreth i ngushtë brenda partisë i ka caktuar anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe vëzhguesit. Ata janë aftësuar që t`i ruajnë votat e partisë, mundësisht t`i shtojnë, duke i vjedhur partitë e tjera, dhe disa kandidatëve të partisë së vet t`ua shtojnë votat e të tjerëve t`ua pakësojnë, në mënyrë që të zgjidhen të preferuarit e një rrethi të ngushtë partiak që e ka në dorë partinë.
Në të dy rastet kanë fituar ata që nuk përfillin parime, që nuk përfillin rregulla. Nëse rastësisht ka fituar ndonjë kandidat parimor, i ndershëm, me të janë marrë struktura të ndryshme partiake të cilat përmes shkopit dhe karotës e kanë përpunuar ose e kanë hedhur. Pra është krijuar një sistem, një mekanizëm i cili ose i përpunon njerëzit ose i gjuan. Përpunimi shkon gati si në repartet prodhuese, ku prodhimi, me që kalon nëpër kallëpe të njëjta, del i njëjtë. Dikush mund të më thotë po ka pas fraksione brenda partive të cilët të pakënaqur e kanë lëshuar partinë dhe kanë dalë në parti të tjera ose kanë themeluar parti të reja. Po, kjo ka ndodhë, po nuk ka ndodhë për interesa atdhetare, por për interesa personale. 

Disa të këqija të sistemit proporcional që i eliminon sistemi mazhoritar-proporcional

Disa nga të këqijat që sistemi proporcional ia ka sjell Kosovës janë: Disa regjione dhe komuna janë përfaqësuar me një numër të madh deputetësh disa me numër më të vogël, e ka komuna që nuk e kanë asnjë deputet. Kjo pastaj është shpreh edhe në investime. Disa komuna dhe regjione janë privilegjuar, e disa të tjera janë diskriminuar. Regjioni i Gjilanit është diskriminuar. 
Deputeti nuk i jep përgjegjësi bazës zgjedhore, sepse bazën e ka në tërë Kosovën dhe baza e tij thuajse është e pa definuar, e panjohur por i jep përgjegjësi një rrethi të ngushtë brenda partisë së tij. Nuk ekziston lidhja faktike midis votuesit dhe deputetit.
Mënyra e zgjedhjes së deputetëve është e largët, e mjegulluar për votuesin. Ai pak beson se me votën e vet ka rol të madh në përcaktimin e fituesit, sepse e di që vota e tij mund të shkoj huq, të mos i numërohet atij që ia ka dhënë, ose edhe t`i numërohet atij që nuk ia ka dhënë. Pastaj kandidatët demagogë, që dinë të bëjnë pazare, premtime, të krijojnë lidhje, të rrejnë ... duke i marrë disa vota nëpër disa fshatra apo vendbanime të largëta nga të katër anët e Kosovës i grumbullojnë votat dhe bëhen deputet. Të njëjtit po të ishin kandidatë në një njësi zgjedhore, ku i njohin nuk do të fitonin, sepse nuk do tu bënin pare gënjeshtrat, premtimet pa mbulesë...
Në këtë situatë votuesi nuk mendohet shumë kënd po e voton. Pra nuk është në nivelin e përgjegjësisë. Ai më lehtë mashtrohet dhe më lirë blihet. Në rastin kur votuesit e një njësie zgjedhore e zgjedhin një deputet, ata mendohen më gjatë, votojnë më me përgjegjësi, e votojnë vetëm kandidatin që e njohin, angazhohen më shumë për ta njohur etj. Besoj që tek ne pak deputetë do të zgjidheshin në rundin e parë e shumica do të zgjidheshin në rundin e dytë, përkatësisht në balotazh. Në rundin e dytë edhe më shtohet interesimi, përkushtimi i votuesit dhe gjasat që të fitoj më i miri janë më të shumta. Edhe votuesit i shtohet shpresa dhe vullneti se ai mund të kontribuoj për të mirë. Vjedhjet brenda partisë nuk ekzistojnë, por edhe midis partive vështirë të ndodhin , sepse gjithçka është më e thjeshte dhe mundësia e vjedhjeve shumë e vështirë. Fillon një seleksionim pozitiv.
Edhe në komuna këshilltarët do të duhej të zgjidheshin në këtë mënyrë. Pra komuna të ndahet në aq njësi zgjedhore sa këshilltarë i ka.

Një ditë një mik i imi më tha: “Në komunën tonë janë zgjedh këshilltarë tre persona që janë marrë me shitblerjen e drogës, që kanë bashkëpunuar me regjimin okupues” dhe mi tregoi me emër. Ashtu është. Pra e vërtetë, sepse të njëjtit, duke gënjyer, duke premtuar, duke paguar kafe, dreka... i kanë marrë nga disa vota thuajse në çdo fshat. Pika pika është mbushë pusi. Ne e dimë nivelin e votuesit tonë, krizën morale, krizën e sistemit të vlerave... Megjithatë në asnjë njësi zgjedhore nuk do të fitonin të tillët. Përsëri populli, votuesi anon kah e mira. Pastaj kundërkandidati i atij që ka bërë çka është një e zezë do t`i a thoshte, do ta demaskonte. Edhe intelektualët, ata që kanë arrit ta kuptojnë se pa zgjedhjen e deputetëve më të mirë nuk ka përparim do të ishin më aktiv sepse me këtë sistem është më e prekshme mundësia e ndikimit. Me këtë sistem të zgjedhjeve do të fillonte këndellja, pjekuria, ecja. Vendosja prej liderëve të partive dhe një rrethi të ngushtë afër tyre do të kalonte tek votuesi.
Të zgjedhurit tanë kanë obligime shtesë, shumë më të mëdha se të zgjedhurit e vendeve të cilat tashmë e kanë  krijuar shtetin ligjor

Dikush mund të më thotë se në botë zbatohen edhe njëri e edhe tjetri sistem zgjedhor, pra edhe sistemi i shumicës, edhe ai proporcional e edhe ai i kombinuar dhe në vende të ndryshme janë treguar të suksesshëm. Unë i përgjigjëm se ato shtete tashmë e kanë krijuar shtetin ligjor, institucionet stabile, kulturën politike, sistemin e vlerave... ndërsa ne “po përpiqemi” t`i krijojmë dhe jemi larg që ta bëjmë atë. Në këtë situatë kur nuk kemi institucione kredibile, të pavarura, profesionale, që nxjerrin ligje dhe i zbatojnë ato, duhet t`i gjejmë, t`i zgjedhim njerëzit që e bëjnë këtë. Pra të zgjedhurit tonë kanë obligime shtesë, shumë më të mëdha se të zgjedhurit e shteteve që tashmë i kanë qitë punët në dyzen dhe ne duhet t`i hapim sytë, t`i bëjmë katër për arsye se kemi arrit në situatën “Të jesh a të mos jesh”.
Sistemi zgjedhor që e propozova i demokratizon partitë. Ata që vendosin për kandidatët, më nuk e kanë luksin që t`i fusin në listë vetëm të dëgjueshmit, ata që nuk kanë guxim intelektual , karrieristët, mashtruesit, hajnat, sepse i ndëshkon votuesi, nuk ua jep votën. Pastaj deputeti që ka fituar në një njësi zgjedhore është më autonom, është dikushi dhe në vend se t`i shërbej dhe nënshtrohet atij që e ka futë në listë i shërben votuesit, për arsye se zgjedhja e tij varet nga votuesi. 
Asnjë prej partive politike nuk është angazhuar me vendosmëri për miratimin dhe zbatimin e këtij sistemi me lloj-lloj arsyetimesh. Kjo për faktin se ky sistem sjell ndryshime në udhëheqësi, ua merr monopolin e vendosjes rretheve të ngushta brenda partive, krijon autoritete të reja morale, politike... Besa krijon ambient të përshtatshëm për të dalë në skenë ndonjë forcë e re që mund t`i sjell të mira këtij vendi.
Një arsyetim bajat që e kam dëgjuar është se ndarja e Kosovës në më shumë njësi zgjedhore e thellon edhe ashtu ndarjen regjionale, krahinore... Kjo nuk qëndron sepse më shumë e thellon ndarjen fakti që disa komuna nuk e kanë asnjë deputet në parlament, derisa disa të tjera i kanë nga katra-pesë. Pastaj më shumë e thellon përçarjen ndarja shumë e padrejtë e investimeve nëpër regjione, krahina dhe komuna, se sa ndarja në njësi zgjedhore. Realisht më së shumti pakënaqësi shkaktojnë padrejtësitë, qoftë te përfaqësimi në organin legjislativ, qoftë te ndarja e investimeve. Në Kosovë te popullata shqiptare ka pakënaqësi ndaj padrejtësive në shpërndarjen e mjeteve buxhetore, por nuk ka asnjë tendencë për ndarje, përkundër asaj se elita politike shpesh herë i  nxitë ato.

Sistemi i kombinuar mazhoritar-propocional, siç e propozova, i jep mundësi një partie që ta siguroj shumicën parlamentare, ose që atë ta siguroj në koalicion me një parti tjetër të vogël. Rëndom një parti e madhe mbetet në opozitë, ndërsa numri i partive zvogëlohet, sepse partitë e vogla e kanë më vështirë të mbijetojnë.
Me këtë sistem zgjedhor që e kemi përkundër premtimeve, zotimeve, përbetimeve... të gjitha partitë politike vijnë duke u degjeneruar, fitojnë mashtruesit, humbin të ndershmit. Kështu ka ndodhë deri tani dhe do të ndodhë edhe më tutje.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora