E premte, 29.03.2024, 07:06 AM (GMT)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Përse është historike Romela Begaj e 6-ta e Olimpiadës

E hene, 11.08.2008, 03:48 PM


Romela Begaj
Përse është historike Romela Begaj e 6-ta e Olimpiadës

Nga Besnik Dizdari

Dje ka qenë një ditë historike për sportin modest shqiptar. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një sportiste e saj ka shënuar emrin në renditjet e larta të një Olimpiade. Më saktë, për herë të parë një sportiste shqiptare është përfshirë midis 6 më të mirave të historisë së Olimpiadave. Romela Begaj, një vajzë nga Tirana, ende pa i mbushur 22 vjetët, Kampione e Evropës 2008 në stilin e shkëputjes të peshës 58 kg, bronz në shtytje dhe Nënkampione e Evropës në dygarësh, arrin renditjen më të lartë të derisotme të Shqipërisë në historinë e Lojërave Olimpike në sportet e femrave. Ajo zë vendin e 6-të në dygarëshin e peshës 58 kg të Olimpiadës së Pekinit 2008, duke hyrë në historinë e sportit kombëtar si femra e parë, e cila rrëmben primatin shqiptar të një arritjeje olimpike për sportin e Shqipërisë së vogël të 3.5 milionë banorëve dhe të 28.754 kilometrave katrorë sipërfaqe. Jemi të detyruar të flasim kësisoj për të kuptuar më mirë jo vetëm vlerat sportive të kohës, gjeopolitikën e zhvillimit të sportit botëror, por dhe rivalitetet e ashpra ndërkombëtare në sportin e Shekullit XXI, mbi të gjitha përmasat “e frikshme” të një Olimpiade në varësi të rezultateve e synimeve të rreth 204 shteteve, të cilët kanë shpalosë flamujt e tyre kombëtarë në Pekin 2008.

Asnjë sportiste shqiptare deri më sot nuk kishte arritur të ishte midis 6 më të mirave në një Olimpiadë. E arriti Romela Begaj. Çka do të thotë se kjo vajzë me një vështrim modest, me një buzëqeshje krejt të sinqertë, po me një forcë të jashtëzakonshme fizike dhe shpirtërore, e përfshiu veten midis sportisteve më të mira të botës në garën e saj, duke treguar se ka një të ardhme të shkëlqyeshme.

Medaliste e bronztë në Kampionatin Botëror të të rinjve më 2006, Nënkampione e Evropës më 2007, Kampione e Evropës më 2008 dhe në gjashtëshe të elitës së Olimpiadës më 2008, Romela Begaj e Sportklub Tiranës me trajner Hektor Shaqirin, është konfirmimi më i ri i shndërrimit të peshëngritjes në sportin kombëtar të Shqipërisë. Nuk do të shtyhemi në histori të tjerruna gjatë, sepse një editorial nuk ta lejon. Mjaftohemi të theksojmë se Begaj vërteton edhe një herë atë që ditët e fundit na e tha presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi: se ky sport nuk e ndal ecurinë e tij ndërkombëtare në Shqipëri. Dhe preku Olimpiadën në shkallët e larta të saj.

Është vërtet e çuditshme se si është arritur që ndonëse peshëngritja është përfshirë në Lojërat Olimpike vetëm në vitin 2000 e megjithatë Shqipëria të jetë ndër shtetet e niveleve të larta, kur dihet se në tanësi sporti i femrave në Shqipëri mirëfilli ka lindur vetëm mbas viteve ’50! Ndërsa në peshëngritje për femrat nuk ka mbushë dekadën e krijimit dhe të ushtrimit.

Olimpistja 22-vjeçare e Shqipërisë, Romela Begaj, zhvilloi një garë prej mjeshtreje, duke mos u stepur nga madhështia e një Olimpiade, me të cilën ajo “takohej” për herë të parë. Pa u tronditur prej sportisteve të tilla fenomenale si kinezja Yanging Chen – Kampione Olimpike apo Nënkampionia Olimpike Marina Shainova e Rusisë, Begaj dha një shembull të mrekullueshëm teknik për sportistët shqiptarë, gjithnjë thembra e Akilit e pjesëmarrjeve të tyre: ajo ndoqi realizmin e rezultateve të saj të mbërritura në stërvitje, si të thuash, në një duel me vetveten, teksa e kuptonte më së miri peshën e shifrave të larta të titullareve të paprekshme. Spektakolare për ne ishte ritmika pa ndalesë në tri herët e stilit të shtytjes: 110, 115, 118 kilogramë dhe 216 kg në dygarësh! Romela ndoqi shifrat e saj dhe i mbërriti. E vetëdijshme se medalja nuk mund të ishte e afërt për te, në këte garë të sunduar prej dragonjve të peshëngritjes aziatike, ajo pati nderin që për sa i përket Evropës së 54 shteteve, të kalohej vetëm prej Rusisë gjigante në këte sport, shteti i cilës së bashku me Bashkimin Sovjetik deri më sot ka fituar 76 medalje olimpike në peshëngritje, prej të cilave 42 ari - tepër larg gjithë të tjerëve. Me këte nuk duam të gabojmë e të themi se Shqipëria është shkolla e dytë e peshëngritjes në Evropë. Duam të themi vetëm kaq: Romela Begaj e Shqipërisë u rendit e 6-ta në Lojërat Olimpike të Pekinit, deri më sot renditja më e lartë e sportit shqiptar të femrave në një Olimpiadë, kur dihet se 6 vendet e para përbëjnë elitën olimpike.

Mu për këte themi se është historike Romela Begaj e 6-ta e Olimpiadës!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora