E enjte, 28.03.2024, 06:30 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Epitafi

E hene, 07.03.2016, 09:25 PM


EPITAFI

Nga Reshat Kripa

E kisha bërë zakon që çdo vit në datën e përvjetorit të vdekjes së prindërve të mi, të shkoja në varreza dhe të vendosja një tufë me lule mbi varroshin e tyre. Ulesha pranë tyre, vështroja fotografinë e stamposur në porcelan dhe filloja bisedën me ta. U tregoja për gjithçka kishte ndodhur në familjen tonë. Ndonjë herë kur kisha vështirësi u kërkoja edhe mendim dhe më dukej sikur ata më përgjigjeshin dhe unë e ndjeja veten të lehtësuar.

Aty pranë tyre ndodhej edhe një varr tjetër. Ishte një varr i thjeshtë fare, vetëm me bordurat anësore që i vendoste ndërmarrja komunale dhe një pllakë në krye ku ishin shkruar emrat e atyre që preheshin aty. Ishte varri i mikut tim Agronit. Ai prehej aty së bashku me familjen e tij tragjike. Si mbaroja vizitën te prindërit e mi, kthehesha edhe nga miku im, për të vendosur edhe atje një tufë me lule për kujtim. Ishin lulet e vetme që vendoseshin mbi atë varr.

Kështu veprova edhe atë ditë marsi të vitit 1993, në ditën e njëzetvjetorit të vdekjes së tim eti. Bleva dy buqeta me lule dhe shkova të bëja ritin e zakonshëm. Në fillim u gjunjëzova në varrin e prindërve. Vendosa tufën e luleve dhe vazhdova bisedën si zakonisht. Pastaj u ngrita dhe u drejtova nga varri i mikut tim.

U habita pa masë kur pashë se në vend të varrit të thjeshtë që kisha lënë para një viti, tani ngrihej një varrosh madhështor. Në pllaken e mermertë të tij lexohej:

AGRON         CANAJ           1930 – 1987

LUMTURI     CANAJ           1932 – 1974

IRIDA            CANAJ           1959  – 1974

Në mes të pllakës, mbi emrat e tyre ishte vendosur një fotografi e bukur porcelani e të gjithë familjes, ndërsa poshtë tyre ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:

‘’ NË   JETË   NUK   PATËT   GËZIM,

NJERËZIT  JU  KISHIN   HARRUAR,

POR      ZOTI     ME     PËRDËLLIM,

JU    DHA   LIRINË   E    AMËSHUAR! ‘

U habita kur pashë një varrosh të tillë. U ula me respekt pranë tij, vendosa buqetën e luleve dhe vështroja fotografinë dhe epitafin e shkruar. Atë fotografi e kisha parë në albumin e Agronit. Kishin dalë një vit para se t’i vdiste e shoqja. Ishte fotografia e tyre e fundit.

- Ky varr ka shumë dhimbje! - u dëgjua një zë prapa meje. U ktheva dhe pashë specialistin që merrej me ndërtimin e varrosheve.

- Kush e ka porositur këtë? - e pyeta.

- E porositi i vëllaj që banon në Tiranë. Ka ardhur disa herë qe ta vizitojë. Ato lulet që kanë filluar të vyshken ai i ka sjellë.

Veshtroja epitafin e shkruar aty dhe para syve me dilte ngjarja e hidhur që kishte ndodhur para njëzet vjetësh. Ishte një ngjarje e dhimbëshme nga ato që nuk mund të harrohen kollaj dhe që rasti e kishte bërë qe unë të bëhesha dëshmitari i vetëm i saj.

***

Isha në zyrat e sektorit së bashku me mikun tim Astritin, që ishte teknik i sektorit, kur trokiti porta.

- Hyni! - foli Astriti.

Në dhomë hyri një burrë rreth të pesëdhjetave, me trup mesatar, sytë bojë qielli të mëdhenj, ballin të gjërë dhe flokët bjond që kishin filluar të zbardheshin. Kishte veshur një palë pantallona doku ngjyrë gri dhe një këmishe bojë qielli me vija të bardha. Vështroi nga ana e jonë si me frikë, pastaj u afrua dhe pyeti:

- Këto janë zyrat e sektorit te investimeve?

- Po. - u pergjigj shkurt Astriti.

- Më   kanë   dërguar      punojë      sektorin   tuaj. –  vazhdoi  ai  duke  zgjatur   një

letër qe ia kishte dhënë shefi i kuadrit. Astriti mori letrën dhe mbasi e lexoi i tha:

- Çfarë profesioni keni?

Burri u mendua pak si i zënë ngushtë pastaj u përgjigj:

- Punëtor, megjithse kam punuar në shumë profesione, por nuk kam asnjë kategori

- Ku keni punuar? – e pyeti përsëri Astriti.

Burri  heshti sikur donte të mendohej në se duhej ta thoshte atë fjale apo jo. Më në fund foli me një gjysmë zëri:

- Kam një muaj që  jam liruar nga burgu. Kam punuar nëpër kampe të ndryshme.

Unë dhe Astriti pamë njëri-tjetrin në sy.

- Përse keni qënë të dënuar?

- Agjitacion dhe propagandë

Një heshtje pasoi fjalët e tij Pastaj për të ndërruar temën e bisedimeve Astriti e pyeti:

- Çfarë njerëz keni në familje?

- Vetëm nënën time plakë.

- Nuk jeni i martuar?

- Kam qënë dikur. Kam patur edhe fëmijë.

Unë dhe Astriti menduam se do e kishte ndarë e shoqja kur ai ishte në burg. Por ai vazhdoi:

- Tani ato ndodhen në qiell.

- Më falni! – i tha Astriti dhe vazhdoi – Si ju quajnë? – Por aty për aty u kujtua për letrën e shefit të kuadrit. E mori atë dhe pasi hapi librin e personelit shënoi:

‘’ Agron Bexhet Canaj, punëtor kategoria e parë, datëlindja 15 mars 1930, banues lagja 24 maj, rruga Transballkanike, pallati 526, nr. 13 Vlorë.’’

- Mirë atëhere, nesër do të filloni nga puna në pallatin që ndërtojmë në hyrje të qytetit - dhe i tregoi vendin ku ndodhej pallati – Në orën 6.30 takohemi atje. Do të njiheni edhe me shokët e tjerë të punës.

- Faleminderit! - u përgjigj burri dhe pasi na përshëndoshi u largua duke mbyllur pas vetes portën e zyrës.

Mbetëm për një farë kohe pa folur. Prania e këtij personi na kishte habitur. Nuk e njihnim. As emrin nuk ia kishim dëgjuar. Por sidoqoftë me atë pak bisedë që bëmë me të mësuam se diçka e dhimbëshme i kishte ndodhur.

- Merreni si ndihmësin tuaj dhe mundohuni të zbuloni ndonjë gjë për personin e tij - tha Astriti.

***

Të nesërmen e gjetëm duke na pritur.

- Eja të pimë nga një kafe. – foli Astriti.

Ngurroi por këmbëngulja e jonë e detyroi të pranonte. Porositëm tre kafe dhe tre raki  të cilat i solli kamarjeri.

- Më falni, por unë nuk e pi rakinë! – tha Agroni

Kamarjeri e mori përsëri rakinë e tij. Pinim dhe bënim muhabete të ndryshme. Mundoheshim që të mos bënim biseda që do ta lëndonin. Si mbaruam u ngritëm dhe shkuam te pallati ku ishin mbledhur edhe shokët e tjerë.

- Agron Canaj është një punonjës i ri i sektorit tonë. - tha Astriti – duke filluar që sot do punojë në brigatën tuaj.

- Le të punojë me mua. – thashë unë.

Kështu që atë ditë ai filloi punë si ndihmësi im. Ishte një tip i mbyllur. Fliste fare pak, vetëm kur i drejtoheshe atij të përgjigjej fare shkurt, pastaj humbiste në vetminë e tij.

Në punë ishte shumë i rregullt. Me siguri kjo vinte nga disiplina e hekurt e kampeve ku kishte qënë. Unë mundohesha t’i qëndroja pranë, por vija re se ai më shmangej. Disa herë e kisha ftuar për të shkuar në kinema apo ndeshje futbolli, por shumë rrallë kishte pranuar. Dukesh sikur e kishte humbur kuptimin e jetës. Vrisja mendjen të gjeja shkakun e kësaj gjendje. Mos ishte burgu i gjatë, apo humbja e familjes shkaktari i këtyre gjërave? Këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepja përgjigje.

Një ditë ndërsa pinim kafe qëllimisht i tregova për jetën time. I tregova se edhe unë kisha qënë në burg, se kisha vuajtur njësoj si ai, por isha përsëri i gjallë. Isha martuar dhe më kishin lindur edhe fëmijë. I bëra thirrje edhe atij të gjente forca dhe të fillonte një jetë të re

- Jeta ime e re është vetëm varri! – u përgjigj me gjysmë zëri.

Që atë ditë shoqëria e jonë u bë më e dukshme. Dilnim vazhdimisht së bashku dhe bisedonim për gjëra të ndryshme. Shpesh herë i tregoja ngjarje nga jeta e burgut me shpresë se edhe ai do të fillonte të më tregonte të tijat. Por ai vazhdonte të heshte. Megjithatë unë e kisha atë durim që të prisja kur të vinte momenti i volitshëm dhe të më tregonte vetë.

***

Një ditë takova Besimin, një mikun tim të burgut që mbasi kishte bërë 28 vjet burg, ishte liruar para një viti.  Biseduam gjërë e gjatë për probleme të ndryshme. Së fundi e pyeta edhe për mikun tim të ri

- Nuk di ç’të  them! Kemi qënë bashkë në kampin e Spaçit. Në mos gabohem ai ka ardhur atje rreth vitit 1974.  Ishte një tip i mbyllur, i çuditshëm, pak i shoqërueshem.

Mbasi u mendua pak vazhdoi përsëri:

- Shokët e grupit të tij e kishin abandonuar. E akuzonin se i kishte tradhëtuar në sigurim.

Ky lajm sikur më tronditi. Megjithatë e pyeta:

- Po ti ç’mendim ke për të?

- Gjithmonë e kam parë me një sy dyshimi  një  gjë    tillë,   sepse    ai   nuk   kishte  asnjë  shenjë  spiuni  si  ata   njohim  ne.  Rrinte vetëm,  nuk provokonte kurrë njeri. Punonte në galeri dhe kur ktheheshim hiqej mënjanë dhe lexonte ndonjë libër. Kur ishte në kamp i vdiq gruaja dhe vajza. Ndoshte ishte ky shkaku që qëndronte i shkëputur nga të tjerët. Ka mbaruar studimet e larta për inxhinier elektrik.

Unë mbeta i habitur. Kisha disa muaj me të dhe nuk ma kishte thënë një gjë të tillë. Besimi ndezi një cigare të cilën e thithi thellë dhe pastaj vazhdoi:

- Me gjithë llafet e hapura, unë i qëndroja pranë. Kisha përshtypjen që ai ruante diçka të rëndë brenda vetes të cilën nuk kishte kurajo t’ja tregonte njeriu. Por jo se ishte spiun. Për këtë u binda më tepër  kur i tregova gjoja për disa shokë të cilët kishin vendosur të arratiseshin, bile i tregova edhe datën e caktuar  prej tyre për këtë qëllim. Këtë e bëra për ta provokuar. Por ai nuk i tregoi njeriu. Asnjerin prej shokëve nuk e gjeti gjë. Së fundi ja thashë dyshimin tim. Ai buzëqeshi dhe më tha:

- Atë opinion e kam peshqesh nga shokët e mi më të ngushtë.

Besimi hodhi poshtë cigaren e ndezur dhe pyeti:

- Kur është liruar?

- Para tre muajve. Ka filluar punë në sektorin tonë.

- Mbaje pranë. Kam përshtypjen se ka nevojë për njerëz të mirë  që ta ndihmojnë të kthehet në jetë.

Atë mbrëmje pothuajse nuk fjeta fare. Mendimet më fluturonin nga një ekstrem në tjetrin. Inxhinier ndërtimi që as  e përmendte fare, sot punëtor i thjeshtë. 10 vjet burg. Shokët e akuzonin për tradhëti. Gruaja dhe vajza të vdekura njëra mbas tjetrës. E pra të gjitha këto e kishin një shkak që unë nuk mund ta gjeja dot me mendjen time.

Të nesërmen ngjarjen ia tregova Astritit  që u habit më tepër se unë. Megjithatë vendosëm të ruajmë shoqërinë me të dhe t’ia lemë kohës qe ta zgjidhë këtë mister.

Mbas disa muajsh Agronit i vdiq e ëma. Lajmërova Astritin, por ai nguroi të vinte se kishte frikë mos e hiqnin nga puna si teknik ndertimi. Besimi erdhi menjëherë. Të dy shkuam për ta varrosur. Në shtëpi gjetëm Agronin, të vëllanë që banonte në Tiranë dhe disa të afërm të tjerë. Gjithsejt jo me shumë se 10 veta. Trupin e së ndjerës e vendosëm në varrin e të shoqit. Pranë tyre ishin dy varre të tjerë. Mbi pllakat e betonit të vendosura në bordurat e tyre ishin shkruar me bojë të zezë emrat e gruas dhe vajzës së Agronit. Ishin vendosur edhe dy fotografi ku kishin dalë të dyja të qeshura si vetë jeta. Vështrova Agronin. Sytë e tij ishin të mbushura me lot. Po qante pa zë duke parë fotografitë e tyre.

E lashë të shfrente mirë e mirë dhe pastaj i futa krahun dhe e tërhoqa duke i thënë:

- Eja të ikim tani.

U larguam nga ai vend i trishtuar.

***

Ditët rridhnin njëra mbas tjetrës dhe bashkë me të edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita kur u njoha me Agronin. Tashmë kishim formuar një shoqëri të vërtetë. Takoheshim çdo ditë. Natyrisht më shumë shkoja unë në shtëpinë e tij, mbasi banonte vetëm atje dhe ishim të lirë për të biseduar për lloj lloj temash  Por më tepër biseda shtrihej mbi letërsinë që e kishte shumë për zemër.    tregoi  se  kur kishte mbaruar shkollën e mesme për në universitet kishte kërkuar për letërsi, por nuk ia kishin dhënë.

Në shtëpi kishte një etazher shumë të pasur që e ema e kishte ruajtur të fshehur gjatë kohës kur ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Aty gjeje që nga ‘’ Prometeu i lidhur ‘’ i Eskilit deri te ‘’ Viti 93 ‘’ i Hugoit, që nga ‘’ Lufta dhe Paqja ‘’ e Tolstoit deri te ‘’ Makbethi ‘’ i Shekspirit, që nga ‘’ David Koperfildi ‘’ i Dikensit deri te ‘’ Tre shokët ‘’ e Remarkut. Aty gjeje edhe letërsi shqipe që nga ‘’ Historia e Skënderbeut ‘’ e Naimit deri te          ‘’ Albumi ‘’ i Nolit, që nga ‘’ Vargjet e Lira ‘’ të Migjenit. deri te ‘’ Per mbrojtjen e atdheut ‘’ të Foqion Postolit, që nga ‘’ Qyteti i fundit  ‘’ i Petro Markos deri te             ‘’ Keshtjella ‘’ e Ismail Kadaresë. Në një kënd të fshehtë të tij gjeje vepra të Niçes, Frojdit, Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos. Në atë dhomë gjeje kënaqësinë më të madhe që mund të provoje në ato kohëra.

Ishte një ditë shtatori e vitit 1986. Shkova në shtëpinë e mikut tim pasi kishte tre ditë që nuk kishte ardhur në punë. Kur e pashë m’u duk pak si i ndryshuar.

- Sa mirë bëtë që erdhët ! – më tha – Ju prisja. Kisha nevojë të bisedoja me dikë.

Mori dy shishe birrë dhe i vuri në lavapjatë dhe hapi çesmën që të ftoheshin.

- Përse i nxorre ato? – e pyeta unë – Ti nuk ke pirë asnjëherë.

- Sot ndjej nevojën për të pirë. – u përgjigj dhe nxorri nga dollapi pak djath dhe sallam si dhe vuri dy kokra vezë që të zjenin.

- Pardje isha te mjeku. Kam disa kohë qe ndjej një shtrëngim në stomak. Ai më dha të bëja të gjitha analizat. I bëra dhe sot mora përgjigjen.

- E si të dolen?

- Kancer – u përgjigj i qetë. – Doktori nuk donte të më tregonte, por kur unë këmbëngula duke i thënë se nuk kam njeri, më tregoi të vërtetën. Nesër do të shtrohem në spital në Tiranë në onkologjikun.

Unë mbeta si i shastisur. Lajmi ishte shumë i rëndë. Nuk gjeja fjalë për t’i thënë. Megjithatë e mblodha veten nga hutimi i parë dhe  fola:

- Me siguri kanë gabuar. Bëji analizat përsëri dhe do të shohësh që do të dalin mirë

- Jo, jo nuk janë gabim. Erdhi koha të shkoj te të dashurit e mi.

Vendosi në tavolinë shishet e birrës dhe si mbushi gotat e ngriti njërën dhe më tha:

- Gëzuar!

- Gëzuar dhe një shërim sa më i shpejtë!

- Kemi mbi tre vjet që njihemi. – më tha – Më ke treguar gjithçka për veten tënde, ndërsa unë kam heshtur. Çdo kujtim e kam mbajtur të mbyllur brenda vetes time. Sot dua të flas. Deri më sot kam menduar se ishte më mirë që sekreti të vdiste bashkë me mua. Kurse tani që po e ndjej vdekjen të më afrohet mendoj se duhet t’ia them dikujt. Nuk kam njeri të afërm të familjes. Vëllaj i vetëm largohet nga unë si djalli nga thimjami. Ndaj dua të ta tregojë ty. Ti je miku im më i afërt.

Kisha kohë që e prisja tregimin e tij, por momenti i zgjedhur nuk m’u duk i përshtatshëm.

- E lëmë për ndonjë herë tjetër. – i thashë – Ke për të parë që do të shkosh në Tiranë dhe ata do të  kthejnë përsëri.

Ai u ngrit, u drejtua nga etazheri dhe nxorri prej andej një libër. Ishte libri ‘’ Idetë filozofike të shekullit të njëzetë dhe katër ese për lirinë ‘’ të filozofit Izajah Berlin, botuar në vitin 1969 në gjuhën angleze.

-Shiko se çfarë shkruan Berlini – dhe filloi të lexojë – Dëshira ime si njeri është që jeta e ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti  im dhe i askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjëshme. Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marr vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua, të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo  njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qënie njerëzore.

Mbylli librin dhe e vendosi mbi tavolinë.

- Kështu isha dhe unë. Doja të isha dikushi dhe jo askushi. Por ky sistem në të cilin po jetojmë nuk të lejon të bëhesh dikush. Ai kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askushi. Kjo gjë ndeshi me karakterin tonë. Ishim tre shokë. Kishim mbaruar universitetin së bashku. Mendonim se ishim intelektualë me personalitetin e tyre. Por shpejt mësuam se këto ishin vetëm iluzione. Ne e ndjenim që para nesh qëndronin dy alternativa, ose të ruanim personalitetin tonë ose të ktheheshim në lakej që gëzonin frutet e servilizmit të tyre. Ne zgjodhëm të parën. Donim të ruanim dinjitetin tonë. Donim ne, ëndërronim për këtë. Ishim në qiell, kurse në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.

Agroni pushoi së foluri, ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua pa folur dhe pastaj vazhdoi:

-Ishte një natë tetori. Ora po shkonte dymbëdhjetë. Një trokitje e fortë në portë na zgjoi nga gjumi i thellë në të cilin kishim rënë. Nëna u ngrit dhe mbasi pyeti se kush ishte hapi portën. Ishte Ilia, operativi i degës së punëve të brendëshme me një grup policësh. Përmendën emrin tim. Ndërkohë unë isha ngritur dhe dola para tyre.

- Do vish pak me ne – tha ai – Kemi nevojë për disa sqarime.

U vesha dhe dola me ta. Gjatë rrugës nuk folëm fare. Vrisja mendjen përse të më kishin marrë. Kur mbërritëm në degë më hoqën rripin e pantallonave, orën e dorës dhe disa sende të tjera që kisha me vete dhe më mbyllën në një qeli të errët. Nuk e di sa ndenja atje mbasi nga errësira e përjetëshme nuk kuptohej në se ishte ditë apo natë.

Më në fund më thirri Ilia në zyrë. Më kërkoi që të nënshkruaja një deklaratë. E lexova. Ishte një deklaratë bashkëpunimi. Natyrisht që nuk pranova duke i thënë se nuk e ndjeja veten të aftë për atë punë. Atëherë ndërroi taktikë. Filloi të më akuzojë për komplot kundër pushtetit popullor, për agjitacion dhe propagandë. Më përmendi edhe emrat e dy shokëve te mi. Më tregoi edhe disa deklarata të firmosura prej punonjësish të ndërmarrjes, ku sipas tyre unë dhe shokët e mi paskëshim folur kundër partisë dhe qeverisë. I mohova të gjitha në mënyrë kategorike. I thashë se ato janë shpifje të njerëzve pa moral. Atëherë nisën torturat e tmerrshme për të cilat nuk do të flas pasi ti i ke provuar vetë.

Mori përsëri gotën e birrës, piu pak dhe hodhi vështrimin rreth e rrotull si pa vëmendje. E mora me mend se ajo që do të tregonte ishte shumë e dhimbëshme ndaj i thashë:

- E vazhdojmë nesër bisedën?

- Jo, dua ta mbaroj sot. Të thashë që nesër do të shkoj të shtrohem.

Heshti dhe pak, pastaj vazhdoi:

- Kishin  kaluar   shumë  se  dy  muaj  nga  dita e arrestimit. Isha fare i  cfilitur,   por

nuk kisha pranuar asgjë. Një natë ndërsa flija në qeli, dëgjova zërin e rojes që më ftonte të ngrihesha. Më shpunë në zyrën e Ilias. Bashkë me të ishte edhe hetues Demiri, një egërsirë tjetër si ai.

- Hë a u mendove? Çfarë do të na thuash?

- Asgjë. Gjthçka që kisha për të thënë ju a thashë.

- A e ke menduar mirë?

- Po.

Demiri bëri nje shenjë nga Ilia. Ai doli jashtë dhe pas pak u kthye duke sjellë pas vetes gruan dhe vajzën time. Një drithtërimë më përshkoi trupin. Ç’kërkonin ato në atë ambjent. Çfarë kishin ndër mend të bënin. Ilia mori prangat dhe më lidhi duart nga prapa dhe pastaj me ndihmën e një litari më lidhi pas kaloriferit të zyrës. Pastaj filloi të më qëllonte me egërsi. Gruaja dhe vajza qanin dhe ulurinin.

Si u lodh me mua, ai u drejtua nga gruaja dhe duke i shkuar duart në gjoksin e saj i tha:

- Gjinj të bukur paske moj bukuroshe! Të shohim në se je kaq e mirë edhe në atë punen tjeter.

Ndërsa Demiri iu drejtua vajzës dhe duke i zbërthyer bluzën i tha:

- Po ti moj vogëlushe, a e ke provuar ndonjëherë?

Ato kundërshtonin me forcë, por ata vazhdonin punën e tyre.

- Lëshojini egërsira! – thirra unë i lidhur në qoshkun tim.

Ata vazhdonin punën e tyre.

-- Babi, ndihmona Babi! – thërriste vajza e tmerruar.

- Agron, Agron! - foli gruaja e lemerisur.

Në atë kohë nuk durova dot më. Logjika nuk kishte më forcë.

- Lëshojini! Do të them çfarë të doni ju.

U tërhoqën menjëherë. Gruan dhe vajzën i nxorrën përjashta. Me to iku edhe Ilia. Demiri u ul në tavolinën e tij, nxorri disa fleta letre, mori penën dhe tha:

- Fillojmë!

Dhe unë fillova. Isha bërë një send pa vlerë që manovrohesh nga të tjerët. Me pak fjalë isha bërë askushi. Aty kuptova që rrethanat më detyruan të humbas dinjitetin tim. Të nesërmen arrestuan dhe shokët e mi. Pas disa muajsh dolëm para gjyqit. U dënova me dhjetë vjet burg. Njeri nga shokët e mi u ekzekutua., tjetri me dymbëdhjetë vjet  Prej andej na shpunë në burg. Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të unë isha një tradhëtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan ta bëja një gjë të tillë. Atëherë u mbylla brenda vetes time dhe nuk shoqërohesha më me njeri.

Ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua dhe e piu deri në fund.

- Mos ju bezdisa me historinë time? – më tha.

- Jo, - u përgjigja - vazhdoni, po ju dëgjoj me vëmendje.

- Mirë atëhere, po vazhdoj. Tani jemi afër fundit. Pas disa ditësh  na dërguan në kampin e Spaçit. Porsa mbërrita atje i shkruajta familjes se ku ndodhesha . Ditët kalonin dhe askush nuk po vinte të më takonte. As edhe një letër nuk po më vinte. Kështu kaluan rreth gjashtë muaj. Kur një ditë tellalli thirri emrin tim për takim. U nisa me vrap drejt gardhit me tela.  Pas  tij  pashë  vetëm  nënën  time    plakur  jashtë  mase.  E  pyeta  për vajzën dhe gruan, por ajo nuk u përgjigj. Këmbëngula përsëri dhe më në fund më tha me një zë te dridhur:

- Mbaje veten more bir! Ato tani ndodhen në qiell.

Një ngërç i madh më pushtoi zemrën. Fillova të qaj si fëmi. Nga ana tjetër e gardhit me gjemba, nëna qante gjithashtu.

-- Mos qaj bir! – tha ajo duke fshirë lotët – Më ke mua dhe të dy do t’i bëjmë ballë çdo gjëje.

- Takimi mbaroi . – foli roja që na shoqëronte.

U ndamë duke lotuar. Kisha mbetur fare i vetëm, pa shokë dhe pa familje. Si ishte e mundur të vdisnin të dyja? Mendja më shkoi te nata e sigurimit dhe nuk e di sepse e lidha vdekjen e tyre me atë natë.

Dhimbjen  ma  shtonte   shumë  vetmia në të cilën ndodhesha.  Të paktë ishin ata që

erdhën dhe më ngushëlluam. Shokëve të mi nuk u mjaftoi as vdekja e më të dashurve të mi për t’u afruar me mua. Vetëm Besimi dhe nja dy tre shokë të tjerë  m’u ndodhën pranë. Por kjo ishte fare pak për zemrën time të copëtuar.

Pasi kreva dhjetë vjet burg u lirova. Në shtëpi më priste nëna plak.

- Nuk mund të vdisja pa të pritur ty! – më tha.

Nëna më tregoi momentet e fundit të gruas dhe vajzës.

- Atë mëngjes që u kthyen nga sigurimi, ato ishin si të çoroditura. Irida kishte humbur gojën, ndërsa Lumturia më dukej sikur fliste përçart. I pyeta se çfarë kishte ndodhur, por fjalët që thanë as i kuptova fare. Pas disa ditësh vizituam Iridën te mjeku. Ai na rekomandoi ta shtronim në spitalin psikiatrik. Pas disa ditësh na erdhi lajmi i kobshën që vajza ishte hedhur nga bollkoni. Kaluan disa muaj. Një ditë erdhi te unë Lumturia dhe pasi më dha një letër që e kishte mbyllur në zarf më tha:

- Këtë letër ruaje dhe jepja Agronit kur të dalë nga burgu.

- Po ti ku do ikësh moj bijë? - e pyeta unë

- Nuk m’u përgjigj. Të nesërmen kur hyra në dhomën e saj e gjeta të vdekur në shtrat. Pranë saj gjeta një shishe me helm. Këto di nëna mor bir. Merre letrën që të ka shkruar Lumturia. Ajo të drejtohet ty.

E mora letrën me duart që më dridheshin. E hapa dhe lexova:

‘’ I dashur Agron!

Në çastin që po të shkruaj këto rradhë kam pirë lëngun vdekje prurës.  Fuqitë po më lënë. Në momentet e fundit dua të  tregojë shkaqet e veprimit tim. A e mban mend natën e sigurimit? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë pre e akteve  shtazarake    atyre  dy  banditëve.  Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmendur, ndërsa unë isha e çoroditur. Vajzën u detyruam ta shtrojmë në spitalin psikiatrik ku i dha fund jetës së saj të njomë

Pas disa muajsh vura re se në barkun tim po rritej fëmija i një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndjej për të  dalë  para syve te tu më  detyruan  të marrë vendimin e vetvrasjes.

Të puth me mall për vete dhe për Irideën!

E jotja:

Lumturia “

Agroni heshti për një çast pastaj vazhdoi:

- Kjo është historia e ime. Besoj se tani e kupton shkakun pse qëndroja i vetmuar. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të bëhem gati për të shkuar te të afërmit e mi.

Nuk dija  çfarë t’i thoja. Nuk gjeja fjalë për të  qetësuar shpirtin e tij të trazuar.

Të nesërmen miku im u shtrua ne spitalin onkologjik në Tiranë. Pas disa muajsh ai ndërroi jetë. Trupin e tij e vendosën në një varr të përbashket me gruan dhe vajzën.

***

Një ditë takova rastësisht të vëllanë në Tiranë. Më perqafoi dhe më tha:

- Ju faleminderit për sa keni bërë për vëllanë tim! Unë nuk e bëra dot një gjë të tillë. Dhjetë vjet burg dhe unë nuk i vajta asnjëhere. Kisha frikë se mos humbisja punën dhe familjen. Edhe kur u lirua, përsëri i qëndrova larg. U tregova i dobët. Tani ndjej se po me vret ndërgjegja për veprimin tim. Ndaj mendova që për të shlyer sado pak fajin tim t’i ndërtoj një varrosh madhështor. Shkoj shpesh herë atje dhe vendos ndonjë tufë me lule. Më duket sikur ndjej një lehtësim nga një veprim i tillë.

Vura re se pendimi i të vëllajt ishte i sinqertë. Megjithatë ai nuk e dinte historinë e vërtetë. Atë e dija vetëm unë, por atij nuk i thashë gjë. E  mbajta   fshehtë  deri   sot  kur

vendosa të shkruaj për të. Nuk dua që ajo te humbasë bashkë me mua.

U interesova edhe për dy kriminelët që u bënë shkaktarët e kësaj tragjedie. Mësova se vazhdonin të jepnin leksione për demokracinë..

Ky ishte paradoksi i kohës në të cilën jetonim.

Vlorë,    10   maj   2003

Nxjerrë nga libri me tregime: “Një tregim për mikun tim”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora