E enjte, 28.03.2024, 01:38 PM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Rapsodët kanë mbetur larg në kohë

E diele, 06.03.2016, 12:03 PM


RAPSODËT KANË MBETUR LARG NË KOHË SI KRESHNIKËT

NGA NDUE DEDAJ

Është kënaqësi të takohesh me rapsodin e njohur pukjan Fran Pali, rreth të 80-ave, që ende del në skenë dhe këndon si të moçmit e anëve të tij me zë të dlirë ograjash e ujëvarash. Puka është një areal tipik rapsodësh, që nga i mirënjohuri Prendush Gega e deri te Tom Nikolla. Por dhe gjithë trevat veriore rretheqark saj, me Sokol Arifin e Fatime Sokolin e Malësisë së Gjakovës, Haziz Ndreun e Dibrës, vëllezërit Dida të Hasit, mirditasit Gjin Shkoza e Frrok Haxhia, përkatësisht me ansamblet e Shkodrës e Pukës etj. Po aq të përveçëm janë rapsodët e Jugut, veçanërisht ata të Bregut të “vajzës së valëve”, si Neço Mukë Himarioti, Selim Hasani, Lefter Çipa etj. Veti e rapsodëve ishte ana burimore, ashtu si e gjithë bardëve të tjerë të etno-folkut, vajtimoreve, kërcimtareve, qendistareve, gurëskalitësve, drushkroluesve, vorbabërësve etj. Por sot jemi në një kohë kur është kapërcyer folku si tiopologji krijuese. Tri dekadat e fundit të shekullit XX ishin faza e ndërmjetme e kalimit nga folku tradicional te muzika popullore e shartuar me folk, apo gjysmërapsodike. Shqipëria e viteve ’50-‘60 kishte dalë përfundimisht nga analfabetizmi dhe pak nga pak dhe nga arketipet kulturore të së shkuarës. Rapsodët e fundit ishin ata të viteve ’60, që duke mos patur heronj që t’u këndonin, i thuren ca lavde E. Hoxhës, lëshuan ca mallkime rapsodike mbi imperializmin amerikan dhe aty e mbyllën kapitullin e tyre. Ndaj dhe festivalet folklorike lokake dhe kombëtare sillnin lëndë nga e shkuara e largët, kur folku kishte qenë i vetvetishëm, burues si krojet e rudinave, në hullinë e tij të pandërruar. Të gjithë e kujtojnë këngën e famshme që të shtang sa herë e dëgjon, “Janinës ç’i panë sytë”, e të tjera perla që etnomuzikologët tanë i nxorrën nga sepetet e shekujve dhe i “muruan” në kalanë e Gjirokastrës, për të qenë tashmë pronë e gjithë kombit.

Por jemi në shekullin XXI dhe duhet kuptuar se çfarë është krijimtari e bashkëkohësisë dhe çfarë muzeologji e artit popullor të trashëguar. Folku dhe koha moderne nuk ecin së bashku në dy shina, ndaj folku ka ngrirë, nuk ka më rapsodi dhe rapsodë të mirëfilltë, pasi ka kohë që ka pushuar mulliri i anonimatit. Ka rënë struktura e artit kolektiv në bashkësinë fshatare, që është tipar esencial i folkut, si këngët e dasmës, vajet, lojërat popullore, gjuatjet në shenj, rituali i buzmit bujar, darkës së djathit etj. Nuk është më gojorja tipari i komunikimit të malësive të epra, kur malësorët i thërrisnin njëri - tjetrin nga kodra në kodër, por të “folurit” teknologjik - elektronik, me letër, pentagram, mors, teleks, fax, e-mail etj. Të gjitha këto tregojnë se epoka e folkut është mbyllur kohë pas kohe, perdja e tij ka rënë njëherë e mirë, për të mos u ngritur më. Mund të këndohen këngët e vjetra, por pa ndryshim dhe retushim, ashtu siç ato kanë ardhur të konservuara në shekuj. Është e tepërt të thuhet se nuk mund të vihet dorë mbi to për t’i ndryshuar e “modernizuar”, ashtu si mbi qoshet e kullës së gjyshit, veshjet me shajak e gajtana, doket kanunore, mbishkrimet dhe simbolikat e gdhendura në gurë etj. Mund të krijohen këngë popullore mbi shtratin dhe eshtrën e folkut, por ato në vetvete nuk janë folk i ri. Nuk ka folk të birësuar, klonuar, përpunuar. Nuk ka folk në skena llamburitëse, por në sofra, oda, kulla e sheshe malësore. Nuk ka folk me mikrofon, dixhej, foní, kamera, kaseta, videoklipe. Folku ka “frikë” nga këto sende të teknologjisë së lartë, ikën e ndryhet diku në origjinën e tij, njëlloj si kreshnikët që u zhdukën sapo dëgjuan krismën e pushkës. Nuk mund të jesh dhe rapsod dhe të shkruash libra me kompjuter, apo të flasësh në gjuhë të huaj nëpër aeroporte. Disa dekada më parë një raspsod i njohur nga Oroshi po i binte çiftelisë pas shpine gjatë provave, si për të treguar virtuozitetin e tij, por shokët e sektorit të ideologjisë e kritikuan për këtë “shfaqje të huaj” dhe aty e mbrapa ai nuk u pa fort në festivale, a se e larguan, a se e braktisi vetë formatin zyrtar, ngaqë ajo ishte natyra e rapsodisë, që njihte për zot vetëm krijuesin e saj dhe jo këshillin artistik “rapsodik”. Kur këndonte rapsodi në saraje të pashës apo në pallatin Kapidanor, heshtnin të gjithë, pasi muza ishte mbi pushtetin dhe çdo hierarki tjetër. Rapsodia e kishte origjinën në lartësitë alpine të Mujit dhe Halilit dhe nuk mund të zbriste aty ku thjeshtëzohej. Ajo nuk mund t’iu bindej vatrave socialiste të kulturës dhe nëpunësve që vinin nga radhët e “kontrollit punëtor”. Ndaj rapsodët e vonë nuk e kanë gjetur veten në mjedisin bashkëkohor, ndoshta ngaqë nuk kanë qenë të tillë, por në përngjasim të rapsodëve të vjetër. Në një kuptim të figurshëm rapsodi është gjyshi, por jo dhe biri, aq më pak nipi. Fundi i rapsodëve ka ardhur përderisa nuk ka më heronj dhe rapsodët kanë filluar t’i këndojnë njëri-tjetrit!? Me shpikjet e kohës moderne, rapsodët ishin “arratisur” si kreshnikët, për të mbetur sojnikë dhe të papërsëritshëm të kohëve të hershme. I thamë këto për të mos patur asnjë iluzion se sot po bëjmë folklor. Po bëmë sikur po bëjmë folklor, e kemi shpërdoruar atë, çka e vërtetojnë dhe disa rapsodi jetëshkurtëra kushtuar njerëzve që kanë humbur jetën tragjikisht në aksidente gjatë tranzicionit etj. Ka një hendek të pashoq në mes këtyre sprovave kundrakulturë dhe artit të vërtetë muzikor me palcë folku. Se ç’klas profesionist na kërkohet të kemi me populloren, për ta sjellë atë të kultivuar në skenë, e kanë dëshmuar qysh heret këngët qytetare autentike shqiptare të Tefta Tashko Koços e Nexhmije Pagarushës, kompozimet e Prenk Jakovës etj.

Kurse tjetër është përmasa bashkëkohore e shpalimit të folkut, etnologjikes. Ato janë një visar përrallor për të mirëseardhur e argëtuar turistët, për njohjen e traditës nga brezat e rinj, si një muze arti. Kemi parë italianë, gjermanë, amerikanë, belg e të tjerë të vishen me kostumet shqiptare, të mahniten nga ritmet tona të vjetra dhe të vallëzojnë më me pasion se vendësit. Ky është tashmë funksioni i folkut, argëtimi i një publiku që nuk e përjeton atë emocionalisht, por vetëm e shijon si një gjellë tradite. Kështu është shpaluar ai nga institucionet artistike të kësaj kohe, ku spikat Mirdita, në shtegtimet turistike të kullave etj. Dhe jo me si një konkurim i mirëfilltë. Ndaj, duam apo nuk duam, e ka mbyllur misionin e tij dhe Festivali Folklorik i Gjirokastrës, pasi zor se ka mbetur më gjë folklorike pa u mbledhur. Dhe nëse nuk ka qenë arritur të mblidhet, shekulli XXI nuk e krijon më këtë shans, pasi më e pakta gjyshet kanë ikur në bregdet bashkë me folkun e maleve dhe kujtimet e jetës së shkuar. Edhe një detaj i thjeshtë sikur na thotë se koha e folkut iku. Një fotografi e bërë në sokakët e Gjirokastrës, në Festivalin e fundit, ku dy gjimnazistë mirditorë veshur me kostum kombëtar, një vajzë dhe një djalë, mbajnë në duar Ifone, duke “dëgjuar” përmes fjalës së fundit të teknologjisë rrymat e reja muzikore. Duket sikur njëri ia ka me hile tjetrit, pasi si mund të jenë aq pranë e pranë teknologjia më e fundit dhe folku i hershëm? Si rregull ato nuk mund të takohen. Nuk i sheh bie fjala në Amerikë këto simbioza, në Indi mbase po. Fundja çdo vend ka adetet e veta. Janë ata të rinj që me vegla të vjetra, le të themi të temperuara, përpiqen të luajnë pjesë klasike nga kompozitorë të mëdhenj. Arrin kjo sprovë deri në emisionet e “Top Channel”, por mbetet për t’u parë kjo (dis)harmoni e së vjetrës etnokulturore me të renë teknologjike.

Rikthimi tek tradita përmes “sofrës”, “odës”, “kullës” e të tjera bardje kulturore të së vjetrës bëhet për dy motive, që janë ruajtja e trashëgimisë kulturore, përfshi dhe ajo folklorike, dhe atraksioni turistik. Ky funksion i ri kulturor lypet të bëhet i qartë për të gjithë ata që ende besojnë se po krijojnë rapsodi dhe kërkojnë vëmendjen e publikut në skena dhe youtube etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora