E premte, 19.04.2024, 04:24 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Unë pres përgjigje!

E marte, 01.03.2016, 09:20 PM


Unë pres përgjigje!

Nga Reshat Kripa

Mos u çudisni me tirullin e këti shkrimi. Unë jam në pritje të një përgjigjeje të të gjithë atyre që u jam drejtuar dhe deri tani nuk kanë denjuar apo nuk kan patur guximin të përgjigjen. Kam vite që pres përgjigjen e tyre por, deri më sot, nuk më ka ardhur një e tillë. Atyre që unë u jam drejtuar janë personalitete të shquara të teatrit dhe kulturës dhe, megjithatë, asnjë përgjigje. Por le të hyjmë direkt në temë dhe le të shkruajmë ato që kanë ndodhur. Më falni nëse do të zgjatem pak por jam i detyruar.

            I përkas atij brezi që kishte dëshirë për të mësuar dhe nuk e linin të mësonte, që kishte dëshirë për të shkruar dhe nuk e linin për të shkruar. Që kishte dëshirë për të jetuar dhe nuk e linin as për të jetuar. Po, nuk e linin as për të jetuar, pasi qysh fëmijë, në moshën 15 vjeçare, më mbyllën në qelitë e errëta të burgjeve pasi shkruaja nëpër muret qytetit “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Kisha një dëshirë të madhe të shkruaja. Vazhdoja shkollën e mbrëmjes. Kisha bërë një hartim për fillimin e vitit të ri shkollor. Në orën e korigjimeve të hartimeve, kur profesori i nderuar Milo Duni ndau fletoret, vura re se në fletoren time kishte shkruar me laps blu:

            “Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime”

            Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq:

            “Po të kesh kohë të lirë!”

            Vrisja mendjen se ç’donte të thoshte profesori me fjalët në të kuqe. Isha i ri. Kohë kisha plot. Megjithatë vendosa të provoj. Shkruajta një tregim ku personazhi kryesor ishte një fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës.  Pas mbarimit të saj fëmija gjendet i vdekur  në mes të një pylli. Ia dërgova gazetës “Letrari i Ri” që botohej në atë kohë. Asnjë përgjigje. Më prapa tentova edhe disa herë të tjera. Në kohën e revolucionit antikomun ist hungarez shkruajta tregimin me titull një frazë të poetit të madh hungarez Shandor Petof “ Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë!” Këto dhe disa të tjera mbetën në sirtaret e shtëpisë time. Para syve më dilnin vargjet e Migjenit:

                                    “O kangët që fleni, kangët e mia,

                                      Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

                                      Vetëm unë me ju po knaqem si fëmija,

                                      Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Kështu e mbylla karrierën time letrare për të cilën ëndërroja shumë.

            Mundësia m’u krijua vetëm pas viteve 90-të. Gjatë kësaj periudhe kam botuar mbi 300 artikuj dhe kumtesa në organet e shtypit të shkruar dhe atij elektronik. Kam botuar një libër me tregime, një libër me kujtime nga rinia ime, një libër me poezi dhe katër romane, Ndërmjet tyre do të veçoja romanin “Shkallët e Ferrit” i cili u bë shkas për këtë shkrim. Me subjektin e këtij  romani, në vitin 2011, vendosa të shkruaj një monodramë. U ula dhe punova deri sa e mbarova. Ia dhashë sime motre, aktores së njohur Drita Pelingu, e cila më bëri vrejtjet e duhura. I korrigjova. Ia dhashë një mikut tim, të nderuarit Bujar Leskaj, i cili ia kaloi për kompetencë aktorit të njohur të teatrit shqiptar Mirush Kabashi. Prisja një vlerësim për monodramën por ai nuk erdhi. Ia dhashë dramaturgut të njohur Ferdinand Hysi i cili më njoftoi se mund të vihej në skenë nga Teatri i Metropolit, por vetëm kaq. Ua dhashë regjizorit Armando Bora dhe aktorit Bujar Asqeriu por përsëri heshtje. Monodramën ia dorëzova ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrame, i cili e dorëzoi në konkursin për dramën shqipe, i shpallur me rastin e 100 vjetorit të  Pavarësisë. U ndodha në natën e shpalljes së çmimeve. Monodrama  ime as që u përmend fare. Madje u tha se për veprat e tjera që nuk ishin nderuar me çmime do të shikohej mundësia e vënies në skenë. Por edhe kjo nuk ndodhi.

            Motra ime bisedoi me një regjizor dhe një aktor të njohur të cilëve nuk dua t’ua përmend

emrat, pasi nuk dua t’i përziej me të tjerët, të cilët morën përsipër realizimin e veprës. Por duheshin fondet. Mendova t’i drejtohesha biznesmenit të njohur Rezart Taçi, i firmës së njohur “Taçi Oil” që si i përndjekur politikë  (gjyshi i dënuar politikë) besoja se do të më financonte.  U paraqita në sekretarinë e zyrës së tij dhe kërkova takim. U lashë edhe kartvizitën time si Kryetar  i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë. Më thanë se do të më kthenin përgjigje. Por ajo nuk erdhi kurrë. Një i përndjekur politikë nuk denjoi të takojë një individ të së njëjtës shtresë.

            Atëherë mendova t’ia dërgoj monodramën një regjizori tjetër të njohur që jetonte në Kanada,  të cilin dikur e kam patur komanadant kompania kur zhvillonim zboret e famshme të periudhës komuniste. Bëhet fjalë për regjizorin e njohur Pullumb Kulla. Përgjigja erdhi shumë shpejt. Në atë ai shkruante:

I dashur z. Reshat

Kjo vonese eshte vetem ne kthimin e pergjigjes, por nuk qe aspak ne leximin e vepres qe me derguat. E lexova qe ate mbremje. Se pari ju falenderoj qe me zgjodhet mua t'ju jap gjykim per të dhe, posibilisht, te merrem me fatin e metejshem te saj. Nuk njoh librin tuaj qe nga e keni nxjerre por me mjaftoi vete monodrama e cila kishte energji artistike te brendeshme, pathos ndjenje dhe kthjellesi goditje. Per nga ana e te ndjerit dhe te kuptuarit ju e dini qe une ndaj me ju te njejtet emocione. Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M'u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona. Persa i perket realizimit ne skene, une nuk pergjigjem dot me po aq entuziazem, sepse jam larg. E kam ne konsiderate ta inicioj projektin edhe ketu, paçka se edhe ketu nuk jane lehtesirat qe mendohen. Per atje, flasim kur te vij nga tetori, nese nuk keni rene nderkohe ne kontakt me ndonje artist tjeter (qe une jua miratoj pa zili). Ne tetor do t'ju takoj pa tjeter. Dhe nderkohe ju uroj shendet dhe rinovoj edhe nje here pergezimet qe ju shfaqa. Te fala”

Çuditërisht ai erdhi në tetor por mua as që më takoi fare. Përse? Këtë e di vetëm ai.

Në muajin prill 2014 më erdhi një ftesë nga Teatri Kombëtar për një takim që do të zhvillohej për të ardhmen e dramës shqipe. Shkova dhe fola. Përmenda edhe rastin e monodramës time. Lidhur me këtë shkrova eshe një shkrim që e botova në gazetën “Nacional” Nr. 275 datë 9 nëntor 2014. Përsëri heshtje. Madje, çuditërisht, një personalitet i shquar i artit skenik, i nderuari Përparim Kabo, deklaroi se sot nuk u dashkan më drama  me subjekt nga koha e sistemit totalitar dhe kjo në një kohë kur, megjithëse kanë kaluar mbi 70 vjet nga përmbysja e sistemit nazist, dramat dhe filmat mbi genocidin nazist janë nga më të preferuarat. Si shembull do t’ju sillja filmin “La vita e Bella” me aktorin e njohur Roberto Benigni që fitoi edhe çmimin presticioz “Oskar”.

Atëherë mua më lind pyetja e natyrshme: Përse kjo heshtje? Në rast se monodrama nuk i përmbahej normave të caktuara të gjinisë së saj mendoj se duhej të ma kishin thënë hapur se ajo nuk ia vlen si e tillë. Por, sipas vlerësimit të motrës time dhe të nderuarit Pullumb Kulla, monodrama përputhet me të gjitha të dhënat që duhet të ketë një vepër e tillë. Atëherë përse hezitojnë të kthejnë një përgjgije/ Unë kam nevojë për  përgjigje dhe ata duhet të ma kthejnë. Atëherë mua më lind dyshimi se shkaku  i  moskthimit të përgjigjes është se nuk guxojnë të flasin për një vepër që është në kundërshtim me normat e botkuptimit të sotëm që ne e quajmë demokratik.

Çfarë paraqet në të vërtetë monodrama? Agron Canajn, biri i një komandanti partizan rënë në luftë përkrah një luftëtari nacionalist, e thërrasin të ngrihet nga varri dhe të tregojë historinë e tij. Ai ngrihet, hedh vështrimin  rreth e rrotul dhe në mes së turmës që përshëndet ndryshimin e sistemit dallon ish-hetuesin dhe ish-operativin e sigurimit që mbanin leksione demokracie. Dallon edhe ish-miun e birucave që ia kishin futur në qeli për të zbuluar atë që nuk kishte ndodhur dhe që sot ishte në krye të një shoqatë të përndjekurish politikë. Kjo gjë e nenveriti. Megjithatë tregoi historine  e tij.

I ati kishte rënë në një betejë që forcat partizane së bashku me ato nacionaliste zhvillonin me forcat pushtuese dhe bie së bashku me nje fqinjin e tij nacionalist. Sipas amanetit të tij i varrosin të dy pranë e pranë. Pas përfundimit të luftës, fitimtarët i kërkojnë nënës së Agronit ta heqin  të shoqin nga varri pranë një nacionalisti,  por ajo nuk pranon. Atëherë ata heqin nacionalistin, eshtrat e të cilit nuk dihet se ku i hodhën,

Agroni mbaroi studimet e larta në Pragë për inxhinieri elektrike. Emërohet kryeinxhinier në ndërmarrjen  elektrike të qytetit. Dashurohet me Lumton, drejtoreshë në një shkollë të mesme dhe martohen. Nga martesa u lind nje vajzë, Rida. Ne ndërmarrje Agroni zuri shoqëri me dy kolegë të tij por që kishin cene në biografi dhe që ishin në shënjestër të Sigurimit të Shtetit. I kërkojnë edhe Agronit që t’i survejojë por ai nuk pranon. Së fundi e arrestojnë. Ai vazhdon të rezistojë.  I fusin në qeli edhe miun e birucave që tashmë ishte kryetar shoqate. Së fundi, operativi dhe hetuesi tentojnë të përdhunojnë gruan dhe vajzën 15 vjeçare në sytë e tij. Detyrohet të pranojë gjithçka. Shokët e tij arrestohen. Njeri ekzekutohet ndërsa tjetri, së bashku me Agronin dënohen me burg.

Ndërkohë gruaja dhe vajza ndahen nga kjo jetë. Pasi mbaron dënimin kthehet në shtëpi. Gjen vetëm nënë plakë. Ajo i jep një letër që ia kishte shkruar e shoqja para vdekjes. Në të ajo i shkruante se kriminelët, pas ballafaqimit me të, i kishin përdhunuar dhe vajza që kishte pësuar krizë nervore hidhet nga ballkoni ndërsa ajo, kur konstatoi se kishte mbetur shtatzanë helmoi veten. Tronditja ishte e jashtëzakonshme. Nuk vonoi shumë edhe ai u nda nga kjo botë.

Kjo ishte historia që tregoi Agroni. Por kur konstatoi se në Shqipëri vazhdonin të sundonin operativët, hetuesit dhe mijtë e birucave të sistemit të përmbysur nuk mund të qëndronte më, por kthehet në banesën e përjetëshme.

Më falni nëse u zgjata pak në këtë histori por e bëra qëllimisht që ju të kuptoni se përse të gjithë ata që u dërgova monodramën time nuk guxuan të kthenin përgjgije. Nuk guxuan pasi një përgjigje do të zgjonte mërinë e hienave që kanë zaptuar artin dhe gjithë jetën e këtij kombi.

Të gjithë atyre që u kam përmendur emrat do t’ju lutesha, po të munden, të më kthejnë

përgjigje për sa kam shkruar. Në rast se nuk munden ua lë në dorë lexuesve të japin gjykimin e tyre.

Këtë shkrim mendova t’ua dërgoj organeve të shtypit të shkruar por, duke u nisur nga eksperienca e shkrimeve të tjera që nuk kanë denjuar t’i botojnë, po e botoj në mediat elektronike që, për të qenë realist,janë kthyer në pasqyrën e vërtetë të shtypit të lirë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora