E marte, 18.06.2019, 02:06 PM (GMT+1)

Personalitete

Hyqmet Hasko: Demaçi, Profeti i gjallë i Qëndresës

E hene, 29.02.2016, 06:40 PM


Adem Demaçi, Profeti i gjallë i Qëndresës, Estetikës dhe Lirisë së Kosovës

Nga Hyqmet HASKO

Kur flasim për Kosovën e re, për Kosovën e rilindur si feniksi nga hiri i rrënojave dhe plagëve të barbarisë qindrashekullore të shkaktuara nga armiqtë tanë historikë, kur flasim për Koosvën e shoqërisë së hapur dhe sfidave të mëdha të integrimit euroatlantik, për Kosovën e poezisë, artit, fjalës së bukur, që shëron shpirtëra të plagosur, nuk mund të lëmë pa përmendur një ikonë të lirisë, një profet të qëndresës, një shkrimtar të rezistencës më shumë se pesëdhjetëvjeçare kundër makinës së gjenocidit serb, nuk mund të lëmë pa përmendur Adem Demaçin.

Me emrin e Demaçit lidhen plagët dhe mizoritë e një toke të ujitur me lotë e gjak, të cilës ky Mandelë i gjallë i Kosovës martire i vuri dorën e tij mbi këto plagë, vuri shpirtin e tij të paepur, poezinë, sakrficën, përkushtimin e një idealisti të kulluar, duke u bërë një simbol i gjallë i pathyeshmërisë ndaj mizorisë dhe barbarisë.

Kur flitet për Adem Demaçin, nuk gjendet shkallë krahasimi e qasje me dikë tjetër në kohën e re të shqiptarëve të këtij trualli qëndrestar, pasi emir I këtij kolosi të shqiptarisë vjen e lartësohet çdo ditë e orë që kalon nga koha e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në themele të së cilës ai vuri djersën dhe diturinë e tij, përkushtimin dhe sakrificat e pashembullta në kalvarin e burgjeve sllavo-shovene.

Rexhep Qosja, një figurë madhore akademike dhe letrare e Kosovës dhe e gjithë shqiptarisë, e vlerëson me tone të epërme kontributin e Demaçit për Kosovën e lirë. Duke veçuar faktin se Demaçi i kishte dhënë gjithçka lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Qosja shtroi pyetjen kuptimplotë se çfarë i kishte dhënë Kosova atij. Duke e krahasuar me  Nelson Mandelën dhe për meritat  që atij ia kishte njohur dhe ia kishte dhënë populli jug-afrikan pas daljes nga burgu, Qosja konkludoi se politikanët e Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi nuk u kujtuan për Demaçin, nuk i ofruan asnjë vend, qoftë edhe të këshilltarit të ndonjë qeveritari të lartë, të presidentëve apo të kryekuvendarëve  që janë ndërruar në 16 vitet e pas luftës. Demaçin e anashkaluan, nënvizoi Qosja, të gjitha qeveritë e pasluftës, ndërsa në vitet 90-të politikanët pacifistë të kohës e kishin mbajtur në distancë dhe nuk i kishin afruar asnjë vend për meritat e tij dhe 28 vitet që kishte mbajtur burg për lirinë e vendit nga okupimi serb. Ai nuk u shpall deputet nderi, nuk iu dha posti i deputetit, ministrit apo i zëvendës-ministrit, madje as edhe posti i një zyrtari. Demaçi bëri gjithçka për Atdheun, por përfaqësuesit e institucioneve e  politikanët e Atdheut, nuk i dhanë asgjë, ka thënë mes tjerash dr. Rexhep Qosja në fjalën e tij.

Në këtë konflikt ekzistencial mes portretit të një simboli të idealizmit dhe pragmatizmit të oborreve partiake që çojnë ujë vetëm në mullirin e interesave të këtyre oborreve, qëndron nja nga dilemat më të forta të realitetit mbarëshqiptar, në një shoqëri që nuk respekton sa duhet elitat, nuk ëgjon fjalën e tyre dhe nuk kërkon t’i ketë në ballë ose më së paku në krah, nga frika e eklipsimit që iu bën hija e lavdisë së tyre.

Adem Demaçi u lind në më 26. 02. 1936 dhe u rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale politike”.

Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Kudo ku shkonte ai dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap,  fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, “Jeta e re“, falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun e një stili letrar simbolik modern, me aludime dhe metafora pothuaj të hapura ishte në të vërtetë nje mesazh politik për fatin e shqiptarëve të Kosvës nën regjimin kriminal të Beogrdait. Mesazhi i këtij romani ishte që shqiptarët t’i linin mënjëanë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Edhe në romanet dhe tregimet e tjera të shumta të tij ndihet pulsi i disidencës, kundërshtitë e një shpirti të rebeluar, që kërkon të zgjojë vetëdijen e popullit të tij për qnëdresën eradhës kundër shkjaut dhe barbarëve sllavë.

Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej dhe së shpejti ai do të vihej para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të përshtatej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të ndodhte ajo që në fakt ndodhi me të: një kalvar biblik i pashembullt në Ballkanin e trazuar.

Demaçi do të ishte pjesë aktive në krye të rezistencës shqiptare për liri, çfarë do të bënte që të përndiqej sistematiksht, të burgosej disa herë, duke bërë që shumica e jetës së tij të kalonte burgjeve dhe në ilegalitet, për një kohë tjetër të Kosovës së tij martire.

Kontributet e tij letrare, përveç një përkujdesje mjeshtërore estetike, më së pari janë pjesë e angazhimit të tij atdhetar, pjesë e asaj kredoje që e ka motivuar atë gjatë gjithë jetës, për të qenë në ballë të sakrificave më sublime për komb, flamur e atdhe.

Ja disa vlerësime të figurave të letrave dhe mednimit shqiptar në Kosovë për Adem Demaçin:

Duhet thënë se filozofia politike, atdhetare dhe estetike, gnoseologjia e veprës së Demaçit, janë një fushë, që mund të përbënte një objekt hulumtimi për  institucionet ose akademitë e shkencave. Kjo,  sepse një hulumtim  si ky, individual, nuk do të mund t’i përfshinte të gjitha sferat, që të mund të kënaqnin lexuesit në të ardhmen e largët. Në fakt, nga kjo afërsi kohore, rëndësia historike e Adem Demaçit, si institucion kombëtar, që ka vepruar personalisht dhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare, jashtë burgut, me idetë dhe ndikimet e tij, në masat e reja të popullit,nuk mund të ezaurohet veçse nga një qëndrim institucional akademik mbarëshqiptar.

Sado që të shkruash për Demaçin, kurrë nuk je i sigurt që ke thënë mjaft për letrat e tij, për romanet, novelat, esetë, për jetën e tij aktive në shërbim të kauzës shqiptare, sepse  jeta dhe vepra e tij është një minierë e artë. Kanë të drejtë disa akademikë, në Kosovë dhe Shqipëri që shprehen se shembulli jetësor i Adem Demaçit, me plotë të drejtë, atë e ka shndërruar në  INSTITUCION në vete, çka nuk mund të thuhet, qoftë edhe për një njeri tjetër në Kosovë.

Akti shumëdimesional i Adem Demaçi i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua, edhe atëhere kur nuk u përfill dhe sot kur qeveria dhe shteti i Kosovës nuk i ka ofruar atij asnjë rol në ecurinë madhore të Kosvës së re. Ndaj ka ndodhur dhe kjo duhet thënë me forcë se kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai mbështet  mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste një fushatë kundër populizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët.

Jemi mësuar që Demaçin ta vlerësojmë në radhë të parë si simbolin e gjallë të rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me  paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

Shumëkush në Kosovë, Shqipëri e gjetkë ndër shqiptarë, kur përcjellin paraqitjet e tij në opinion, çiltërsinë, rininë e mendimit dhe elegancën e qasjeve politike e estetike, kanë pyetur e pyesin sot e gjithë ditën, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë?! Nga i buron ajo energji, ai humanizëm, ajo shpirtdëlirësi, ajo dhunti e dashurisë për njerëzit, që është cilësi vetëm e profetëve?

Edhe pse mosha ka bërë të sajën, çuditërisht, Demaçi vazhdon të shfaq një portret tepër të gjallë e dinamik, një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një  dhuntie përtej natyrore, thuasje hyjnore, si virtyt unik, si fenomen i llojit të vet. Tash në moshën 80 vjeçare, Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke u bërë zëdhënës i shpresave të tij, në një Kosovë të re, që aspiron me guxim e kurajo dyert e Bashkimit Evropian.

Ajo që duhet thëbnë në këtë shkrim është se duke e parë Demaçin si kryeaktivistin dhe njeriun e kasionit politiko-atdhetar, duke u marrë me burgjet dhe vuajtjet e tij në ferrin e inkuizicionit pansllavist, në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur në hije, nuk i është dhënë ai vend që meriton, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e një niveli të lartë estetik, edhe pse, në fakt, tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit Demaçin në avaguardë parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Duhet thënë se tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të freskëta, të shkruara bukur e me shumë frymë jetësore në letërsinë tonë, sa është i veçantë dhe befasues edhe vetë autori i kësaj krijimtarie të gjërë e të larmishme me jetën dhe disidencën politike të tij.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT