E shtune, 20.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Qazim Shehu: Preng Lleshaj, një tetëdhjetëvjetor

E diele, 28.02.2016, 11:33 AM


PRENG LLESHAJ, NJË TETËDHJETËVJETOR TË NGRITUR ME KRENARI...

Nga Qazim Shehu

Së bashku me miqtë e mi: Mal Cani, kryetar i Shoqatës së Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, Bardhok Gjikola dhe Xhelal Marku, më datën 14 korrik, një nga ditët më të nxehta të kësaj vere, udhëtuam drejt fshatit Prosek të Mirditës, për tek Preng Llesh Bardhoku, i cili na  kishte ftuar për Ditëlindjen. Atje në shtëpinë e tij të vendosur majë një kodre, na priste vetë Prenga, ky burrë i fisshëm tetëdhjetëveçar që do të festonte bashkë me ne ditëlindjen. Atje, në verandën e shtëpisë u shtruam rreth e rreth tryezës të mbushur plot, me gjithë të mirat, prej nga shihnim jo vetëm fshatin e bukur të Prosekut, por, në horizont shihnim edhe malet e Kurbneshit e të Lurës. Kundronim peizazhin me male rreth e rrotull, e na dukej vetja se ishim të rrethuar nga një unazë magjike, që mbështillej nga një hije e kaltër prej vapës. Nisi një muhabet i shtruar dhe i këndshëm, por siç është bërë zakon tashmë në të gjitha familjet shqiptare, kur vjen mysafiri, vijon të flitet më shumë për politikë, se sa për hallet e fshatit a qytetit, ku jetojnë. Në kushtet e kësaj vape, sytë të shkojnë menjëherë tek bimët bujqësore: misri, fasulja e perimet e stinës, tek pemët e vreshtat, që duken të lodhura e të vyshkura nga thatësira e tejzgjatur e kësaj vere. “...Mungon uji, thotë Ded Koka, një kushëri i afërt i Prengës. Kanali vaditës që merr ujë nga ujëmbledhësi i Malajt është ndërtuar prej vitesh, por ujin nuk e lëshojnë, ose e lëshojnë vetëm gjatë ditëve të fushatave elektorale. Një premtim i pambajtun edhe ky, që nuk po gjenë rrugëzgjidhje...”. Dhe, Prenga si mjeshtër i muhabetit dhe si mikpritës i mirë, e ndërron me marifet bisedën për ta kthyer atë në drejtimin e duhur, jashtë politikës. Ai ka drojë nga debatet politike dhe është gjithnjë i kujdesshëm, aq më tepër atë ditë, kur është rasti për të folur tjetërsoj, e kështu, biseda merr një rrjedhë të qetë shpirtërore e tepër të këndshme. Preng Llesh Bardhoku është një misionar i pajtimit,  që gjatë gjithë jetës së tij, ka dhënë një kontribut të shquar në shuarjen e sherreve dhe pajtimin e gjaqeve. Ai, me urtësinë dhe dashurinë e vet, ka arritur ta mbjellë këtë frymë, sepse njerëzve të virtytshëm gjithnjë u dëgjohet fjala. Ka qenë gjithnjë në kodin zakonor të shqiptarit, që fjala të sitet mirë e të peshohet, që fjala ta ndalë atë që s`duhet bërë e të ndihmojë në rrjedhat paqësore të jetës. Këta janë malësorët e virtytshëm, njerëzit e mirë me besë dhe karakter, njerëzit që e njohin jetën dhe dinë ta vlerësojnë atë si duhet dhe siç duhet.

Ndaj, me të drejtë, kryetari  shoqatës “Nënë Tereza” Z. Mal Cani, i dorëzon Prengës çmimin më të lartë që akordon kjo shoqatë: “Çmimin e Virtytit”. Prenga e ka merituar me kohë këtë çmim, sepse jetët njerëzore që i ka kursyer nga hijet e errëta të gjakmarrjes e sherreve primitive, janë të paçmuara dhe altar, ku falet hija e madhështisë së tij. Kjo surprizë e këndshme, që shoqërohet me fjalë urimi rreth tryezës së bollshme, që ndrit nga mikpritja e bujaria shembullore, natyrisht  e sjell freskun e një emocioni njerëzor, e një krenarie dhe vetëbesimi pa teprim se sa shumë mundësohet nga njerëz të tillë, breza të së kaluarës, nga trimëria dhe fisnikëria e tyre, nga lufta që ata kanë bërë me pengesat e kohës, mentalitetet dhe paragjykimet, nga pagjumësia e tyre për të ndërtuar një urë ylberore në komunikimin njerëzor. Dhe kuptohet se ç`respekt mund të ndjesh për këta njerëz, të cilët nuk kanë kërkuar kurrë çmime dhe vlerësime, ndryshe nga disa që rendin andej e këndej për t`i marrë ato, që çojnë peticione e fusin miq nëpër institucione, sepse çmimet u duhen për të rregulluar ca punë të së ardhmes. Prenga është një burrë i thjeshtë, një malësor i zgjuar dhe i kthjellët nga mendja, siç janë mirditorët, njeri i nderuar në thjeshtësinë e vet, prandaj ai nuk i do lavdërimet, ndonëse ato jepen me të drejtë dhe personaliteti i vet njerëzor i gëzon ato kaq natyrshëm. Shumë ide më vijnë ndërmend për këta njerëz dhe gjithmonë e kam quajtur të udhës të shkruaj për ta, duke parë tek portreti i tyre shëmbëlltyrën dhe gjithë mirësitë në vite e kohë pas kohe, deri  në ditët e sotme. Puna e tyre është një vepër humane, që i është gjendur gjithmonë shoqërisë njerëzore. Dhe aq shumë kemi nevojë për fjalën e urtë e të mençur të njerëzve të tillë, siç është Prenga, pasi me dashurinë dhe respektin që ata kanë fituar në opinion, kanë përcjellur veç mesazhe paqeje e mirësie në shoqëri. Ai nuk rrëfen për jetën e vet dhe kjo është e natyrshme brenda fisnikërisë së një malësori, po mësova nga të dhënat që më dha gazetari i njohur Xhelal Marku, një mik i hershëm i tij. Në jetën e tij hasmëria fillon herët, që kur ishte fëmijë nëntë vjeç. E për këtë arsye, në Prosek ai do ta ndërpriste shkollën duke u strehuar tek një miku i tij në fshatin Delbnisht të Kurbinit. Dihet tashmë, se hasmëria në këto anë, ka qenë një dramë e vërtetë, e cila ka marrë shumë jetë njerëzore, ndaj përballë saj, tek njerëz të mirë u shfaq fuqishëm vullneti për ta luftuar atë përmes dorës së pajtimit. Preng Lleshaj ishte 14 vjeç kur vritet Bardhok Biba, e për këtë, siç dihet, filloi terrori në Mirditë, një terror i paparë  me vrasje masive jo aq për t’u hakmarrë për Bardhok Bibën, se sa për të sjellë në vatrën mirditore  frikën. Bashkë me Llesh Bardhokun, babanë e tij, arrestohen edhe treqind burra mirditorë. Kuptohet se çfarë përshtypje lënë këto ngjarje të dhimbshme tek një fëmijë, siç ishte Prenga asohere. Babai i Prengës vuajti në hetuesi dhe internohet për tre vjet e gjysmë në kampin e Bençës. Merren me mend komentet që mund të bëhen, duke pasë parasysh sfondin kohor, ku varfëria dhe pasiguria rrinin si dy çengelë mbi kokën tënde, që të ftonin për t`u varur në to. Kështu, Prengës bashkë me vëllanë, iu desh të shtegtonte nëpër veprat ndërtuese për të nxjerrë jetesën. Dihet se në atë kohë gjithnjë të ndiqte si një pleurit i vjetër hija e së ashtuquajturës biografi, por Prenga e përzuri këtë hije sadopak me punën e tij shembullore, arsyetimin e kulturuar dhe besën, miqësinë e sinqertë dhe bujarinë, ku edhe ai më i ligu, para këtij burri ndalej pak dhe mendohej, sepse shihte në personin e tij rrezatimin e një drite mirësie, që buronte nga karakteri i heshtur i malësorit fjalëpak e punëmbaruar përmes korrektesës së besës. Një jetë e kaluar nëpër stuhitë e kohës së vështirë, që ngarkohej nga doza të mëdha ideologjike, ku vijat kufizuese ishin të ngushta, aqsa, përpak, mund të bije në greminë, por një drejtpeshim i heshtur pa bërë pakt me të keqen, bëri që ky burrë sot të mbajë kokën lart  për çfarë ka kaluar dhe si ka jetuar. Gjithnjë sofërshtruar e fjalëmbaruar kur e mendonte se duhej dhënë, gjithnjë i përkushtuar dhe i duruar,  njeriu që e mat fjalën  pastaj e pret, ndaj nuk është rastësore ky vlerësim dhe as vlerësimi që vjen nga një komunitet i madh mirditorësh, që për emrin e tij flasin gjithnjë me respekt dhe dashuri. Sot, dhjetëra objekte ndërtuese flasin qartë për punën e tij si teknik ndërtimi, si njeri që sakrifikoi kohën dhe nuk e mati kurrë atë, sepse tek ai zotëronte një pasion i madh për punën. Puna ishte ilaç shpëtimi për t`i ikur kurthit ideologjik dhe  thashethemeve, fjalëve të kota prej nga shpesh sajoheshin trille me shumëkuptimësi, që të çonin në portën e gjykimit të diktaturës, ku si roje rrinin cerberat e sigurimit të shtetit. Kjo punë e bën atë krenar, sepse edhe sot, megjithëse në moshë të thyer, ai nuk rri kot, ndonëse nuk flet për punën, ashtu siç nuk flet ai që i hanë duart për punë. Preng Lleshaj shëmbëllen si monumenti i njeriut të mirë, ku spikatin cilësitë e tij vetiake, po ku edhe mishërohen me një afeksion brilant gjithë bukuritë e sjelljes malësore: bujaria, fisnikëria,  heshtja, mençuria, zemërgjërsia dhe kuptueshmëria, fryma pajtuese, që i jep vlerat e merituara të një njeriu ballëhapur e me kurajo për të menduar për më tutje. Ka parë shumë në jetë dhe dëshiron të shohë edhe më, por vetëm gjëra të mira. Aty ku shikon keq, grindje, sherre, apo tentativa mizore, që shkojnë deri tek dora makabre e vrasjes, ai ndërhyn me takt, herë herë i thirrur për urtësinë dhe aftësinë për t’u dhënë një zgjidhje të drejtë problemeve. Ndaj edhe çmimi i virtytit, që ia jep atij shoqata e Pajtimit “Nënë Tereza”, merr një kuptim të veçantë vlerësimi, pasi vjen si një virtyt shtesë për këtë njeri fisnik, ashtu siç edhe Prenga nderohet e ndjen mirënjohje me këtë çmim që mban emrin e shenjtores së madhe. Duke ikur nga Prenga, që na përcjell gjer tek sinori i tij, nga një sofër bujare, ku kodet e malsisë e sjellin natyrshëm një bisedë, që mbart një aristokraci të moçme, mendja më shkon gjithnjë tek ajo dalje, që njeriu duhet të bëjë nga guacka e punëve të përditshme, me një rëndomësi rutinore, e të shkojë të takojë njerëz të tillë. Ata gjenden, mjafton të orientojë dikush ose të keshë informacion për ta. Dhe pasi i njeh, sigurisht që befasohesh nga gjërësia e tyre njerëzore dhe nuk mund të rrish pa shkruar, sepse ata fjalët t`i japin me heshtjen e tyre fisnike,  dhe sado të shkruash për ta,  gjithmonë do të mbetet diçka pa thënë. Por, ne shpresojmë që fjalët për ta, të mos dalin jashtë kuadrit të mirënjohjes, sepse lëvizjet e vrullshme të kryeqytetit shpesh na vënë pengun e harresës.



(Vota: 56 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora