E shtune, 20.04.2024, 07:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Njohja në aksionin e punëve vullnetare

E diele, 10.08.2008, 03:22 PM


Tregim

Nga Ejup CERAJA

NJOHJA NË AKSIONIN E PUNËVE VULLNETARE...

Ishin njohur në një aksion të punëve vullnetare, që aso kohe organizoheshin të dielave të pushimit. Kështu, të dielat e pushimeve, për disa, ishin bërë ditë të rënda e të mundimshme. “Ah, sikur të mos kishte ekzistuar e diela fare!...” – kishte menduar më vete atij mëngjesi të parë të muajit prill të vitit... Bardhi, duke u ngritur nga shtrati, që iu kishte bërë sikur po ngrihej së bashku me te. “Sa po më flihet!...” – kishte thënë më vete, duke u shtri që të çmpihej pak. Sapo i kishte larë sytë e kishte hapur magjen për ca kothere buke. Dora i kishte hasur në një copë misërnike si copë tjegulle. E kishte rrotulluar nëpër duar si patate të pjekur të sa po nxjerrë nga zjarri. “Me çka ta ha këtë të...” – as nuk kishte thënë të bekuar, as të mallkuar. “Ah, sikur ta kisha një tas me qumësht!... Sa do të shkonte me këtë copë edhe kështu të fortë!...” E kishte grimcuar me dhëmbët e parë. Ishte dëgjuar në këëërr mbytëse. E kishte sjellë nëpër gojë si diçka të nxehtë. Më në fund e kishte përpi, duke e ndihmuar edhe me një gjysmë gote ujë. E kishte kthyer copën e bukës misërnike prapë në magje, duke e lëshuar kapakun e magjes si me naze. “Me zor nuk shkon...” – kishte shtuar me zë, duke e kafshuar buzën e poshtme sa gati e kishte çelur në gjak nga frika se mos e kishte dëgjuar kush. Edhe pse e kishte të qartë se pos tij s’kishte njeri tjetër në shtëpi të zjarrit për momentin, po ia vlente kujdesi se nuk i dihej...

Kishte dalë ku duhej ta priste kamionin e pambuluar, që i bartte vullnetarët çdo të diele në vajtje-ardhje. S’kishte vonuar shumë dhe kishte arritur kamioni i mbushur gati deng me vullnetarë nga fshatrat më të thella. Kishte takuar fytyra thatime nga më të ndryshmet... Kamioni ishte ndalur, po nuk ishte ndalur kënga e vullnetarëve, që kishte jehuar në kupë të qiellit. E cila kishte shprehur gëzimin për ta plakur në punën vullnetare ditën e vetme të pushimit. Kishte hipur në kamion me një “Mirëmëngjesi” si të zgavruar në mijëra vende... I kishte rënë të qëndrojë përballë një biondeje të tërhequr, ballukët e së cilës ia kishte puhatur era sa në njërin, sa në krahun tjetër. Në fillim s’i kishte bërë përshtypje. Po, dalëngadalë kishte filluar ta shikonte profilin e saj me bisht të syrit. Diç ia kishte ngacmuar unin e tij nga brenda. “Hajde ne po këtë engjëll të... kush ka pasur zemër ta zgjojë nga gjumi i shijshëm i mëngjesit. Kjo duhet të ishte tani në gjumë e jo në këtë... Shëëët si po guxon në mes turmës të mendosh kështu?... A nuk po e vëren si po të vjedh me bisht të syrit ky që e ke përbri në anën e djathtë?... Me siguri është i... Krisja edhe ti këngës sa nuk të ka marrë lumi! Largohu nga mendimet e tilla!...” – i kishte ndenjur gati një mendje e fshehur diku në thellësinë e ndërgjegjes së vet. Hë, po. – kishte folur me zë të ulët. Po fatbardhësisht s’e kishte dëgjuar askush, ngase zëri i tij ishte tretur në zërin buçitës të këngës, që shprehte gëzimin... e vullnetarëve... Ishte kyçur edhe ai në këngë. Vetëm biondja nuk ishte kyçur fare në harenë e këngës. Kishte filluar edhe ajo ta shikonte vjedhurazi Bardhin me bisht të syrit. I kishin takuar shikimet rastësisht. U kishte rrëshqitur një tis gazi nëpër fytyrat gjysmë të ngrysura. Trupin e secilit e kishte përshkuar një drithërimë si kur trupi ka temperaturë...   

Bardhi kishte trup atleti. Kishte muskuj të ngjeshur spic. Vinte pakëz i zeshkët, po mjaft tërheqës... Përkundër biondja kishte trup të drejtë si selvi. Fytyrën e kishte të bardhë si mermer i skalitur. Kishte hundë të drejtë fiskajë, me një përmbyllje rrumbullake. Kishte sy të zezë dhe filxhan mëdhenj. Qerpikët i kishte të mëdhenj, të zezë e të kthyer me maje përpjetë si krah dallëndyshesh në fluturim. Kishte gjoks të buhavitur e simetrik... I kishin puqur sërishmi shikimet. Prapë trupin e secilit e kishte përshkuar e njëjta ndjenjë. Bardhi kishte harruar se duhej të këndonte për ta fshehur zemërimin e punës vullnetare. Ishte dhënë i tëri pas biondinës, që i bymehej në zemër si mbrumi në magje... “Si ta gjej mënyrën e takimit me te gjatë orarit të punës, për ta kuptuar se kush është dhe nga vjen?... ” - kishte menduar në ato çaste.

Kamioni ishte ndalur në stacionin e improvizuar për vullnetarë të tjerë. Kishin hipur edhe dhjetë vullnetarë të tjerë djem e vajza. Madje, dy nga ata edhe të shkuar bukur në moshë. “Puna vullnetare nuk njeh moshë”. – kishte thënë njëri nga të moshuarit sapo kishte zënë vend ashtu në këmbë. “E ka me gjithë mend, ky?..." - kishte menduar Bardhi, duke e shikuar vëngër.

Biondja pasi e kishte shikuar për të satën herë vjedhurazi Bardhin, me bisht të syrit. Dhe, duke e shikuar ashtu vjedhurazi Bardhin ishte tretur në mendime: “Si ta gjej mënyrën e të njihem me këtë djalë?... Ky, që në shikim të parë, më ka rrëmbyer në vorbullën e... Ma thotë mendja se qenka shpirt e zemërmirë. Sigurisht duhet të rrjedh nga ndonjë familje e fisme... Ky, ndoshta, do të më përshtatet, si bonjake që jam, për...” - ishte rrëqethur nga koka te këmbët nga frika e mendimeve të veta. “Ç’është me mua sot?... Unë kurrë s’kam menduar diç të këtillë!...” - u kishte dhënë udhë mendimeve joshëse.

Më në fund e kishin gjetur mënyrën e afrimit. Për fillim Bardhi kishte tubuar forcë sa për ta pyetur:

- Nga jeni?...

Biondja sikur ishte zënë e papritur dhe kishte heshtur. “U nxitova...” - kishte menduar Bardhi. “Nuk është dashur t’i drejtohem kështu drejtpërdrejt pa e bërë së paku një si lloj hyrjeje.”

- Jam nga Shpati i... - ia kishte kthyer biondja me një buzëqeshje prej fëmije e kënaqur për fillimin e bisedës.

- Po ju nga jeni?... - e kishte pyetur ajo Bardhin me ngjyrë purpuri në fytyrë.

- Jam nga Gurbardhi i rrethit të... - ia kishte kthyer përgjigjen me mornica në trup si ethe malarike.

- Po emrin si ta thonë?... - e kishte pyetur prapë Bardhi, duke iu afrua edhe më.

Ishin çliruar nga ankthi dhe flisnin më qetë dhe më sigurt.

- Emrin e kam Lulebora. - i kishte thënë ajo... - Këtë emër ma kishin vënë prindërit... – kishte heshtur. Nëpër bebëza të syve iu kishin endur pikla vese të një shelgu lotues, që për momentin ia kishin lëbyrë sytë e zezë e filxhan të mëdhenj, pasi kisha lindur në muajin e daljes së luleborave.

Bardhin e kishin hutuar piklat e vesës në sy. “Mos u prek gjë për emrin që e pyeta?...” – kishte menduar fët e fët, duke iu drejtuar:

- Pse the: “Ma kishin vënë prindërit?...”

- ?!...

- Sepse prindërit nuk i njoh fare... Mund të them se nuk i kam parë kurrë... Më kanë lënë pesëmbëdhjetë ditësh foshnje... Kishte heshtur si mumie... Ishte shkrehur në vaj me dënesje.

- Më fal që të pyeta... - ishte munduar të shfajësohej disi Bardhi sikur ai ta kishte fajin.

- Më falë ti mua që nuk u përmbajta, por... - i kishte thënë Lulebora, duke e pyetur:

- Po ty si ta thonë emrin?...

- Bardh. - i kishte thënë ai.

- Sa emër i bukur!... - e gëzofsh!...

- Faleminderit!...

- ?!...

- Bardh e Luleborë... - Sa emra të përafërt! - i kishte thënë ajo, duke i shkuar buza në të qeshur.

- Edhe pse me siguri rastësi, megjithatë, ma thotë mendja se ka ndonjë asociacion mes tyre... - i kishte thënë Bardhi me kënaqësinë e një fëmije pranë një dyqani lodrash.

Të dielat që Bardhi i kishte pritur me zët dhe që i dukeshin si vrima të zeza në jetën e tij rinore, e që vinin sa çel e mbyll sytë, tani koha nga e diela në të diele i bëhej sikur zgjaste me muaj. Pra, të dielat vijuese i kishte pritur me padurim dhe me interesim të shumëfishtë. Ato tash i dukeshin si diçka engjëllore. Si diçka që rrallë përsëritën ne jetën e njeriut. Edhe punët vullnetare të dielave në vazhdim i kishte pritur me gëzim e me vullnet të paparë. Dikur i kishte mallkuar ata që i kishin menduar “të dielat vullnetare”, kurse tash...

Që nga njohja mes vete Bardhi e Lulebora punët vullnetare e të dielave i kishin kryer së bashku në të njëjtin kantier. S’i përfillnin lodhjet fare. Madje iu kishte dukur sikur shumë shpejt po u kalonte orari i punës.

- Sa shpejt po na kalon koha!... - i kishte thënë një ditë Lulebora Bardhit, kur e kishin në të mbaruar orarin e punës.

- Edhe mua po më duket se dita nuk po zgjatë më shumë se një orë. Si është jeta!... Pa u njohur mes vete më dukej se dita e diele zgjaste baras me një javë të tërë, kurse tash s’po me duket se zgjatë as sa një orë. Sikur të zgjatej e të zgjatej dita e me te edhe orari i punës... Sa jemi bashkë s’e hetoj lodhjen fare...

- As unë...

- Ne do të jemi bashkë e nuk do të... - i kishte thënë Bardhi pas pak.

- Ashtu shpresoj edhe unë... - ia kishte kthyera ajo buzagaz.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora