Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: 25 vjet B.S.P.SH.

| E premte, 26.02.2016, 08:55 PM |


Nga Fritz RADOVANI:

25 VJET  B.S.P.SH.

NË SHKODER...THEMELUE NGA FERDINAND TEMALI

1991 BSPSH - SHKODER

?BASHKIMI I SINDIKATAVE TË PAVARUNA TË SHQIPNISË OSE B.S.P.Sh.

NË SHKODER, ISHTE FLAMURTARE E FITOREVE TË DEMOKRACISË !

?Ramja e Murit të Berlinit me 9 Nandor 1989, vrasja e Çausheskut me 25 Dhjetor 1989,

Demostrata e Parë e heshtun me 14 Janar 1990 në Shkoder, per heqjen e bustit të Stalinit, Mesha e Parë në Rrëmaji me 11 Nandor 1990 nga Don Simon Jubani, shpallja e Don Simonit per me formue në Shkoder “Partinë Demokristjane” nga Prof. Nush Radovani, me 13 Nandor 1990, dhe zhgulja e bustit të diktatorit Enver Hoxha me 13 Dhjetor 1990, tek Prefektura e Shkodres, i paraprijnë Demokracisë, Lirisë Fesë dhe pluralizmit në të gjithë Shqipninë. Këto vepra heroike u pasuen nga Kavaja, Durrësi dhe në fund Tirana.

?Kur trashigimtarëve të fronit të Enverit, Nexhmijes dhe Ramizit filloi me ju dukë nder skutat e pallateve të tyne në Bllok fantazma e Çausheskut me të shoqen të shkrryem perdhe, nga tmerri pranuene “pluralizmin” e shpikun nga Kotovica: “...dhe të shartuem në Venecia, me ndihmen e Mentor Çokut dhe De Mikelis, tue i lanë “krijimin e disa partive” Fatos Nanos, Sali Berishës dhe Sabri Godos, i cili këte “pluralizem mashtrues” e mbrojti edhe me Kushtetuten e “Republikës së Shqipnisë” që i lejonte Shqiptarëve që me 2 Dhjetor 1992, edhe “praninë e kësaj Republike në “Konferencen Islamike”!

?Po Rinia Shqiptare, e harroi parullen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”?

Shkodra nga viti 1990 e deri nga fundi i vitit 1992, asht kenë e zeza e komunizmit që u kalb mbi dhe e qelbi Ballkanin, kur të gjitha vendet e Lindjes e kishin varrosë e i kishin vue tek koka nga një shenjë të zi, ku mblidheshin qyqet e kuluenverat me e vajtue...

?Me daten 25 Shkurt 1991, u shpall në Teatrin “Migjeni” formimi i BSPSh në Shkoder nga Kryetari i Nderuem Ferdinand Temali dhe Arben Borshi, si dhe Kryesia e saj. Asht aprovue edhe një Program i randsishem i bazuem në parimet Demokratike Europjane.

?Me 11 Mars 1991, Ministria e Drejtësisë aprovoi BSPSH e Shqipnisë themelue në Shkurt 1991. Ferdinandi mori pjesë në zgjedhjet e Kryesisë BSPSH për të gjithë Republikën e Shqipnisë në Tiranë, dhe u zgjodh anëtar i asaj Kryesije, me të gjitha votat pro të pjesmarrësve nga e gjithë Shqipnia. Ai ishte ndër organizatorët kryesorë të saj në të gjitha betejat dhe fitoret e mohueme të cilat, sot, po punohet nga “rilindja” me u harrue!

?Perpjekjet per shkatrrimin e BSPSh së Shkodres dhe të Shqipnisë që drejtohej nga të nderuemit Gzim Shima, Eqerem Kavaja, Gzim Kalaja etjerë, ishin të vazhdueshme. Po e njajta rrugë kercnuese asht ndjekë edhe me BSPSh e Kavajës. Nuk duhet mohue kurrë roli i madh që kanë luejtë në trandjen e thëmeleve të komunizmit, minatorët e Valiasit, të cilët rrëzuen monumentin e diktatori perbindsh të Shqipnisë, njenin nga 100 Tiranët e Botës, sherbëtorin e sllavokomunizmit dhe mikun e shovenistëve grekë, Enver Hoxhën, bashkpuntorin e Nexhmije Hoxhës dhe parardhësin e Ramiz Alisë me bedelat e sotem.

?Në Mars 1991, BSPSh ishte e pranishme në ma shumë se 70% të ndërmarrjeve të Shkodres, dhe ishte formue në disa pika kyqe si, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, Stacionin hekurudhor, Uzinat e mëdha të fermentimit, Pelhura, e telit, letrës etj., dhe kishte marrë mbas vetës armaten e madhe të mësuesve me kryetar Qazim Lika e Xhelal Fejzo, dhe të mjekëve të spitaleve, të poliklinikës me mjekun Leonard Kçira, përfshi këtu edhe klinikën dentare. Nuk imagjinohej kurrë nga komunistët se ndërmarrja e Minjerave dhe ajo gjeologjike ishin forca në favorin tonë. Per mue ato zgjedhje ishin Fitore!

?Me 29 Prill BSPSH mori edhe kokën drejtuese të arësimit dhe kulturës shkodrane, me serena nga z. Xh. Gjurkaj elektriçist në Institutin Pedagogjik. Nuk më besohej kur kam numrue 68 profesora nga 103 vetë, ku, përjashtohej grupi i spijunve me Sadik Ramën e Angjelin Kumrinë etj…të cilët, as nuk i kemi pranue në sallën e madhe ku janë zhvillue zgjedhjet e kur aty, u zgjodh kryetar i BSPSh Prof. Gjovalin Kolombi.

?Dy institucione me vlerë për ne ishin PTT dhe Radio Shkodra, sidomos e dyta, Radio ka luejt rol kryesor mbas shkumjes drejtor aty të z. Prof. Anton Çefa. Ashtusi në Shkoder priteshin emisionet e demaskimit të komunizmit, po me atë andje qytetarët tanë vraponin me u interesue a mërrijtën gazetat “Sindikalisti” dhe “RD” nga Tirana…

?BSPSh e Shkodres e lidhun me Tiranën e Kavajen, ishin qendrat ku BSPSh po hartonte ramjen e qeverisë komuniste… dhe, duhet vue në dukje roli i madh i rinisë shkodrane i pasuem nga mbarë Populli i Shkodres, në protesten e paorganizueme para selisë së komitetit të PPSH në mbasdreken e 1 Prillit 1991, kur turma mija vetësh u drejtuen nga ajo seli, mbas thirrjeve tek busti i Stalinit dhe Leninit në sheshin qendror. Ishte pikërisht Ferdinand Temali, që kërkoi me ngulm nga protestuesit mjete paqësore, dhe mbas orës 21.00 u shpërndanë tue thirrë në bulevardin e Shkodres: “Nuk e duam komunizmin jo, jo, jo..!” Pa u errë nata në Shkoder ishte zv. ministri i mbrendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekën e policisë, organizuen vepren terroriste që u realizue me 2 Prill 1991, (per të cilen duhet të jenë dekorue sivjet me Shyqyri Çokun...), mu në atë Shesh, ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik … Po aty, në mes të predhave dhe vrasjeve të organizueme nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rinjve Arben Broci me 97 vetë tjerë të vramë e të plagosun, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën shnajpër për me i thanë sekretarit I-rë PPSh Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhnue me gjujtë mbi turmat e pambrojtuna të studentave të shkollës “J.Misja” dhe Popullit të Shkodres, o ndaloni zjarrin ose drejtohuni kufinit e ikni, se Populli do t’ju shkyejn përsëgjalli!” E pra, këta sindikalistë nuk kishin as armë, as tanke...Vetem guxim!

?Po, drejtuesit e PD së Shkodres ku ishin?…Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodres “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSh, Ferdinandi, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi Marina Rraboshta, Lela Zorba, Muhamet Gradeci, Fritz Radovani, etj., për ruejtjen nga djegëja të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, të cilat i kemi mbrojtë edhe me rrezik koke, kur shnajpërt ishin në gatishmeni mbi kokat tona…

?Po kerkesa ynë cila ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSh do të organizojnë Grevë të Përgjithëshme në gjithë Shqipninë. Vrasësit e Arben Brocit me shokë ti kalonin organeve kompetente, njëkohësisht, edhe do të organizohën zgjedhjet e reja etj…Ndersa, kryetari i PD Pjeter Arbnori, i kerkoi gjyqtarit që “gjyqi i vrasësve, të zhvillohet mbasi PD të marrin pushtetin!”, domethanë “asnjëherë”! Edhe këte besoj e kujtojnë të pranishmit, bashkë me pergjegjen time: “Gjyqi duhet fillue që diten e hane, dhe mbasi të fillojë gjyqi, nderpritet greva e organizueme nga BSPSh!”.

?Sigurimin e shtetit, spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij, me dt. 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pasë asnjeni ndër dyer etiketat e emnave në apartamente…tue fillue nga Çapajev Taçi e deri tek i dekoruemi per “trimni” Shyqyri Qoku…

?Me 20 Maji kam shkue në Tiranë dhe i kam paraqitë Kryesisë BSPSh., propozimin tonë për Presidentin e ri të Republikës, ku kerkohej nga BSPSh e Shkodres, ardhje e Prof. Arshi Pipa, Sami Repishti dhe zonjës Nermin Vlona (Palaschi) në poste qeveritare. Mbas dy ditësh z. Eqrem Kavaja na ka komunikue edhe aprovimin e Kryesisë së Tiranës. Kuvendi Popullor botoi ligjin e pranisë në Shqipni, në 20 vjetët e fundit...për me evitue ardhjen e të gjithë personaliteteve nga diaspora në organe drejtuese.

?Qeveria vertetë ra...Me 10 Qershor, ora 11.00, në intervistën e dhanun “Zërit Amerikës” nga anëtarët e kryesisë BSPSH së Shkodres, kam theksue: “Qeveria e ardhëshme kurrë nuk do të realizojë aspiratat tona dhe të mbarë Popullit Shqiptar, nëse në përbamjen e saj do të ketë kjoftë edhe vetëm një komunist..!”. Atëherë, shumë vetë më quejtën “ekstremist”...por, sot, besoj janë me mendimin tim edhe ata që atëherë menduen me bashkpunue në qeveri me “komunistët e konvertuem”! Ky ishte gabimi i madh! Prania e tyne në çdo zyrë sjelli vetem korrupsion, mashtrime, vjedhje dhe luftë per pushtet edhe nga trashigimtarët e tyne, që po kerkojnë edhe “rilindjen komuniste”!

?Në Shtator 1991, pak ditë mbasi krijueme edhe “Shoqaten e të Persekutuemëve Politik” me 11, 12, 13 dhe 14 u organizue në Durres një seminar i BSPSh me rreth 200 anëtarë nga kryesitë e të gjithë Shqipnisë. Aty drejtonin amerikani Donald Slaiman nga USA, Tom Cook nga Britania dhe Sasha Morina nga Gjermania. Ata dhanë konkluzionet e porositë e tyne për BSPSh, tue u cilësue nga D. Slaiman me këto fjalë: “...Ju jeni Sindikata që keni thye dogmen e komunizmit!”. Ndërsa, në emnin e të  gjithë BSPSh, Ata u falnderuen dhe u përshëndetën nga anëtari i Kryesisë së Shkodres Fritz Radovani.

?Mbas mbledhjes së organizueme në teatrin “Migjeni” me z. Tony Freeman, që ishte Nënsekretar i Shtetit në USA, me datën 18 Korrik 1991, dhe takimit të nesërm me Té në hotel “Dajti” bashkë me Ferdinandin, unë kam kuptue mirë lojën e sindikatave italiane, të cilat bashkë me socialistët e Kraksit e Martelit, kanë luejtë rolin ma negativ për t’ardhmen tonë në të gjitha drejtimet, kryesisht në zhvillimet e ngadalshme demokratike. ?Pushteti demokratik porsa mori drejtimin e shtetit, bani kompromis me ishkomunistët tue ua krijue të gjitha mundësit e ruejtjes së “imunitetit” të paprekshëm të gjithë kriminelëve, nga Ramiz Alia e N. Hoxha deri tek vrasësit e të rijve në të katër anët e vendit prej piramidave kufitare e deri tek Mali me gropa...në afersi të Tiranës...apo, gjaksit e pafalshem të sigurimit shtetit që filluen me vra me “ligjët” e Kanunit, kur 95 % e tyne, as nuk njihnin as emnin e Autorit të Tij, e që as nuk e kishin pa kurrë atë liber!

?Njerzit e ndershëm që luftuen në ballin e luftës mbetën fukara dhe të vorfen pa asnjë fitim për mos me thanë se humbën edhe të gjitha iluzionet e Fitores...e, një ndër ta ishte edhe luftari i Demokracisë në Shkoder, Ferdinand Temali...pa u zgjatë me qindra të tjerë qytetarë shkodranë dhe shtetas në të gjithë Shqipninë.

***

?Shokët e bashkpuntorët e BSPSh, që luftuen për me rrëzue komunizmin gjakatar do të kujtojnë përjetë Luftarin Trim të Saj Ferdinand Temali...në sa e sa Përvjetorë të tjerë e zanin e Tij, që vazhdon me ushtue si gjithmonë: “Do fitojmë apo jo?!...Po, Po, Po..!”

?Me këte rast po ripërsëris fjalët e Prof. Arshi Pipës, që mi ka thanë personalisht mue:

“...Jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrëzue një qeveri me të gjitha tiparët e terrorizmit komunist, gja që deri sot nuk ka ndodhë në historinë e të gjitha Sindikatave të Botës!...” (Shkoder, 1993).

?Themelues i Asaj BSPSh, 25 vjetë perpara, organizator dhe luftar besnik në betejën per përmbysjen e komunizmit  ishe Ti, o i pavdekshmi Ferdinand Temali!..

Vertetë që mbas Teje nuk ishim aq pak sa kujtojnë disa...

?Me Ty BSPSh... ishte i gjithë Populli Heroik i Shkodres dhe gjithë Shqipnia!

Melbourne, Shkurt 2015.