E enjte, 28.03.2024, 05:59 PM (GMT)

Kulturë

Sofia Loren: Gratë janë ende fëmijë deri sa arrijnë moshën 30-vjeçare

E diele, 10.08.2008, 07:46 PM


Sofia Loren
Sofia Loren, konsiderohet si aktorja më e suksesshme italiane dhe gjithashtu "sex symbol" më e famshme në mbarë botën

Gratë janë ende fëmijë deri sa arrijnë moshën 30-vjeçare

Sofia Loren lindi në Klinikën "Regina Margherita" në Romë më 20 shtator 1934, e bija e Riccardo Scicolone dhe Romilda Villani. Richardo refuzoi të martohej me Romildën, duke e braktisur atë, një mësuese pianoje dhe aktore aspirante, pa asnjë suport. Romilda, Sofia dhe e motra Mario, u kthyen në Puzzoli, afër Napolit për të jetuar me gjyshen e Sofias për të mbijetuar.

Pas luftës, gjyshja e Sofies, Luiza, hapi dhomën e ndenjes dhe e ktheu në një lloj pubi ku shërbenin liker qershie të bërë në shtëpi. Romilda luante në piano, Maria këndonte, ndërsa Sofia e turpshme merrte porositë dhe lante pjatat. Vendi i bë mjaft i njohur. Kur ishte 14 vjeç, Sofia mori pjesë në një konkurs bukurie në Napoli, u zgjodh si finaliste, por nuk arriti të fitonte. Më vonë, ajo u aktivizua në disa mësime aktrimi dhe u përzgjodh si pjesëmarrëse në filmin e Mervyn Le Rov, Quo Vadis.

Martesa

Loren u takua për herë të parë me Carlo Ponten në vitin 1950 gjatë një konkursi bukurie ku ai ishte pjesëtar i jurisë. Ashtu siç kishte ndihmuar, Gina Lollobrigida, në promovimin e karrierës së saj, ai ndihmoi edhe Sofian për të marrë pjesë në disa role të vogla. Ndërkohë, në vitin 1957, me anë të ndihmës së një avokati meksikan arriti të merrte divorcin nga gruaja e tij, Giuliana duke bërë një martese me prokurë me Sofian. Italia nuk e njihte divorcin në atë kohë dhe Kisha Katolike e dënonte martesën e tyre. Në vitin 1962, martesa u anullua. Pas kësaj, ai arriti te një marrëveshje më Giulianën për t'u shpërngulur të tre në Francë, ku në atë kohë lejohej divorci dhe u bënë shtetas francezë. Në vitin 1965, Giuliana Ponti u divorcua nga i shoqi, duke e lejuar atë të martohej me Sofian në vitin 1966 në një martesë civile.

Karriera

Nga fundi i viteve '50, fama e yllit Loren kishte filluar të ngrihej në Hollywood me filmat si "Boy on a Dolphin" dhe "Pride and the Passion" në vitin 1957, në të cilin ishte përkrah aktorit kryesor Cary Grant dhe Frank Sinatra. Grant, ra aq shumë në dashuri të çmendur me Loren sa i kërkoi martesë, pavarësisht besnikërisë së saj ndaj Carlos dhe lidhjes së tij me aktoren dhe shkrimtaren Betsy Drake. Loren refuzoi.

Fama ndërkombëtare

Loren u bë një yll ndërkombëtar filmash me një kontratë prej pesë fotosh me "Paramount Pictures". Filmat më të njohur të saj gjatë këtyre viteve kanë qenë: "Desire under the Elms" me Anthony Perkins e bazuar në dramën e Eugene O'Neill; "Houseboat" një komedi romantike në rol kryesor përkrah Grant; dhe fimi "Heller in Pink Tights" nga George Cukor, në të cilin ajo u shfaq si bjonde për herë të parë. Loren demonstroi aftësi mjaft të mira dramatike dhe fitoi respektin si një aktore dramatike dhe komike sidomos në projektet italiane, në të cilët mund t'i shprehte veten e saj më lirshëm edhe pse kishte përfituar aftësi mjaft të mira në gjuhën angleze.

Në vitin 1960, performanca e shkëlqyer e Sofias në filmin "Dy gra" të Vittorio De Sica, fitoi shumë çmime të performancës, duke përfshirë festivalet e filmit të Cannes, Venecias mdhe Berlinit. Ajo u vlerësua edhe me çmimin Academy si aktorja më e mirë, çmimi i parë madhor Academy për një performacë në gjuhën jo-angleze. Në fillim historia e zymtë dhe heroike e një nëne dhe vajzës së saj, të cilat mbijetojnë në një Itali të shkatërruar nga lufta, mendohej të përbëhej nga Anna Magnani, si nëna dhe Sofia si vajza e saj. Më pas, skenari u rishkrua, duke e vendosur Sofian në vend të nënës dhe Annan në vend të vajzës.

Duke hedhur poshtë portretin tipik të një aktoreje mjaft të bukur, por injorante dhe kokëbosh, Sofia njihej përveç për bukurinë e saj mahnitëse edhe për zgjuarsi, mprehtësi dhe botë të pasur shpirtërore. Shprehja e saj e preferuar, të cilën e citonte shpesh si për të ironizuar figurën e saj të famshme dhe epshndjellëse është: "Gjithçka që shikoni, është falë makaronave".

Gjatë viteve '60, Loren ishte një nga aktoret më të famshme të botës, ajo vazhdoi për një kohë të gjatë të xhironte filma në SH.B.A dhe Europë përkrah yjeve mashkullorë të kinematografisë. Në vitin 1964, karriera e saj arriti kulmin kur asaj iu ofruan 1 milion dollarë për të luajtur në filmin "Rënia e Perandorisë Romake".

Filmat më të njohur gjatë kësaj kohe janë: produksioni epik i "El Cid" i Samuel Bronston me Charlton Heston (1961), "Milionerët" me Peter Sellers (1960), "Filloi në Napoli" me Clark Gable (1960), triptiku i Vittosio De Sica "Dje, Sot, Nesër" (1963) me Marcello Mastrojanin, "Lady L" i Peter Ustinov me Paul Newman (1965), klasiku "Arabesque" me Gregory Peck (1966) si dhe filmi "Një Konteshë për Hong Kong" i Charlie Chaplin me Marlon Brando (1967).

Pavarësisht dështimeve të disa prej filmave të saj në shitjet botërore, Loren ishte mjaft e vlerësuar nga kritika për punën dhe performacën e saj përkrah yjeve të famshëm kinematografikë. Gjatë karrierës së sajm ajo ka shpalosur talent, performanca joshëse dhe ka veshur disa nga veshjet më të mira dhe enkas të realizuara për të. Disa nga performancat e saj më tërheqëse kanë qenë: "Një frymë skandali"(1960), "Madamme Sans-Gene"(1962), Heller in Pink Tights" (1960) dhe "Më shumë se një Skandal" (1967).

Karriera muzikore

Loren gjithashtu ka regjistruar gati dy dyzina këngësh përgjatë karrierës së saj, duke përfshirë një album me këngë komike me Peter Sellers, i cili u bë best-seller. Gjatë regjistrimit të këtij albumi, asaj ju desh të refuzonte avancat e tij të panumërta. Fakti që Sellers u nda nga gruaja e tij, Anne Howe i dedikohet pikërisht fiksimit të tij ndaj Sofias. Loren, ia ka bërë të qartë mjaft biografeve se, dashuria e Sellers ka qenë krejtësisht platonike dhe absolutisht e kundërpërgjigjur nga ajo. Ky bashkëveprim i tyre u shpalos edhe në filmin "Jeta dhe vdekja e Peter Sellers" ku aktorja Sonia Aquino portretizonte Sofian. Thuhet se kënga "Where do you go (mu lovely)" nga Peter Sarstedt është inspiruar pikërisht nga Sofia Loren.

Karriera më vonë

Mbasi u bë nënë, Loren filloi të punonte më pak. Ajo po arrinte dalëngadalë të 40-at dhe të 50-at me role në filmat si i fundit nga De Sica "The Voyage" me Richard Burton dhe "Një ditë speciale" nga Ettore Scola me Mastrojanin.

Në vitin 1980, Loren portretizoi veten dhe nënën e saj në një lloj adaptimi të autobiografisë së saj. Aktoret Ritza Brown dhe Chiara Ferrat luajtën Loren në moshat më të vogla. Në vitin 1982, ajo kaloi 18 ditë në burg në Itali për mospagim taksash, një fakt i cili nuk e dëmtoi karrierën dhe popullaritetin e saj.

Në moshën 60-vjeçare Loren u bë mjaft selektive përsa i përket zgjedhjes së roleve të saj dhe filmave ku do të merrte pjesë, gjithashtu u aventurua në disa fusha të biznesit si p.sh., libra kuzhine, syze, bizhuteri dhe parfume. Gjithashtu, bëra disa aparenca të mirëpritura në "Ready to Wear" e Robert Altman dhe në komedinë "Grumpier Old Man" në vitin 1995 ku përfaqësonte femrën fatale kundër Walter Matthau dhe Jack Lemmon. Në vitin 1991, Loren fitoi Çmimin Academy të Nderit për kontributin e saj në kinemanë botërore dhe u shpall "një nga thesaret e kinemasë në të gjithë botën". Në vitin 1995, ajo fitoi Çmimin Globi i Artë Cecil B. DeMille.

Aktivitetet aktuale

Loren, në moshën 72-vjeçare, u shfaq në Kalendarin 2007, Pirelli të titulluar "Një krevat dhe 5 histori" bashkë më Hillary Swank, Penelope Cruiz, Naomi Watts dhe Lou Duillon. Loren është një tifoze e çmendur e skuadrës së Napolit S.S.C. Në maj 2007, kur skuadra e saj arriti në vend të tretë të Serisë B ajo deklaroi tek "La Gazzetta dello Sport" se do të bënte një striptiz nëse skuadra do të arrinte të kualifikohej në Serinë A për sezonin '07-'08. "Tifozët kanë pasionin e duhur, qyteti e meriton shpërblimin", tha ajo. Edhe pse ata arritën të kualifikoheshin në Serinë A, Loren nuk e bëri striptizin.

Aktorja e madhe italiane thotë se po shijon rininë e dytë në moshën 74 vjecare

Sofia Loren: Momentet më të vështira të jetës time

-A e keni fshehur ndonjëherë moshën tuaj?

Nuk e kam fshehur kurrë moshën time nga bota, sepse nuk ndihem keq dhe nuk më intereson. Nuk mund të fshehësh kohën. Nuk jam e frikësuar pas saj. Po shijoj rininë time të dytë.

-Ju pëlqejnë ditëlindjet?

Në fakt, po. Është një arsye e mirë për të folur me vetveten, t'u pytur se çfarë ke bërë gjatë viteve, çfarë po bën për momentin dhe çfarë planesh ke për të ardhmen. Vajzat, të cilat nuk arrijnë të komunikojnë me veten e tyre, qëndrojnë përjetësisht vajza, nuk bëhen kurrë gra. Kur ndjehem e mërzitur mendoj për atë ç'kam bërë deri tani, çfarë kam arritur, duke filluar nga hiçi dhe duke arritur deri në ditët e sotme me shumë lumturi.

-Keni qënë me fat.

Nuk është fat. Unë nuk besoj tek fati. Është dëshira ajo që të duhet dhe mua kjo gjë nuk më ka munguar kurrë. Ky është sekreti im. Edhe pse isha vajza e një familjeje të varfër, i jati i të cilës nuk deshi të martohej me të jëmën, arrita atë çka doja. Asnjëherë, kurrë, nuk kam dashur që të tjerët t'i arrinin gjërat për mua. Kam paguar, jo vetëm me para, por edhe me vuajtje, dhimbje dhe ankth gjithçka që kam arritur në jetën time.

-Mamaja juaj, Romilda Villani jetonte në Puzzoli, një fshat afër Napolit dhe dëshironte të bëhej një yll kinemaje. Ajo fitoi kunkursin e ngjashmërisë me Grata Garbon kur ishte 17 vjeç. Gjyshja juaj nuk e lejoi atë të merrte një biletë avioni për Kaliforni që të merrte pjesë në një provim kinematografik në Hollyëood. Mamaja juaj u rebelua dhe iku nga shtëpia për në Romë, ku u njoh edhe Riccardo Scicolone, babain tuaj, të cilin e keni takuar vetëm kur ishit 5 vjeç apo jo? Si ka qenë jeta juaj pa baba?

Gjithmonë kam ndjerë se nuk kam patur fare një baba. Edhe kur je e re mësohesh me gjërat negative të jetës. I thua vetes: "Ndoshta kështu duhet të jetë", por në të njëjtën kohë nuk e konsideron veten si të gjithë fëmijët e tjerë, pasi ata kanë edhe nënë edhe babain. Nuk flas në këtë mënyrë për babain tim, pasi kam një ndjenjë urrejtjeje. Urrejtjen nuk e kam njohur në jetën time. Për më tepër, kisha shumë dashuri përreth meje. Gjyshja dhe gjyshi im më donin mua dhe motrën time shumë.

-Ju jeni mjaft e lidhur me motrën tuaj, Maria, ajo gjithashtu ishte vajza e paligjshme e Scicolone. Vetëm disa vite, pasi ju u bëtë një yll kinemaje ajo arriti të merrte mbiemrin e tij?

Ajo vuajti shumë nga ky fakt. Nuk donte as të shkonte në shkollë. Në mbështesnim njëra-tjetrën. Edhe djemtë e mi kanë katër vite diferencë me njëri-tjetrin. Unë i them gjithnjë Edoardos: "Duhet ta duash dhe ta mbështesësh shumë vëllain tënd". Të njëjtën gjë i them edhe Carlos, sepse dua që të dy vëllezërit të jenë shumë të ngushtë me njëri-tjetrin. Në fund të fundit, çfarë kemi tjetër në jetë të rëndësishme përveç familjes? Kur del jashtë dhe largohesh nga shtëpia e kupton rëndësinë e saj.

-Jeni shfaqur në një seri filmash, duke përfshirë "Era lui, si, si", në të cilin u shfaqët topless, para se të kalonit në një arkiv prej 100 filmash, duke përfshirë performancën në filmin "Dy gra" në vitin 1961, e cila u vlerësua me çmimin Oscar si "Aktorja më e mirë". Nuk jeni shumë e kënaqur për karrierën tuaj të hershme?

Nuk jam aspak e turpëruar fillimet e mia të zhveshura (shaka).

-Sigurisht që u bëtë një sex symbol e dëshiruar nga të gjithë. A jeni penduar ndonjëherë për këtë?

Të them të drejtën aspak. Madje më pëlqente, pasi po e bëja në një mënyrë pak a shumë lozonjare. Megjithatë e dija që ishte vetëm një përgatitje për atë çka do të bëja më vonë. Është e pamundur të jesh një sex symbol përgjatë gjithë jetës. Të duhet të jesh shumë e re dhe pas kësaj karriera jote merr fund. Dmth në një kohë të caktuar duhet të fillosh të zgjedhësh role që të lejojnë të ecësh përpara. Kjo ishte ajo që bëra kur luajta në filmin "Dy gra", isha 25 vjeç bëra rolin e nënës së një vajzë 15-vjeçare. Me këtë rol arrita ta afirmoja veten time si aktore dhe më pas mora shumë role të mira.

-Martesa jotë me Carlo Pontin ka qenë mjaft e kundërshtuar në atë kohë, por njëkohësisht edhe spektakolare. Keni ndenjur sëbashku për më tepër se 40 vjet. Ai është 21 vjet më i madh se ju dhe gjithnjë ka patur thashethemme rreth meshkujve të tjerë, që të vinin nga mbrapa. Vitin që ju u martuat njëkohësisht ka dalë në treg edhe filmi "Krenari dhe pasion" në të cilin ishit në rol kryesor përkrah Cary Grant dhe Frank Sinatra. Gjatë filmit, para martesës tuaj, patët një lloj marrëdhënie me Cary, i cili në atë kohë ishte 52 vjeç?

Kur u njoha me Caryn isha 23 vjeç. Ai kishte qenë ëndrra ime që kur isha një vajzë e vogël - i gjatë, i pashëm, tërheqës, me sens të mirë humori dhe mjaft xhentil. Natyrisht që, Carlo dhe Cary, nuk kishin asgjë të përbashkët, por megjithatë unë i doja të dy.

-Ju i refuzuat propozimet e Caryt për martesë, pasi Ponti arriti të merrte divorcin dhe ju mund të martoheshit. Çfarë do të ndodhte nëse situatat do të ishin ndryshe?

Po, do të isha martuar me Cary Grant.

-Çfarë mund të na thonë përsa i përket romancës së supozuar me Peter Sellers, i cili luajti bashkë me ju në filmin "Milionerët" në vitin 1961?

Ne nuk kemi qenë kurrë të dashur. Unë kam xhiruar filma përkrah Marcello Mastrojanit, Clark Gable, William Holden, Alan Ladd, të gjithë meshkuj tërheqës, por nuk mund t'i kesh të gjithë të dashur. Janë thjesht thashetheme. Peter Sellers kishte një personalitet të përkryer dhe e pëlqeja shumë, por të dashur...kurrë.

-Patjetër që do të jeni ndeshur me tentativa të ndryshme publike për të shkatërrruar martesën tuaj, thashetheme, histori të trilluara...

Nuk i duroj dot këto. As që kam dëshirë të flas për to. Më duket kaq normale të jesh e martuar dhe të qëndrosh e martuar. Mendoj se kur gjen personin e duhur për të kaluar jetën, të duhet ta shtrëngosh fort edhe në momentet e depresionit dhe të mosmarrëveshjeve. Çdo gjë kalon. Ajo që mbetet është dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Mendoj se shpesh herë të duhet t'i gëlltisësh edhe gjërat e hidhura. Në shumicën e rasteve unë nuk harroj, por fal. Jam pak a shumë një femër fataliste, jam napoletane dhe e shikoj jetën me një sy optimist.

-Djemtë e t'u janë prova evidente e optimizmit tënd apo jo?

Ashtu është. Pasi vuajta dy shtatëzani të dështuara, doktorët më thanë se nuk do të mundja të kisha më fëmijë në jetën time. Isha e bindur se kjo gjë nuk ishte e vërtetë, pasi besoj se kur me të vërtetë e do diçka me gjithë fuqitë e tua, mund ta arrish. Kur mbeta shtëzanë i kalova të nëntë muajt, të dy herët, në shtrat. Mbase kjo është forca ime, me të vërtetë bëj të pamundurën. Momentet më të vështira të jetës time kanë qenë kur humba dy fëmijët e parë të palindur, nuk doja të më ndodhte përsëri.

Unë si nënë ndihem pak e pafuqishme. Jetojmë në një botë shumë të rrezikshme, po unë mundohem ti mbaj të fshehura frikat e mia. Asnjëherë nuk ua tregoj fëmijëve të mi. Mendoj se fëmijëve duhet t'u japësh besim tek jeta, shoqëria dhe në botën e sotme.

-Po për moshën tuaj ndjeheni e pafuqishme?

Jo, absolutisht jo. Plakja është shumë relative. Mundohem ta mbaj veten në formë aq sa mundem, megjithaatë të plakesh është një eksperiencë e bukur. Maturohesh.

- Sa e kënaqur jeni nga jeta juaj? Sa pishmane keni?

Në jetë të ndodh të eksperimentosh të gjitha ndjenjat. Gëzimin dhe depresionin në disa raste, megjithatë unë mendoj se kam një jetë të mrekullueshme. Jeta ime ka qenë gati plotësisht e kompletuar. Thashë "gati" por nuk kam pishmane. Jam krenare për gjërat që kam bërë për veten time dhe ajo çka kam qenë ndër vite. Gjithashtu, jam shumë krenare për fëmijët e mi. Ajo çka unë kam mësuar nga ime më, kanë qenë forca për të ecur përpara dhe dinjiteti. Tani çdo gjë duket e lehtë, sikur ta kisha krijuar me një shkop magjik, por gjatë rrugës ka patur shumë sakrifica dhe rreziqe ndër të cilat kam kaluar. Unë dhe ajo asnjëherë nuk kemi menduar se do të isha kaq e suksesshme. Nuk e di nëse e meritoj, pasi është shumë më tepër seç prisja.

-Si ka qenë jeta juaj nga të qenit askushi deri në pozicionin që keni tani, një nga aktoret më të suksesshme të botës?

Unë linda e madhe. Si në jetën e përditshme ku duhet të përballesha me probleme nga më të ndryshmet ashtu edhe në filma. Nëpër filma, që në moshën 15-vjeçare luaja gjithmon rolin e gruas, asnjëherë të vajzës. Në moshën 30-vjeçare shtypi botëror më mbyste duke më pyetur se si ndihesha në moshën e mesme. Më pas, në moshën 40, 50 dhe 60-vjeçare më sulmonin duke më thënë se ishte një moshë kritike për femrat. Ajo çka me të vërtetë vlen për mua në jetë është marrëdhënia e mirë që kam me familjen time. Për ta asnjëherë nuk ka rëndësi se sa vjeç je. Jeta e një gruaje ndonjëherë mund të jetë edhe e frikshme. Kur je 30 vjeç zgjohesh në mëngjes dhe kupton se nuk je më një vajzë dhe ka shumë gjëra në këtë botë për t'u bërë. Nëse nuk ke fëmijë, mund të jesh e frikësur se nuk do të kesh ndonjëherë. Unë kam filluar të punoj në moshën 15-vjeçare dhe i kam shijuar plotësisht të gjitha moshat e mia. Çmimin e parë "Oscar" e fitova në moshën 26-vjeçare dhe isha mjaft e suksesshme në moshën e rëndësishme 30 vjeçare.

- Ishit e shqetësuar që nuk kishit fëmijë?

Isha shumë e shqetësuar që nuk kisha fëmijë, por fatmirësisht erdhën më vonë. Mendoj se gjëja më e bukur për një grua në moshë është të ketë një fëmi të vogël që të mbush me dashuri. Nëse je e lumtur, mendon pozitivisht dhe gjërat e mira brenda teje rrezatohen edhe jashtë, duke të të bërë të dukesh edhe më e bukur.

- Duhet të bësh shumë përpjekje për të mundur kohën. Sa mirë ndiheni ju me veten?

(qesh) Gjithçka që shikoni, është falë makaronave. Pamja fizike është vetëm 50% e asaj që ti je, unë mjaftohem edhe me 25%. Mendoj se hunda ime është shumë e gjatë, mjekra shumë e shkurtër, vithet shumë të gjera, por gjithë këto parregullsi së bashku duket se funksionojnë.

- Jeni e frikësuar nga plakja?

Nuk i jap shumë rëndësi. Nuk jam e frikësuar, çdonjeri plaket fatmirësisht.

- Keni menduar ndonjëherë të bëni operacion plastik?

Asnjëherë. Nuk kam asgjë kundër operacioneve plastike, nëse një femër është e fiksuar me pamjen e saj, por unë preferoj t'i qëndroj besnike fytyrës time të vjetër të dashur. Çdonjërit do t'i duhet të plaket një ditë. Unë jam e re në shpirt, kështu që plakja nuk ka asnjë rëndësi për mua. Gjëja më e mirë që kam bërë për pamjen time ka qenë lënia e duhanit.

- Cili është sekreti i rinisë së përjetshme për ju?

Sekreti për të ngelur gjithmonë e re është të ecësh përpara, pa e kthyer kurrë kokën prapa...vetëm drejt. Në momentin që fillon të shikosh mbrapa, fillon të ndjesh edhe moshën.

- Padyshim që nuk e ndjeni fare moshën tuaj. Seksi?

(qesh) Në ditët e mia të rinisë mendoja se seksi vjen bashkë me marrëdhënien, por nuk është gjëja kryesore. Tani unë vendos marrëdhënien para pasionit, përpara dashurisë dhe përpara seksit. Fillimisht seksi mund të duket si gjë parësore, por me kalimin e viteve e kupton se të duhet një mashkull i mirë, i ndjeshëm dhe i qëndrueshëm.

- Seks pa dashuri?

Seksi pa dashuri është qesharak, pasi vetë akti është si larja e fytyrës - është diçka që ti duhet ta bësh. Dashuria fillon kur ti pëlqen mënyrën e të qënurit të një mashkulli, mënyra se si ai të shikon: jo vetëm gjërat që ai bën në krevat.

Carlo ishte i aftë të më jepte një sens ekuilibri, një balancë në një mënyrë që meshkujt e tjerë më të rinj nuk do të arrinin kurrë të më jepnin.

- Viti më i vështirë i jetës tuaj?

Kur mbusha 50 vjeç. Kisha shumë kohë që i trembesha asaj ditëlindjeje, por kur më në fund erdhi, u qetësova. Secila moshë ka sadisfaksionet e saj. Kam arritur një balancë të caktuar, një lloj harmonie në jetën time, një total gjërash të cilat i kam ëndërruar kur kam qenë e re. Kisha kaluar një rrugë të gjatë dhe isha bërë disi reflektive rreth jetës time personale dhe profesionale. Ishte tamam si një dritë e kuqe, tek e cila ndalova dhe ktheva kokën pas. Ia kisha dalë mbanë gjithçkaje dhe isha krenare dhe vazhdoj të jem akoma.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora