Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nënë lind, apo bëhesh?

| E diele, 10.08.2008, 08:27 PM |


"Instinkti" i nënës nuk ekziston, por mësohet. Ja pse disa nëna janë të zonja dhe disa të tjera jo

Annamaria Franzoni, një nënë italiane, e cila në vitin 2004 u akuzua për vrasjen e vogëlushit Samuele, është më e njohura, por jo e vetmja. Nëse ju kujtohet është edhe Mary Patrizio, që për t‘u bërë velinë, mbyti në vaskën e shtëpisë të birin, Mirko. Marie August Tineke i nguli thikën të birit gjashtëmuajsh, për të fshirë çdo gjurmë të një dashurie që përfundoi. Kemi dëgjuar edhe raste të tjera për fëmijë të keqtrajtuar e të rrahur për vdekje; apo që nënat i kanë harruar në sedijen e pasme të makinës, siç ndodhi vitin e kaluar në Belgjikë, apo këtë vit në Itali. Çfarë ndodh me këto nëna? Mos ndoshta tek ato nuk ekziston instinkti amësor? Po çfarë kuptojmë me këtë përcaktim? Mos ndoshta është një instinkt urie apo etjeje? Nëna e ardhshme lind me instinktin e përkujdesjes, apo bëhet e tillë për shkak të ndryshimeve të shumta gjatë periudhës së shtatzënisë? Apo mos ndoshta bëhet e tillë nga simptomat e shkaktuara prej lidhjes me fëmijën? Pra, instinkti amësor është thjesht një instinkt që lind me nënën, apo luan një rol të rëndësishëm edhe eksperienca?

Nëna të këqija

Diçka është e qartë: edhe në të kaluarën kishte nëna të cilat nuk mendonin për fëmijët e tyre. Medea, e cila u bë e famshme nga tragjedia homonime e Euripidit, u dashurua çmendurisht pas Jasonin, udhëheqësit të Argonautëve, u martua me të, lindi fëmijë dhe për shkak se ky i fundit e braktisi, Medea vrau të gjithë fëmijët e saj, për t‘u hakmarrë ndaj tij. Për fat të mirë, studimet historike të lënë të shohësh në të kaluarën e artë të nënave: regjistrat e "Broadmoor", çmendina kriminale angleze, tregojnë se nga viti 1902 e deri më 1927, 48 për qind e femrave që qëndronin në këtë vend ishin fajtore për vrasjen e foshnjave të tyre. Një antropolog anglez ka zbuluar se në vitin 1640, në Firence, 22 për qind e fëmijëve të pagëzuar braktiseshin. Dhe në kohërat e parahistorisë gjërat nuk shkonin edhe aq mirë, sepse sipas llogaritjeve, në fiset e gjuetarëve Kung San, nomadë të shkretëtirës mes Botsvanës, Angolas dhe Namibisë, në 100 lindje vdiste një foshnjë. Pra, vrasësja është gruaja, ndërsa shpesh viktima, për shumë arsye, është fëmija.

Cilido që të jetë instinkti amësor, duhet të pranojmë se nuk është automatik, ashtu siç thuhet apo mendohet shpesh herë.

Natyrisht që nuk mund të themi se të gjitha nënat janë të këqija, sepse ka edhe nga ato që sakrifikojnë jetën për të vegjlit e tyre. Në fillim të muajit shkurt, një nënë 31-vjeçare, e cila vuante nga kanceri, hoqi dorë nga kimioterapia, për të mos dëmtuar Sofinë e vogël që mbante në bark. Dy muaj më vonë, një tjetër nënë 38-vjeçare, e cila ndodhej në rrethana të ngjashme, vdiq pasi solli në jetë të birin.

Altruizëm i lindur

Pra, vëmendja që i kushtohet çdo fëmije varet shumë nga rrethanat dhe vendimet amësore jo gjithmonë përputhen me altruizmin e lindur. Të qenit nënë nuk ka qenë kurrë e thjeshtë. Sigurisht, sot progresi e ka bërë më të lehtë rritjen e një foshnjeje. Nga ana tjetër, nënat e rritura në familjet moderne janë më të vetmuara se ato të familjeve patriarkale përballë një detyre impenjative. "Një fëmijë rritet dhe edukohet në fshat", thotë një shprehje e vjetër, cituar edhe nga Hilari Klinton.

Për të vërtetuar instinktin e amësisë, një grup studiuesish bënë një eksperiment. Morën një miushe gjatë momentit të lindjes: pasi hëngri placentën, lëpiu të vegjlit dhe i mblodhi rreth vetes për t‘i mbrojtur. Gjithçka duket automatike, por edhe në këtë rast disa nëna lënë krejtësisht pas dore të vegjlit e tyre. Ndonjë herë anomalia është gjenetike, për shembull, nëse mungon apo nuk funksionon "fosB", një gjen që përçohet në tru. Dy studiues nga Bostoni morën një miushe, të cilës i mungonte ky gjen. Miushja, që dukej më se normale, lindi, por nuk i afronte këlyshët e saj, të cilët ngordhën ngaqë nëna e tyre nuk u kujdes për ta. Gjithsesi, nuk është vetëm një problem gjenesh. Duket se te gjitarët instinkti amësor shfaqet pak nga pak dhe është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm, ambientit dhe lindjes së këlyshëve. Pra, amësia duket se është një sjellje përkujdesi, që forcohet çdo ditë.

Historia e amësisë

Majmunët në kafaz, të cilët nuk kanë pasur mundësi të shoqërohen dhe të luajnë me këlyshët e nënave të tjera, bëhen nëna të pakujdesshme dhe ndonjëherë të dhunshme. Një psikiatër nga Universiteti i Kalifornisë ka ndjekur një koloni të madhe majmunësh jeshilë. Femrat e ushqyera mirë lindin në moshën 3-vjeçare, pra një vit para kohës së caktuar. Këto "adoleshente" janë aq të kujdesshme, sa nuk e zbresin të voglin e tyre nga shpina. Një "Macaca rhesus" nënë (majmune), e papërgatitur për të sjellë në jetë një këlysh, u tremb aq shumë nga i vogli i saj, sa ia mbathi nga kafazi, duke marrë zvarrë edhe këlyshin, i cili ishte i lidhur pas kordonit të kërthizës. Edhe mes "Homo sapiens", shtatzënitë më të rrezikshme, të trajtuara keq, braktisjet, madje dhe mbytjet e të vegjëlve, janë ato të nënave adoleshente. Pas një lindjeje cezariane, gjërat shkojnë edhe më keq: vetëm 3 për qind e majmunëve që lindin në këtë mënyrë i mbajnë të vegjlit në kafaz.

Nëna të pjekura

Me praktikë, instinkti i nënës përmirësohet edhe më shumë. Një majmune eksperte mund ta ndihmojë të sapolindurin, i cili nuk mund të lëvizë, duke e tërhequr pas vetes me putër. Kjo praktikë dhe ky mësim duket se janë të thelbësorë edhe te femrat. Një antropologe amerikane dhe studiuese e lindjeve në disa kultura të ndryshme, konstatoi se te nënat që lindnin për herë të parë, gëzimi i menjëhershëm ishte jotipik. Indiferenca ose kënaqësia e dukshme lidhen me mbështetjen sociale që zotëron nëna. Indiferenca është e pranishme edhe në botën perëndimore. Në vitin 1980, një psikiatre e Universitetit të Londrës studioi një grup londinezësh që ishin të martuar dhe jetonin të lumtur. Psikiatria u shokua nga indiferenca e nënave primare, kur merrnin për të parën herë në dorë foshnjën e tyre. 40 për qind e nënave pranonte se nuk ndiente një dashuri të menjëhershme për foshnjën, kundrejt 25 për qind të nënave që ishin në lindjen e dytë. "Nëse një nënë, qoftë kafshë apo njeri, braktis një foshnjë, e bën gjithmonë brenda 72 orëve të para", shkruan një docent antropologjie nga Universiteti i Kalifornisë. Lidhja e fortë me fëmijën shfaqet në ditët dhe javët pas lindjes, sepse nëna i qëndron pranë, kujdeset për të dhe i jep për të pirë. Që kjo lidhje të bëhet edhe më e dashur, shpesh është e nevojshme që dikush ta mësojë nënën e re se si ta mbajë fëmijën, sepse në të kundërt mund të krijohen pakënaqësi që e bëjnë edhe më të bezdisshme lidhjen nënë-fëmijë. Ushqimi me gji parandalon edhe depresionin pas lindjes.

Të qara pa pushim

Pas lindjes vuajnë më shumë se 50 për qind e nënave. Kjo ndodh për shkak të efektit të prolatinës, hormonit të qumështit, që i shtyn gjithashtu nënat të mbrojnë dhe të kujdesen për të vegjlit e tyre. Në 10-15 për qind të lindjeve, depresioni është i rëndë dhe zgjat për javë të tëra. Shoqërohet me ankth, pagjumësi, acarim dhe egërsi. Familja duhet të jetë e kujdesshme ndaj këtyre shenjave. "Depresioni, shpjegon një psikolog evolucionist dhe drejtor në departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Harvardit, Boston, është më akut në këto rrethana, se sa në vendet e tjera të botës, ku për arsye të ndryshme i detyron nënat të vrasin foshnjat e tyre. Gjithashtu, familjarët duhet të kenë kujdes me foshnjën, nëse ai ka të nxira në trup ose fraktura, sepse në këtë fazë nënat mund të bëjnë veprime të pamenduara". Për fëmijët e keqtrajtuar filloi të flitej në vitet ‘60. Sot, studimet e shumta të një docenti nga Universiteti i Çikagos kanë treguar se një nënë abuzuese "pa dashje" i edukon vajzat e saj që, kur të bëhen nëna, të jenë abuzuese edhe ato vetë me fëmijët e tyre. Kjo është prova e fundit që tregon se detyra e nënës mësohet, nuk lind.

G. Shqip