E marte, 19.03.2024, 02:00 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Kota: 95-vjetori i Memorandumit të Parë të Korçës

E hene, 15.02.2016, 10:30 AM


Qeveria e Iliaz Vrionit, nuk reagoi ndaj Përmendores së paraqitur nga  të krishterët korçar,  dhe të dërguarit e saj

95-vjetori i Memorandumit të Parë të Korçës 13-19 shkurt 1921 (2016)

-Memorandumi i parë me  rëndësi historike që paraqet  dhe nivelin e dr.Koço Kotës

-Koço Kota më datë 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë

- Shqipëria u njoh prej Konferencës Londrës si shtet indipedent e neutral, që nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit oriental të Turqisë

- Kombi Shqiptar, është e vërtetë që është një komb homogjen, porse ndryshimi i fesë dhe i kulturës, e kanë ndarë në dy  komenta zakonesh

- Gjermanët dhe pas humbjes së luftës, vazhdojnë të jenë gjith ata gjermanë të bashkuar, sado të ndarë në mbretëri dhe krahina politikërisht dhe fetarisht

Nga Harallamb Kota, studiues i historisë

Qeveria e Iliaz Vrionit, nuk reagoi ndaj Përmendores së paraqitur nga  të krishterët korçar,  dhe të dërguarit e saj përkrahnin vetëm kandidatët e paraqitur nga Pandeli Cale. Si pasojë grupi i Koço Kotës më datë 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë. Memorandumi u botua në organin “Gazet e Korçës” më 19 shkurt 1921. Nisur nga rëndësia historike që paraqet  dhe lidhja organike me dr.Koço Kotën, Memorandumin  po e botojmë të plotë.

Titulli:

Memorandumi i të Krishterëve Shqiptarë

Teksti:

Ne të Krishterët Shqiptarë të Korçës e të Qarkut, duke parë se qeverimi i Shtetit Shqiptar, që më 1913, d.m.th. që kurse Shqipëria u njoh prej Konferencës Llondrës si shtet indipedent e neutral, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit oriental të Turqisë, e kështu shkakëtoj shumë herë rezike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke parë se gjithë kjo mënyrë qeverimi është duke vazhduar, sikurse sheshaz dhe me fakte është provuar në tërë këtë periudhë të qeverive të ndryshme, deri në kohët e zgjedhjeve, me gjithë programet e bukura që i janë shfaqur popullit prej këtyre qeverive të ndryshme, gjë e cila sigurisht i sjell vdekjen Kombit; për të shpëtuar këtë nga rëziket e sigurta, vendosmë që të mos marim pjesë në zgjedhjet e paligjshme parllamentare që u krijuan prej qeverisë dhe t’i çfaqim pik së pari kësaj, pas detyrës që kemi, programin t’onë, të bazuar mbi themele të sigurta  e të provuara në të gjitha shtetet e qytetëruara të botës, i cili është i vetëmi mjet që mundet të sigurojë jetën politike të Kombit t’onë dhe përparimin e tij. Por, përpara se ti parashtrojmë Qeverisë së ndershme përmbajtjen e programit t’onë, shofim të arësyeshme që të bëjmë më parë një hyrje historike të zhvillimit të kombeve të qytetëruara të botës. Historia e gati tërë shteteve, qartas provon se qeverimi qendror, ka sjellë gjithëmonë edhe në shtetet më omogjene, shkatërimin e tyre, për arësye se kjo mënyrë qeverimi, duke u bazuar mbi federalizmin, i cili ka të vetëm qëllim të thithurit e gjakut të popullit, natyrisht sjell një paralizim të gjymtyrave të trupit shtetnor dhe ka si përfundim të domosdoshmen, shkatërimin e shtetit e të kombit. Përkundrazi, qeverimi çqendror (decentralizimi), i cili u zbatua në shekullin e fundit, në të tëra gati shtetet e qytetëruara të botës, ka sjellë përparimin e tyre, sepse duke qënë në shëndet të plotë ç’do gjymtyrë e trupit në vetë vehten, përfundimisht tërësia e Shtetit është në shëndet të plotë e në përparim. Dy shëmbulla vetëm mjaftojnë, që të na provojnë bazën e therorive të nalttreguara. Turqia, duke mos dashur të pranojë e të zbatojë administratën çqendrore, me gjithë rekomandimet e qeverisë Gjermane dhe Austrohungareze, shkakëtoi jo vetëm çkatërimin e saj, por provokoj edhe atipathinë, si të gjithë elementëve nacionale e fetare që përbënte, si edhe të tërë botës qytetëruar, passi në një periudhë jete shteti mjaft të gjatë, nuk mundi të kryejë detyrën e saj civilizatrise mbi kombet që ajo përbënte. Kurse përkundrazi, monarshia Austro-ungare me mënyrën zivilizatrise të qeverimit të saj, edhe pas shkatërimit, vazhdon të ketë sympathitë, jo vetëm të popujve e kombeve që përbëheshe, por edhe të botës tërë, duke u konsideruar si një element civilizator i domosdoshëm për Europën. Sistemi pra i decentralizimit, nuk është vetëm i domosdoshëm për sigurimin e jetës politike të shteteve omogjene ose eterogjene, por edhe i vetëmi mjet që mundet të sjellë e të sigurojë bashkimin kombëtar të vërtetë dhe jo të syperfuqishëm. Këtë gjë, e shifim të gjallë sot, sidomos pas luftës europiane, në kombin Gjerman, i cili sado që shtet i ndarë në shumë mbretërira, dukata e qytete të lira, vazhdon të ketë një lidhje kombëtare të tillë, që përgënjeshtroj të gjitha theoritë e atyre politikanëve, të cilët mbesonin se rënja e militarizmit, do të shkakëtonte dhe të ndarit të krahinave gjermane në krahina armike njeara kundrë tjatrës; e kështu Gjermanët dhe pas humbjes së luftës, vazhdojnë të jenë gjith ata Gjermanë të bashkuar, sado të ndarë në mbretëri dhe krahina politikërisht dhe fetarisht. Kombi Shqiptar, është e vërtetë që është një komb homogjen, porse ndryshimi i fesë dhe i kulturës, e kanë ndarë në dy  komenta zakonesh dhe qytetërimi të ndryshëm, e kështu nuk është kursesi e mundur që të vijë bashkimi i vërtetë dhe përparimi i kombit Shqiptar, sa që sundimi i krahinës të Shqipërisë Jugore të jetë në dorë të elementit Muhamedan, i cili për arësye të kulturës orientale, është tepër e vështirë që të adaptojë qytetërimin oksidental. Përveç kësaj, pasandaj edhe një interesë e madhe  politike, kërkon doemos që krahina e Shqipërisë Jugore, e cila është kufi me Greqinë, shtet shumë më i përparuar dhe i cili ka pamje politipe të shkakëtuara prej qeverimit oriental; që kjo krahinë të ketë një administratë të mbaruar europiane, e me këtë mënyrë të çduken prej vetiut këto qëllime politike, që i trashëgoj qeverimi i tiranisë turke, e të sigurohet jeta politike e kombit dhe e shtetit t’onë. Meqënë pra, se zhvillimi i kombeve u shtrohet njësisht ligjave natyrele dhe është gjë e pa mundur që kombi t’onë të jashtohet prej këti lloj zhvillimi, prandaj;

Ne të Krishterët Shqiptarë, me anë të kësaj përmendoreje, po i parashtrojmë Qeverisë Qendrore, programin t’onë mbi mënyrën e administratës së Shqipërisë Jugore, të bazuar mbi fakte të provuara, duke dekllaruar se vetëm në rasë pranimi të programit t’onë, i cili është i vetëmi shënjëtim i jetës politike të kombit t’onë, do të marrim pjesë në organizimin e Shtetit, e përndryshe do të heqim dorë krykëput, duke u lënë të gjithë përgjegjësinë Qeverisë dhe bashkatdhetarëve t’onë Muhamedanë.

Programi i Ynë mbi Organizimin e Shqipërisë Jugore është ky:

1)      Shqipëria Jugore, të ketë një administratë të veçantë, të regulluar në këtë mënyrë;

2)      Kjo krahinë, të administrohet prej një Guvernatori të përgjithshëm dhe një Këshillë departementore.

3)      Guvernatori i përgjithshëm, do të zgjidhet me shumicën e votive të gjymtyrave të këshillës departemantore dhe do të aprovohet prej Qeverisë qendrore.

4)      Këshilla departemantore, e cila do të zërë vëndin e një farë parllamenti të departamentit, do të përbëhet prej një numëri këshillonjësve, të cilët do të zgjidhen me vota drejt për drejt pe popullit dhe do përmbajë 2/3 të krishterë dhe 1/3 muhamedanë.

5)      Kjo këshillë, do të ketë për detyrë të bisedojë e mendohet mbi tërë çështjet e krahinës, ekonomike, administratore, arësimore e gjyqësore, do të votojë ligjat e nevojshme të krahinës dhe ndrimin e tyre pas nevojave dhe zhvillimit të popullit, si edhe ligjat e tjera, që u përkasin ekonomisë, administratës, arësimit et.t. pas nevojës dhe shvillimit të krahinës.

6)      Të gjithë nënpunësit e krahinës, do të emërohen prej Guvernatorit të përgjithshim, pas vendimit e pëlqimit që do të meret prej këshillës departemantore dhe do të aprovohen prej Qeverisë Qendrore.

7)      Të ardhurat e krahinët  tonë, do të prishen të gjitha për nevojën e saj; vetëm do të marrë pjesë në shpenzimet e përbashkëta, për Qeverinë qëndrore dhe legacionet e jashtme, pas ligjës themelore që do të votojë mbledhja konstituente për tërë Shtetin, porse gjithmonë në një analogji me krahinat e tjera të Shqipërisë.

8)      Passi shteti Shqiptar është njohur që në fillimin si një shtet neutral dhe passi sot gadi në gjithë botën po çfaqen deshira dhe tendancione për një çarmatim të përgjithshëshim, krahina tonë, do të mbajë një gjendarmëri të mjaftë, sa për të mbajturit e qetësisë të vëndit. Për këtë gjë, këshilla do të ketë të drejtë të votojë,  që të sjellë oficerë europianë, aq sa të ketë nevojë organizimi i Gjendarmërisë.

9)      Gjithashtu, këshilla do të ketë të drejtë të votojë, që të sillen organizatorë të huaj dhe për të gjitha degët e tjera, që kështu t’i nepet sa më shpejt krahinës sonë, një organizim e përparim europian, e kështu të bëhet një model edhe për krahinat e tjera të Shqipërisë.

10)  Nënpunësit si edhe oficerët e gjendarmërisë, për shpëtimin e Kombit e të Atdheut, do të jenë 75% të Krishterë e 25% Muhamedan,deri sa të bëhet një transformasion i kombit, kur atëherë do të jetë çdukur më mantaliteti oriental në krahinën  t’onë  dhe nuk do të jetë më nevoja e kësaj mase.

11)  Qendra e Guvernatorit të përgjithëshim dhe të këshillës të regjionit të Shqipërisë Jugore do të jetë qyteti i Korçës.

KOMISIONI:

Koço Kotta, Llambro Mborja, Efklidh Shomo, Thoma Orolloga, Kol Rodhe, Milto Sotir-Gurra, Jorgji Lukeri, Llambi Bimbli, Aleks M.Lubonja.

( Vazhdojnë nënshkrimet e popullit të Krishter ).

Vlerësime të ndryshme lidhur me “Memorandumin e Korçës”

Patriotët shqiptarë në prefekturën e Korçës, duke gjykuar që popullsia shqiptare në Jug të Shqipërisë, “i përket në shumicë besimit ortodoks dhe atij bektashian”, siç e theksuam më lart, hartuan në 13 shkurt 1921 një “Memorandum” të cilin ja paraqitën qeverisë shqiptare të kryesuar nga kryeministri Iliaz Vrioni. Hartuesit e memorandumit ishin Koço Kota dhe grupi i mbështetësve të tij: Llambro Mborja, Efklidh Shomo, Thoma Orollogo,  Kol Rodhe, Milto Sotir-Gurra , Jorgji Lukeri, Llambi Bimbli, Aleks M.Lubonja dhe populli i Krishter. Për qartësimin e kësaj ngjarje, po japim disa versione të pikpamjeve  të shënuara në literaturën e botuar, të cilat pavarësisht objeksionit individual të gjithsecilit, kanë vlerat e tyre historike dhe analizuese.

Sipas Organizatës “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, në artikullin e botuar më 12 mars 1921, në “Gazet e Korçës”, ndër të tjera thuhet: Po thua se nga gjithë gazetat t’ona, të cilat gjer më sot u muar me memorandumin e të Krishterëve Shqiptarë të Korçës, vetëm “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, nuk shpetoj  t’ë denojë si antikombëtare që në pamje të parë, por se ajo tregon me të vërtet një paanësië e interes patriotik, duke këshilluar gjiak-ftohtësie e studijim të thellë, për para ç’do lloj kritike. Prandaj edhe ne, me kënaqësi të madhe, po hyjmë në një bisedim shkencor, me simotrën t’onë, mbi Memorandumin e përmendur, sepse vetëm kësimënyre do të munt të kthellohat e të dale në shesh e drejta e themes së parashtruarë. Shkurtimi i përmbajtjes së artikullit të simotrës s’onë, mundet që të përmblidhet në kaq: “Që nuk ishte koha e mënyra e duhurë sot për sot për një memorandum të tillë, sepse ndodhemi në një periudhë provimi prej anës së Europës, në është se meritojmë për një jetë politike si atë, që na u dha në Konferencë të Londrës më 1913, e vetëm bashkim’ i  gjithmbarëshëm i Kombit, do të japë shenjën më të bukur për meritën  t’onë”. Cok kjo periudhë provimi është, që i shtyn Shqiptarët e Krishterë, që t’i heqin vërejtjen Qeverisë, pas detyrës që ka  ç’do Shqiptar, e kështu të meren masa të shpejta e radikale, për sigurimin e jetës politike të Shtetit  t’onë, sepse me fakte u pa,  se, në një periudhë qeverimi mjaft të gjatë, Qeverit’ e ndryshme të Shqipërisë, jo vetëm që nuk muar ndo një fare mase për këtë gjë, por përkundrazi, duke vepruar me sistemin e matalitetin e Anadollit, prunë shkatërimin e po rrëzikojnë edhe sot jetën e Shqipërisë t’onë të dashurë. Në artikullin t’uaj, po thoni se sot vepra më e bukurë e urtia më e madhe nga ana jonë do të jetë bashkimi i Kombit gjithëmbarë,  e madje shtoni “bashkimi i shejtë (shënjtë hk) e i pastër”. Jemi pikë për pikë një mëndjeje. Por, a thoni se munt të vijë një bashkim kombëtar i vërtetë, kur njësia mungon plotësisht, e i Krishteri shihet po me  nj’atë  sy, që shihej në kohën e Turqisë ?.   Katundet të krishtera të qarkut  t’onë janë përmbledhur në qytet, dhe me gjith që punët n’Amerikë jenë të mbyllura, preferojnë të largohen nga atdheu i tyre e të ikin për atje, nga se nuk kuxojnë të venë në shtëpi’e pronja e tyre, të cilat u a kanë zaptuar të fuqishmit.  Por dhe ata që rojnë nër katunde, po tiranizohen me çfarë do mënyrë; shtëpitë po i u digjen dhe me ç’do mënyrë po shtrëngohen që të lënë plenk e pronjë shkretë;  e mandej nuk kuxojnë as që të qahen, se për ndryshe edhe jeta e tyre është në rrezik.  Shtypi ka bërtitur e po bërtet për dita mbi këto të gjitha, por se Qeveria as është tundur, as që do që të tundet e të marrë masat e lipsura. Pra, një shtet, i cili nuk ka një administrat të bazuar në njesie të plotë, nuk është e mundur që të rojë, sado në rrugë të mirë të jetë politika e jashtme e ati shteti, sepse jeta politike e një shteti, në çdo pikëpamje, ësht’ e siguruar sa që administratë e mbrëndëshme të jetë e bazuar në themele të shëndosha dhe jo të kalbura.  Jemi të mëndjes se duhet çporur, në na dhembet  me të vërtet atdheu,  ai mantaliteti turk,  të cilët kujdesoheshin vetëm për t’ë mshehur në sytë e të huajvet kalbësinë e ndërtesës së tyre shtetnore, pa i marrë dhe masat e meremetimit, se përfundja do të jetë “humbje e përjetëshme”.

Sipas Dr.L. Krati, në artikullin e tij botuar më 26 mars 1921 në “Gazet’ e Korçës”, shkruan:  Për Memorandumin, që disa shokë të asaj klike (Cale & Shok.h.k.),duan të thonë që është një akt anti patriotizmë, njoftojmë popullin që përkundër është një akt patriotik, i cili na dha të drejtat të njeriut, të çmpira në Francë më 1789 prej M.Robespierit, i cili la kokën e vet në gijotinë për me i mbrojt ato të drejta dhe cilatë po rrojnë sot në gjithë botën, na kërkojnë që jo vetëm çdo tufë, po ç’do nënshtetash ka të drejtë me çpall mendimet e vet çka i përket Atdheut dhe shumica e votave është e lirë a do pranojë a jo këto mendime. Nuk marim vesh, ku është antipatriotizmi i atyre që nënshkruan atë të famshmin Memorandum?. Vetëm në mëndje të asaj klike, që ka ba më të mëdhatë intriga deri sot dhe ka vue në rezik jetën e Shtetit Shqiptar !. Në Shkodër, as njeri nuk e hodhi nderë për me u ba vegla e njenit ose’ e tjetrit, për me filue (fitue. hk) klika si ajo e Korçës, por të gjithë të krishtenëtë të bashkume me klerë, u mblodhë në kishë të madhe dhe vendosnë që të mospranojnë të dërkojnë deputetë, derisa të mos pranohetë deshira e popullit, cila kërkoi të jenë: 7 Deputetë të krishterë e 3 muhamedanë, dhe për me arirë këtë qëllim, i nderçmi At.Thaçi, i vëllai i ish Deputetit Shkodrës, si orator i dytë që pat fol në mbledhje, pat thënë; që kemi ndihmës dhe krishterëtë të Korçës.    Pra e kanë me thanë klika e Korçës:  “që dhe Shkodranëtë janë antipatriotë se mprojnë të drejtat lokale, cilatë janë jeta e Shtetit….”.

Sipas z. Loni Logory, në artikullin e tij më 26 mars 1921 në “Gazet’ e Korçës”, shkruan:

Me qënë shkruani mi mementesien (mentalite) orientake, ju dërgoj një pjesë nga ribieri (raporti) i Lord-it Milnor me punët t’Egjyptës.  “Muslimani ka një sduresë (impatience)  të mfshehur pa të gjallë, kundër bindësies ti. Në ligjën të Krishtianit, Muslimani qi ka një bice të latër a nji ofiq politik tyke qënë nënë urdhër të një Krishtiani, është kundër frymës funndimetake (fondamentale) të Isllami-it, dhe ndjenjat qi kanë mbirë nga kjo frymë, rojnë shumë kohë pas, megjithë që parimet fetare janë fortësisht lëpirë sot, janë fare shuar”. Që kur dolli Memorandumi, shumë ditare shkruhan artikuj me shënjëtyrën mohamedane, tyke sharë, hedhur gurë dhe cilësuar me shumë cilitake (qualificatifs) të poshta leader-it të ati memorandumi.  Nuk mund të ketë asnjë dyshim mbi patriotizmin të atyre Zotërinj dhe është e tepër të kapemi mbi atë kapiter (chapitre).  As njeri nuk u ndoth djer sot të kërkonjë kavshën të ati memorandum-i  dhe nga ky mburoj, nga seë rrodhi. Në u ndodhë të 5 (pesë),  të gudzojnë të marrin inisien të kësaj pune, dhe tyke pandehur se ata janë të shitur, populli qi i ndoqi në këtë mëndje, ka mbrenda njerës qi nuk hanë kashtë dhe nuk hiqen për hunde. Shijetaku (l’esseutiel) në këtë punë, është që Krishtianët nuk janë të kënaqur. Nga seë?  përse?.  Këtë të kërkojnë shënjëtarët të artikujve. Për këtë të pyesin Qeverinë, dhe këtë të kërkojnë të gjenjë Qeveria. As njeri nuk pyeti as kërkoj të mësonjë ngasseën, përseën. Nuk them që asnjeri nuk ka kovi të çëpkatnj Memorandumin dhe të shohë cilë anë ka të mirë dhe cilë anë ka të keqe. Ay njeri, qi shan dhe qerton dhe largohet nga bisidimi, rëfen vehten mae fajtor.

Sipas Sejfi Vllamasit, shënuar në librin “Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942”, fq. 239, Koço Kota me shokë, të shtytur nga një ambicje e shfrenuar, deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme t’elementit të krishterë dhe me një “Memorandum” që i drejtuan qeverisë, kërkonin krijimin e një situate të privelegjuar në favor të elementit  të krishterë në Jug. Por qeveria më 26 shkurt 1921 u përgjigjet, duke u thënë se është jashtë kompetencës së saj  për të biseduar mbi pikat e shënuara në Memorandum, të cilat mund të shqyrtohen vetëm nga Parlamenti. Kjo marrëzi u bë me inisiativën e Koço Kotës nga një pakicë e verbuar nga ambicja dhe u përkrah nga një pjesë e grekomanëve, por u përbuz me indinjatë prej të gjithë patriotëve dhe prej popullit të krishterë e musliman të Korçës. Megjithatë, thekson Sejfi Vllamasi, kur Greqia deshi ta shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, Koço Kota me shokë, me një telegram që i bënë Lidhjes së Kombeve, deklaruan se “të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme”.

Sipas librit “Historia e Popullit Shqiptar” botim i vitit 2007 i Akademisë së  Shkencave të RSH f.179, trajtimi i memorandumit paraqitet si më poshtë: “Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota, me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bën thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet. Kur kjo përpjekje nuk pati sukses, hodhën një hap tjetër përçarës. Me një Memorandum drejtuar qeverisë më 13 shkurt 1921, ata kërkuan të krijohej në jug të vendit, ku bashkësia e të krishterëve ortodoksë ishte e madhe, një administratë e veçantë “autonome”, me parlament të vetin e me qendër në Korçë. Në të njënjtën kohë filloi të gjallërohej edhe kleri katolik, i cili kërkoi krijimin e një kantoni të veçantë në krahinat veriore me banorë të besimit katolik. Këto kërkesa, objektivisht çonin ujë në mullirin e atyre vendeve që nuk ishin për stabilizimin e Shqipërisë, si Jugosllavia e Greqia, prandaj u kundërshtuan nga opinioni publik shqiptar. Ato u jepnin të huajve, sidomos shteteve fqinje argumente për të luftuar shtetin e ri shqiptar në arenën e jashtme. Këto orvajtje i shfrytëzoi sidomos propaganda e Athinës dhe brenda vendit mitropolia e Korçës, që drejtohej nga peshkopi grek Jakovi, si edhe shtypi i Beogradit. Në këto rrethana Koço Kota e pasuesit e tij deklaruan botërisht që; “të huajt nuk kishin pse të merreshin me problemet e brendshme të Shqipërisë”.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botuar nga Akadermia e Shkencave e Shqipërisë Vëll.II,f.1327, zëri KOTA Kostaq (Koço) formuluar nga historiania Fatmira Musaj, trajtimi i Memorandumit paraqitet si vijon: Koço Kota më 13 shkurt 1921 i drejtoi qeverisë një “memorandum”, ku kërkonte që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë. Ky veprim u kritikua nga qarqet patriotike, brënda dhe jashtë vendit, si i dëmshëm e i mbarsur me rreziqe për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e tij.

Prof.Dr.Hysni Myzyri, në librin e tij “Pandeli Evangjeli” shënon.  -I pyetur nëse nënshtetasit shqiptarë kishin ose jo të drejtë të parashtronin përpara qeverisë ndonjë projekt të ri administrimi ose ndryshim ligji, Pandeli Evangjeli u përgjigj: “Si një nënshtetas ose më shumë, kanë të drejtë medoemos t’i adresohen qeverisë për çdo gjë të nevojshme për të mirën e atdheut”. Madje ai shton, se sipas kushtetutave “të botës së qytetëruar”, asnjë person apo grup personash, nuk mund të bëhen objekt ndjekjeje nga organet shtetërore, sepse ata i kanë drejtuar qeverisë ndonjë projekt  “për të mirën dhe sigurimin e shtetit” dhe që nuk është  “në kundërshtim me jetën themelore të shtetit”. Sipas Evangjelit, “Shqipëria duhet të jetë një shtet konstitucional dhe kurrë absolutist”.

Lidhur me “Memorandumin e Korçës”, Pandeli Evangjeli është shprehur: Për tu qeverisur Shqipëria, më duket se do të jetë mirë një “decantralizim administrative”, sepse centralizimi ka shumë të meta dhe smund të sjellë ndonjë dobi përveçse dëmit”. Kurse “Memorandumi i Korçës” nuk është bërë me një qëllim separatizmi (ndarje), sidoqë ka dhe pak të meta. Memorandumi gabon në konsideracionet e tij dhe më tepër në atë pjesë ku bën fjalë për proporcionin e nëpunësve dhe në shkallën kulturore të ndryshme midis elementit shqiptar, fakt i cili shkakton ftohtësinë midis dy feve”. Kjo i kishte dhënë shkas shtypit për kritika të ashpra, por edhe disa “njerëzve politikanë të huaj, të cilët me çdo mënyrë, kërkojnë një pjesë të tokës së atdheut tonë” dhe e përdorën “faqe botës këtë situatë si armë kundër interesave të shtetit tonë, duke e shpjeguar, pa të drejtë, si një shenjë separatizmi në dëshirat e shfaqura me anën e permendores (memorandumit)”.  Por thekson ai, nuk duhej vënë aspak “në dyshim patriotizmi i të krishterëve shqiptar, i cili është rëfyer me punë, me vepra dhe jo me fjalë, dhe aq më tepër i atyre të Korçës. Se, kur asnjë zë nuk dëgjohej për lirimin e Shqipërisë, këta punonin pareshtur në fushën kombëtare”.

Sipas Historianes Marela Guga, e cila i referohet edhe gazetës “Fjal e Lir” botuar në Vlorë në 1 mars 1921, e trajton këtë akt politik (Memorandumin), në librin e saj “Prefektura e Beratit” f.76-77 si më poshtë: “Fushata zgjedhore për Qeverinë Vrioni nuk ishte e qetë. Ajo u përball me shumë probleme, si: problemi fetar për qëllime kantonale në Shkodër, luftën politike të disa qarqeve në Korçë, për një “qeverisje autonomiste”. Më tej ajo vazhdon: “Qarqet greke u përpoqën të bojkotonin zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, një mënyrë për të realizuar strategjinë e tyre, që do të shërbente si provë bindëse e  “shpirtit iredentist të popullsisë greke” në këtë rajon. Më tej ajo thotë: “Me një Memorandum drejtuar qeverisë, më 13 shkurt 1921, ata kërkuan të krijohej në jug të vendit një “Administratë Autonome”, aty ku bashkësia e të krishterëve ortodoksë ishte më e madhe, e cila të kishte një parlament të vetin me qendër në Korçë. Populli shqiptar e dënoi këtë përpjekje të qarqeve greke, po kështu edhe qytetarët e Beratit e quajtën antipatriotike. Më 24 shkurt 1921, komuniteti i dy besimeve fetare në Berat, i dërgoi një telegram proteste kryeministrit të vendit, ku dënohej ky koncension në kurriz të Shqipërisë së Jugut. ….Qeveria e Iliaz Vrionit mbajti një qëndrim të matur ndaj autonomistëve”.

 

 

Sipas Burhan Çirakut, shënuar në artikullin e tij “Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri”, publikuar me  Librin, “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare 1919-1924”, botim i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë USHT, në faqen 162-165 thuhet: Grupi i Koço Kotës kur pa se zgjedhësit e dytë nuk premtonin të zgjidhnin deputet Koço Kotën me shokët e tij, i shtytur nga një ambicje e shfrenuar, deklaroi gjendjen e jashtëzakonëshme të elementit të krishterë. Më 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum, ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë. Kundër Memorandumit shpërtheu një vale e madhe zemërimi dhe proteste në të gjithë vendin. Edhe vetë Koço Kota me shokët e tij, kur pa se Greqia deshi ta shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, i bënë një telegram Lidhjes së Kombeve, me anën e të cilit deklaronin se: “të huajtë nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brendëshme”.

III-Vlerat Atdhetare të Memorandumit të Korçës

Duke dashur të kontribuoj sadopak në çështjen e gjykimit të vlerave dhe rolit të “Memorandumit” kaq shumë të debatueshëm, qysh kur u shfaq në skenën politike shqiptare, aq të ngarkuar veçmas për shkak të etapës së re, kthesës historike që nisi për shtetin shqiptar të saporimëkëmbur nga vendimet historike të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, pasi parashtrova komentet e bëra, të cilat fatkeqësisht janë ngatëruar në vorbullën e shprehjes popullore “digjet i njomi me të thatin”, ndjej të nevojshme të shfaq edhe unë mendimet e mija. Me të drejtë, vëmëndja e shtypit patriotik kombëtar e intelektual si dhe e popullit shqiptar, ndaj rreziqeve turko-greko-sllave dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në dëm të çështjes shqiptare dhe të krijimit të shtetit shqiptar, ka qenë dhe vazhdon të jetë e lartë. Por abuzimi me termin “vigjilencë” sjell dëme të mëdha dhe nuk e justifikon njollosjen e patriotëve shqiptar pa argumenta bindëse dhe prova të dokumentuara, me përcaktorin: armik, vorioepirot, grekoman, shkie, turkoman, etj. Memorandumi, thotë Sejfi Vllamasi, u hartua nga verbëria e luftës politike. Kjo është e vërtetë, pasi kjo verbëri politike po shoqëronte patriotizmën shqiptare qysh pas krijimit të Shqipërisë. Pikërisht, për të luftuar këtë verbëri politike, u krijua organizata patriotike “Krahu Kombëtar”, e cila kishte si synim të shuante ambiciet për pushtet dhe të bashkonte anëtarët e saj në përpjekjet e përbashkëta për ta ndërtuar Shtetin Shqiptar. Mirëpo, fatkeqësisht këto ambicie krijuan konflikte edhe brenda “Krahut Kombëtar”. Për pasojë, dy nga anëtarët më të vjetër dhe patriotët më të dalluar, Pandeli Cale dhe Koço Kota, ishin armiqësuar jo vetëm nga ambiciet e Pandeliut për pushtet, por edhe të qëndrimit të palëkundur të Koço Kotës ndaj vlerave të Ismail Qemalit.  Duke njohur këto qëndrime, duam të besojmë që nxitje për hartimin e “Memorandumit”, paskeshin qenë jo vetëm ambiciet politike, por edhe disa ngjarje, të cilat po i radhitim si më poshtë:

Pranimi i “Listës së Pandeliut” nga administrata Qendrore Shtetërore e Tiranës, nxiti zëmërimin e grupit të Koço Kotës dhe u bë shkak për hartimin e “Memorandumit”, që në fakt ishte i parakohëshëm e i nxituar dhe u shfrytëzua nga segmentet grekomanë, të cilët u munduan ta paraqesin para Fuqive të Mëdha, si “paaftësi shtetformuese e shqiptarëve” dhe për qëllimet e tyre aneksioniste.

Rrethanat historiko-politike, që ndodhej ende Shteti Shqiptar në atë kohë, kur Koço Kota ja paraqiti Memorandumin (cituar më sipër) Qeverisë Shqiptare, ishin të tilla:

Shqiptarët qeveriseshin ende me ligjet e Perandorisë Osmane. Shqiptarët e Krishterë trajtoheshin si në kohë të Turqisë. Ende vazhdonin thirjet: “duam babën”, “gegët të sundojnë mbi toskët” dhe për një “Shqipëri nën Turqi”.

Krahas faktorëve që paraqitëm më sipër, të cilët kanë si qëllim të nxjerin në pah, arësyet që e shtynë grupin e Koço Kotës për hartimin e  “Memorandumit”, po sjellim para lexuesit të nderuar edhe mjaft argumente që hedhin poshtë pretendimet e disa shkrimeve historike e publiçistike lidhur me figurën dhe personalitetin e patriotit Koço Kota.

Historiania Marela Guga, në librin e saj ka konkluduar si më poshtë: “ndërkaq shteti grek filloi të intensifikojë provokacionet. Qarqet greke u përpoqën të pengonin zhvillimin e zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri, një mënyrë për të realizuar strategjinë e tyre, që do të shërbente si provë bindëse e  “shpirtit irredentist të popullsisë greke”, në këtë rajon ?!! .”.

F 14

Të përgëzoj z. Marela lidhur me evidentimin e ngjarjeve të cilat kanë lidhje me armiqësitë e grekomanëve ndaj shqiptarëve, por ç’lidhje kanë manovrat e tyre me “Memorandumin”. Hamendësimi është letërsi,  ndërsa faktet historike nuk mund të komentohen as politikisht dhe as në këndvështrimin e përkatësisë fetare. Sipas këtij këndvështrimi, Kostaq apo Koço Kota duke patur  emër ortodoks është i lidhur padyshim me grekomanët ose vorioepirotët. Znj.Marela, je ende në kurthin e ngritur nga armiqtë e shqiptarizmës, të cilët shqiptarët me emëra musliman i quanin turq dhe shqiptarët me emëra ortodoks i quanin grek apo vlleh. Mendoj, që është rrëshqitje nga udha e Rilindasve tanë të Mëdhenj, kur kushdo qoftë, i trajton shqiptarët jo sipas përkatësisë kombëtare por sipas përkatësisë fetare dhe fare “padashur”  i damkos grek apo vlleh ata shqiptar pse janë ortodoks. Rasti i patriotit shqiptar Koço Kota është tipik për tu trajtuar. Veç tij kemi edhe mjaft personalitete dhe figura të të tjera të rëndësishme, shqiptarë ortodoks, që janë shkruajtur “gabimisht” në librat e historisë duke u cilësuar grek apo vlleh. Midis tyre përmendim: Naum Bredhi (Veqilharxhi), Pionerin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe hartuesin e abetares së parë shqipe, Vasiliqin, gruan e Ali pash Tepelenës, Kleoniqi Surmelin, gruan e Ismail Qemalit, Pandeli Evangjelin, patriotin e madh shqiptar, Spiro N.Konda –filologun e shquar shqiptar, hartusin e dy veprave të çmuara: “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” dhe “Mbi Etruskët”, Dr.Nuçi K.Kota, hartusin e veprës madhore “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”,etj. Mjaft patriot shqiptar me emëra ortodoks, janë sakrifikuar për ta bërë Shqipërinë. I sakrifikuari i parë është udhërëfyesi i ndritur Dhaskal Todri, që na kujton Prometeun në  mitologjinë pellazgo-ilire, duke udhëtuar si Ulissi homerik me germat shqipe në torbat e tij, ndeshur me zonjën greke fanarite -Çirçen  dinake e të pabesë dhe helmuar prej sajë. Pas dhaskalit, Fanari grekoman, vrau e helmoi Naum P.Bredhin, Papa Kristo Negovanin, Petro N. Luarasin, Kol Kotën, Llambi N.Kotën, Aristidh P.Kolën e mjaft të tjerë. Historian të nderuar, ruhuni nga marëveshjet patriarkano-osmane dhe sllavo-greke. Mos e besoni “shejtanin”. Emërat e shqiptarëve nuk janë përcaktor të kombësisë. Përcaktor i etnisë pellazgo-iliro-arbënoro-shqiptare është vetëm gjaku shqiptar që na rjedh në deje. Ky gjak rjedh në shekuj edhe në kurmin e pinjollëve Kota dhe padyshim edhe në atë të patriotit shqiptar Koço N.Kota. Shikimi i ngjarjes historike me këndvështrim politik dhe fetar, dashur pa dashur, e shtrëmbëron të vërtetën historike dhe objektivitetin e ngjarjes. Si pasojë, bashkthemeluesin e federatës panshqiptare “Vatra” në Amerikë, e quajtur “Një copëz Shqipëri”, mbështetësin e Fan Nolit dhe Ismail Qemalit, bashkthemeluesin e organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”, përfaqësuesin e Korçës në Kongresin e Lushnjës dhe senatorin Koço Kota të zgjedhur në këtë kongres, nuk e trajton me faktin historik të momentit e rrethanave historiko-politike që ndodhej ende Shteti Shqiptar në atë kohë, kur Koço Kota ja paraqiti Memorandumin Qeverisë Shqiptare. Duhet të kujtoj se ende vazhdonin thirjet: “duam babën” apo “gegët të sundojnë mbi toskët” dhe ende vepronin qarqe të caktuara që shpreheshin për një “Shqipëri nën Turqi”. Sipas burimeve historike cituar më sipër, “Fushata zgjedhore për qeverinë Vrioni nuk ishte e qetë, ajo u përball me shumë probleme, si: problemi fetar për qëllime kantonale në Shkodër, luftën politike të disa qarqeve në Korçë, për një qeverisje autonomiste”. Pra në të njënjtën periudhë paskan ndodhur dy lëvizje autonomiste, në Korçë qyteti juglindor ku kishin qeverisur francezët dhe në Shkodër qyteti verior ku ishin vendosur komandat e ushtrive austrohungareze dhe pas luftës së parë botërore shtabet e Fuqive Aleate.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora