E premte, 29.03.2024, 02:55 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Barrë kohe dhe histori

E premte, 12.02.2016, 08:19 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

BARRË KOHE DHE HISTORI TË CILAT NUK DUHET HARRUAR...!

(Ryzhdi Baloku: “Kur barra e kohës rëndon”, roman – 2015)

Kohërat janë pasqyra dhe argumenti më sublim që tregojnë e dëshmojnë për rrjedhat e jetës në të gjitha situatat dhe periudhat. Më e rënda duket dhe ashtu edhe është, ajo që e lë lufta, e cila nuk njeh rregulla dhe është e përjashtuar nga çdo parim, nga çdo mëshirë mbase edhe lutje për të ngelur diçka e paprekur dhe e pa përcëlluar mbi tokë. Këtë atmosferë shëmtuese dhe mbytëse e prezanton Ryzhdi Baloku në romanin e tij, “Kur barra e kohës rëndon”, vepër kjo e cila nis e sos jo vetëm se prezanton dhe pasqyron rrjedhat e luftës nëpër kohëra, por, edhe tërthorazi bëhet apo imponohet si formë e vetëdijesimit dhe e frymës njerëzore dhe edukative, që e keqja të flaket bile kur lufta pushon.

Periudhat historike, shpeshherë duken apo dhe janë të errëta, prandaj, shkrimtari përpiqet të japë mesazh të fortë për t’i ndriçuar ato

Personazhi kyç, Sokol Malësori, me shikim nga dritarja fillon të na prezantojë atë atmosferën e rëndë dhe të zymtë, të qetësisë mbytëse, kurse rrudhat në ballë i nxjerrin në shesh “arpallëkun” e mendimit dhe të rrëfimit të gjatë e plot histori. Autori, duke qenë i kujdesshëm që të jetë sa më besnik në përshkrimin dhe prezantimin e detaleve edhe më të imëta, kështu fillon rrëfimi i tij por edhe i fabula e romanit, dhe se ai, jo pa qëllim madhështon peshën e së kaluarës: “Dikur, si fëmijë me Zekën dhe shokët tjerë loznim nën hijen e atij lisi... Zoti e di sa i moçëm është... Dhe, përshkrimet e tilla “rrëshqasin” mendimeve dhe periudhave kohore me dëshirën për të shkuar edhe atje, në Tophane, ku sillen e rrotullohen dollapët poshtë e lartë...”.

E gjithë kjo, është, ndoshta si një uverturë për të rrëfyer e treguar autori për tërë atë që e kishte konceptuar dhe që kishte dëshirë, e që po ashtu i qëndronte e fryrë si “mllo” brenda vetvetes, në zemër e në shpirt. Në këtë formë krijon edhe një atmosferë, që lexuesin e grishë për rrjedhën e ngjarjeve që nga ndodhitë e së kaluarës urbane e historike, të cilat, kuptohet, dikur si përralla  janë përcjellë brez pas brezi.

Kështu, tash, shkrimtari na detyron të mësojmë më shumë për qytetin e tij, për Pejën, dhe të njihemi me të gjitha kohërat dhe thesarin e begatinë e saj, të cilat “lagën me madhështinë e Drinit të Bardhë, me atë ujëvarën bukuroshe..., kurse, fushat pjellore nën të cilat fshihet edhe qytetërimi i lashtë e antik, begatojnë dhe shtojnë bereqetet. Por, ai nuk harron që krahas kësaj madhështie mahnitëse, të vë në spikamë edhe sundimin nga shumë pushtues, që përherë e kanë lakmuar këtë trevë, të cilën, pas ikjes së tyre janë përpjekur ta lënë plotësisht të shkretëruar...! Pra, këtu qëndron ajo “barra e kohës që rëndon”, e që përmes “rrugëtimit” rrëfyes, përjetësohen gjërat më fondamentale historiografike, kulturore dhe shpirtërore, duke mos lënë anash edhe gjurmët dhe ndikimin  e kulturës së pushtuesve. Për këtë arsye, ai thotë se: “...duke e përkujtuar të kaluarën, dhe duke e shoshitur në mendje veç e veç, Sokoli arrin deri tek lagjja të cilën e donte më së shumti, aty ku edhe shpërthejnë  kujtimet me peshën e vetë historisë”. Kjo, ngase, lagjja Kapeshnica është vetë historia, bile histori ende e pa ndritur sa e si duhet e Pejës dhe e rrethinës...

Pastaj. Jo pa qëllim, autori i thekson shumë me vend dhe me mesazh jo pak vende me toponime dhe emra të njohur, si Xhamia e Shatërvanit, Shystër Mëhalla etj., që shumë gjenerata, por edhe gjeneratat e reja dhe ato që vijnë të mësojnë e të dinë më shumë për kohën dhe historinë e qytetit të tyre.

Sërish, autori përmes Sokolit, nuk i “ç’kapet” dot “ndriçimit” të të gjitha ngjarjeve, duke mos lënë anash edhe motin e shiun, që simbolikisht sjellin të mira, bereqet dhe freski. Ndoshta, nga këtu edhe fillon më thekshëm “shfletimi” i ngjarjeve të kohërave të kaluara, duke filluar me arrestime nga pushteti okupues e deri tek gjërat më të rënda, si bastisjet, sjelljet vandale, burgosjet, arrestimet nga shërbimet e sigurimit sekret etj., të cilat gjëra pak a shumë përkojnë edhe ndodhitë e familjes së vetë autorit, e cila historikisht ishte një familje patriotike e që luftonte për liri e pavarësi të atdheut e kombit. Andaj, rrëfimi në këtë vepër, begatohet me “pasqyrën” e jetës, me peshën dhe me barrën e kohës, të cilat ai i konsideron, dhe ashtu edhe është, si ngjarje të cilat nuk duhet harruar, e të cilat kushtimisht dhe figurativisht, ato duhet “ruajtur në xhep”!

Me këtë “atmosferë”, na imponohet edhe mesazhi, se si njeriu duhet mësuar e ditur të kaluarën, për ta realizuar me sukses të sotmen, e për ta goditur mirë e mirë terrenin për të nesërmen e ndritur dhe të lumtur. Pra, edhe kjo është një prej çështjeve shumë të rëndësishme, me të cilën R. Baloku na përballë gjatë “rrugëtimit” të tij nëpër ngjarje në veprën “Kur barra e kohës rëndon”.

Dhe, gjatë gjithë romanit, ai bën përpjekje por edhe ia arrin që të përshkojë ngjarjet dhe periudhat që janë me rëndësi e me peshë për t’i mësuar e kurrë për të mos i harruar ato. Për t’i ditur secila gjeneratë. Për këtë arsye, duke pasur parasysh se periudhat historike, edhe pse, shpeshherë duken apo janë të errëta, pikërisht për këtë arsye, ai përpiqet edhe të japë mesazh të fortë për t’i ndriçuar ato, por, edhe përmes shtrirjes së ngjarjeve, orvatet t’i ofrojë si provokim dhe material për shqyrtim dhe studim më thelbësor.

Në këtë aspekt, duke reflektuar gjendjen e popullit, të qytetarëve, të kombit mbase edhe të qytetit të vetë dhe të atdheut, shtruat, thekshëm dhe jo pa qëllim potencon dhe shpjegon edhe lëvizjen e pothuaj se të çdo individi, e, përmes veprimit të tyre, sikur ndriçohet karakteri dhe niveli i vetëdijesimit për ta mbrojtur e ruajtur çdo gjë që i përket vendlindjes, atdheut e kështu me radhë. Në roman, raste të tilla hasim përmes shtjellimit të dialogut, i cili, veç tjerash, shërben edhe si një lloj historie e detajuar, bile edhe tek situatat e “nxehta” të luftës, betejave dhe të ndodhive, të cilat janë pjesë e jetës dhe e veprimeve në ato katrahura.

Zhvillimi i dialogut përmes “rrugëtimit” të personazheve në roman, përshkohen edhe me brengat se si të kthehen në vendlindjet e tyre, e që lufta ata i kishte sjellë e daktisur nëpër vende të tjera edhe si ushtarë të vendit të huaj, si ushtarë të okupatorit. E tërë kjo “odisejadë” rrugëtimi të personazheve dhe të ngjarjeve, sikur e ka begatuar veprën, duke i ndritur shumë ndodhi e ngjarje, të cilat lufta i krijon me shpresë e pashpresë, se një ditë çdo gjë do të merr fund dhe do të bëhet mirë dhe do të mbretërojë paqja.

Duke treguar për rrënimin e Mbretërisë Jugosllave, autori vë në spikamë  gëzimin dhe shpresat e popullit të vetë, pra të shqiptarëve, për çlirimin e tyre fizik dhe shpirtëror, i cili çlirim tani manifestohet më vënien në kokë të plisit të bardhë, si simbol i lashtë i shqiptarizmës.

E, një gjë e tillë ishte reflektuar jo vetëm në qytetin, në këtë rast të Pejës, por edhe në tërë Kosovë: “Në mesin e të pranishmëve aty kishte mbirë si feniks, i ngritur në shtizë flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe”! Bile bile, duke rrëfyer për momentet e tilla, autori, si me qëllim na bën me dije se dimensioni i flamurit ishte goxha i madh, që në mes rreshtash mund të shpjegohet etja e madhe për liri dhe pavarësi, faktorë këta që popullit shqiptar nëpër shekuj i kanë munguar në forma e mënyra të ndryshme.

Pas Luftës së Dytë Botërore, forma e rreme e çlirimit, shqiptarët sërish i sjellë nën okupim të ri, në vuajtje dhe robëri!

Mirëpo, më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, sërish forma e rreme e çlirimit e nën sundimin e “Jugosllavisë  se Re”, shqiptarët i sjellë në vuajtje e okupim të ri, edhe pse propagandohej se tani e tutje të gjithë do t’i kanë të drejtat e barabarta dhe do të hanë me lugë prej ari! Pra, në ato kohëra, sërish ndodhnin gjëra të tmerrshme në të gjitha segmentet e jetës, por me forma të reja të okupimit.

Kështu, duke folur për rrjedhime të reja, krijuesi, lexuesit jo pa qëllim ia ofron për t’i kujtuar dhe mbajtur mend si dëshmi historie edhe shumë toponime e emra qytetesh e vendbanimesh, për të treguar për lashtësinë e atdheut, t’i përmendim vetëm disa: Jeni Pazari, Gryka e Çakorit, Rrafshi i Dukagjinit, Zhlebi, Peklena, Kapeshnica, Xhamia e Kuqe, Zatra, Karagaçi etj.

Duke pasur parasysh të kaluarën e hidhur të shqiptarëve, njëri prej personazheve kryesor të veprës, Sokoli, në një ditë me shi, shfrytëzon rastin dhe të birin e “ngarkon” me një këshillë, e cila dikur pothuaj se konsiderohej si amanet i secilit prind drejtuar djalit, respektivisht gjeneratave të reja për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe vatanin: “Eja Trim të tregoj diçka... Ndaloi në një vend dhe me lëvizje të lehta majtas-djathtas, hapi një hatull ndërmjet trarëve të tavanit... nxori pushkën që ishte e mbështjellë me një fashë të trashë pëlhure...

-Ja djali im, këtë armë që ta tregova do ta rrëmbesh vetëm për kauzën e shenjtë, atëherë kur të jepet kushtrimi për çlirimin e trojeve tona”!

Është kjo këshillë e më tepër se këshillë. Por që, nëse analizohet kjo copëz fragmenti e romanit, atëherë nxjerrim në shesh një histori të tërë të kombit e atdheut. Është një hartë plotë plagë e damka, plot dhembje, kushtrim e zë... Për këtë arsye, kujtoj se nganjëherë mbase edhe shpeshherë veprat, respektivisht romanin duhet lexuar në mes rreshtash, gjë e cila e bën edhe më me peshë secilën vepër.

Edhe në këtë aspekt, kujtoj se, Ryzhdi Baloku, ka treguar pjekuri krijuese dhe shumë kujdesshëm e ka fuqizuar mesazhin e ngjarjeve në këtë vepër, të cilën kështu e ka bërë gjithnjë e më shumë me peshë shumëdimensionale jo vetëm letrare. Pra, ai shprush jo rrallë edhe nëpër ndodhi, që shpesh mund t’i quajmë apo t’i konsiderojmë edhe si anekdota e “rrotlla” odash, për ta sforcuar dhe për ta sprovuar karakterin qoftë individual apo edhe kolektiv, por edhe të gjeneratës së re, siç është rasti me thesin dhe mishin e dashit etj. Pastaj, edhe me gjërat tjera me të cilat është sprovuar populli: “Nëse pushteti është gomar, mos gabo t’i hipish, por vetëm kape për dore dhe ledhatoje”, pastaj: “Ruana Zot prej ujit, zjarrit e pushtetit” etj.

“Shëtitjet” e Sokol Malësorit, sikur i ngjajnë një pelegrinazhi të veçantë, sepse, atë autori e fut “thellutave” nëpër të gjitha periudhat kohore dhe historike`, duke vënë në spikamë pushtete e regjime, që më të vërtetë u ngjajnë “barrës së kohës” që shumë rëndon. Ndërsa, ndarja e qytetit në “zona” ku jetonin edhe komunitete të tjera; për veri dhe jug të konkretisht të Pejës, pastaj për rajonet e ngjarjeve makabër dhe atyre historike, për Jarinën, për Shystër Mëhallën, për Tabjet e pas Tabjet, për Kullën e Xhevat Begut dhe atë të Sheremetit, për burgun, që të gjitha ishin dhe përgjithmonë mbesin histori në vete. Sepse, në atë kohë, siç thekson edhe autori, shqiptarët zhdukeshin brenda natës, ata i hante terri!

Shprehjet UDB-a dhe OZN-a, ishin dy faktorë famëkeq të shtetit okupues, kurse në emër të “vëllazërim-bashkimit” dhe kinse të reformave të reja, shqiptarët gjithmonë e kishin qafën nën tehun e briskut dhe të plumbit. Të gjitha këto, në këtë vepër autori i bën dëshmi të një kohe të pakohë, duke i vënë në skenë ndodhitë dhe ngjarjet, veçmas ato në qytetin e tij por edhe në Kosovë.

Në ato kohëra pesha dhe madhështia e dashurisë, ishin “hallka” të forta për t’i dhënë përgjithësisht kuptim jetës

Është karakteristikë e veçantë se autori i kësaj vepre, duke dëshiruar që rrjedha e ngjarjeve të mos jetë gjithnjë e rëndë mbase edhe bezdisëse, me dhembje e kujtime padyshim të hidhura, ai, për një çast ç’kapet nga këto “rrjedha” dhe “merr” Sokolin me të shoqen, Zojën, për t’u ulur dhe për t’i kujtuar ditët e para, atëherë kur i kishin puqur shikimet me shkrepje dashurie. Kjo idil, me të vërtetë në roman reflekton një relaks apo një pushim të këndshëm shpirti, që lexuesit për t’ia bërë me dije se edhe atëherë, dashuriçkat apo edhe dashuria kishte peshë të madhe shpirti e zemre, sa që për një çast harroheshin të gjitha vuajtjet dhe mundimet. Bile, atëherë janë thurë këngë me thelbin e fortë të përjetimit që buronte nga zemra e shpirti. Kurse, dyert e oborreve të shtëpive shpeshherë ishin vendi ku vashat me bukuritë dhe afshet e tyre, me shamitë dhe shallvaret ndritnin sokakun dhe kalldrëmin e tij. Ishte madhështore edhe koha kur me ndonjë kënatë në kohën e buzëmbrëmjes “defilonin” deri tek kroi i mëhallës.

Në këtë pjesë apo fragment të romanit, autori, tërthorazi na ofron peshën dhe madhështinë e dashurisë në ato kohëra, që si duket atëherë ishin “hallka” më të forta për t’i dhënë kuptim dashurisë dhe jetës përgjithësisht. Tek e fundit, kështu na ofron autori idilikën e atyre periudhave kohore, që si duket, edhe me respektin e dëshirën më të madhe e ka inkorporuar në “Kur barra e kohës rëndon”. Po e them kështu, sepse, dashuria në atë vakt, ishte një prej barrëve të jetës, bile ishte problem e barrë në vete, që shumë herë ka ngelur vetëm si kuptim, kujtim dhembjeje, ëndërr dhe vetëm etje shpirti!

Për këtë arsye, në shumë gazmende e ndeja çikash, të rejat janë rrëfyer dhe kanë organizuar e realizuar lojëra të cilat shprehnin dhe reflektonin ëndrrat e tyre. Kjo, bëhej edhe më madhështore sidomos me rastin e festave të ndryshme por edhe në ditët e Shëngjergjit.  Në këtë aspekt, autori i prezanton shumë ngjarje interesante, të cilat, tash, gjenerata e re as nuk i di, dhe ndoshta as që i ka dëgjuar ndonjëherë. Pra, ky kapitull nuk e ka rëndësinë vetëm sa për të treguar peshën e dashurisë në kohërat e tilla, por edhe për të treguar dhe njohur mënyrat e argëtimit dhe të shprehjes së ndjenjave në moshën rinore edhe në kohërat e trazuara.

Dollapët e Tophaneve, figuracion i fuqishëm për ecjen dhe “rrotullimin” e kohës nëpër periudha...!

Duke pasur për bazë se koha dhe historia gjithmonë përplasen njëra me tjetrën, autori e ka zgjedhur edhe Tophanën, respektivisht, dollapët atje, të cilët figurativisht sillen dhe rrotullohen si koha, dhe nganjëherë diçka bie poshtë e diçka ngjitet lartë. Kështu, kryeprotagonisti, Sokoli, kthen tek dollapët e Tophanës: “...Me kërshëri i shikonte lopatat e dollapëve në trajtë shpatëzash , se si njëra pas tjetrës hidheshin teposhtë, ndërsa të tjera ngjiteshin përpjetë... E gjithë kjo pamje e këtij ambienti mistik ia përkujtoi të kaluarën... Kështu e ka kjo botë, jeta rrjedhë me ngritje e rënie, me gëzime e hidhërime, me lindje e vdekje...”!

Me këtë, “barra e kohës” i ngjanë një thelbi të mendimit filozofik, që me të vërtetë R. Baloku ka ditur t’ua segmentojë rolin dhe peshën gjërave të tilla, të cilat, edhe ndërgjegjësojnë, por nganjëherë edhe qortojnë kur kemi parasysh ngjarjet edhe të vogla edhe të mëdha historike. Kështu, ndoshta edhe në tërësi ishte dashtë për ta kuptuar materialin e shtruar në këtë libër.

Ndërsa, periudhat e pasluftës së Dytë Botërore, të cilat edhe më shumë e rëndojnë jetën e shqiptarëve në Kosovë por edhe më gjerë: “...milicët dhe udbashët ia mësyn shtëpisë... në atë çast ata thyen derën, me shkelma i hapen dyert e dhomave, i përmbysen orenditë dhe gjërat tjera... për të shkaktuar sa më shumë dëme...”!

Është kjo një pasqyrë e llahtarisë, të cilën pushtuesi e bënte kudo dhe jo vetëm në qytetin e autorit. Për këtë arsye, autori ngjashëm krijon narracion ngjarjesh edhe në kapitujt në vijim të romanit, të cilat ngjarje dëshmojnë edhe për organizimin e popullit në forma të ndryshme, siç ishte ilegalja, për t’u çliruar nga okupatori. Andaj, të gjitha këto reflektojnë me ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë, të cilën, autori duke e treguar në vijimësi, shumë gjëra dëshmojnë për vrasjet, plaçkitjet, dhunimet, djegiet etj. Mirëpo, këtë shkrim përkitazi me romanin “Kur barra e kohës rëndon” të Ryzhdi Balokut, do ta përfundoj me qëndresën dhe optimizmin e popullit, të cilat veti, ai sikur i ravijëzon thekshëm për t’u dhënë atyre kuptim fondamental: “Qyteti kundrohej në heshtje. Banorët flisnin në zë: Të gjitha do t’i rindërtojmë, ndoshta edhe më të mira, por si t’i kthejmë njerëzit e zhdukur që na i vrau i ligu. Disa pëshpëritnin mes vete: çfarë t’i bësh, kështu e ka lufta, liria është e shtrenjtë, s’paguhet me para.

Të tjerët komentonin pa e ngritur zërin: I gjithë ky përjetim i rëndë është barrë e kohës, është një histori që s’duhet harruar”...!

Dhe krejt në fund. Autori i romanit “Kur barra e kohës rëndon”, Ryzhdi Baloku, për realizimin e veprës së tij ka zgjedhur një gjuhë të lehtë komunikimi por me një kulturë e cilësi të shprehjes letrare, e cila është begatuar edhe me shumë fjalë të veçanta që rrallë mund t’i hasesh në vepra të tjera letrare. Si e tillë, kjo vepër begaton letrat kombëtare por edhe provokon për begatimin dhe ndriçimin e  vlerave historiografike.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora