E hene, 16.09.2019, 11:39 PM (GMT+1)

Personalitete

Gjekë Gjonaj: Pjetër Dreshaj, model i arsimdhënies

E premte, 12.02.2016, 08:44 PM


Pjetër Dreshaj, model i arsimdhënies

Nga Gjekë Gjonaj

Kaherë e kam menduar dhe planifikuar    pasqyroj në media shqiptare portretin  e këshilltarit tim të parë pedagogjik,  profesorin  e mirënjohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe,  Pjetër Dreshaj. Jo për arsye miqësie, e për t’i ngritur atij lavdi, por  për meritën  e tij të pakontestueshme në fushën e arsimit shqip.

I lumturuar nga lajmi se  Komuna Urbane e  Tuzit  i ndau  këtij  profesori me formim të lartë, me përgatitje   gjuhësore,  me përvojë  mësimdhënie, me kompetencë shumë profesionale  dhe  me aftësi drejtuese në profesionin e tij  Çmimin për “Veprimtari  Jetësore” për vitin 2015, po i shkruaj  me përkushtim  e respekt këto rreshta, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij  vërtet të  madh ndër vite  të këtij misonari i cili, mendoj unë,  e meriton  “ Kartën e Mësuesit” .

Nga njohja ime shumëvjeçare me  profesor Dreshajn  më kanë mbetur në mendje e përherë të gjalla  në kujtesën time  këshilla, ndihma dhe mikëpritja   në fshatin ku jeton, në  Dreshaj, jo larg Tuzit.  Gjithmonë pedant, siç i ka hije një  punonjësi të  mirëfilltë të arsimit. I etur për dituri. Njohës i mirë i gjuhës dhe i letërsisë shqipe.Pedagog i zoti. I aftë në mësuesi.  Drejtues vizionar i shkollës. Njeri i qeshur.  Komunikues. Pozitiv. I gatshëm për këshilla. I dashur  dhe i afërt me  nxënës, me prindër dhe me kolegë. Korrekt. I drejtë. Parimor e i përkushtuar në profesion.

Si mik i shtrenjtë dhe koleg i babait tim , të ndjerit Gjon, dhe dashamir i sinqertë  i familjes tonë, ai më  ka futur në rrugën e arsimit. Dashurinë dhe këmbënguljen për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe, ma nguliti edhe edhe mua në shpirt dhe zemër. Është meritë e tij që  më bëri për vete për të vazhduar studimet në degën  - gjuhë dhe letërsi shqipe, detyrë  të cilën e ushtrova brenda viteve 1979 - 1986  në SHF “ Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”  në vendlindjen time në Triesh. Punën time gjatë gjithë këtyre viteve  me ditar në dorë  e mbikqyri me kujdes dhe e vlerësoi me sukses profesori Dreshaj, asohere  këshilltar pedagogjik për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Udhëzimet e tij që m’i dha për të kuptuar planin dhe programin mësimor , për të organizuar procesin mësimor, për t’u njohur me të rejat pedagogjike,   për përdorimin e tyre në shkollë, për të zbatuar praktikën pedagogjike  e shumëçka tjetër që është pjesë e  mësimdhënies dhe e  jetës në shkollë ishin  me vlerë të madhe për mua.

Në fillimet e mia si mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pasi përfundoi njëra nga orët e mësimit në sallën e arsimtarëve e pyeta profesor Dreshajn : ”Më duket se nuk ju kënaqa”, – i thashë disi i ndrojtur. ”Jo – m’u përgjigj  butësisht e me ngrohtësi. –  Ti si gjithnjë tregove se ke një përgatitje të mirë mësimdhënieje  dhe meritove vlerësimin tim të  lartë, pavarësisht se je i ri në profesion”.  Sa m’u bë qejfi kur u shpreh kështu për mua! Kjo vërtet më  inkurajoi për të vazhduar me më shumë pasion, dashuri  e përkushtim profesionin e mësuesit.

Krahas këtyre dhe shumë kujtimeve të tjera, të cilat  përherë do t’i ruaj  në sirtaret e jetës sime  me origjinalitetin e tyre,   në bibliotekën time të vogël ruaj  librat e tij të leximit për filloristët shqiptarë në Mal të Zi, disa nga përkthimet dhe  nga shkrimet e tija të bukura  dhe të kujdesshme tipik prej gjuhëtari, të cilat  i ka botuar në shtypin  e kohës. Por nuk arrita të siguroj asnjë raport ( vlerësim) zyrtar  të tij  për punën time si mësimdhënës, për shkak të jotransparencës së shkollës.

Po ju kujtoj lexuesve se Pjetër Dreshaj ishte edhe folës dhe  gazetar i mirë. Si fëmijë me kënaqësi e dëgjonim familjarisht  zërin e tij  të ëmbël  dhe imponues në valët e Radio Titogradit të atëhershëm ( sot Radioja e  Malit të Zi), në emisonet  shqip javore, njëorëshe, të marteve në ora 18  nëse nuk nuk kam harruar.

Dhe, në  mbyllje,   po shtoj se Pjetër Dreshaj e meriton të nderohet dhe vlerësohet portreti tij. Sepse ai me profesionin e tij përcolli gjithmonë dituri e kulturë tek nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë në Mal të Zi. Për mua ishte  dhe mbeti model i arsimdhënies. Karakteri i tij i madh njerëzor  dhe ndershmëria e tij e pashoqe përbëjnë një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për shoqërinë shqiptare. E për këtë  atë dhe misionarët e tjerë të arsimit në Malësi dhe në troje të tjera tona etnike   duhet që të vlerësohen dhe të nderohen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT