Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhavit Shala: Mjaft Pasivitetit në çështjet fetare

| E diele, 10.08.2008, 01:34 PM |


Xhavit Shala
Mjaft Pasivitetit në çështjet fetare

Nga Xhavit Shala*

Kohët e fundit nga mediat shqiptare i janë përcjelle opinionit informacione të cilat në pamje të parë duken të zakonshme por nëse vazhdojnë të mos trajtohen me seriozitetin e duhur, mund të krijojnë probleme në marrëdhëniet midis komuniteteve fetare,midis tyre e shtetit si dhe në vetë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

 

Përplasja e simboleve

 

U vendos një kryq i madh hekurit, simbol ortodoks, në të djathtë të rrugës kur zbret nga Krraba në Elbasan, në një vend ku nuk kishte objekt kulti pranë. Me apo pa të drejte, pati reagime negative nga komuniteti mysliman i Elbasanit. Ata kërcënuan deri në përdorim force për heqjen e kryqit nëse nuk merreshin masa nga komuna e Bradasheshit.Pushteti vendor duket e kishte vlersuar dhënien e lejës për këtë kryq sikur po jepte leje për një kjoske shitjeje buzë rrugës dhe nuk kishte menduar për ndikimet që ndërtimi i kryqit mund të provokontë në komunitetet e tjera fetare, shumë më të mëdha në numër në rrethin e Elbasanit. Pas reagimeve, Kryetari Komunës Bradasheshit deklaron se Këshilli i Rregullimit të Territorit të Komunës ka vendosur prishjen e superkryqit ortodoks anës rrugës. Tashmë nëse përfaqsuesit e komunitetit ortodoks nuk e heqin vetë,do ti duhet përfaqsuesve të shtetit ta prishin atë, nëse dikush nuk do ta presë natën me saldatriçe.

 

Ndërtohet një superkryq tjetër ortodoks në majë të kodrës ne fshatin Xarë të Sarandës dhe vetëm pasi reagojnë me apo pa te drejtë komunitetet e tjera fetare, kujtohet policia ndërtimore që ta quajë ndërtim pa leje. Policia ndërtimore (nëpunës të shtetit) sipas shtypit, u përpiqën natën ta prishin atë, dhe me çfarë, me eksploziv.

 

Vidhen në seri 15 kishat ortodokse gjatë muajve Gusht-Tetor 2004 në Qarkun e Korçes. Përfaqsuesi i Mitropolisë së Korçës Ilia Kotini për këtë thotë: “Epidemia kundër kishave duhet të  jetë vepër e qëllimshme e fondamentalistëve myslimanë” dhe vazhdon më tej se “përfaqsues të kishës kanë marrë takime me përfaqsues të policisë në nivele të larta, por përveç fjalëve të mira, nuk ka ndodhur asgjë që të qetësojë shpirtrat e besimtarëve”. Policia në vend që të zbulojë autorët e vjedhjes apo të thyerjeve të qëllimshme deklaron se sendet e marra nëpër kisha kanë vlerë të vogël.

 

Në të tre rastet që përmëndëm më sipër, duket se ka tentativa pë të paraqitur prova “të besueshme”, më shumë  përpara “raportbërësve të huaj”, se në Shqipëri besimet fetare jomyslimane po kërcënohen, bile kundër tyrë po bën veprime konkrete dhe vetë shteti. Nëpërmjet  “luftës së sajuar të simboleve” po synohet për ta paraqitur Shqipërinë si një vend ku islami është militant dhe kjo me qëllim për të trëmbur “europën e krishtere” ku ne aspirojmë të futemi. dhe kjo si pasojë e veprimeve të papërgjegjëshme  të disa zyrtarëve të cilët me apo pa dashje po e fusin shtetin në kurth.

 

Përplasja e “trojeve”

 

Me fillimet e demokracisë, komunitetet fetare filluan menjëherë përpjekjet për ndërtimin e objekteve të tyre të kultit. Duke u financuar kryesisht nga jashtë, secili komunitet synoi të siguronte leje ndërtimi për objekte kulti në qëndrat e qyteteve, të fshatrave, në vendet me të dukshme, shpesh herë dhe në vende ku nuk kanë fare apo kanë shumë pak  besimtarë.

 

Në këtë mënyrë filloi një rivalitet i heshtur për zënien e trojeve më të mira dhe sigurimin e lejeve të ndërtimit. Në jo pak raste, autoritete fetare në qëndër apo në rrethë janë ankuar për mosdhënien e lejeve të ndërtimit për objekte kulti në sheshet që ata kanë patur në pronësi. Ankesat kanë shkuar deri në kërcënimet për nxjerrjen e besimtarëve në rrugë. Rasti më tipik është ai i Elbasanit. Drejtuesit e komunitetit mysliman, disa të rinj të shkolluara në vendet arabe, kërcënuan se do të nxjerrin “xhamatin” në rrugë. Duke mos e paragjykuar nëse kanë apo jo të drejtë ata në kërkesat e tyre, shtrohet pyetja, a do të ishte dalja në rrugë e besimtarëve mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit? Ndërkohë, ka zyrtarë shteti që në vend të ndikojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve, i nxisin besimtarët të protestojnë në rrugë për eskluzivitetin e shesheve, lejet e ndërtimit apo për kthimin e pronave.Mos ndoshta këta zyrtarë kanë marrë detyre “kushedi se ku” për të “shtuar provat” për islamin militant në Shqipëri?

 

Përplasje për trojet dhe për objektet e kultit haset dhe brenda të njëjtit besim fetar.Kështu janë blere troje, janë ndërtuar  xhami nga persona të ndryshëm, ndërkohë që zyrtarisht Komuniteti Mysliman nuk ka asnjë informacion për ta, nuk i njeh kë përfaqsojnë, kush i ka financuar, në çfarë rruge kanë ardhur paratë etj.Këto objekte me leje apo pa leje, tashmë i kemi në periferi të Tiranës dhe në disa rrethe të Shqipërisë.

 

Kush mban përgjegjësi për këtë gjendje, kush duhet ta displinojë, a duhej bërë ndonjë studim për objektet e kultit që ka nevojë në Shqipëri, kush i planifikon e i kontrollon financimet për to? Nëpër lagje e fshatra po hapen kisha e xhamia, gjë e mirë kjo për ata që duan ti frekuentojnë dhe donatorë për to gjenden pa vështirësi, por po “rrudhen” shkollat e mesme. Shkolla të tjera janë kthyer si hane e janë në prag të shembjes për mungesë investimesh. Në heshtje po rritet niveli i analfabetizmit. A mos ka ardhur koha që të ndërgjegjësohet komuniteti për të kërkuar pjesërisht ndryshimin e destinacinon e fondeve të donatorëve nga kishat e xhamite tëk shkollat?

 

Rregullatori i të gjithë këtyre problemeve duhet të jetë shteti, i cili duke respektuar Deklaratën Universale dhe Konventeën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke vlersuar rëndësinë që kanë këto probleme për sigurinë kombëtare, të hartoje një paketë të plotë ligjore dhe të kalojë nga pozicioni i “neutralitetit pasiv” drejt “laicitetit veprues”. 

 

Rivaliteti i universiteteve

 

Ditët e fundit opinioni u informua për inagurimin e Universitetit Katolik në Tiranë, në vazhdën e traditës së mirënjohur të univeristeteve katolike të tipit “George Toun” në SHBA e në vende tjera të Europës. Katolik nga emri por që nuk ka programe fetare dhe nuk përgatit priftërinj. Po atë ditë, Komunitetit Mysliman  shfaqi synimet e tij për të ngritur në Tiranë një Universitet Islamik dhe po kërkon financime për këtë problem.Me të drejtë nesër edhe komuniteti ortodoks mund të kërkojë ngritjen e një universiteti ortodoks në Tiranë dhe të kërkojë financime për të.Tashme filloi dhe rivaliteti i universiteteve.Cila do të ishte zgjidhja për këtë problem?

 

Në të vërtetë janë disa probleme të rëndësishme, që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare, probleme të cilat me apo pa dashje janë tërhequr zvarrë e nuk janë zgjidhur gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë në Shqipëri. Këto probleme janë financimi i komuniteteve fetare, përgatitja e teologëve dhe çështje të tjera të arsimit fetar si dhe mënyra e zgjedhjes së primarëve të komuniteteve fetare.

 

Si janë trajtuar historikisht këto probleme në Shqipëri?

Pas shpalljes së pamvarësisë, patriotët shqiptar, këto probleme i kanë vlersuar si shumë të rëndësishme dhe me një ndikim të madh në të ardhmen e shtetit të ri që po ndërtonin. Në vitin 1923, Visarjon Xhuvani, i cili më vonë bëhet kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, lidhur me këtë problem shprehet: “çështjet fetare kanë qenë dhe janë gjithnjë të ngatërruara këtu. Të gjithë e dinë se sa i kanë kushtuar shtetit. Mos e dhëntë zoti të bëhen vegla dhe për të ardhmen”.Ndërsa shtetari Mehdi Frashëri lidhur me këtë shprehet: “Për këtë them që Qeveria duhet të jetë pak më brenda në fetë…”

Për të parandaluar vëniën e besimeve fetare nën kontrollin e të huajve,shtetarët  në atë kohë krijuan infrastukturën e nevojshme ligjore. Në ligjin e vitit 1923 “Përmbi Komunitetet Fetare” janë sanksionuar  parime mjaft të rëndësishmë që përcaktuan laicitetin e shtetit te ri shqiptar dhe orientimin e tijë perëndimor. Në këtë ligj ju dha zgjidhje mjaft problemeve të rëndësishmë për sigurinë kombëtare siç ishte financimi i klerit fetar, mënyra e lidhjes së autoriteteve fetare brenda vendit me autoritetet e tyre shpirtërore që ndodheshin jashtë Shqipërisë si dhe mënyra e zgjedhjes së primarëve të besimeve fetare.

Ligjërisht u sanksionua që kleri fetar do të financohet pjesërisht nga arka e shtetit në raport me numrin e popullsisë së çdo besimi. Duket se ligjvënësit e asaj kohe nëpërmjet kësaj donin të rrisnin pavarësinë e klerit shqiptar nga financimet e huaja.

Në këtë ligj ishte përcaktuar qartë mënyra e zgjedhjes së kryetarëve të komuniteteve fetare : “kryefetarët zgjidhen me vota të fshehta nga ana e dy këshillave fetare dhe laike, të bashkuara në formën e asamblesë, dhe me vota të fshehta zgjedhin tre kandidatë dhe ia bëjnë të njohur Ministrisë së Gjyqësisë, e cila njërin prej tyre ia paraqet Këshillit Ministerial dhe ky Këshillit Sovran, i cili qet dekretin e emërimit”.

Mbreti Zog dhe komunitetet fetare

Mbrëtit Zog dhe administrata e tij i kushtuan shumë rëndësi çështjeve fetare dhe rrezikut që paraqiste për sigurimin e mbretërisë ky problem.Parimet që u sanksionuan në ligjin e vitit 1923 për çështjet fetare, jo vetëm u ruajtën, por dhe u forcuan më shumë në  ligjin “Mbi Formimin e Komuniteteve Fetare”, dekretuar nga mbreti më datë 9 korrik 1929.Ky ligj sanksionon se Statutet e Komuniteteve Fetare në përfundim do të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave dhe do të dekretoheshin nga Mbreti, kryetarët e feve dhe zëvendësit e tyre duhet të jenë shtetas shqiptar prej fisit e prej gjuhës shqipe.

Rëndësi i kushtoi administrata e Zogut financimit të komuniteteve fetare. Buxhetet e komuniteteve do të kontrolloheshin nga Ministria e Drejtësisë, e cila në çdo rast kishte të drejtë të kontrollonte gjendjen e të ardhurave e të pasurive që zotërojnë këto komunitete, me anë të një inspektori ose të një prokurori të shtetit dhe t’u kërkojnë llogari, të hetojnë dhe mënyrën e shpenzimeve të bëra.

Në nenin 20 të këtij Dekret - Ligji përcaktohej prerë se “Komunitetet janë të ndalueme me pranue ndihmë prej shteteve të huaja, pos rasteve të pranuara prej qeverisë për ndihma që kanë për qëllim vepra filantropike. Dispozitat e paragrafit të parë shtrihen dhe për ndihmat e bamuna prej shtetësve të huaj. Për liberalitetet filantropike që bahen prej të huajve në favorin e komuniteteve çdo shumë që të formojnë, dhe për liberalitetet e bamuna nga shtetas shqiptarë, kur kalojnë shumën 1000 franga ari, duhet leja e Qeverisë…”.

 

 

Regjimi komunist dhe komunitetet fetare

Jo më pak të rëndësishme mbeten problemet fetare gjatë regjimit komunist. Në kushtetutën e miratuar me  14 mars 1946 u sanksionuar dhe marrëdhëniet e shtetit me fenë. Përveç laicitetit të shtetit, në atë kushtetutë, në nenin 18 u sanksionua se “… shteti mund t’u japë ndihmë materiale komuniteteve fetare…”.Kjo vinte në kundërshtim me programin e Internacionales Komuniste në të cilin thuhej: “Qeveritë proletare duhet të tërheqin të gjithë mbështetjen shtetërore ndaj kishës”

Më shumë se sa për të respektuar besimin fetar të popullit, ishte frika se rënia e institucioneve fetare në vështirësi financiare mund të bënte që ato të gjenin partnerë jashtë Shqipërisë, në botën perëndimore, atje ku për shekuj me radhë kanë patur qendrën shpirtërore, çka do të krijonte probleme për sigurinë e pushtetit të tyre.

Ndoshta regjimi komunist e quajti më optimalen dhe e përqafoi zgjidhjen e dhënë për çështjet fetare nga qeveritë shqiptare pas shpalljes së pamvarësise, përderisa i dha mbështetje ekonomike komuniteteve fetare, bile deri tek pagesa e rrogës së klerikëve.

Për rregullimin e marrëdhënieve të shtetit me fenë, përveç kushtetutës, u miratuan një sërë dekretesh ku nga më kryesorët ishte Dekreti Nr.743 datë 26.1.1949 “Mbi komunitetet fetare”.Në këtë dekret sanksionohej përsëri ndihma financiare ndaj komuniteteve fetare, si dhe i jepte të drejtë absolute qeverisë të vendoste për titullarët e komuniteteve fetare. Kontrolli total mbi çështjet fetare, do ti lehtësonte punën regjimit komunist në fazën e mbylljes së institucioneve fetare pas vitit 1967.

Shteti demokratik dhe  komunitet fetare

Pas vitit 1990, me rilejimin e besimeve fetare, nuk kishte asnjë normë ligjore që të përcaktonte se si do të zgjidheshin problemet ekonomike të komuniteteve fetare,ku do ti gjenin të ardhurat, kush do të kontrollonte burimin  e financimeve që vinin nga jashtë për to e destinacionin përfundimtar të tyre.

Shteti i ktheu në mënyrë selektive pronat e komuniteteve fetare. Disa prona vërtet nuk kishte mundësi ti kthente pasi lëvizjet e pakontrolluara demmografike në vitet e fundit kishin zënë jo pak prej pronave të komuniteteve. Një pjesë tjetër e pronave ishin tjetërsuar tërësisht gjatë regjimit komunist. Megjithatë ka shumë prona të komuniteteve që janë tjetërsuar me vendime gjykate të sajuara dhe si pasojë e korrupsionit në zyrat e regjistrimit të pasurive etj.

Asnjëherë nuk u bë një studim i plotë për pronat e komuniteteve fetare,sa janë zënë, sa mund të kthehen, sa mund të kompesohen etjer.E kush do ta bënte këtë? Sigurisht shteti duhej të gjente mekanizmat për këtë problem.Rol nxitës mund të luante dhe shoqëria civile,ndoshta dhe akademia e shkencave.

Pas vitit 1990 dhe deri tani nuk ka patur një ligj mbi komunitetet fetare,një ligj që të përcaktonte detyrimet e ndërsjellta midis shtetit dhe komuniteteve fetare.Ka patur një boshllëk ligjor për mënyrën si do të zgjidheshin primarët e feve në vendin tonë. Ndoshta “mosmarrveshjet” për zgjedhjen e tyre e la për vite të tëra Shqipërinë pa ligj për komunitetet fetare.

Që në vitin 1923 dhe në vazhdimësi shtetarët shqiptarë mirë apo keq,i zgjidhën ligjërisht këto probleme sepse ishin të bindur për rëndësinë që ato kishin për sigurinë tonë kombëtare.Është për të ardhur keq për papërgjegjshmërinë e treguar në këto 13 vjet për zgjidhjen ligjore të çështjeve fetare.

Ligji për komunitetet fetare është përgatitur dhe besoj do të kalojë në këtë parlament, por ai nuk do të mund të riparojë pasojat që ka shkaktuar vakumi ligjor dhe papërgjegjshmëria e trajtimit të problemeve fetare deri më sot.

Vakumi ligjor-një mal me probleme

Pas vitit 1992,si pasojë e mungesës së infrastrukturës ligjore për çështjet fetare, pothuajse në të tre besimet fatare ka patur probleme.

OJQ-të arabe që erdhën për të ndihmuar komunitetin mysliman, përveç ndihmesës që dhanë në ringritjen e objekteve të kultit, filluan të propagandonin ato fraksione të fesë islame që ushtronin në vendet e tyre, fraksione këto që binin ndesh me traditën e myslimanizmit shqiptar. Ata filluan të kërkojnë radikalizimin dhe arabizimin e fesë islame në Shqipëri, të nxisin përçarjen fetare dhe të përhapnin ato sekte islame fundamentaliste siç ishte salafizmi.

Komuniteti shqiptar ortodoks në Shqipëri u ndihmua për rimëkëmbjen e infrastrukturës së tij nga ana e kishës ortodokse greke. Kjo kishë ndihmoi edhe në përgatitjen e kuadrit fetar. Gjithsesi, pati një debat, i cili u bë dhe publik, lidhur me përcaktimin e primarit të kishës ortodokse në Shqipëri. Në krye të kësaj kishe u vendos një shtetas grek, pavarësisht se në praktikën e ortodoksisë shqiptare kjo ishte ndaluar që me shpalljen e autoqefalisë së kësaj kishe, në vitin 1922 deri me ndalimin e besimeve fetare në vitin 1967.

 

Më pak debate, por jo me më pak probleme, duket se kishte në komunitetin fetar katolik dhe atë bektashi.

 

Rritja e ndërhyrjeve nga jashtë në jetën e komuniteteve fetare shqiptare, sidomos kur kjo bëhet nga qarqe fanatike apo fundamentaliste, do të trondisë tolerancën tonë fetare duke prishur ekuilibrin shekullor të vendosur në marrëdhëniet midis komuniteteve fetare në Shqipëri, do të nxisë përçarjen fetare, duke cënuar në këtë mënyrë sigurinë tonë kombëtare.

 

Tolerancë shekullore e rrezikuar nga “importi„

 

Populli shqiptar, gjatë historisë së tijë ka kaluar në shumë luftra e kalvare, por në asnjë rast nuk ka patur konflikte të brendshme fetare. Qënia në themel të identitetit kombëtar të shqiptarëve jo i fesë por i gjuhës, traditës e kulturës; prezenca e një feje islame përgjithësisht popullore dhe e zbutur nga bektashizmi; urrejtja dhe lufta kundër rrymave intolerante në islam siç ishte vahabizmi; ftohja e detyruar  e brezit të ri  të shqiptarëve ndaj fesë gjatë regjimit komunist; moskthimi i konflikteve ekonomike e shoqërore në konflikte fetare si dhe tradita e forcave politike të cilat historikisht, nuk kanë synuar që të krijojnë një elektorat mbi baza fetare, janë disa nga faktorët qe i kanë ruajtur besimet fetarë nga  fanatizmi, ekstremizmi apo fondamentalizmit fetar dhe që kanë çimentuar tolerancën fetare të Shqiptarëve.

 

Por ndërsa në truallin shqiptar, fanatizmi, ekstremizmi dhe fundamentalizmi fetar nuk kanë bazë, pas viteve 90 është shtuar rreziku i “importimit” të rrymave të tilla nga jashtë. Depërtimi i këtyre rrymave është bërë kryesisht nëpërmjet organizatave të huaja joqëveritare të spektrit fetar, të cilat sollën dhe financuan në Shqipëri sekte fetare nga më te ndryshmet, duke synuar sidomos infektimin e fëmijëve dhe të rinjve që ndiqnin kurset apo shkollat e tyre.

 

Krizat dhe destabiliteti politik, social, ekonomik, financiar qe ka përjetuar vendi ynë gjatë tranzicionit (vitet 1991, 1992, janar-mars 1997, shtator 1998), të shoqëruara me mungesën e shtetit ligjor dhe me cënime të rënda të rendit dhe sigurisë; mungesa  e financimeve nga shteti dhe shpresa tek ndihmat që vinin nga jashtë; mungesa e një ligji mbi komunitetet fetare; pozicioni i përshtatshem gjeografik i Shqipërise midis Lindjes dhe Perendimit dhe dominimi në numër i popullsisë myslimane ; mungesa e strukturave efiçente shtetërore që të merren me menaxhimin e raporteve ligjore dhe të  detyrimeve të ndërsjellta të shtetit me komunitetet fetare, janë disa nga faktorët që i lanë hapësirë ardhjes në Shqipëri të lloj - lloj sektesh e levizjesh fetare,veprimtaria e te cilave ishte e ndaluar me ligj në shumë shtete

 

OJQ-të dhe helmimi arsimit fetar

 

Lë të shikojmë cili ka qenë ndikimi i një pjese të OJQ-ve fetare ardhur nga Lindja Mesme, në edukimin fetar të një pjese të të rinjve të komunitetit mysliman në Shqipëri.

 

Pas entuziazmit të parë për ardhjen e OJQ-ve arabe, filloi të përvijohej qartë ndarja midis predikimit të besimit tradicional musliman dhe atij predikimi që impononin punonjësit e këtyre OJQ-ve dhe të rinjtë shqiptare që ndiqnin shkollat apo kurset e tyre. Këto sollën në Shqipëri dhe përhapën salafizmin. Selefizmi është semafori jeshil i  fundamentalizmit islamik.Ai ndryshon nga katër drejtimet kryesore të ushtrimit të myslimanizmit, të njohura zyrtarisht në botë. Mbështetësit e kësaj rryme janë të shpërndarë në të gjithë botën dhe përbëjnë një përqindje shumë të vogël të fesë islame por me tendencë në rritje. Salafizmi merr  anën më të keqe të fesë islame. Ata predikojne xhihad jo në mendime po në veprime, papajtushmëri me fetë e tjera dhe justifikojnë përdorimin e dhunës. Për ta bindja është e papranueshme. Në fushën sociale, kjo rrymë predikon kthimin në mënyrën e jetesës të shekujve më parë, ashtu sic jetonte vetë Muhamedi, si në veshje,në të ushqyer etj.Në fushën politike, salafistet nuk pajtohen me shtetin laik.Ata kërkojnë një shtet të lidhur me fenë, ku të zbatohet sheriati (ligji i  shenjtë). Në aspektin nacional, kjo rrymë synon heqjen dorë nga myslimanizmi tradicional shqiptar dhe arabizimin e tijë.Para së gjithash, predikuesit kanë si synim heqjen qafe të islamit shqiptar, për ta zëvëndësuar atë me një islam më të përafërt me konceptin vahabit.

 

Fillimet e kësaj rryme janë në vitin 1992, kur në qytetin e Cërrikut hapet shkolla fetare « El Faruk ».Kjo shkollë u hap me nismën një grupi misionarësh islamike sudaneze. Financimi i aktivitetit të kësaj shkolle u bë nga fondacioni  «Al Vakef Al Islamija », OJQ me qendër në Arabinë Saudite dhe degë për Evropën në Einthoven të Hollandës. Zyrtarisht, kjo shkollë do të merrej me  përgatitjen e predikuesve (imamëve) për fenë islame. Kontigjenti që pranohej në këtë shkollë ishin nxenës të moshës nga 14-18 vjeç, kryesisht djem e jetim nga familje të varfëra të zonave rurale të Shqipërisë. Programet fetare islamike që jepeshin në këtë shkollë, kishin ndryshime esenciale me fenë tradicionale islame në Shqipëri. Jo vetëm në Cerrik por dhe në disa qytete tjera me popullsi të besimit mysliman, OJQ-te arabe kishin hapur shkolla apo kurse te tjera, kryesisht të orientimit salafist. Përhapja e rrymave të tilla të importuara u bë shqetësuese dhe në trojet shqiptare jashte kufijve shtetror, në Kosovë e Maqedoni. Në një zonë të thellë të Librazhdit, në Dragostunjë, salafistët kanë patur organizim të vecantë, vepronin si shoqëri-vëllazëri e mbyllur dhe konspirative. Ata « harruan » emrat shqiptar dhe e thërrasin njëri tjetrin me emra arab.

 

Një pjesë e madhe e mësuesve të shkollave fetare të sponsorizuara nga OJQ-të arabe që ndikuan në përhapjen e salafizmit, kanë qenë nën ndikimin e « Vëllazërise Myslimane », organizatë ndërkombetare inspiruese e fundamentalizmit islamik.

 

Disa nga shoqatat dhe fondacionet humanitare islamike  jo vetëm që financuan kursë më prirje salafistë në vendin tonë  por dërguan për studime jashtë shtetit djem që kishin përqafuar salafizmin ose ishin premtues si të tillë. Vetëm për vitin 1999, në vendet arabe janë dërguar për studime, kryesisht me financimin e OJQ-ve arabe, rreth 300 të rinj nga trojet shqiptare.Një pjesë e djemve që kishin pranuar salafizmin punësoheshin nga OJQ-të arabe si mësues për përhapjen e dijeve islame dhe i paguanin me rreth 100-150 $.Kurset që këta hapnin, ishin kurse ilegale apo gjysmeilegale dhe i zhvillonin në banesa private apo pranë xhamive. Duke i punësuar si mësues, OJQ nga njëra anë duke ju dhënë një rrogë i lidhnin më shumë me vehten e tyre dhe nga ana tjetër nëpërmjet punës së tyre me kurset, shtonin rradhët me salafist të rinj. Duke përfituar nga mungesa e kontrollit te strukturave shteterore, këto shoqata kane arritur që të financojnë në rrethe të ndryshme të vendit një  rrjet të tërë kursesh ilegale feje, sidomos me minorene.

 

Në xhamite që ndërtonin OJQ-të, këmbëngulnin caktimin si imam pikërisht nga djemtë salafist.Pas kësaj merrnin përsipër ti paguanin atyre dhe rrogën mujore.Në ato xhami ata jo vetëm që kishin mundësi të shtonin rradhët e selafijve, por siguronin dhe një votë në këshillin e përgjithëshme të komunitetit mysliman.

 

OJQ-të arabe, pas disa vitesh aktiviteti intensiv në vendin tone, duke financuar lëvizjen salafiste, në vitin 1998 bënë përpjekje për të vënë nën kontroll të kësaj lëvizje strukturat zyrtare të Komunitetit Musliman Shqiptar por si pasojë e kundërveprimit të klerikëve patriot të atij komuniteti ata dështuan. Kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë.Ata thjesht kanë ndryshuar taktikë. Kjo duket sidomos në ditët e sotme kur shumë nxënës të shkolluar nëpër vendet arabe, të njohur si përkrahës te lëvizjes salafi dhe të financuar nga OJQ-të arabe, janë bërë protagonist të sulmeve ndaj klasës së vjetër të klerikëve mysliman dhe nxitës të përcarjeve në atë komunitet.

 

Duke shfrytëzuar programin e tyre për shkollimin e të rinjve jashte shtetit, OJQ-të , ju krijojnë mundësi organizatavë terroriste të dërgojnë për studime kandidatura që i kanë studiuar për të zgjeruar radhët e tyre dhe të realizojnë rekrutimin e trajnimin e tyre dhe në kurse ushtarake. Proçesi i zhvilluar në Egjipt për « Arabët e Shqipërisë » tregoi se organizatat terroriste, duke përdorur si koperturë OJQ-të arabe, kanë bërë rekrutime nga rradhët e studentëve që kanë financuar për studime jashte shtetit. Ata tashmë janë « të konservuar » dhe mund të vihen në veprim kur ta kërkojë situata. Pjestar të organizatës së tyre kanë inspiruar dhe mbajtur kontakte të vazhdueshme me eksponente të lëvizjes salafi në vendin tone.

 

Ndërprerja e burimit të financimit të salafizmit pas 11 Shtatorit 2001, ndikoi dukshëm në ndërprerjen e revanshit që ata kishte marrë. Por a është e mjaftueshme vetëm kjo? Filizat e salafizmit, pas më shumë se 10 vitesh, janë rritur e janë bërë pemë dhe tashmë po japin frutet e tyre.Që këto fryte të mos arrijnë të helmojnë besimtarët, është e nevojshme ngritja e ndjeshmërise së besimtarëve ndaj këtij fenomeni si dhe vigjelencë e agjensive të zbatimit të ligjit.

 

Agjensitë ligjzbatuese dhe besimet fetare.

 

« Importimi » në mënyrë të pakontrolluar i një sërë sektesh e rrymash fetare, të cilat cënojnë të drejtën e shqiptarëve për të ushtruar besimet e tyre tradicionale fatare, sekte e rryma prej të cilave kanë frike dhe shtete me demokraci të konsoliduar, kërkon një rol në rritje të agjensive ligjzbatuese. Është detyrë e tyre të  respektojnë lirinë e besimeve fetare por dhë të mos lejojnë që abuzimi me këto liri të cënojë sigurinë kombëtare. Cfaqjet e fundamentalizmit në besimet fetare, siç është rasti i salafizmit, duhet të jenë në fokusin e veprimtarise së agjensive shqiptare të zbatimit të ligjit. Në të kundërtën, sigurinë kombëtare e kërcënon një rrezik serioz. « Neutraliteti pasiv » ndaj cështjeve fetare në këto vite, i ka hapur jo pak probleme Shqipërisë.

 

Është detyre e Policisë Shtetit dhe e Shërbimit Informativ Shtetror ti kalojë në “sitë” të gjithë shtetasit e huaj që vijnë nga vendet arabe apo vende të tjera për të  ushtruar  aktivitet fetar, të bëjë verifikimet e nevoshme përpara se të paise ata me leje qëndrimi, të mbikqyrë aktivitetin e tyre ekonomik e financiar dhe të organizojë pune për mbajtjen e tyre nën kontroll, e theksojmë dhe një herë duke respektuar lirinë e besimeve fetare.

 

Përfundimisht, me qëllim që të minimizohet ndikimi negativ në arsimin fetar dhe në përgjithësi në çështjet fetare është e nevojshme :

 

1- Miratimi sa më shpejt i ligjit për komunitetet fetare, përgatitja e akteve të tjera në zbëthim të tij dhe fillimi i zbatimit pa vonesë.

 

2- Nënshkrimi i aktmarreveshjeve midis qeverisë dhe katër komuniteteve kryesore fetare, ku secila pale të marrë përsipër detyrimet sipas ligjit.

 

3- Zgjidhja përfundimisht me ligj e problemit të kthimit të pronave të mbetura komuniteteve fetare.Shteti të planifikoje financimin pjesërisht të aktivitetit të katër komuniteteve zyrtare fetare në vendin tonë.

 

4- Shteti të planifikojë dhe financojë një Fakultet Teologjik pranë Universitetit të Tiranës për përgatitjen e klerikëve të  lartë të katër komuniteteve kryesore fetare dhe të zgjidhë problemin për nivelet e tjera të arsimit fetar.Do të ishte e rrezikshme lënia e kësaj pune në duart e shoqatave apo fondacioneve të huaja,.            

 

5- Komiteti Shtetëror i Kulteve, minimalisht të shndërrohej në një Ministri Shteti për Kultet, kjo me qëllim që shteti të mos jetë thjesht një garantues neutral për lirite e besimeve fetare por të veprojë si një promotor i këtyre lirive.

 

*Drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve për Sigurinë Kombëtare - acnss.com

Mars 2005 - Dërgoi për Zemra Shqiptare z. Ilir Dardani