E enjte, 28.03.2024, 09:31 AM (GMT)

Faleminderit

Eduard Dilo: Koço Ilia Dilo, koha për t'i dhënë nderin e duhur

E merkure, 10.02.2016, 08:55 PM


KOÇO ILIA DILO, KOHA PËR T’I DHËNË NDERIN E DUHUR

Nga Eduard M. Dilo

Vëllezërit Dilo Sheperi, secili reflektim i mirësisë, zgjuarsisë, diturisë, patriotizmit. Kostandini, ose Koçua si thirrej, sikur parandjeu jetën e terratisur që e priste më vonë. Atë fund nëntori 1944, vëllai i tij Jani, i detyruar të largohej nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë në atë diktaturë të egër, nuk pranoi ta merrte me vete në barkën që largohej dhe mbarte me vete dhe “babanë e shqiptarizmës”, Mit’hat Frashërin e madh.

Jani, me buzën që i dridhej, ju lut Koços që të mos largohet: ”Largimi im është vdekje për Prindërit” i tha.  Dy vëllezërit e tjerë po emigrantë, nuk dihej fati i tyre ku ndodheshin… “Ne do luftojmë për atdhenë dhe do ta çlirojmë nga komunistët...”, por kjo nuk u arrit. Komunistët me dhunë, me vrasje e terror hodhën rrënjët dhe pasojat dihen nga të gjithë, madje edhe sot e kësaj dite.

Koçua, ky djalë i shkathët e i fuqishëm, me një trup prej atleti, para pushtimit nga komunistët punonte në Dhomën e Trëgëtisë në Durrës. Ishte shok i ngushtë me Themo Vasin. I mbrujtur dhe i edukuar në një familje ku përkundej vetëm shqiptarizmi, ishte nga të parët që iu kundërvu pushtuesvë të huaj. Pjesmarrës në luftë, me rininë e Ballit, mori pjesë gjithashtu në luftimet e famshme të Barmashit që drejtoheshin nga vëllai i tij,  Kapiten Jani Dilo, i cilësuar në Kongresin e Ballit si “Një strateg i madh”).

Që në fillimet e para të marrjes së pushtetit nga komunistët, familja Dilo Sheperi ishte në listat e para të dëbimit nga Tirana dhe Durrësi, duke i internuar e izoluar në Zagori, shoqëruar kjo me një persekutim barbar, në fillim duke i pushuar nga puna. Kishin mbaruar disa prej tyre Shkollën e Fullçit dhe ishin të shkolluar në Universitetet perëndimore. Ishin çvarrosur e thyer varret e të vdekurve, sekuestruar çdo gjë deri në përgjakjen e truallit, në një masakër të paparë e dëgjuar ndonjëherë. I shpallën “armiq të popullit”, të atij populli për të cilin ata punuan dhe e deshën si fort pak të tjerë. Kundërshtarë të përbetuar të të kuqëve, Koçua si dhe familjet e vëllezërve të tjërë (Margarit dhe Qirjako), nuk u bënë kurrë anëtarë të kooperativave bujqësore.

Iu sekuestruan çdo gjë, çdo pasuri të luajtshme e të paluajtshme. I lanë fare pa bukë në fshat. Njeri nuk u fliste me gojë në Sheperin që e donin aq shumë. Por edhe pse vuajtën aq shumë, kurrë nuk u trembën as u mposhtën, por jetuan dhe vdiqën krenarë dhe shqiptarë të ndershëm.  Më 9/3/1970, Koçon e arrestojnë në Fier me akuzën sa absurde dhe qesharake të “mendimit për t’u arratisur”. Në valixhë iu gjetën e sekuestruan një pako ilaçe për ulçerën nga e cila vuante i vëllai Margariti, si dhe një garuzhdë për të ndarë gjellën, që siç duket e kishte marrë për t’ua çuar vëllezërve që i kishte doktorë e profesorë në Amerikë, gjoja se ata s’kishin ilaçe! Do arratisej nga Fieri, kur dihet që Sheperi s’është larg nga kufiri. Do arratisej nga Fieri, kur vite më parë e kishte kryer ushtrinë pranë kufirit! Ai nuk e kaloi kurrë ndërmend një gjë të tillë, për vetë faktin se mendontë për pasojat që do të kishte familja e tij.

Pas afro katër muaj tortura çnjerëzore në Kalanë e tmerrshme  të Gjinokastrës, më 2 Korrik e nxjerrin në gjyq, në sallën e mbushur plot gjimnazistë ku filloi të luhej një komedi vdekjeprurëse që dinë ta luajnë aq mirë “terroristët e kuq”. Aty në sallë oshëtinte zëri ogurzi i Koço Novës, si dhë beniaminëve të tjërë të diktaturës, të cilët në ëmër të mjeranit popull akuzonin një burrë trim sheperjot, një prej bijve të Ilia Dilo Sheperit, në shtëpinë e të cilit është përkundur vetëm patriotizmi.

Gjyqi që s’ishtë gjë tjetër veçse dicka e sajuar e farsë që u hap e u mbyll vetëm me lakimin e emrit të Jani Dilo-s, aq sa shpesh Koçua trim i pyet nëse ky ishte gjyqi i Jani Dilo-s që zhvillohej? Dëshmitarët e pafytyrë, Naqë Nita dhe Leonidha Kuro, vegla qorre, dëshmonin e binin në kundërshtim me njëri-tjetrin e duke mos u dhënë dot përgjigje të të pafajshmit Koço, filluan të qanin në sallë. Koçua me qetësi e butësi që ja jeptë pafajësia e tij, i drejtohet trupit xhelat gjykues: “Zotërinj, nxënësit nuk i keni mësuar mirë, sepse ata po thonë gjëra kontradiktore, kështu që nuk e marrin provimin!”. Ndërkohë salla e mbushur me gjimnazistë u çua në këmbë dukë thënë: “Lirojeni, është i pafajshëm! Dëshmitarët gënjejnë…!” Koços kurajo i jepte dhe prania në sallën e gjyqit e vëllait Qirjako dhe nipit Anastas.

Pas dy ditë zhvillimesh, gjyqi farsë e dënuan Koçon me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskimin e pasurisë së tundur e të patundur, me argumentin gjoja se “mendon të arratiset për t’u bashkuar me vëllezërit e tij (Janin dhe Orestin) në Amerikë, mbështetur kjo dhe në deklaratën e lëshuar nga Organizatat e Masave të Krahinës”. Krahas spiunëve të njohur në sallën e gjyqit, u mësuan dhe emrat e shumë njerëzvë të tjërë që kishin dhënë dëshmi të rreme për të. Qirjakua (i vëllai), i thotë në fund të gjyqit: “Të lumtë vëlla! Ki besim e shpresë vetëm tek i madhi Zot!”. Kjo shprehje u lakua e interpretua aq gjatë në atë vend ateist. Margariti, i cili kishte më së 7 vjet që vuante në shtrat nga një sëmundje e pashërueshme (e cila ishte pasojë e vuajtjeve në burgun e Maliqit), s’mundi të duronte kur mendonte torturat për vëllanë. Kështuqë në moshë të re largohet nga kjo jetë dukë lënë pësë jetimë ende të parritur.

Bastardët grabitën çdo gjë në familje me preteks gjoja se po sekuestronin gjërat ë Koços! Një qëndrim shumë të ulët e primitive, mbajti në atë kohë dhe kryetari i këshillit të fshatit, Andon Golemi. Muarrën gjithë librat, korrëspodencën dhe fotografitë familjare, relikte e kujtime nga prindërit e vdekur, pajën e vajzës së pamartuar, Viktori, rrobat e fëmijëve të Margaritit, unazat e nuseve të familjes… Me një fjalë, muarrën gjithçka.

Koçua 10-të vjetët e burgut i kaloi në burgun ferr të Spaçit, ku pasi doli prej andej, në një kohë shumë të shkurtër ndërroi jetë, duke shpresuar se një ditë Shqipëria do çlirohet nga zgjedha komuniste, e do gëzojë ditë të bardha…Vdiq në spitalin e Tiranës,  dy ditë para se të operohej nga stomaku e me insistimin e nipërve e mbesave u varros plot dhëmbshuri në Sheperin e vuajtjeve, që edhe pse qe i tillë e deshi shum. E varrosën të prehet pranë nënës, babait, vëllezërvë e motrës Viktori, që nuk iu nda kurrë burgjeve.

Ndoshta në përjetësi aty ku prehet ky burrë i fjalës dhe i besës, aty pranë atyre që i deshi dhe e deshën, aty ndoshta shpirti i tij i plagosur aq rëndë ka gjetur pak prehje e qëtësi që në këtë jetë aq i munguan. Ndoshta ata që dëshmuan në mënyrë krejt të rreme për të ndihen fajtorë e të penduar, duke u skuqur nga vetja, ndoshta…! Ndoshta s’ka ardhur akoma koha që historia, e cila është borxhli karshi njerëzvë të tillë, t’u japë vendin dhe pjesën që u takon dhe që e meritojnë. Shpresojmë dhe bësojmë! Ndoshta një ditë…



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora