E enjte, 25.04.2024, 04:51 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Minxhozi: A duhet lënë vetëm Kosova

E shtune, 09.08.2008, 01:58 PM


Skënder Minxhozi
A duhet lënë vetëm Kosova

Nga Skënder Minxhozi

Para pak ditësh shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, deklaroi publikisht ndërmarrjen nga ana e qeverisë së tij, të një ofensive diplomatike kundër Kosovës. Synimi kryesor i shpallur i kësaj fushate ndërkombëtare, do të jetë pengimi i njohjes së mëtejshme të shtetit të ri kosovar, nga vende dhe organizma të ndryshme. Jeremiç ka qenë i qartë dhe i prerë në vullnetin e Beogradit zyrtar, për t’ia bërë sa më të vështirë jetën kosovarëve, në procesin e gjatë e të vështirë të njohjes së shtetit më të ri evropian.
Ky qëndrim serb nuk përmban në vetvete ndonjë element të ri, përpos lëvizjeve taktike që kanë një objektiv të lexueshëm, si politik, ashtu edhe mediatik. Serbia luan që nga 17 shkurti i këtij viti, në pozita të dukshme mbrojtëse. Kosova e fitoi pavarësinë e saj dhe brenda tre muajve të parë atë e njohën SHBA dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Po pas këtij suksesi diplomatik të orës së parë, çfarë pritet? A ka një plan veprimi konkret të qeverisë së Kosovës dhe ç’është më e rëndësishmja, a duhet të përfshihet vetëm qeveria e re dhe për pasojë, pa kapacitete dhe përvojën e duhur të Kosovës, në këtë operacion kompleks diplomatik?
Këto pyetje do të duhej ta gjenin një përgjigje më shumë se askund tjetër, në Tiranë. Shteti i ri kosovar ka një aleat të drejtpërdrejtë, natyral dhe të palëvizshëm në derën e tij – Shqipërinë. Është i njohur roli ynë në zhvillimet kosovare, fatkeqësisht është i njohur edhe pasiviteti ynë në kapjen e shanseve dhe ofertave, që kohë pas kohe kanë ardhur për Kosovën dhe kosovarët në momente të ndryshme të historisë. Një i tillë duket se po na kalon para këmbëve në këtë moment. Tirana zyrtare duket se po lëviz pak ose aspak në drejtim të kryerjes së disa detyrimeve të saj në lidhje me fazën e re ku ka hyrë Kosova. Kemi qëndruar dhe vazhdojmë të qëndrojmë në pozitat e një “vendi fqinj” ndaj Kosovës, pa marrë parasysh në mënyrë miope rëndësinë historike, që ka momenti aktual për Kosovën.
Shteti kosovar nuk e ka kaluar ende atë që mund të konsiderohet me të drejtë si “masë kritike” e afirmimit si realitet në skenën rajonale, kontinentale dhe globale. Para pak ditësh, Jeremiç ftonte debatuesin britanik në studiot e BBC, për të parë sesi Kosova vazhdon të mos njihet nga Rusia, Kina dhe disa prej vendeve të rajonit, përfshirë Greqinë dhe Maqedoninë, sesi ajo ndodhet ende larg uljes në poltronat e organizmave globalë, si OKB apo OSBE. Ky lexim cinik përkon fatkeqësisht me një pjesë të realitetit të sotëm. Nëse për tre muajt e parë pas shpalljes së pavarësisë, shifra e mbi 40 vendeve që kanë pranuar njohjen, mund të konsiderohet si një sukses diplomatik, janë të gjitha risqet që kjo shifër të mos rritet më me këto ritme në të ardhmen e afërt. Trysnia negative e Rusisë në këtë proces është një element që duhet marrë si i mirëqenë, gjithashtu edhe problemet e brendshme të disa vendeve si Spanja, po ashtu janë për t’u marrë si të mirëqena, por apatia diplomatike e Shqipërisë, si një vend anëtar tashmë me stazh në të gjitha organizmat kryesore ndërkombëtare, por edhe me një eksperiencë diplomatike dhjetëra vjeçare, është e pakuptimtë dhe jashtë logjike. Aktualisht nuk ka asnjë iniciativë të deklaruar apo të padeklaruar të diplomacisë tonë në drejtim të lobimit për njohjen e Kosovës. Ajo që mban mend shumëkush, është sesi shteti shqiptar e la bosh për më shumë se gjashtë muaj postin e shefit të zyrës tonë në Prishtinë, ndërkohë që Kosova numëronte ditët drejt pavarësisë.
Në mënyrë të përsëritur kemi parë shtetarë të lartë të vendit, që të bredhin nëpër vende dhe zona të botës disa herë mjaft të çuditshme, me pretekstin se po punojnë për njohjen e Kosovës. Kreu i Kuvendit, Topalli, pranoi të verë vellon myslimane në kokë, për t’i kërkuar mbretit të Arabisë Saudite pak kohë më parë që ta njohë Kosovën e pavarur. Shefi i diplomacisë, Basha, pranoi të ulet në çadrën e Gedafit, gjithashtu në emër të njohjes së afërt të Kosovës nga Libia. Çfarë ndodhi pas këtyre udhëtimeve në kufijtë e turizmit ekzotik?! Ndodhi që Samiti i fundit i OKI nuk shpenzoi asnjë fjalë për Kosovën. Madje, aty ndodhi që precedenti kosovar u shfrytëzua nga përfaqësuesit e Kashmirit, për të afishuar kërkesën e tyre për pavarësi nga India, po ashtu siç kishin bërë “vëllezërit myslimanë” nga Kosova.
Kosova duhet ndihmuar sa nuk është vonë. Lënia me “rrjedhje të lirë” e procesit të njohjes, është në fakt braktisja e procesit të njohjes. Nëse Kosova do të marrë ngadalë statusin e një gjysmë-shteti, të një gjysmë-entiteti gjeopolitike, atëherë do të jetë shumë e vështirë që ajo të kapërcejë drejt fazës së njohjes dhe pranimit me të drejta të plota në bashkësinë ndërkombëtare, si një aktor me peshë në gadishullin ballkanik. Dhe kjo mund të ndodhë edhe për shkak të indiferencës dhe papërgjegjshmërisë të Tiranës zyrtare, të kësaj “motre” të madhe shpërfillëse që vazhdon të shohë vetëm punët e veta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora