E marte, 23.04.2024, 07:40 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kush e tradhëtoi Vasil Shanton?

E merkure, 03.02.2016, 08:31 PM


KUSH  E  TRADHËTOI  VASIL  SHANTON ..?

Nga Fritz RADOVANI

?EDHE  “HERONJTË”  KANË  “DOSJE”...

Në shtator të vitit 1961 u emnova mësues në shkollen “Liria” të qytetit të Shkodres. Shkolla fillore ku do të fllojshe punën si mësues, ishte brinjë një  kodres, prej ku shihej krejt Pazari i vjetër i Shkodres, po thuej i rrënuem fare...

Ai dikur asht kenë qendra tregtare e Shqipnisë së Veriut ku, nuk mungonte prania e Malit të Zi dhe Kosovës, pa dashtë me shkue disa shekuj mbrapa tek mardhanjet me Venedikun... Sejcili asht mundue me ia lanë fajin e shkatrrimit tjetrit, një ves që Shqiptari vazhdon me e pasë endè, tue justifikue vetën dhe tue fajsue jugosllavët, të cilët donin me rritë vlerat e qendrave të tyne tregtare moshatare të Pazarit tonë. Ka edhe nga ata që ardhjen e grekve në 1949, e paraqesin si shkak shkatrrimi, me djegëjet e prishjet e tyne...Por, asnjena palë nuk ka vue dorë pa lejën e të zotit të shtëpisë, i cili ditë e natë ka mendue si me qitë fare Shkodren...

E vetmja e mirë e mbetun pranë atyne rrënojave ishin njerëzit që jetonin në rrënoja të tjera aty afër, që quheshin “shtëpi” vetëm pse ishin të lyeme me gelqere dhe ata, na i kemi quejtë gjithmonë magjypë ose jevgj, sigurisht tue u nisë nga ngjyra e murrme që ata trashigojnë prej paraardhësve të tyne, të ardhun si hamaj pranë qendres tregtare të Shkodres disa shekuj ma përpara, kur ai qytet ishte edhe “port” i njohtun në Mesdhe.

?Ruej kujtimet ma të mira për ata banorë që me të vërtetë diskriminoheshin edhe pse “Kushtetuta e RPSSH” iu kishte “garantue të gjitha të drejtat e shtetasve”...

Edhe kryetari i Këshillit Popullor të lagjes, i ndjeri Zeqir Dani, punonte hamall... Nuk ishte “anëtarë i PPSH (AP)” sëpse, siç më ka tregue vetë, kishte deklarue se “unë besoj në Zotin dhe nuk heq dorë nga besimi!”, kusht që e përjashtonte mundësinë e kenjes AP. Pra, shumica e burrave punonin në ngarkim shkarkim dhe punë tjera të randa. Edhe gratë e tyne lodheshin në punë të randa, por “përfitonin” nga lejët e lindjeve që pasonin pa ndërpremje njenatjetrën...

Një grue në atë lagje kishte një fëmijë përdore, një kapej për kind të brrandavekve, një tjetër ecte tre – katër hapa përpara, ndërsa ai, që mbahej hopa, ishte mbi tjetrin që përgatitej me lindë...dhe, kur unë tue u qeshë e pyeta:

“Po, ti, Naxhije prap po lindë edhe njëtjetër...?”

– Po, zotni Princ (kështu më thirrnin ata), duhet me ba edhe një, se kemi disa borxhe e, në mujshim me i resitë me paret që na jep shteti për lindje...

?Një ndër prindët atje, fëmijët e të cilit i kam pasë pothuej njenimbastjetrit ishte edhe Xhela. Edhe ky hamall por AP. Burrë i heshtun që nuk i ndihej zani i gojës. Më njihte shumë mirë mbasi në vitin 1958 kishte punue me vëllaun tim Alfonsin dhe me Pjerin Vatën, në punishten e venës (tek shtëpia e dr. Mborjes), ku të tre së bashku ngarkonin e shkarkonin kamjonat me arkat e rrushit.

Në vitin 1968, mbas arrestimit të dytë të Alfonsit me “Revolucionin Kultural”, me 13 Qershor 1967, dhe me dënimin e tij me 10 vjet burg mbas 11 muejsh hetuesi speciale në Tiranë, mue më transferuen si mësues nga qyteti në fshatin Kosmaç dhe mbas një viti më larguen fare nga arësimi (gja që më doli ma me hajër...).

Mbas një muej që u dënue vëllau, në muejn qershor 1968, kam takue Xhelën tek Dugajt’e Reja dhe më ftoi me pi një kafe tek klubi aty afër ku, banakjer ishte Lec Troshani. Unë pranova me qejfë dhe u ulëm në një tavolinë nga fundi i klubit me Xhelën. Porsa u ulëm, më tha: “E sheh atë tavolinën aty afër?” – Unë, iu përgjegja po! – Ai më tregoi se pak ditë ma përpara në atë tavolinë ishte ulë vetëm me pi një gotë raki. Porsa ka çue gotën kishte hy në klub Pjerin Vata dhe, mbasi ka marrë një gotë raki në banak asht drejtue tek tavolina ku ishte Xhela.

Pa i kërkue leje asht ulë. Xhela e ka shikue dhe i ka thanë: “Pjerin, para pak ditësh të kam ndigjue në altoparlant tue dishmue në gjyqin e mikut tand Alfonsit. Kur ti ia ke ba ashtu një shokut që keni ba burg bashkë si studenta, mandej edhe mik se ti je kenë edhe kumbara i tij i martesës, unë nuk pranoj me pi në një tavolinë me ty, mbasi më vjen turp me më pa kush me ty tue shkrepë goten...

dhe, u çova e dola nga klubi.”.

?Ky pra, ishte Xhela !..

?Mbas pak vazhdoi: “I urrej spijunët që në vitin 1944...”

Unë e shikova por, nuk po merrshe vesht ku do me dalë me vitin 1944 !..

E, vazhdoi: - “Në vitin 1943 - 44, jam kenë korrjer i grupit komunist të Shkodres dhe kam pasë të njohun Vasil Shanton...Simbas porosisë, një mbasdreke shkova tek hoteli që atëherë ishte pranë kafes “Rozafa”, përballë Shtëpisë muze të Migjenit. Ai hotel kishte një dalje nga rrugica në krye të së cilës asht pisha, nën të cilën asht ajo grueja që ka peshorën. Aty prita. Doli në orën e caktueme “shoku” Enver Hoxha, bashkë me një shok nga jugu i quejtun Perikli, mbasi të dy i kam njohë pak vite ma parë po tek ai hotel prej Qemal Stafës. Më dha një letër të vogël ku shënohej diçka sekrete për të cilen “shoku” Enver, do të takonte Vasilin sa ma parë... Të nesërmen nade herët u nisa në Vrakë ku ishte Vasili. Nuk pata asnjë problem rrugës, mërrijta dhe ia dorzova letrën Vasilit. Nuk ndeja as me pi kafe por u ktheva shpejtë, mbasi më duhej më njoftue tek hani i Salo Kalit, në Rus me porosi të Vasilit, për me ruejtë dy vende se në darkë mund të vinte Vasili vet’i dyti. Kur mërrijta tek hani nuk gjeta Salon dhe e lashë me e njoftue ma vonë.

Nga darka e gjeta Salon dhe më tregoi se kishte ardhë një përson tjetër prej Vasilit dhe e ka njoftue se Vasili, e ka shtye ardhjen për njëditë tjetër.

Pra, as unë as Salo Kali, nuk dijshim gja ma për ditën e ardhjes së Vasilit në Shkoder. Shkova nga hoteli tjetër në Pjacë por edhe “shoku” Enver, ishte largue nga Shkodra pak orë para. Atëherë, u sigurova se Vasili, e ka shtye për ma vonë ardhjen në Shkoder...

?Të nesërmen, me datën 1 shkurt 1944 nga dreka, rreth orës 2 ka ardhë tek vendi i punës një shok i imi që, edhe ai ndihmonte lëvizjen partizane. Më thërret jashtë dhe më pyeti se, a ke marrë vesht apo jo, se çka ka ndodhë sot në fshatin Gril me Vasil Shanton ? – Unë nuk dijshe asgja.

Ai, më tregoi se Vasilin e kanë pré në besë dhe se, një grup i armatosun ka ba pushkë me té... Vasili ishte vra në atë përpjekje gjoja nga disa fshatarë të Grilit brijë Liqenit Shkodres...

?Atypëraty, më shkoj mendja tek trathtia e “shokut”.

Asnjëherë, nuk kam guxue me e thanë të vërtetën e asaj vrasje me asnjë njeri.

Pse Vasili, nuk erdhi në ditën që dijshe unë këtu?

Pse Vasili kaloi nga fshati Gril atëditë, prej kah nuk kishte ardhë kurr këtu?

Pse “shoku” Enver, iku një natë përpara prej Shkodret?

Vasili ké do të takonte të nesërmen tek hoteli kur, Enveri kishte ikë?

Këto ditë një mik më ka tregue se kështu, i ka ndodhë edhe Qemal Stafës me té. ?Deri pak orë para se ta vrasin Qemalin, ai ishte kenë në shtëpi tek Enveri.

Gjaja ma e ndytë në këte jetë asht me spijunue shokun.

Tashti, më duket se jam lehtësue nga ankthi që kam pasë tash sa vite në zemër!”

***

?Edhe sot, unë kur e kujtoj bisedën e Xhelës, shikoj a kam njeri mbas shpine...

Për çudi, Ai burrë e filloi dhe e mbaroi gjithë tregimin e asaj vrasje dhe në fund, u ndame me té pa më porositë fare për ruejtje sekreti...

E pra, Xhela, nga të gjithë njihej për “jevk” madje, edhe “AP”...

Aty, tek ajo lagje unë,.. nuk njoha asnjë spijun, as tradhëtarë të shokut !..



(Vota: 18 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora