E enjte, 28.03.2024, 09:10 PM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Zhgualli i parimit

E hene, 01.02.2016, 07:32 PM


Zhgualli i parimit

Nga Mehmetali Rexhepi

Rrethi vicioz:

gjatë ditës së lume pa peshuar diçka në duar, pa ia tërhequr ndonjë vijë harkut rrotullues të tokës... Ia theksonte dendur arsyes vetmitare pse sillej në rreth, sikur të ishte rrethoja e burgut të mbyllur me mure të trashë e tela me gjemba. Kjo vijë e lakuar nis nga një pikë dhe përfundon në pikën e nisjes, duke formuar qark të rrumbullakuar. Kjo është në një mënyrë të jesh i vet-burgosur. Bashkë me globin rrotullohej dhe ai rrethit të njëjtë, që gjithnjë i shkurtohej. Një ditë edhe globi do të gllabërohet, do të dalë tej shinave të ekuinoksit!

Motin e kaploi droja e shkallmimit... Ishte në universin e ndërdymes. Me hapa të ngadalësuar, po ai rreth rrotullim, kah i kishte vënë thembrat vente gishtat.

Donte ta identifikonte bartësin e zezonës tij, sepse frenjë të vullnetit kishin duart e dikujt. Kush është frenuesi dhe kush i frenuari? Pa vullnet mbetej një skelet i pa mishëruar, andaj ku të lidheshin damarët, venat, fijet nervore? Ai i kishte ato, por vullnetin jo.

I thoshte Gojartit se: nuk e tërhiqte as shtrati i ëndrrave ndjellamira e, Edlirës kaherë ia kishte kthyer shpinën. Me se dhe, ku të mbillej diç e bukur? Bukuria e kish humbur dukjen. Lumturia e plakur, si e tillë, ndoshta edhe rrudhat duhej t`ia mbushte parfume... Ajo i vinte veçse për ta ngushëlluar, me shprehjen cinike: paç fisnikërinë zotëri!

Mësymjet e tija frenoheshin me fije tinëzare, që i tërhiqnin ithtarët e hijes së Pagëzonit. Ata nuk donin të ishin në hijen e Pirgut të Motit. Pagëzoni, ai i gjirit të Motit, trashej dhe  me qafë sikur të një derri, i gatitur për therje të kallnorit. Përballjeve me të për rendin e drejtimit tij, i shfaqte me  ngjyrime  mburracake dhe sarkazma:

-   Rrugës së cilës ece, e shtruar prej meje, ruaju Mot të mos shtypë idealisti yt me xhipin dyqind mijë eurosh!

Këtë dëshmi e pohoi pikërisht ai, nam-keqi Pagëzon, por Moti nuk pati se si t`ia rrëzonte aty për aty se kishte përtrollitje të tilla.

Secila shujtë dreke a darke gojës së Motit ia linte shijen e hidhur. Rendi i ngrënies tek ai s`kish shije tjetër çfarëdo qoftë menyja. E hidhura e jashtme tajiste të hidhurën e brendshme.

* * *

-    I nderuar Mot, tëmthi yt nuk i filtron yndyrat.

-    Çka do të më këshilloje doktor?

-    Ta fusim fyshtin kullues nga hunda në lukth për të nxjerr përmbajtjen në qeskë.

-    Mandej?

-   Pastaj të shohim. Si duket nga tejqyra e aparatit, hapja dhe heqja me prerje klasike e tëmthit është e pashmangshme.

-    Dhe?

-    Dhe do të provojmë si e sa do të ndikojë terapia.

* * *

E hidhura  si shije, si kumt, si ujë, si gjellë që t`i djeg buzët, si erëz, si verë-gjak Krishti, si raki bohemi, si nikotinë, si drogë, si shkak, si pasojë, si rrjedhojë, si jehonë, si frymëmarrje më parë futej në shpirt dhe, teksa hynte nga fyti duhej t`i bluante lukthi amorfet e ngurta. Zorrët çaheshin prej ngurtësisë e kapsit kronik.

Vetëm çastet i dhuronin ngazëllimin. Ujëvarave të çasteve rrjedhke dhe thahej shpejt valë e buzëqeshjes së bardhë. Por moria tjetër e jetës ia ngrinte ato ujëvara të bardha. Shijes së Motit nuk i hiqej e hidhura nga brendia as me prerje, se hynte plasaritjeve të një pas njëshme në shtëpinë e ëndërruar, shtëpi që ishte e të gjithëve, por që e trazonin Galdimi dhe soji i Galdimit. Dy mendjet për teprinë e parimeve, për sherrin që ia sillnin luhatjet: t`i kesh a të mos i kesh, epohej si varka dallgëve të detit të trazuar. Dallgët mund ta përmbysnin varkën bashkë me të, dhe, parimet s`do ta shpëtonin. Edhe peshqit do t`i dëbonte athtësia e trupit... Këtë përcaktim jetësor Moti e kishte zgjedhur me dashje. I tërë kuptimi i përcaktimit ngërthehej në Pirgun e parimeve, që të jenë udhërrëfyese të forta përballë fatalitetit...

Ati i dashur, një fytyrë e lëvruar meditative, me ata sy të shterur gjakimesh të dëshiruara e të shpenzuara... Gjakimi i tij pengu: i ndezur, i pa shuar as pas shuarjes së dy dritave të mjegulluara. Në përmendjen e atit mbetej ai peng i rreshtimit të vullnetarëve, hapat ushtarakë, turbullimi dhe pikat e shiut të syve...

-    Ah ati im! Ati im i përcëlluar... - Një gjëmë e vogël në ofshamën e madhe të Motit.

Dendësi pjekjesh përgjatë njëzetë e katër vitesh me atin e asaj bote. Shumëçka e lënë përgjysmë e kësaj bote mëtohej të përmbushej... Mjegullat zgjohen pas avullimit. Avujt e ndjesisë i dendësoheshin Motit, ngaqë Pirgu i nisur me të atin, ky i tashmi, shndërrohej në gjendje të avulluar... Dhe avulli në këtë “efekt serrë” mund të sillte shi, por... Shiun e shihte, e ndjente, e prekte dhe lageshin pa ombrellë vetëm Moti dhe ati i dy botëve...

* * *

Teshat e bardha të modestisë fare lehtë spërkaten, përbalten, pa të falur, nga euforia e ”të lartëve”. Të jesh modest, do me thënë, të rrish i mënjanuar. Të jesh modest e të mos hysh në mes, të mos hipësh në krye. Modesti do të thotë periferi, prapazi. Të vijosh prapa, të mos i dalësh para Pagëzonit nofulla boksieri.

Derisa bredhte për ta takuar rastësisht Pagëzonin, nja dhjetë fëmijë, duke shamatuar, luanin ndanë trotuarit të rrugës. Pas zënkës për topin, njëri i thoshte tjetrit:

-     O Erblin, me kanë i mirë nuk të kishin thanë “Modest”.

-     Hi-hi-hi-hi-hi,hi-hi-hi-hi.

Të tjerët në kor e me duartrokitje:

-  Erblin” Modesti”: rrap-rrap-rrap, Erblin “Modesti”: rrap-rrap-rrap; Erblin “Modesti”: në asnji kat, as poshtë, as nalt!

* * *

Banorët e Republikës së tymit, të gjakut e të pengjeve, ata që s`kishin kë për të qarë, ethshëm nxituan se çfarë mund e çfarë s`mund të grabisnin, për çastin e dhënë të shekullit, për veten e tyre dhe, jo të mëkëmbnin shtëpinë e djegur, të përdhunuar, të kanosur prej shtrëngatave përkohësisht të paqësuara.

Mes të thënës e të bërës hibridizohej kameleoni dykëmbësh, lakmia patologjike e së drejtës së luanit. Thuhej: mjerë i buti, ose i buti si muti. Epiteti kundërmues i këtij tipari e shpuri turpshëm Motin skutave të pa vërejtura  të botës tij, në modesti. Prore nuhaste se mos po i kundërmonte modës erë muti. Porse Pagëzonin se kush e tërhoqi nga grykësia. E Motin, e stoliste a e viktimizonte urtia? Ç`të zgjidhte nga çasti madhor i këtij shekulli:kamjen e urtisë së butë me erë muti, a urtinë e fortë prej guri, që thyen koka të pa bindura për rendin njerëzor? As njërën, as tjetrën. Moti zgjodhi dehjen... Dehjen në një urti që buron e derdhet e kulluar në dolli, në dollitë e një pas njëshme të së vërtetës e të bohemisë.

Bashkë me Republikën shkëlqeu euforia e beftë, së cilës i parashihej fikja. Moti nuk i binte ndesh dialektikës së rrotullimit, por personazheve euforikë të Republikës që bënin salto morale. Salto morale solli salton mortare. Rrotullimi marramendës i të gjitha parimeve shpinte në zhvlerësim e zhvlerësimi në theqafje. Ngase toka dhe bashkësia  njerëzore s`janë krejtësisht të sheshta, pa të përpjeta e tatëpjeta, pa hone e gjemba, pa dorën vigane të enigmës ndëshkuese.

Pagëzoni doli prej  orbitës së Motit, por pa u shkëputur tërësisht.

-    Bëheshim shpinë për shpine nga shtytja e zorit.

-    Natyrisht Mot.

-    Sot?

-    Sot...

-    A do ta bashkosh “ kopenë” sot, si e quani turmën nga “lartësia” juaj?

Trafikoni i gradës së emocionit shënonte ngritje. Pritej përplasja tektonike mes Pagëzonit e  Motit, aty ku ishte më së holli, për t`i shpërthyer ato nën shtresa të kores së tokës llava vullkanike.

Tjetri nuk pati zgjidhje tjetër: bleu heshtjen e komprometuar.

* * *

Pagëzonin e shihte në mediet e shkruara e në ato pamore. Të shkruarat i shfletonte kalimthi, pse e mbushnin me viruse politike. Virozë e theksuar shfaqej gjatë fushatave të ndera parazgjedhore. Pagëzoni ishte bërë tërësisht imun ndaj virozësh të tillë, përderisa Moti nuk e përballonte, sepse ia shpeshtonin bark qitjet ose të vjellat.

-     Ja ku arriti dinakëria e Pagëzonit-shqiptoi një lloj matjeje ironike të karakterit.

Matja në dy kahe ndërsjelle:

-   Ore i marrë!- Sikur e kishin kapur për njërin vesh dy gishta: gishti i madh dhe treguesi i zilisë.

-   Ai lehtë gjeti shkallët e ngjitjes dhe ngjitet, ngjitet e ngjitet shkallëve të hierarkisë...

-    Vogëlsia e zvetënimi je pikërisht ti!

Moti Motit vetëm për vetëm:

-           E sheh a nuk e sheh veten dhe mendjen tënde qyski?

-           Çka mbolle vjel.

-           Çka mbolla nuk vola.

-           Tash të duhet një pasqyrë katër përmasash për ta parë mbetjen tënde. Në pasqyrat e rëndomta ke parë vetëm sipër shfaqjen e kozmetikës së demoduar. Tashmë të duhet pasqyra e spektrit të thyer: njëri vesh tek një gojë pëshpëritëse, tjetri te goja kundërmuese... Njëra faqe te faqja gërvishtëse, tjetra te e lëmuara finoke.

-           Ti ende ke drojën e thyerjes së zhguallit që mbështjell tiparet, të butat e të fortat tua, të palakueshmet e frymën.

-           Si nuk e mësove lakimin e emrave të përveçëm?

-           Të luta.

-           Më lute për...?

-           Të luta, por ti i mbylle të dy veshët, së paku të më dëgjoje me njërin sosh.

-           Thyeje zhguallin e atyre parimeve tua të nëmura, sepse edhe ata që kishin zhguall të pa plasaritur: i thyen. Pirgu pothuajse të është rrënuar.

-           Po drejtësia kurdoherë...

Një për një:

-           Drejtësia? Drejtësia dhe ajo është e lëngshme dhe e lakuar.

-           Gjeje po munde formulën e pathyeshmërisë në algjebrën e jetës!

-           Pi dhe ji i lëngshëm se lëngu e merr ngjyrën e mjedisit. Ngjyrën ia japin rrezet si dhe dritën syve.

Shpirti rrënjët i ka në të lëngshëm. I lëngshëm është truri ku fle mendja. E lëngshme është dhe dashuria.

Merri tiparet e hipokritit në ambientin e hipokritëve dhe, do të jesh i moderuar. Pse jo, futi duart në gjepat e pantallonave të shtetit, njomi buzët buzëkuqeve, kolltukëve...

Si poezi e prozës vjen Gojarti:

-           Bacë çfarë bën?

-           Kur mërzitem të kam ty. Kur kam uri kafshatat e zhgënjimit i ngjyej në kripë se kripa është lirë.

-           Po. Me kë rri pos Edlirës, kë pret në shtëpi?

-           Atë që nuk do të vijë... Godonë e Beketit?

Moti Motit sërish udhërrëfyes bezdisës:

-           Godite engjëllin e iluzionit njerëzor, futu pirgjeve klanore, mu aty në vërdallat e lumturisë së flluskuar, veshi eshtrat me dhjamin e asaj lumturie, se gjithçka është flluskuese, e tjera, e tjera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora