E shtune, 31.10.2020, 06:41 AM (GMT)

Kerko: JETA VOJKOLLARI

Jeta Vojkollari: dramë-komedi për të rinjtë shqiptarë

E hene, 01.02.2016, 07:33 PM


Jeta Vojkollari: Një libër dramë-komedi për të rinjtë shqiptarë

Ajo jeton prej 15 vitesh në Kanada, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Sikurse është shprehur vetë, ka nisur të shkruajë që kur ishte ende një fëmijë, por vetëm para dy vitesh botoi librin e saj të parë “Djalli që pagova për këshillë”. Bëhet fjalë për shkrimtaren Jeta Vojkollari.

Kësaj radhe, ajo do të sjellë për publikun shqiptar dhe jo vetëm, veprën “Elitë”, e cila është një dramë-komedi, që trajton marrëdhëniet, seksualitetin dhe problemet sociale në një shkollë të mesme. Në një intervistë për “Koha Jonë”, autorja Jeta Vojkollari, tregon detajet e librit “Elitë”, mesazhet që përcjell si edhe përse ajo ka zgjedhur që në fokus të kësaj vepre të jenë të rinjtë.

Më tej, Vojkollari tregon edhe për planet e ardhshme artistike.

Intervistoi: Sidorela Lepri

Pak ditë më parë keni njoftuar për librin tuaj të dytë “Elitë”, i cili do të publikohet së shpejti.  Zonja Jeta, mund të na tregoni pak për subjektin e këtij libri dhe çfarë zhanri i përket ky botim?

“Elitë” është emri i një shkolle private në Tiranë. Emrin nuk ia vura unë, ia vuri pronari i shkollës në fakt, me synimin që ajo shkollë do të përgatiste elitën e ardhshme  e të vërtetë të Shqipërisë.  Pavarësisht se është një shkollë private dhe më e shtrenjta e Shqipërisë, aty ka edhe nxënës që janë pranuar pa pagesë, falë aftësive të tyre të shkëlqyera. Elitë synon të nxjerrë nga bankat e saj të rinj të edukuar me njohuri të shkëlqyera, jo vetëm në shkencë, letërsi, art etj., por njëkohësisht të rinj të angazhuar në problemet sociale dhe pse jo edhe në problemet politike.

“Elite” është një dramë-komedi, që trajton marrëdhëniet, seksualitetin dhe problemet sociale në një shkollë të mesme. Historia përqendrohet kryesisht në dhjetë të rinj maturantë, në karakteret e tyre, marrëdhëniet me njëri-tjetrin, shqetësimet, lufta brenda vetes, komunikimet me njëri-tjetrin, cilët janë ata në sipërfaqe dhe cilët janë në të vërtetë. Është një histori që do zhvillohet në disa libra të njëpasnjëshëm, të cilët do kenë dhe tituj të ndryshëm. Lexuesi do të shikojë sesi këta të rinj, që fillimisht duken të interesuar vetëm për paraqitjen e tyre dhe “territoret private” (kuptimi i këtij termi del në libër, nuk do dua të ia shuaj kuriozitetin lexuesit), rriten e bëhen qytetarë të ndërgjegjësuar. Kompleksiteti i personazheve dhe ngjarjeve shpaloset në mënyrë interesante nga njëri libër në tjetrin duke nxjerrë në pah të rinj, jeta e të cilëve nuk është aspak fushë me lule, të rinj që e duan jetën, që ndoshta edhe vuajnë, të rinj që përleshen brenda marrëdhënieve të tyre familjare, shoqërore e dashurore.

Nga kopertina e publikuar dhe nga përshkrimi i shkurtër, kuptohet se bëhet fjalë për të rinjtë, pra subjekti vërtitet rreth tyre. Përse keni zgjedhur këtë grupmoshë, si fokus të librit tuaj?

Rinia është shpresa e çdo vendi. Rinia shqiptare në përgjithësi, më mrekullon me pjekurinë e saj sociale, letrare e artistike dhe ajo e meriton të gjejë veten në letërsinë e sotme shqiptare.

Për më tepër jam krenare të them që mbi 80% e lexuesve të mi janë të reja e të rinj, të cilët jo vetëm e lexuan romanin tim “Djalli që pagova për këshillë” (një roman që trajton abuzimin familjar si  një problem mbarëbotëror), por e pranuan atë, i kushtuan kohën e tyre të çmuar për të dhënë një mendim serioz për të dhe e bënë librin e tyre. Këta të rinj janë sot miqtë e mi, me të cilët unë komunikoj shpesh. “Elitë” është shkruar për miqtë e mi të rinj në Shqipëri e kudo ku ata jetojnë në botë.

Meqenëse jemi tek të rinjtë, si e shihni ju rininë shqiptare, pse jo duke e krahasuar edhe me atë kanadeze (duke qenë se ju jetoni prej vitesh në Kanada)?

Rinia shqiptare është jo vetëm e bukur e moderne, por edhe e zgjuar dhe e merr shkollën e të ardhmen e saj shumë seriozisht. Si e tillë ajo mund të konkurrojë pa frikë me rininë kanadeze në shumë fusha. Megjithatë, të mos harrojmë që në Shqipërinë e sotme, tranzicioni drejt një demokracie të vërtetë po vazhdon  Ky tranzicion është i gjatë e i lodhshëm  për të gjithë, edhe për rininë shqiptare, e cila duhet të përpiqet shumë herë më tepër se rinia kanadeze, apo rinia e vendeve të tjera të zhvilluara, për të mbijetuar. Dhe mbijetesa nuk ka lidhje vetëm me anën financiare. Rinia shqiptare duhet të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të krijuar një mentalitet më të mirë, ndoshta krejt ndryshe nga ai i prindërve të tyre, për të pasur një shëndet mendor e fizik më të mirë, e  njohuri të shëndosha në të gjitha fushat.  Pika e fillimit për të riun shqiptar është shumë më larg se pika e fillimit për një të ri kanadez.

Kjo pike fillimi nuk është e njëjtë as për të rinjtë shqiptarë që jetojnë sot në Kanada,  megjithatë ata e kanë shkurtuar këtë distancë me vullnet e punë dhe i kanë krijuar vetes mundësinë për të konkurruar e shkëlqyer në mënyrë të padiskutueshme në të gjitha fushat.

Zakonisht çdo lexues i percepton mesazhet në mënyrë të ndryshme, por cili është mesazhi që ju keni dashur të përcillni me “Elitë”?

Unë shpresoj që mesazhet në libër të jenë të qartë dhe lexuesit t’i perceptojnë siç i kam menduar unë.  Le të fillojmë me kopertinën e librit, që përmban stemën (logon) e shkollës Elite. Në ‘të shohim: Një glob, bota e madhe që të fton ta njohësh, e të bëhesh pjesë progresive e saj. Një libër i hapur, që vazhdon të shfletohet e të të dhurojë dituri gjatë gjithë jetës. Një zemër e kuqe, simbol i dashurisë që e bën rininë më të gëzuar e më të mirë.

Një pëllumb paqeje, simbol i përgjegjësisë së të rinjve për t’u angazhuar me problemet sociale e për të dhënë kontributin tyre, që kjo botë të bëhet një vend më i mirë për të jetuar, për të gjithë.

“Elitë” sjell probleme të jetës reale dhe përçon një varg mesazhesh pozitive, si dashuria për vendin, dashuria për familjen, lufta ndaj krimit, drogës, duhanit etj. Pavarësisht që këta studente janë të pasur, në libër do të jepet mesazhi që është bota e pasur shpirtërore dhe zemra e madhe e njeriut, ato që vlejnë më shumë në jetë, jo paraja. Ideja që paraja nuk është gjithçka në jetë do të dalë në çdo libër nëpërmjet zhvillimit të ngjarjeve apo dialogëve, me finesë dhe art, dhe jo si predikim, propagandë e thatë apo politikë.

“Elitë” fokusohet në pozitiven, në bukurinë e rinisë e bukurinë e jetës. Është një libër që i transmeton shpresë rinisë së sotme shqiptare.

Ndërkohë, më herët keni publikuar romanin tuaj të parë “Djalli që pagova për këshillë”. A i ka përmbushur ky libër pritshmëritë që keni pasur për të?

Romani “Djalli që pagova për këshillë” i ka kapërcyer pritshmëritë që kisha për ‘të dhe kjo gjë më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme. Unë kam lexues në të gjitha skajet e Shqipërisë që më kanë thënë fjalë të mrekullueshme për librin. Një shkrimtar nuk mund të kërkojë më tepër.  Botimi i romanit në anglisht ishte një kënaqësi më vete se më dha mundësinë që t’i flisja botës me zërin e Shqipërisë. Jam krenare për këtë. Bota hesht, dhe ja ku është një vend i vogël, Shqipëria që ngre zërin e saj letrar e artistik për një problem social mbarëbotëror kaq të rëndësishëm, siç është abuzimi familjar.

Unë shpresoj dhe besoj që një ditë, dikush nga Ministria e Arsimit/Kulturës në Shqipëri do t’i kushtojë pak kohë e vëmendje romanit “Djalli që pagova për këshillë”, e ta konsiderojë si një libër që duhet futur në programet e shkollave të mesme.

Me çfarë po merreni aktualisht në Kanada?

Shkruaj (Qesh).  Unë përdor median sociale për të promovuar kulturën shqiptare, nëpërmjet intervistimit të shkrimtarëve e artistëve shqiptaro-kanadeze, botimit të intervistat e tyre në një varg gazetash e revistash, si dhe postimit të intervistave të mia dhënë gazetave e revistave shqiptare e të huaja. Nëpërmjet këtyre shkrimeve, unë synoj të përçoj mesazhe pozitive për të drejtat e njeriut, të drejtat e gruas, për rëndësinë e të lexuarit, e të shkruarit, etj.. Unë përpiqem të ndërthur letërsinë shqiptare me atë të huaj e të bëj të mundur njohjen e saj në Canada, US, UK dhe vende të tjera. Nëpërmjet romanit tim “Djalli që pagova për këshillë” të përkthyer në anglisht, unë kam arritur të jap një mesazh të qartë, që pavarësisht nga realitetet e saj të trishtuara, Shqipëria po vazhdon përpjekjet për një integritet social më të lartë dhe që për të arritur këtë ajo duhet të zgjedh një model të ri demokracie, një demokraci të vërtetë, të hapur e humane.

Njëkohësisht unë punoj me kohë të plotë për qytetin e Torontos, një vend pune që më ndihmon çdo ditë të rritem, jo vetëm profesionalisht, por dhe nga ana intelektuale, kulturore e sociale.

Dhe së fundmi, planet e ardhshme në fushën e botimeve?

Unë po shkruaj një roman tjetër (do të përkthehet gjithashtu në anglisht), i cili flet për emigrantët e Europës Lindore (në përgjithësi) në Canada/US, dhe shtjellon motivacionet e tyre për këtë lëvizje, perceptimet për vendin pritës dhe sfidat në jetën e tyre të re.

Nuk e di kur do ta përfundoj, por di që po ecën shumë mirë dhe nuk dua të nxitohem. Jam e sigurt që do të jetë një roman shumë i bukur.

Unë gjithashtu shkruaj skenare filmash dhe besoj që jam një skenariste shumë e mirë. Shpresoj që një ditë, të shoh ndonjë nga skenarët e mi të bëhet film.

http://www.kohajone.com/2016/01/27/jeta-vojkollari-nje-liber-drame-komedi-per-te-rinjte-shqiptare/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora