E shtune, 20.04.2024, 04:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Mall për Kërçovën

E hene, 01.02.2016, 08:22 PM


SA MË KA MARRË MALLI TË SHKOJ KAH KËRÇOVA

 

Oh , sa m’ ka marrë malli  të shkoj  kah Kërçova –

T’ shoh fshatrat  dhe  malet –   këngët që ua  këndova !

Oh, sa m’ ka marrë malli të dalë te Kalaja –

Me  këngë  flakë ta kalli  nga shpirti e sevdaja !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj në  Krushinë –

T’ dal në atë shpat mali, t’ këndoj për Zhubrinë !

Prej aty ta shoh Kërçovën me rrethinë

Dhe t’ia këndoj këngët bashkë me violinë !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj  në Garanë –

T’ kujtoj dasmat, ndejat , bukën  ku  kam ngranë !

Aty  ku ka lindur trim  Dervish Llokaçi –

T’ vjetër e  të rinj me këngë do t’ i  kënaqi !

 

Oh , sa m’ ka marrë malli të shkoj kah Shitova –

T’ kujtoj Ali Zejnën , që dikur këndova !

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj kah Berikova –

T’ua këndoj  në dasma , këngët  nga  Gjakova !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj në Mahmude –

Nga thellësia e shpirtit t’i këndoj prelude !

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj në Arangjell –

T’ua këndoj  traditat , njerëzit porsi  engjëll !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj në Popojan –

T’ ua këndoj këngët n’ melos tropojan !

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj n’ dasma t’ Reçanit –

T’ua këndoj këngët n’ melos të Deçanit !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj kah Greshnica –

T’ua këndoj këngët s’ bashku me mezhnica !

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj kah Sërbica –

T’ ia këndoj këngën bukës që gatuan baçica !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj kah Cërvica –

Atje ku mikpritja bahet hiq pa spica !

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj kah Leshnica –

T’ua këndoj këngët që i këndon Drenica !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj kah Jagolli –

T’ua këndoj këngët burrave t’ atij trolli !

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj në Trapçindoll –

T’ua këndoj mikpritjen , sofrat me bukë boll !

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj  në Kolibarë –

T’i  shoh ata burra që janë n’ rrugë të mbarë !

Oh, sa m’ ka marrë malli të shkoj në Kollarë –

T’ iu këndoj mësuesve s’ bashku me shkollarë !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj n’ dasma t’ Baçishtës –

T’ua këndoj këngët me vargje t’ Gjergj Fishtës !

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj në Prapadishtë –

T’ ua këndoj këngët me kuptim t’ shumëfishtë !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli t’ shkoj në  Drogomisht 

T’ ua këndoj  mikpritjen pa hile , pa  bisht !

Krenari ka toka  n’ Drogomisht të  Madh –

Burrave  iu shndritë koka – plisat i mbajnë  bardh !

 

Drogomishti i Vogël ka zemër të madhe –

Djemtë porsi petrita , vajzat si sorkadhe !

Oh , sa m’ ka marrë malli t’ shkoj ta shoh Tuhinin –

T’ ia këndoj nga zemra Shefki Jagodinin !

 

Oh, sa m’ ka marrë malli për trima t’ Uskanës –

Këngët ma të bukura t’ ia këndoj Sulltanës !

T’ shkoj ta shoh  Ujëmirin , Qafën  n’ atë rrëzë malit –

T’i këndoj Sulltanës,  që e preu  nipin e  Mikajlit!

 

Oh, sa m’ ka marrë malli  të shkoj me bilbilat 

N’ dasma të Zajazit ,  t’i  këndoj Mefailat !

T’ i këndoj Kalosh Danit e Sadin Selmanit ,

Trimave t’ mejdanit – për Liri  t’ Vatanit !

 

T’ këndoj Habib Kaleshin e Halim Mangupin –

  robërinë  s’e  deshën , nuk duruan turpin !

Nuredin Elezin dhe Mejdin Letnikun –

  s’ kursyen jetën për ta shporrë armikun !

 

Në krahët e këngës shkova kah  nuk shkova –

Por,  askush s’ më priti ma mirë se  Kërçova !

S’e harroj Kërçovën der’ sa  t’ mbylli sytë –

Se atë e dua si  vendlindje t’ dytë !

 

Demir KRASNIQI

Gjilan, më 26.01.2016.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora