E enjte, 28.03.2024, 02:02 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Pushteti

E diele, 31.01.2016, 10:10 AM


Një cikël me poezi

 

Nga Përparim Hysi

 

Pushteti

 

Nuk ka gjë që më frikëson se sa pushteti

NJësoj si provimi dhe ca më keq: lufta!

Ta dini ç'kam hequr! Eh, çfarë sikleti!

Sa herë e kujtoj, gati më zë krupa.

 

Halle ka shumë: si pesha  e elefantit

Mundësitë qesharake: fjalë dhe veç fjalë

Pushteti  më fut  ethet e alarmit

Sikur mbi kurriz  më ka hipur një kalë.

 

Pushtetin e pëlqejnë vetëm sharlatanët

Që bëjnë  dallavere dhe nxjerrin fitime

Ata që dinë mirë ta shalojnë kalin

Dhe nuk zbresin prej tij deri në ndaljefryme.

 

Kur shkruaj kështu, pushtetin e provova *

Dhe, pas disa muajësh, dhashë dorëheqje

M' u duk atëherë sikur u çlirova

Sa qeshë në pushtet, si zogu ndër leqe.

 

* kam qenë kryetar i pushtetit pluralist në vitin 1991  dhe përfaqësoja PD.

     

  Deputeti

 

As nuk e njoh fare deputetin

(Po si mund ta njoh, kur zgjidhet me listë?!!!)

Nuk e njoh dhe nuk dua t'i shoh syfetin

Kur për ne që votojmë, është vetëm IKS!

 

I shoh me radhë deputetët e rrethit

Kur gjoksin në parlament e bëjnë "vrimë"

Zënë e zihen "gjasme për hallet e miletit"

Por si mal për vete, e kanë pasurinë.

 

Secili shënjt... kundërshtari- djall

(- Ju e kini fajin që qeverisët dje!!!!)

Dhe, po t'i gjykosh nga të tyret fjalë,

Secili "zë e ngjyret vetëm për ne!!!"

 

Dhe nuk i veçoj: të majtë e të djathtë

Se derrat kanë veç një turi

As që dallon një djall nga djajtë.

Si kamzhik për ta, kjo imja poezi.

 

Peizazhet  e Mios*

 

Vivaldi i mori  "Katër stinët" i vuri në muzikë

Ti, me penelin tënd, stinëve u dhe shpirt.

Pranverën të harlisur si vajzë që gazin s'mban.

Verën të "ujdisur" me tërfil dhe sanë.

Vjeshtën plot me fruta dhe gjethet ngjyrë floriri

Deri sa zbardhi bora në një peizazh dimri.

* Vangjush Mio

 

Akuarelet e Helidonit *

 

Pse më duken si  fati i KOMBIT

"Akuarelet" e  Helidonit?

Sa i shoh dhe relaksohem

Them  të drejtën:- Me to s'ngopem!


Bëj të iki, po s'më lënë

Zë e bëhem si i "lënë"

Dua t'i marr ato me vete

Pak zevzek sikur kam ethte.


I shikoj... sa më pëlqejnë!

Sytë s'ua ndaj dhe më mbërthejnë

Fluturoj në tjetër botë

Gati bëhem Don Kishot!

 

* Helidon Haliti- Mjeshtër më në zë i Akaurelit.

 

Biblioteka ime

 

Në katërsh e ndava bibliotekën time

Kur ika nga Shqipëria në Amerikë

Në katërsh u nda dhe zemra ime

M'u duk atë ditë sikur humba një mik.

 

Jo. Nuk humba një mik, por gati dymijë miq

Dyqind e pesëdhjetë copë i mora me vete

Atë ditë qeshë mu si Krishti i vënë në kyq

Dhe fare nuk isha në vete.

 

Pjesën dërmuese tek miku Lulzim Omari

Një pjesë tek çupa dhe një pjesë tek imembesë

Tash e kuptova ç'ka hequr Silvestër Bonari  *

Dhe unë do t'i "vidhja" dhe s'e kisha për pesë.

 

* Silvestër Bonari, personazh i Anatol Frans që, pasi i dhuroi të mbesës librat, ngrihej natën dhe ia vidhte.

              Tiranë, 29 janar  2016



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora