E marte, 16.04.2024, 04:44 PM (GMT+1)

Mendime

Jaka Krista: Rinia kosovare në fazën e tranzicionit kulturorë dhe përpjekjet e saja për perspektivë jetike

E shtune, 09.08.2008, 07:48 PM


Rinia kosovare në fazën e tranzicionit kulturorë dhe përpjekjet e saja për perspektivë jetike
 
Nga Jaka Krista

Proceset aktuale të zhvillimit ekonomik, teknologjike dhe sociale, të cilët ndodhin në Kosovë, sipas gjitha parametrave matës gjenden larg strukturave zhvillimore rajonale. Nën përmasat e zhvillimit të këtillë, rezulton një mungesë e perspektivës jetike për pjesën më të çmuar të shoqërisë. Fjala është për rininë kosovare, perspektiva zhvillimore e të cilës është jashtëzakonisht e kufizuar. Rinia kosovare pret për një perspektivë afatgjate, ndërkaq dëgjojmë të thuhet se popullsia kosovar është me popullatën më të re në Evropë, me një moshë mesatare e cila qëndron pran viteve 23. Problemet latente do të marrin përmasa afatgjate, nga që deri më tani s'ka një strategji veprimi për tejkalimin e gjendjes desolate me të cilën përballet rinia.
 Me gjithë potencialin dhe opsionet e shumta që ka mundësuar liria demokratike në kultivimin e pluralitetit shoqëror, kushtet për veprim demokratik janë minimale, nga që normat konform me mobilizimin, sensibilizimin dhe modifikimin e mirëfilltë të qëllimeve të përbashkëta shoqërore mungojnë. Përkufizimi i strukturave vepruese vie edhe si shkas i gjendjes dezolate, ku institucionet shtetërore dhe pushteti lokal nuk janë në gjendje të lëvizin tymonin e orientimit të rinisë në integrimin evropian. Rinisë kosovare për momentin i mungon koncepti si dhe horizonti i ristrukturimit dhe ridefinimit të identitetit dhe atë në shumë sfera vepruese.
 Të rinjtë janë të interesuar dhe angazhuar të kontribuojnë në shoqëri sikur ata të kenë një opsion me perspektivë afatgjate. Pasiviteti qeverisës deri më tani nuk arriti që potencialin kreativ për punë, që posedon rinia kosovare, të arrijë ta shndërrojë në veprimtari për projekte afatgjate. Në të vërtet rinia në Kosovë do të mund t'i jepte formën e duhur përbërjes kulturore e sociale në Kosovë, e cila le shumë tani për tani për të dëshiruar.
 Ndër shkaqet kryesore të mungesës së perspektivës jetike tek të rinjtë kosovarë, ndër të tjera mundë të veçohen; mungesa e perspektivës ekonomike, pasiviteti politik dhe mungesa e integrimit dhe sensibilizimi organizativ, moral e social. Atribut në këtë kontrast social është edhe mungesa e horizontit politik në këtë fazë kyçe, sikundër edhe luftërat në mesë të gjeneratave.
 Në faza të caktuara të zhvillimit rinorë, ka tendenca të veçanta të vlerave dhe normave zhvillimore, ku sjelljet e të rinjve ndryshojnë nga normat e përgjithshme kulturore. Të rinjtë nuk e kanë model orientimin në principet kulturore që kanë trashëguar nga të parët, por më tepër ata kultivojnë një sjellje kulturore të moshës së njëjtë, që përkon me tendencat moderne të shoqërive bashkëkohore. Kjo tendencë zhvillimore kuptohet e dobishme në zhvillimin e procesit socializues individual. Dhe me këtë, rinisë i mundësohet një lehtësim nga tërheqja e vlerave familjare, në një klimë të vlerave universale, ku i riu do të veprojë.
 Problematike në këtë fazë kalimtare është çështja e mungesës së një identiteti të mirëfilltë, ku horizonti orientues ngulfatet nga subkulturat, klikat dhe ku strukturat kriminele dominojnë çështjen zhvillimore dhe shkatërrimi përbërjes shoqërore është në një proces të vazhdueshëm. Në mungesë të kuadrove avancuese dhe integruese sociabilizimi i rinisë kosovare po hasë në vështirësi dhe atë në përmasa të mëdha. Luftërat në mesë të gjeneratave, procesi i transformimit ekonomik dhe social kanë ndikuar ngadalësimin e konkurrimit me shoqëritë rajonale. Kjo ka ndikuar që rinia kosovare, me norma dhe vlera të inkorporuar nga klikat dhe subgrupet vepruese në vend, vështirë që mundë të quhet pjesë e mozaikut evropian.
 Zhvillimi i luftërave ballkanike, në të cilat rinia shqiptare ishte viktima kryesore e gjenocideve të radhës, ka ndikuar gjithashtu në ngadalësimin e zhvillimit në substancën përformuese të kulturës shqiptare, prandaj dallojmë dukshëm nga kulturat rajonale. Nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare rinia kosovare është lënë në mëshirën e fatit. Nga pamundësia e udhëtimit të lirë në Evropën e civilizuar dhe pamundësia zhvillimore reciproke, po i imponon rinisë kosovare vlera të veçanta ku implementimi i tyre brenda normave evropiane, do të ishte i pamundur.
 Studentët shqiptarë, si mekanizmi kryesorë në ndikimin e zhvillimit social-ekonomik, si  dhe punëtorët e kanë të pamundur që të tejkalojnë kufijtë nacional për kontakte multilaterale në Evropën e bashkuar. Ky izolim ka ndikuar në një diferencë zhvillimore të normave të përbashkëta, me që rast rinisë kosovare i imponohet vetvetiu një diferencë zhvillimore, gjë që edhe mundë të shihet si element extern i mozaikut Evropë.
 Pushteti lokal dhe ai shtetëror, duke mos pasur edhe kompetenca të plota, apo duke e përdor këtë si argument të paqartë, sikundër edhe mungesa e kapacitetit politik, kanë ndikuar që të mos ketë një trajtim real për të rinjtë kosovar, sidomos për zgjedhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen ata. Mungesa e subvencionimit të shumë projekteve dhe stimulimi i dobët i rinisë në strukturat politike sikunër edhe në ato ekonomike e sociale, kanë ndikuar dukshëm në bllokimin e realizimit të opsioneve që mund t'i aplikonte rinia kosovare. Gjithsesi, si shkas i mungesës së bashkëpunimit reciprok të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, ka ndikua në ngrirjen e procesit të zhvillimit, ku mundësit e punësimit të rregullt janë minimale dhe koordinimi i punësimit afatgjatë gjithashtu gjendet në një kolaps të përgjithshëm. As veçoritë e shumta të pasurive natyrore, të cilat Kosova i posedon (resurset që posedon Kosova kapin vlerën e mbi 500- miliardë Dollarëve), deri më tani nuk kanë ndikuar në mirëqenin e rinisë. Kjo gjendje zhvillimore, dezolate/jotransparente, ka shpjer tek problemet latente, të cilat akumulohen dhe të zbërthehen në drejtime të palakueshme veprimesh, që për pasojë mund të kenë konsekuenca negative.
 Në kundërmimin e gjendjes akute, rinia kosovare po zbaton kanalet kriminele, aty ku vepron, me të cilat po ndikon dukshëm në rënien e moralit për bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Kjo dukuri në këtë fazë të zhvillimit demokratik, pa perspektivë në horizont, në aspektin social e atë politik, ka ndikuar dukshëm në formësimin e subgrupeve, klikëve dhe subkulturave të ndryshme të cilat ndikojnë negativisht në polarizimin dhe heterogjenitetin e qëllimeve të përbashkëta sociale në vend. Mungesa e kapaciteteve qeveritare për tu përballuar me problemet e rinisë kosovare dhe pamundësia për të arritur një perspektivë afatgjate të zgjidhjes së problemeve ndëretnike e socio-ekonomike, tek të rinjtë kosovarë, shihet si gjest regresiv dhe ka pasoja negative në përpjekjet për zbatimin e projekteve të përbashkëta ndëretnike. Prandaj sot brenda shoqërisë hasim aq shumë në frustracionin e të rinjve. Kjo kategori shoqërore duke mbetur jashtë zhvillimeve të rëndësishme shoqërore, ekonomike dhe politike ndodhet para sfidave të rënda. Këndej pari është e lehtë që ajo të bëhet viktimë e krimit dhe dukurive deformuese, të cilat janë në rritje në Kosovë.  Dukuritë e dezintegrimit kulturor, shkollimi i kufizuar i bënë ata që të ndjehen inferior në raport me të njëjtat grupe evropiane. Prandaj është koha për një qasje aktive të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës ndaj rinisë, si pjesa me vitale e shoqërisë. Nëse nuk ruhet kjo pjesë vitale, atëherë e gjithë shoqëria është e atakuar.

Autori është magjistër i shkencave politike në universitetin e Frankfurtit të Gjermanisë



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora