E enjte, 28.03.2024, 01:39 PM (GMT)

Mendime

Abdulla Mehmeti: Partitë politike shqiptare në Maqedoni...

E merkure, 27.01.2016, 08:55 PM


Partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet ta ndryshojnë konceptin dhe strategjinë e veprimit, ose të shkojnë në histori

Nga Abdulla Mehmeti

Thellimi i krizës politike aktuale në Republikën e Maqedonisë ka nxjerrë në pah shumë dobësi të faktorit politik në këtë vend, sidomos të faktorit politik shqiptar. Prandaj, shtrohet pyetja: Pse faktori politik shqiptar nuk ka agjendë kombëtare për zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme në këtë shtet?

Mungesa e vizionit dhe strategjisë së faktorit politik shqiptar e ka sjellë këtë vend në krizë edhe më të thellë, në mungesë të së cilave lidershipi shqiptar është shndërruar në faktor destruktiv për zgjidhjen e kësaj krize dhe seriozisht trajtohet si problematik edhe nga faktori ndërkombëtar.

Beteja mes pozitës dhe opozitës në bllokun politik maqedonas nuk është vetëm betejë politike për pushtet, por më tepër se kaq, është betejë për dominim në sferat më të ndjeshme të kësaj shoqërie dhe këtij shteti, siç është problemi i identitetit kombëtar dhe procesi i integrimeve euroatlantike të vendit. Kjo betejë në bllokun politik maqedonas nuk është e re dhe as e panjohur, por daton që me krijimin e këtij shteti, në vitin 1944, dhe sidomos nga pavarësimi i tij në vitin 1991, si shtet i krijuar nga gërmadhat e ish federatës jugosllave.

Një çështje që duhet të merret parasysh për trajtimin më të drejtë të betejave që zhvillon blloku politik maqedonas, është fakti se ky bllok është i ndarë në dy koalicione me orientime të kundërta, të cilat nuk përbëhen vetëm nga subjektet politike të nacionalitetit maqedonas, por edhe nga parti të nacionaliteteve të tjera: turke, vllahe, rome, boshnjake, serbe etj.

Të dy koalicionet e bllokut politik maqedonas, tradicionalisht kanë gjetur gjuhë të përbashkët vetëm kur përballen me kërkesat reale të faktorit politik shqiptar, ndërsa faktori politik shqiptar asnjëherë nuk ka qenë i aftë të krijojë një strategji të përbashkët për realizimin e çështjeve më jetike me interes kombëtar, siç është statusi kushtetues juridik, zyrtarizmi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, përfaqësimi adekuat dhe proporcional, ndarja e mjeteve të buxhetit për zhvillim të barabartë të rajoneve të vendit, sidomos të pjesës veriore dhe perëndimore ku shqiptarët janë shumicë.

Çuditërisht, faktori politik shqiptar nuk ka arritur në asnjë cikël zgjedhor të përfshijë në radhët e koalicioneve të veta edhe parti të nacionaliteteve të tjera pakicë, të cilat ballafaqohen gati me të njëjtat probleme me shqiptarët, sidomos në sferën ekonomike dhe sociale. Faktori politik shqiptar, duke dashur t’i përmbushë ,,kriteret” e disa qarqeve të veta fanatike, për ruajtjen e ,,pastërtisë” kombëtare të subjekteve politike shqiptare, nuk kanë mbajtur llogari se në politikë vlejnë rregulla të tjera të lojës, kërkimin e rrugëve dhe mundësive për forcimin e radhëve të veta, me ç’rast sigurimi i numrave ka rëndësi të veçantë në sigurimin e forcës së përfaqësimit dhe jo ,,pastërtia” etnike formale, e cila gati asnjëherë nuk është garanci e suksesit në politikë, kur merret parasysh se koketimet dhe pazaret politike mes partnerëve të koalicioneve qeverisëse nuk mbajnë llogari gati asnjëherë për ruajtjen e ,,pastërtisë” etnike të subjekteve në politikat e qeverisjes së vendit.

Në koalicionet e bllokut politik maqedonas asnjëherë nuk kanë marrë pjesë partitë politike shqiptare, prandaj shtrohet pyetja: Pse atëherë faktori politik shqiptar nuk e ka krijuar agjendë kombëtare dhe strategji të veten për zgjidhje e shumë çështjeve me interes shtetëror, si dhe koncept për zgjidhjen e shumë problemeve, siç janë: definomi i konceptit të shtetit dhe sigurimi i mekanizmave për funksionimin normal të tij, në përputhje me realitetin e etnik, fetar dhe gjuhësor; sigurimi i mekanizmave ligjorë për zgjidhjen afatgjatë të problemeve ndëretnike; barazia e plotë e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare; përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, pa kufizime ligjore, pa zvogëlimin e dimensioneve të tij dhe kushtëzimin për përdorim vetëm në vendbanimet me mbi 50% të popullsisë shqiptare; përcaktimi i stemës dhe himnit të shtetit me përmbajtje që i përgjigjet realitetit etnik, historik dhe kulturor të këtij vendi; përfaqësimi i drejtë dhe proporcional në udhëheqjen e institucione të shtetit dhe administratë; integrimi i vendit në strukturat euroatlantike; zgjidhja e kontestit me Greqinë për emrin e shtetit; si dhe çështje të tjera në interes të qytetarëve, të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare?

Cili është problemi i faktorit politik shqiptar për këtë sjellje të papërgjegjshme, indolente, defensive, joproduktive, jokombëtare, jopolitike dhe johumane?

Nëse realiteti i ri politik, i krijuar pas pavarësimit të Maqedonisë më 1991, shqiptarëve ua ka kufizuar shumë të drejta të cilat i gëzonin më parë, sidomos kushtetuta e vitit 1974; nëse kushtetuta aktuale e këtij vendi ua kufizon disa të drejta themelore, fushëveprimi politik dhe kapacitetet shtetformuese të shqiptarëve nuk mund të kufizohen, sepse ky realitet nuk korrespondon me parimet e të drejtës ndërkombëtare, me traditën shtetformuese të shqiptarëve në këtë vend, dhe aq më pak me të drejtën historike të shqiptarëve, që këtë shtet ta ndjejnë e gëzojnë si të vetin dhe të përpiqen për ndërtimin dhe zhvillimin e tij në përputhje me interesat strategjike të shqiptarëve, jo si pakicë kombëtare, (pjesë e kombit, siç e definon kushtetuta aktuale), por si komb shtetformues me të drejta të barabarta dhe të patjetërsueshme.

Ashtu si do të sillen shqiptarët në këtë shtet, ato të drejta edhe do t’i realizojnë në kuadër të tij, mbështetur në të drejtat universale dhe kapacitet e veta, jo sipas konceptit të lidershipit aktual, i cili në vend se të merret me zgjidhjen e problemeve reale të shqiptarëve, vazhdon të merret vetëm me problemin e ,,marrjes” së pushtetit; cila parti, ose cili bllok i partive politike do të jetë pjesë e pushtetit; cili do të jetë interesi i ,,përkohshëm” i kësaj ose asaj partie, i njërit ose tjetrit grupim politik i interesit,  deri sa është në pushtet, zakonisht me ndihmën e partnerëve të tyre ,,strategjikë” nga blloku i partive politike maqedonase.

Mungesa e agjendës dhe strategjisë në nivel kombëtar ka mundësuar që në bllokun politik shqiptar të paraqiten madje opsione të ndryshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, si: federalizimi, konfederalizimi, Autonomia politike territoriale e shqiptarëve, Republika e Iliridës, krijimi Bashkësisë së komunave shqiptare, shkëputja e një pjese të territoreve me shumicë shqiptare dhe bashkëngjitja me shtetin amë (ide e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, e përkrahur nga partia VMRO-DPMNE, në koalicion me parti shqiptare, pas konfliktit të armatosur të vitit 2001), bashkimi kombëtar në tërë hapësirën etnike, ku do të përfshiheshin edhe territoret e banuara me shumicë të popullsisë shqiptare në Maqedoni, si dhe ide të tjera, të cilat nuk kanë arritur deri më sot t’i imponohen argumentueshëm as faktorit shqiptar në vend dhe as faktorit ndërkombëtar.

Cilin komb në këtë shtet duhet ta preokupojë më tepër se shqiptarët, kur është në pyetje emri i shtetit? Cilët duhet t’i preokupojë më tepër se shqiptarët, çështja e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike? Kë duhet ta shqetësojë më tepër se shqiptarët mungesa e perspektivave zhvillimore ekonomike të vendit? Cilët duhet t’i preokupojë më tepër se shqiptarët koncepti i shtetit unitar dhe statusi i tyre i definuar si ,,pakicë”, ndërkohë që shqiptarët realisht janë kombi më i madh në këtë shtet? Si mund të arsyetohet ky status poshtërues për shqiptarët, kur në shtetet tjera të dala nga ish federata jugosllave, këto çështje janë rregulluar në mënyrë shumë më të drejtë se në këtë vend? P.sh. statusi i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët përbëjnë më pak se 30% të popullsisë së përgjithshme dhe e kanë njësinë kushtetuese-juridike (shtetin) në kuadër të konfederatës së Bosnje dhe Hercegovinës; ose çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës serbe në Republikën e Kosovës, ku gjuhës serbe i njihet statusi i gjuhës zyrtare me përdorim në tërë territorin e shtetit, edhe pse serbët përbëjnë zyrtarisht vetëm 5% të popullsisë në Kosovë?

Është koha e fundit që partitë politike shqiptare ta ndryshojnë konceptin e tyre dhe strategjinë e veprimit, ose të shkojnë në histori, si parti politike të paafta për mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve në këtë vend. Disa prej tyre duhet të shkojnë nga skena politike edhe me bagazhin e dyshimeve se janë krijuar dhe kontrolluar nga shërbimet e huaja dhe për mbrojtjen e interesave të tyre, jo për interesat e kombit shqiptar, në emër të të cilit janë thirrur, janë votuar dhe kanë ushtruar pushtet, bashkë me partnerët e tyre ,,strategjikë” të bllokut politik maqedonas.

Për mungesën e krijimit të konceptit me interes kombëtar dhe strategjisë së veprimi të faktorit politik shqiptar, sigurisht që janë përgjegjëse edhe qendrat e natyrshme të vendosjes në nivel gjithëkombëtar, Tirana dhe Prishtina, sepse kjo do të nënkuptonte edhe ndihmën e ndërsjellë edhe llogaridhënien, por përvoja e derisotme flet për një ,,mëvetësi” formale veprimi, e cila mund të kuptohet vetëm si lajthitje e popullatës shqiptare, ndërsa partitë politike shqiptare në këtë vend shpeshherë lajkatohen vetvetiu nga qendrat e huaja, të cilat jo vetëm që kanë ndikim dhe interesa të veta strategjike në këtë vend, por llogaritin edhe në ,,investimet” e veta strategjike, në kapital dhe resurse njerëzore, përmes shërbimeve sekrete të tyre.

Për fund, të mos harrojmë se, asnjë parti politike nuk ka mandat si e vetme të merret me zgjidhjen e çështjeve madhore të kombit, por së bashku me të gjithë faktorët tjerë politikë, jopolitikë, intelektualë, akademikë dhe faktorë të tjerë në nivel të kombit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora