Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Ku-vendi që i duhet vendit…

| E marte, 26.01.2016, 09:50 PM |


Ku-vendi që i duhet vendit…

ose

Kuvendi e politika, në një rreth vicioz…

Nga Vangjush Saro

Sipas një studimi të disa kohëve më parë (bërë publik në një gazetë të përditshme) përbërja e Kuvendit të Shqipërisë, kultura dhe shkollimi i anëtarëve të tij, mund të konvertohen vetëm në fjalën modest/e. Dhjetë nga deputetët në fjalë, kanë mbaruar Universitetin e Kamzës; (dikur është quajtur Institut dhe për hir të së vërtetës, ishte një shkollë e mirë, për çka sot nuk e vëmë dot dorën në zjarr.) Shumica tjetër e deputetëve kanë mbaruar universitete të rretheve, kryesisht në Korçë dhe Elbasan, por edhe universitete private që ndodhen në Tiranë, (por me degë… degë më degë; së paku deri para disa javësh a muajsh).

Në grupin e deputetëve që kanë studiuar në Perëndim, vetëm dy prej tyre kanë kryer jashtë vendit të gjitha ciklet e studimeve, kurse pjesa më e madhe e tyre kanë kryer jashtë studime të avancuara, kryesisht në Francë e Itali. Njëzet deputetë kanë diplomë juridike si studime të dyta plotësuese ose përmes sistemit më kohë të pjesshme. Madje në pesë raste, deputetët deklarojnë se kanë nisur studimet në fakultete juridikë në moshën 38-42 vjeçare dhe janë diplomuar 4-5 vite më vonë, (kryesisht në universitete private në Shqipëri e Maqedoni).

Në Kuvendin e Parë Pluralist, ishin 52 deputetë me tituj shkencorë, pjesa dërmuese e tyre profesorë dhe pedagogë në universitet; kurse në zgjedhjet e fundit zu të dominonte një kategori tjetër, ajo e biznesmenëve. (Në Parlamentin aktual, kemi një numër rekord biznesmenësh, 35. Pjesa më e madhe e tyre, merren me ndërtime ose me aktivitete të tjera të lidhura me ndërtimin.) Një pakicë deputetësh kanë “gradat” master e doktor (që kohët e fundit janë bërë pothuaj qesharake, ngase nuk mbeti njeri pa u graduar).

Në këto e sipër, për disa parlamentarë ka filluar të përdoret edhe termi “kriminel”, që do të thotë se nuk bëhet fjalë për shkollë a për kulturë dhe as për përvojë politike, por thjesht për pjesëmarrje në vepra penale, me akuza të verifikuara ose jo. Një gjë është e qartë, që njerëzit në fjalë kanë lidhje të sigurta me të ashtuquajtur “të fortë” ose edhe vetë renditen në këtë kategori. Duke parë këtë reliev plot kolorit, vetiu të shkon mendja te seancat që vetëm kështu nuk mund të quhen, veçmas ato të ditës së enjte, kur në Kuvend plas gallata dhe vlon Estrada. Dhe çfarë fshihet prapa të qeshurave e tymnajës së atjeshme, e dimë të gjithë.

Ani. Qëllimi i këtyre radhëve nuk është të gjejmë justifikime pse nuk shkojnë punët mirë në politikë dhe në fusha të tjera të jetës. Shkolla apo specializimet nuk janë doemos një kusht që deputeti të punojë mirë e të përkushtohet. Mund të kesh shkollën e Rruzullit e të jesh pykë në diell; djall; spiun (nuk di i kujt). Kuvendi i Parë Pluralist u “dallua” edhe për pseudonimet e shumta, për praninë e njerëzve të ish-Sigurimit të Shtetit, që Partitë, sidomos disa liderë  - morracakë e pa ideale - i përzgjodhën me kujdes, në mënyrë që t’i kishin nën vete, t’i urdhëronin, t’i përdornin, t’i poshtëronin. Siç edhe ndodhi e vazhdon të ndodhë.

Përbërja e Kuvendit për nga arsimimi, është patjetër një gjë shumë e rëndësishme. Njerëz të shkolluar e të kulturuar, në çdo rast, do ta realizonin më mirë detyrën, nga pikëpamja profesionale. E megjithatë, më e rëndësishme se kjo, është çfarë këta njerëz përfaqësojnë, nga ata vijnë, si i kanë bërë paratë, pse mëtojnë edhe më tutje të kenë pushtet e të fitojnë edhe më shumë… Këtu përgjigjet vështirësohen. Ka prej tyre që njihen në rrethe, kanë mbështetje, farefis, të njohur, kanë ditur të përdorin paratë e tyre për të rekrutuar njerëz, domos edhe zgjedhës, ç’po them, edhe Kryetarët e Partive, ata të rretheve dhe ata të qendrës. Pas kësaj, nuk kemi çfarë të shtojmë më. Nëse X kandidat ka mundësi të fitojë, ka mbështetje, para, ka me vete edhe “të fortë”, partia nuk e vret shume mendjen se çfarë po ndodh. Mjaft të fitojë zgjedhjet, pa se me kë do të përfaqësohet, aq i bën.

Duke ndjekur këto vija e këto “orientime”, Kuvendi i Shqipërisë, politika shqiptare, vendi i gjithë, është futur në një rreth vicioz. Edhe emërimet, edhe ligjet, edhe drejtësinë, do ta bëjnë po këta, që i “vizatuam” më sipër. Mpleksja e interesave është e tillë, që vetë drejtuesit e partive, si të themi, janë shitur te deputetët e tyre, pra në njëfarë mënyre, i kanë duart e lidhura. (Të mos themi që ashtu edhe iu vjen për mbarë.) Ndërkaq, e keqja më e madhe është se pas këtyre episodeve, për të qeshur e për të qarë, në terren gjithnjë ka zhgënjime dhe pikëpyetje; gjithnjë mbeten në hije njerëzit më të drejtë, më të ndershëm, ndoshta edhe me kontribute më të mëdha nëpër parti të caktuara. Ata kanë mendjen, kanë ndershmërinë, kanë dhe mendojnë me “kokën e tyre”, por ata nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në Kuvend (!)

Ja tek vijmë pas një viti e gjysmë në zgjedhje të tjera. Po ato do të jenë pyetjet: Ke para mjaftueshëm? Na siguron që fiton atje poshtë? Di të rrihesh? Di të shash e të më vish pas kur shaj unë? Di të heshtësh kur duhet dhe të lehësh kur e lyp nevoja? Moj kasolle, ku na mblodhe… Ja u bë lista prapë. E fituam edhe një çetë tjetër, me po ato karakteristika. Ju do të më pyesni: A ishin (a janë) të gjithë kështu? Them se jo. Por koha po kërkon që në këtë lëmë të ketë ndryshime esenciale. Do të ishte e pahir të ndiqej e njëjta tragë. Do të kishim të njëjtët surretër. Dhe të njëjtat të enjte. Gjithaq të njëtat përpëlitje për të bërë reforma, (si kjo mavria, e drejtësisë…)

Nuk mund të themi se ndryshimi fillon në rrethe a në qendër, nëpër kryesi-ra apo në asamble të zgjeruara. Ndoshta fillon në atë se çfarë duam e çfarë i lipset këtij vendi. Na duhet një Kuvend që t’i shërbejë disa interesave më të gjera sesa limitet dhe perimetri i partive dhe partiçkave. Kuvendi që do vendi, nuk është e nuk mund të jetë me të “fortë”, me të “dyshimtë”, me ndjekës e lehës të Kryetarit. Mirëpo që të trandim këtë rrjetë merimangash, duhet filluar nga ligjet dhe nga reforma që e kanë në dorë këta estradaxhinjtë. Se si do të dilet nga ky rreth vicioz e nga kjo skenë vodevili, pa le kush e di… Partnerët. Shërbimet. Elektorati. Fundja, fjala vetëm ndihmon që këmbana të bjerë…