Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Lotët e vajzës si histori rrënqethëse

| E hene, 25.01.2016, 09:08 PM |


R e f l e k s i v e

Sejdi BERISHA:

LETRA E VAJZËS SI HITORI RRËQETHËSE DHE LOTËT E NGADHËNJIMIT...!

Nuk e prisja një shkrim “vetëm për qejf”, i cili, në fjalinë e parë më detyroi të shëtitëm, të kënaqëm e edhe të bëhem qullë në një rrugëtim aq të “padëshirueshëm”, i cili dhemb, por që, në fund përmbyllet me rrëfimet e “tmerrshme” të vetvetes, por edhe me shqetësimin e vajzës sime që kishte marrë teket të shkruajë një letër këtillë, bile, edhe ta fillojë me një alegori të rëndë shpirti, duke e filluar me, “vetëm për qejf”...! Kështu e kishte filluar shkrimin, me të cilin, pastaj, të lëkundej çdo pjesë trupi, të trembej çdo qelizë por edhe çdo pikë gjaku, me atë bubullimën dhe shkrepjen e rrufesë të mendjes së saj, e cila, si duket, kjo bubullimë e rrufe, së pari kishte shkaktuar rrebesh “shiu”, e pastaj, ishin radhitur, mu si gjerat e hekurosura në arkë nusesh.

E di se është pedante për gjithçka, edhe për të ma rrëmbyer ndjenjën idioteske të shpirtit, edhe për të mi rehatuar e qetësuar të gjitha dhembjet, të çfarëdo natyre qofshin ato. Por, kësaj radhe, letrën e kishte “ngushtuar e ndrydhur” vetëm me kujtimet, të cilat, ajo dhe familja jonë përgjithësisht, i kemi thesar e krenari jete, por edhe mburrje e mobilizim për ta çuar përpara njerëzoren, që, për besë, po e pranoj, shumë vështirë është për të shtyrë diçka para, tutje!

1.

Nuk di, a ju kujtohet kjo vajza ime. Është, ajo vajza e shkrimit për Trenin e Pejës, në të cilin shkrim u kam pas rrëfyer, pakëz për jetën, por edhe për martesën e saj: në tren e drejtë tek i dashuri i saj! Pra, kohë lufte ishte, dhe dhembjet e malli ishin të paparashikueshme... Rrugëtimi i tillë sjellë gjithçka dhe bën histori rrëqethëse.

Mirëpo, kjo “vetëm për qejf”, më përplasi dhe më puthiti fortë për trupin, për mendjen, për zemrën dhe shpirtin e saj...! Për këtë, bie shi,... edhe bie! Por, në vend të asaj tronditjeje shpirtërore, e për mua, gjërat e tilla më forcojnë e më bëjnë krenar për bimën dhe frytet e shpirtit dhe të jetës. Dhe, në vazhdim po ua prezantoj në tërësi shkrimin e vajzës sime, “Vetëm për qejf”:

“Vetëm për qejf..!!!
Babi im i dashur!

Nganjëherë të kap një mallëngjim që s'të lë rehat, deri sa të shprehesh me fjalë, ose përmes shkrimit ose përmes vajit. Kështu ndodh nganjëherë tek unë. Nuk do të mërzitëm asnjë pikë, dhe as ti mos u mërzit... Desha vetëm te t’i shpreh disa fjalë që më burojnë nga shpirti dhe nga loçka e zemrës. Librin tënd, gati e kam në mbarim, por të gjitha ato urime, përgëzime, letra dhe fjalë aq të bukura dhe të dashura për mu, se lëre më për ty, në at librin tënd e tani edhe tonin, që të kanë përgëzuar miqtë, dashamirët, lexuesit dhe familjarët, më kanë bërë aq të fortë dhe të ndihem krenare për ty, që kam një Baba të veçantë për të gjithë ne dhe për tërë Kombin Shqiptar. Të gjitha ato fjalë miradije për ty, beso, e kam ditur, por për kaq që Shqiptarët anë e mbanë Botës, të kanë aq respekt të veçantë për ty... Mburremi me Ty, o Njeri i Paparë...! Kështu që, nuk u durova më dot, sepse, jam mbushur, më është mbushur Kupa, dhe u dashtë të ta them, jam e jam shumë krenare me ty, O BURR I BOTËS!

Uroj të kesh shëndet, të mos pushosh së shkruari, sepse, me duket edhe kush e di se sa e sa ma ke zgjatur Jetën...

 Të dua pafund, të përqafoj e të shtrëngoj fort e fort nga larg!

Vajza e jote që të ka mall gjithmonë, të ka në mendje çdo sekondë, minutë, orë, ditë e vite...

Blerimja, (E enjte, 05 qershor 2014)”

Tani, më lejoni edhe Ju lexues të dashur, pakëz të pushoj e të marrë frymë mirë, nëse mundem pas këtyre fjalëve valë, zharavë e prush!

Do të kisha bërë ndoshta mëkat sikur këtij shkrimi të vajzës sime të mos ia bashkëngjitja edhe letrën e shkurtër të znj. Moila Ramës nga Tirana, e cila, thotë:

E dashura Bella,

Të përgëzoj pa masë për shkrimin aq të bukur kushtuar babait tënd të mrekullueshëm, dhe mikut tonë, Sejdi Berisha. Është e vërtetë, unë s'mundem ta kaloj asnjë rresht pa lexuar, të mikut tim, Sejdi Berislta: me mahnitë me vargjet e tij, më duket se dhe unë jam brenda çdo shkrimi. Por, ama dhe ju bija e tij, i ngjani shumë në këtë shkrim kaq të bukur, domethënës , plot dashuri e mirënjohje të një vajze të mençur e të dashur për babin e saj. Edhe njëherë të përgëzoj.

Me respekt, mikja dhe bashkatdhtetarja nga Tirana, Moila Rama). "

Tash, nuk di se çfarë t'u them, por edhe as çfarë t'ju pyes ... ! Beni çfarë të doni! Meditoni, kritikoni, por edhe analizoni, qoftë edhe pa lidhje, ... athua pse e kam shkruar këtë pjesë të shkrimit kështu?!. .. Edhe rima po më duket si pyetje pa lidhje, ama, por e mirë... !

2.

Unë, tash e dini të gjithë, si dhomë pune e kam një tavolinë te restoranti "Nositi". Freskohem me një kafe e me një gotë ujë kroi, ndonjëherë edhe me Coca Cola "Zero"! Por, ku po dua të dalë. Një ditë, kamerieri L, të cilin shumë e dua dhe shumë me respekton, si prindin, më thotë se për një muaj, kafeja e mëngjesit më ishte e paguar! Nuk e kuptova mirë, por fjalën e kishte pasur, se një mik imi, i cili jeton në Londër të Britanisë së Madhe, e kishte bërë pagesën për njëzetë kafe. D.m.th., më ishte "parapaguar" kafeja e çdo dite.

Të ju them të drejtën, në atë moment nuk u ndjeva mirë, dhe çfarë nuk më depërtoi e përftoi nëpër mendje. Kishte gjelbërim, lule, lumturi, dritë, ... por kishte edhe kthesa e lakesa, gremina,... Kishte hidhërim e mall, por, kur i bëja të gjitha bashkë, duke e ngritur çdo gllënjkë kafeje më shndërroheshin në mjaltë. Por, edhe më dukej se kapërdija si qerre me therra rrëfime, letra e romane, por edhe ndonjë varg e poezi, ku loti ma digjte edhe fytin ... ! Fort e falënderova mikun nga Londra për kafetë , tani me "bollëk" për një muaj!

Edhe kjo është pjesë e jetës, të cilën, prapë, ju lutem, komentojeni Ju ... !

3.

Pasi ma solli kafene e mëngjesit, pra, ai kamerieri, që siç kam thënë, është një djalosh i rrallë, me zemër e shpirt të veçantë, më pyeti:

-Je nervoz, sot?! -më shikonte me thellësinë e kokrrave të syve, dhe priste përgjigjen.

-Po! Pikërisht tash u bëra nervoz ... !

-Pse?!

-Po, tani sa kaloi këtupari një njeri, nëse mund t'i thuhet njeri, dhe e tërë historia e biografisë sime, sikur m'u prish, ... U bë droçkë, ashtu diç prishet gjaku apo qumështi.. Dhe, këtij djaloshi, kamerierit, ia lash shpjegimin dhe përgjigjen me kaq, sepse, po të vazhdoja rrëfimin, nga kjo do të dilte një formulë djalli për atë person, nuk po them njeri. Në trupin e tij sikur shoh duke qarkulluar lëng turpi e jo gjaku ...!

Për ta marrë me të mirë mendjen dhe shpirtin tim, fillova të "mbledh"disa qëndrime, që shkurtimisht, si skelet i kisha hedhur në letër, një ditë kur isha duke komentuar e studiuar "normën" njeri, të cilën dëshiroja ta stolis me peshën e përgjegjësinë e njerëzores. Mirëpo, dhunshëm më dolën gjëra të cilat nuk pajtoheshin me mua, dhe, sikur më sillnin shpulla fytyrës për t'u kthjelluar, e për të mos përkëdhelur e as për t'i mos falur askujt asnjë gabim. Pse them kështu?! Sepse, përmes vargut dhe shkrimit, përherë e kam mbrojtur jetën... e kam mbrojtur lumturinë, dhembjen dhe tragjedinë e saj. Dhe, kështu u kam hapur rrugë frymëmarrjeve në të gjitha rrafshet. Kam vepruar kështu, sepse, kujtoj se edhe kjo, ndoshta është katalizator i filozofisë së veçantë i jetës së njeriut! Për këtë arsye, interesant, edhe kur kam qenë i ri, gjithmonë i kam qëndruar në distancë lëndimit të shpirtit te të tjerëve. Ky, edhe sot është ai ballafaqimi me ballafaqim të karakterit dhe të së mirës të njeriut... Nuk di a jam i qartë,... Por, kështu është... Ju lutem, përpiquni për të më kuptuar! Nëse jo, atëherë veproni lirshëm si të doni ... !

4.

Aty, ku zhvillohen gara për ta kapur të bukuren e jetës dhe për t'i hapur rrugët e lumturisë, ai vend, ata njerëz, ose do të kanë rrugë plot me gjemba, ose do të kanë të ardhme të ndritur. Kjo m'u kujtua, dhe sikur më detyroi të mendoj ndryshe për shumë gjera, të cilat sot, ose nuk na i kapë mendja, ose për ne nuk kanë peshë! Pra, duke shikuar një TV-emision, ku garohej për "Master Chef” kuzhine, më dukej se aq kishte hapur krahë e ardhmja edhe në këtë fushë, sa që, secili dhe secila garuese, me përkushtim përrallor iu kishin përveshur punës për t'i gatuar por edhe për t'i praruar gjellët që i përgatisnin me pedanterinë dhe me përkushtimin e tyre profesional e shpirtëror. Thash, tani edhe njeriu ynë e peshon rëndësinë e ushqimit, bile, përtej edhe shumë popujve të tjerë.

Më lë përshtypje, se, secili garues ka kulturë të lartë kulinare, ka besim në vetvete, por edhe dituri, që ma thotë mendja se nuk u tremben as turizmit dhe as hotelerisë të cilitdo vend qoftë. Dhe, në gara brilojnë pjatat e tyre. Shpallen më të mirët, e në këtë rast, pos gëzimit dhe kureshtjes, nuk mungojnë edhe lotët e ngadhënjimit për ta shoqëruar arritjen profesionale "Master Chef.

Po, pra. Edhe deri këtu ka arritur njeriu i ynë, por, në moment m'u prish "bioritmi" shpirtëror, kur dëgjova për një vrasje makabër, e kur sipër kësaj, me del "maja dhe pika e zezë" e atdheut­-trafikimi dhe kultivimi i drogës... ! Por,... e shihni! Edhe këtu kemi arritur rezultate të "shkëlqyeshme", të cilat, në vend se të na ndritin e zbardhin rrugëtimin kaq të mundimshëm e të përçudshëm, ato duken dhe janë,... njolla shumë të zeza,... të tmerrshme, dashtë Zoti, jo të pashërueshme!

Në këtë bizar mendimi të shpirtit, m'u kujtua edhe një ballafaqim gjyqi babë e bir... Nuk e duan njeri-tjetrin! Por, edhe kjo është si ajo vala e cila përplaset për shkëmbinj dhe çdo gjë "fshinë përpara". Andaj, futja babëlok si të duash, si thoshte dikur një fshatar i katundit C., kur zemërohej e nuk kishte se çfarë të bëjë. Ai, ka vdekur moti, por me kujtohen shumë fjalë të tij të mendjes, por edhe të kohës!

Edhe unë, vetëm po them: eh, i vura në letër këto cikërrime jete... nuk është gjë puna e tyre. Por, nëse doni, mos i leni "cikërrime", i bëni ju të mëdha ose të vogla. Ndoshta, do të janë interesante dhe me peshë. Por, nuk e besoj,... Apo, ndonjëherë mund të vjen koha e cila e ndërron mendjen e njeriut. Ndoshta, dikur edhe unë do besoj gjithçka... !

Në këtë dakik, mendimin ma ndërpreu kamerieri, pasi më hetoi se nga këto mushkëritë e mia nxora një "copë" frymë të hidhur:

-I nderuar, çfarë të mundon?!. ..

Dhe, si përgjigje, ia futa kot:

-Po! Po më mundon kosa... Edhe vapë e madhe, edhe bari qenka bukur i rrëzuar, e bukur vështirë për t'ia hedhur kosën e për ta kositur mirë...

Ai, vetëm buzëqeshi dhe m'i përkëdheli supet e mia, nuk e di a të forta apo të rënduara si deve karvanësh nëpër shkretëtirë.

Por, të dal tek garat për "Master Chef” kuzhine. Sa mirë kishin përformuar djem e vajza. Dhe, besoni, nuk ka kush ua kalon për të mirë. Kësaj radhe, zemra m'u bë mal...!

5.

Pasi kishin ikur nga restoranti një grup miqsh, pas një ahengu apo dasme, ecin në grup plot hare e oksigjen dëfrimi. Jo fort larg nga restoranti, njëri prej tyre, papritmas bie në tokë.

-I ka rënë të fikët! ... -thanë, dhe shpejtë e dërgojnë në spital, të frikësuar për ndonjë sulm në zemër. Por, jo. Ai, tash ishte pa shenja jete. Në trup kishte disa plagë nga plumbat. Në momentin kur ishte plandos për tokë, nuk ishte dëgjuar as edhe me e vogla krismë, edhe as nuk ishte diktuar erë baroti!

Është e mundur, sepse, janë sofistikuar edhe vrasjet... Nuk ishin dëgjuar krismat,... por krismat në zemër e shpirt luftonin, nuk e di se me kë! Ani. Po, le të luftojnë ore edhe krismat, edhe zemra e shpirti, se, ndoshta bëhemi "imunë" nga "mortaja", që po e përkëdhelim.

            Hë, pra! Dëfrehesh, këndon, gëzohesh,... dhe rrëzohesh për tokë pa ditur asgjë. Si ua merr mendja, është demagogji apo filozofi, kjo... E vështirë për t'ia qëlluar, por përpiquni...! Jetë është kjo, nuk i dihet turrit dhe "vakive" të njeriut të kësaj toke. Më falni, të kësaj, të asaj, dhe, të asaj e asaj toke...!

E di, se nuk mund t'i bini, apo nuk dëshironi t'i bini në fije këtij shkrimi, që e kam shkruar më herët e i cili, po më duket se i ngjanë gardhit-kurorë, tani i kalbur dhe i bërë blozhdë, hajt të themi, nga koha. Hë, çfarë thoni ju?!