E enjte, 28.03.2024, 04:32 PM (GMT)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Vështrim kritik rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973)

E premte, 08.08.2008, 07:04 PM


EKSKLUZIVE

 

VËSHTRIM KRITIK RRETH DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE (1973)
(konstatime, vërejtje, propozime)

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

Në këtë vështrim mjaft voluminoz, së pari do ta rikujtojmë me dy-tri fjalë historikun e drejtshkrimit të shqipes së shkruar letrare, së dyti, japim vërejtje (konstatime, sugjerime, propozime) konkrete për disa paragrafë e pika paragrafësh të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) dhe së treti, bëjmë përmbylljen me ndonjë koment rreth vërejtjeve të bëra tekstit në shqyrtim.

 

A.     Dy fjalë rreth historikut të drejtshkrimit të shqipes deri te  normimi  i  sotëm

                 

 Të gjitha gjuhët kombëtare (shtetërore) janë formuar duke e marrë  fillimisht për bazë një të folme nga trashëgimia e vet, trashëgimi kjo që mund të jetë e bazuar në të folmen e një treve, të një qerthulli kulturor ose edhe gjuha e veprës së një shkrimtari a gjuhëtari të dalluar, por që ajo e folme, sipas të gjitha mundësive të sipërpërmendura, mund të jetë e ravijëzuar sadokudo si koine gjuhësore. Edhe shqipja jonë e shkruar letrare që në shkrimet e para të rilindësve tanë u mbështet në trashëgimi, por jo të një të folmeje të veçantë. Ajo u bazua, jo pa të drejtë për kohën, si me thënë, në koinenë e gjuhës popullore. Megjithëse gjuha popullore si koncept del shumë i gjerë, ajo megjithatë në realitet kishte elemente të përbashkëta, ndonëse si trashëgimi ishte e ndarë në dy kryedialekte gege e toske, prandaj rilindësit për gjuhë shkrimi, duke u bazuar në realitetin e atëhershëm, zgjodhën  jo gjuhën e një dialekti, por gjuhën me elemente të përbashkëta ose “gjuhën e përzier”, pra edhe toske edhe gege, andaj në shkrimet e tyre komunikuese të stilit të përgjithshëm, varësisht nga prejardhja, përdornin elemente toske/gege, përkatësisht gege/toske kryesisht. Si gjithkund, dhe këtu pati përjashtime, por mbizotëronin shkrimet programatike në gjuhën “e përzier”,  kupto me synim  për të arritur një koine të përbashkët.. Ndërkohë u dhanë edhe mendime e ide se cilit dialekt a të folmeje duhet dhënë përparësi që të jetë bazë e letrarishtes së përbashkët. Po në këtë kontekst që në Kongresin e Manastirit (1908) e pak përpara u ofrua, madje edhe u propozua që si bazë e shqipes së shkruar letrare të merret ligjëroja e Elbasanit, e cila nuk u kundërshtua, por as që u emnue si e tillë në atë Kongres. Po kjo nismë nuk u hesht. Që në Kongresin e Elbasanit (1909) iu rekomandua të gjithë shqipshkruesve që sa është e mundur ta përdornin ligjërojën e Elbasanit si gjuhë shkrimi, sepse kishte njëfarë tradite në këtë drejtim, por edhe qëndronte gjeografikisht në mes të dy kryedialekteve. Kështu ky propozim mori fuqizim praktikisht edhe me hapjen e  funksionimin e Shkollës Normale të Elbasanit (1909), por mori edhe përligjje, si të thuash institucionale, në Komisinë Letrare të Shkodrës (1917). Natyrisht si çdo bazë edhe ligjëroja e Elbasanit, u zgjerua  me vlera e elemente gjuhësore të viseve të tjera, andaj edhe u quajt nëndialekt i Elbasanit ose edhe dialekti i Shqipnisë së Mesme. Kjo gjuhë në të vërtetë mbi bazë të gegërishtes, po përjashtuar përmirësime që në fillet e konsolidimit të shtetit shqiptar u përkrah si gjuhë shkrimi edhe zyrtarisht në Kongresin i Lushnjës 1920, madje u rekomandua botërisht edhe nga Qeveria e Zogut më 1923 e më vonë, por jo me dirigjizim të organizuar. Kështu vazhdoi të funksionojë si e tillë deri në vitin 1944, natyrisht  pa rënë ndesh me disa nga karakteristikat themelore të arealit të dialektit të toskërishtes. Deri  pas Luftës II Botërore kjo gjuhë, siç u tha edhe, kishte tretman të konsiderueshëm zyrtar. Mirëpo pas LDB-së nga pushtetarët e rinj, u kërkua që baza e shqipes letrare të ndryshojë në favor të toskërishtes. Një anim i tillë rreth ndërrimit të bazës, përkatësisht rreth normëzimit të toskërishtes si gjuhë të vetme zyrtare (letrare) shihet qartë gjithnjë e më shumë edhe nga tri ortografitë zyrtare që u hartuan në Tiranë 1948, 1951 dhe 1956. Në të njëjtën periudhë edhe në Prishtinë, ku sadokudo, ishte në përdorim zyrtar edhe shqipja, u hartuan gjithashtu tri ortografi, 1952, 1957 dhe 1963, të cilat, me që kishin të bënin ekskluzivisht vetëm me gegërishtfolës u hartuan në frymën e të ashtuquajturës normë e gegërishtes së mesme (gjuha e Shqipërisë së Mesme). Siç u tha pikërisht kjo gjuhë gege nuk praktikohej  më zyrtarisht në Shqipërinë e pas LDB-së, prandaj  gjuhëtarët  tanë, edhe pse përpiqeshin për një normë sa më unike,  duke iu afruan sadopak ortografisë së Tiranës, megjithatë në ortografinë e vet ruajtën, të gjitha tiparet themelore të ish shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes (elbasanishtes të kuptuar si simbol), siç janë: jorotacizmi, përdorimi i paskajores dhe i pjesores së shkurtër, përdorimi i grupit zanor ue  etj. si dhe ndonjë tipar karakteristik nga fusha e fjalëformimit dhe e trajtëformimit.

Ndërkohë kur në Tiranë u botuan Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt) (1967), tekst ky më i plotë se të mëparshmit, por që edhe më tej fuqizonte bazën e normës letrare të toskërishtes, gjuhëtarët tanë që kishin ideal njëzimin e letrarishtes së shqipes, shfrytëzuan rrethanat paksa më të volitshme të kohës dhe në Konsultën e Prishtinës (1968) e pranuan në tërësi edhe si të veten ortografinë e atij Projekti.. Kështu studiuesit e Prishtinës që ballafaqoheshin me probleme drejtshkrimore brendadialektore, por edhe më tepër me ato ndërdialektore, siç u cekën pak më lartë, të gjitha ua lanë në dorë standardologëve të Tiranës për t’i zgjidhur ato. Si duket, standarologët e Tiranës problemet e tilla ndërdialektore i quanin të tejkaluara me drejtshkrimet e mëparshme të tyre, prandaj edhe ato probleme mbeten, si të thuash, si rezervë letrarisht e papërfillshme. Tashti, si në Tiranë (Shqipëri) ashtu edhe në Prishtinë (Jugosllavi) rregullat e këtij Projekti zbatoheshin në mënyrë të organizuar të shoqëruar me një propagandë të bardhë shumë të fuqishme dirigjuese. Madje te ne kjo propagandë shoqërohej edhe me një eufori shpesh edhe të tepruar deri në artificializëm, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot... Pra, një atmosferë e tillë mbretëronte, në prag dhe pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit  (1972), në seancat e të cilit u trajtuan mjaft tema, por jo edhe ato që ne i quajtëm themelore në raportin ndërdialektor, çështje këto që normalisht  nuk gjetën zgjidhje as në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973), të cilin e kemi objekt trajtimi në këtë vështrim tonin.

Para se të japim vërejtjet tona lidhur me tekstin e këtij drejtshkrimi që është në fuqi, po përmendim në nja tri pika, se çfarë nuk u inkorporua nga Projekti në drejtshkrimin e ri:

              pari,  nga teksti i Projektit u korrigjuan  këto fjalë:

shembëll, shembëllor në shembull shembullor, arësye arësim në arsye arsim; dhëndërr – dhëndër; maqinë, maqineri, maqinist – makinë, makineri, makinist; marrëdhënje, mirëqenje – marrëdhënie, mirëqenie;  studjoj, studjim – studioj, studim; shtegëtoj, tregëtoj – shtegtoj, tregtoj e ndonjë tjetër..

Së dyti,  nuk u  përcollën në drejtshkrimin e vitit 1973 këto fjalë:

     çapëz-a, shtërg-u, gërxh –i, lepurushkë-a, xhuxh-i; mylk-u, shut-i shutoj, 

     ylbe-ir, zdryp; zgavriq, picër, vendore  si dhe gegizmat:  kam pru, kam  

     vu, mujta, shkamb.

Së treti, u bënë ndërrime a ndryshime, madje edhe fuzionime paragrafësh në tekstin e ri.. Nuk, u përfshinë paragrafët lidhur me raportin g/k, th/f nistore, por pati edhe shtim paragrafësh të rinj si p.sh. te Çështje gramatikore rreth emrave  mashkullorë, por  u bënë edhe shtesa a shënime të veçanta si sqarime, por në mënyrë të veçantë po përmendim shtojcën  Treguesi i çështjeve.

U tha se problemet themelore ndërdialektore mbeten të hapura, andaj pas ndërrimeve politiko-shoqërore në Shqipëri, dhe në Kosovë, kur dirigjizimi nuk e kishte më fuqinë e mëparshme ndëshkuese gjithandej dhe kur euforia ishte zbehur gjithkëndej, doli e vërteta sheshit se norma nuk dilte aq e përvetësuar, siç propagandohej as andej plotësisht, madje as këndej kënaqshëm. Tashti gjithnjë e më zëshëm shpërthyen  kritikat pikërisht për ato çështje ndërdialektore, të cilat si të pazgjidhura u cekën paksa më përpara prej nesh dhe në këtë kontekst doli më e spikatur çështja e paskajores së mirëfilltë me + pjesore e shkurtër.  Lidhur me këtë e në përgjithësi rreth normës standarde u shpërfaqen  tri opinione.

Opinionit të parë i takojnë të gjithë ata gjuhëtarë e intelektualë, të cilët  me mllef  kritikonin dhe kritikojnë edhe sot epokën e monizmit, të diktaturës e të dirigjimit e në këtë kuadër edhe politikën gjuhësore antigege të shprehur edhe në Kongresin e Drejtshkrimit, përkatësisht në normën e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe 1973, që linte jashtë vlera të gjuhës shqipe, vetëm pse ishin karakteristikë e ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes dhe pikërisht në mospërfshirjen e vlerave të njohura karakteristike të gegërishtes në normën e përbashkët letrare si çështje më e spikatur  përmendet mospërfillja e paskajores së mirëfilltë, e cila konsiderohet, me të drejtë, si shtylla  kurrizore e shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes, prandaj kërkohej dhe vazhdon të kërkohet mjaft me forcë përmbysja e tërësishme e asaj norme njëdialektore.

2. Opinionin e dytë, e përbëjnë të gjithë ata  gjuhëtarë  e të tjerë që e mbronin e mbrojnë normën e tillë si të përkryer, e cila assesi s’bën të preket, pasi të gjitha vlerat e dy dialekteve, siç thonë ata, janë inkorporuar harmonishëm në të dhe si e tillë ajo normë del e miratuar në Kongresin gjithëkombëtar të drejtshkrimit. Konkretisht, pa u thelluar sa e si duhet, konsiderojnë se rehabilitimi i paskajores do të lëkundte tërë sistemin foljor të normës në fuqi dhe aq më tepër ajo del e panevojshme, pasi lidhorja, e cila ka përhapje edhe në gegërishte i plotëson të gjitha funksionet e paskajores, prandaj kërkojnë që asgjë të mos preket në normën në fuqi, e cila,  pa prekur asgjë në të,  duhet respektuar si një bibël a kur’an për besimtarët (!).

3. Opinionin e tretë e përbejnë një numër studiuesish e intelektualësh më të matur, si të themi, të paanshëm, të cilët kërkojnë përpunimin e përsosjen e normës letrare, madje edhe përplotninë e saj me elemente të gegërishtes, siç është edhe paskajorja e pavarur, e ndonjë element tjetër. Sipas tyre rikthimi i paskajores së mirëfilltë në normëzim, si rast i veçantë, nuk e lëkund fare strukturën  e  sistemit foljor të gjuhës shqipe, përkundrazi  me inkuadrimin e saj, nëse funksioni i  infinitivit  kuptohet drejt, gjuha shqipe fiton vlera të reja dhe ka fitime edhe në shumë pikëpamje të tjera. Ngulmohet që paskajorja të zërë vendin e vet si mënyrë, sidomos për ato koncepte që del e pazëvendësueshme me mënyra të tjera  edhe me lidhore, siç janë këto nënfusha semantike:

Së pari, si trajtë përfaqësuese në barasvlerësi me paskajoret e gjuhëve më të zhvilluara të Evropës dhe të botës,

E dyta, në shprehje lapidare të një abstraksioni të lartë që janë trashëgimi me vlera të pakompenzueshme.

E treta, në krijimtari letraro-artistike, ngase ajo ka trashëgimi tejet të lavdishme, por edhe përhapje ligjërimore aktive të 2/3 e shqipfolësve dhe njihet në mbarë truallin shqipfolës dhe

E katërta, merr pjesë sinonimisht në tërë strukturën jo vetëm komunikuese, por edhe  trajtëformim, formëformim e fjalëformim që me prezencën e saj ndihmon dhe pasuron stilin ligjërimor në të gjitha rrafshet, por ndihmon edhe studimin e njohjen e sistemit gjuhësor të shqipes mbarë.

Fundi i fundit përdorimi i paskajores në këto nënfusha të lartcituara semantike shikuar nga pikëpamja  pragmatike, stilistike e logjiko-shkencore as që del i diskutueshëm, prandaj rehabilitimi i saj si rast i veçantë është i domosdoshëm.    

Lidhur me sa u tha rreth opinioneve, na duhet të rrëfehemi. Unë si arsimtar, si shkrimtar e pse jo edhe si studiues i gjuhës, por gjithsesi si dashamirës i devotshëm i gjuhës shqipe, me shkrimet e mia, qysh moti dal i deklarua se  i takoj grupit të tretë të reaguesve. Veç tjerash më duhet të përmendim këtu mendimin tonë të shprehur në dy punimet e para kushtuar kësaj teme: Përsosja e shqipes standarde faktor integrues në jetën tonë kombëtare (1996) dhe Përpunimi i normës letrare, kusht për kristalizimin e mëtejshëm të  shqipes standarde kombëtare (2002), në të cilat preken edhe çështje nga fusha e drejtshkrimit, pikërisht nga përmbajtja e normës së Drejtshkrimit të gjuhës shqipe  (1973), dhe atëbotë qenë pritur mirë nga opinioni, prandaj edhe ky vështrim yni që po paraqitet tani para lexuesit, mund të quhet vazhdim i punimeve të mëparshme, por tash në mënyrë edhe më të hollësishme do të jepen vërejtje vetëm për tekstin e drejtshkrimit në fjalë sipas paragrafëve përkatës.

 

B) Vërejtje konkrete  rreth përmbajtjes së  Drejtshkrimit të gjuhës shqipe

 

            Teksti paraprihet nga pasqyra e alfabetit të gjuhës shqipe, prandaj edhe vërejtjet tona po i fillojmë prej kësaj pike dhe do të vazhdojmë radhazi, vetëm për ata paragrafë e pika paragrafësh që mendojmë  se në ndonjëfarë mënyre dalin të diskutueshëm:

 

1. Teksti paraprirës Alfabeti i gjuhës shqipe propozojmë të përplotësohet me  këto tri fakte:

Së pari, të shënohet shqiptimi shqip i secilës shkronjë, sidomos ai i  bashkëtingëlloreve.

Së dyti, është mirë të shënohet edhe transkriptimi për secilën shkronjë, sipas shenjave universalë ndërkombëtarë (API) që përdoren për punë shkencore etj.

Së treti, të shënohet edhe kaliografia a shkrimit të dorës, duke dhënë edhe shembuj konkretë, për me u pa ndërlidhja e shkronjave të mëdha me ato të vogla  dhe të voglat njëra me tjetrën në shkrimdore.

Sigurisht  edhe këto sqarime dalin të nevojshme, ngase në shkrimet tona nuk ndeshim një dorë përdorimi.

 

2. Te Paragrafi 1 vërejmë si vijon:

Së pari, menjëherë bie në sy përdorimi i diskutueshëm i foljes ndjek ndiqet, ngase është bërë jo në pajtim me kuptimin që ka fjala e tillë në realitetin tonë gjuhësor. Themi kështu sepse, jo vetëm në gjuhën popullore, por edhe në atë letrare të shkruar, sipas fjalorëve normativë shpjegues të shqipes së sotme, folja ndjek ndiqet, me ndjekë a me u ndjekë (veprore e pësore) nënkupton konceptin që dy frymorë, elementë ose elemente janë në raport me njëri tjetrin, por gjithsesi frymori a elementi i parë e ndjek ose e vë përpara në ndjekje frymorin a elementin e dytë dhe jo kurrsesi i dyti të parin siç del në tekstin në shqyrtim. Krahaso: “Shkruhen me E (dhe jo me Ë) fjalët kur kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet(!) ose ka qenë ndjekur(!) në të kaluarën nga një bashkëtingëllore hundore: m, n, nj: si p.sh.: dhembje, qenësi, qengj, ndenja, ndenjur, penjtë etj. Pra, siç po vërehet nga shembujt, E-ja nuk ndiqet por i ndjek ose i vë përpara vetes ose i parashoqëron në të njëjtin drejtim hundoret përkatëse të cekura: m, n, nj. Gjithsesi formulimi në fjalë lypset rishikuar. Na merr mendja se e mira së mirës do të ishte që folja ndjek ndiqet të zëvendësohet me ndonjë fjalë tjetër sinonime më të përshtatshme, e cila edhedo t’i përgjigjej më natyrshëm kontekstit

 Së dyti, si çështje e diskutueshme lidhur me hundorëzimin gegë nga shembujt ilustrues të kryerreshtit të parë nxjerrim këto katër fjalë, emrat: dhembje, qengj, qenësi, dhe foljen ndenja Themi kështu sepse te fjala dhembja në gegërishte E-ja del e palatalizuar në I, më tepër shqiptohet dhimbje e jo dhembje me e nazale, ashtu si edhe qengj që shqiptohet qingj jo qengj, ndërsa qenësi nuk është në FSHS po qeniesi, megjithatë edhe te kjo fjalë nuk duket se del i shfaqur hundorëzimi ashtu si edhe te folja ndenja  (rri/ja!), me ndejë a me ndejtë (jo me e nazale).

Pra shembujt e cituar prej nesh për mendimin tonë më mirë do të ishte që të hiqeshin krejt nga ky grup shembujsh, sepse, sot për sot, nuk i përgjigjen formulimit të rregullës rreth hundorëzimit.

 Së treti, meriton të ceket veçmas folja ndenjur ndenja, ngase është e vetmja folje që në FSHS del e shënuar me NJ. Siç dihet tek të gjitha foljet e tjera është pranuar evoluimi i nj-së në –J, prandaj propozojmë që edhe  kjo fjalë të shënohet me -J: ndeja me ndejë a me ndejtë. Për mendimin tonë nuk ka arsye që folje ndenjur (me ndejë)  të ndahet nga grupimi e foljeve  me –J.

Së katërti, po shtojmë edhe rastin rreth raportit j/nj se sikurse që është vepruar me foljet mbase duhet a mund të veprohet edhe tek sistemi emëror, siç janë shembujt: e kryerreshtit të parafundit: gështenjë / gështejë, penj-të/ pejtë, i shtrenjtë / i shtrejtë,  i shenjtë/ i shejtë. Me fjalë të tjera, kjo çështje del e hapur.

Së pesti,  te kryerreshti i fundit mungon sqarimi për shembujt: ndej, i nderë, ngase nuk sqarohet fare se me cilën bashkëtingëllore të sipërcekur: m, n,  nj E-ja është në raport?

Së gjashti, si ilustrim për fjalë të përbëra që citohet në rregullën e mësipërme jepet vetëm shembulli  zëvendës zëvendësoj, rast ky, si me thënë, i vetmuar, i cili edhe s’mund të cilësohet si një shembull i denjë përfaqësues i mirëfilltë bindës i ndonjë modeli prodhimtar i emrave të përbërë, prandaj duhet shënuar jo ky shembull, por ndonjë tjetër me përfaqësim tipik më bindës.

 

3. Te Paragrafi 2 (Zanorja E e patheksuar) duhen sqaruar tri çështje:

Së pari, disa shembuj nga grupi i parë që prejardhjesisht dalin mjaft heterogjenë, p.sh. emri i tipit lule-lulja  vjen si singularizim i shumësit,  disa të tjerë si: artiste-ja, mësuese–ja janë femërorëzim i mashkullorit përkatës:    artist-i, mësues-i, kurse grupi tjetër shishe-ja, perde-ja vjen si huazim transfer nga turqishtja, prandaj propozojmë që shembujt e tillë të ndahen, së paku, me pikëpresje varësisht nga prejardhja a trajtëformimi i tyre.

  Së dyti, edhe për grupin e dytë të shembujve vlen kontatimi i mësipërm, sepse duhen dalluar shembujt e parmë me fundoren –je  si p.sh. anije, çështje familje, nga shembujt e grupit tjetër me prejardhje po me formantin e qartë prapashtesor –JE, siç është tipi i prejpjesorëve: ardhje,-a, nisje-a etj. 

 

4, Rreth Paragrafit 3 (Zanorja Ë e theksuar) nuk dimë arsyen pse nuk ndahen emrat nga foljet ose së paku, pse nuk janë ndarë me pikëpresje a në ndonjë mënyrë tjetër? Sidoqoftë, këtë rast shtrojmë këto gjashtë pyetje që njëherazi mund të cilësohen si  pika që kërkojnë sqarim:

Së pari, pse mbiemri i gjanë  me A hundore në trup i gegërishtes nuk del në toskërishte (shqipen letrare) me –ë siç rekomandohet për të gjitha rastet e tjera, po del me –e i gjerë.  Po kështu i gjërë me –Ë- po dëgjohet rëndomë e shqiptuar kjo fjalë nga spikerët e mjeteve radiodifuzive të Shqipërisë. Fundja, pse vetëm për këtë fjalë norma lejon të bëhet përjashtim?

Së dyti, pse aty shënohet fjala njësi gjoja në vend të trajtës së gegërishtes njasi (me a hundore!), kur në të vërtetë në gegërishte ajo fjalë edhe sot si përherë, me sa dimë, shqiptohet me i  në trup njisi!? Po këtë shembull njisi e ndeshim edhe në Ortografinë e Prishtinës 1963, prandaj duhet të hiqet kjo fjalë, sepse nuk i takon grupit të fjalëve me a  hundore.

Së treti, po kështu fjalët  (kam) rënë, geg. (kam) ra, mëz-i  geg. maz-i  ose kënd-i  geg kand-i, shkëmb geg. shkamb-i, e ndonjë tjetër, me sa dimë, kurrë nuk janë shqiptuar e as shkruar me theks hundor në zanoren A, prandaj është mirë që rastet e tilla të hiqen nga grupi i shembujve ilustrues me theks hundor.

Së katërti, për mendimin tonë, s’ka arsye pse të rekomandohet, në njërën anë, kompozita shtatzënë shtatzëni e në anën tjetër fjalë-termi dorëzanë, dorëzani.. Pse mos të provohet që fjalët e tilla me –NI si shtatzëni /shtatzani si dorëzani /dorëzëni etj. të kenë drejtshkrim të njëjtë. Gjithsesi këto çështje është mirë të rishqyrtohen. (Shih për këtë edhe në FGJSH 2006 f. 1051) ku janë shënuar të dyja trajtat shtatzëni e shtatzani). Krahaso edhe paralelen -NI/-RI: çikni ndaj vajzëri, ngjashmëni ndaj ngjashmëri, ardhmëni  (e ardhme + NI) ndaj ardhmëri etj.

  pesti, lidhur me gegizmat që kanë hyrë në gjuhën letrare me –a e jo me –ë në trup të fjalës, të shënuara në fusnotë, pasi nuk janë shumë për nga  numri, pse të mos shënohen të gjitha pa treguesin etj.

Së gjashti, po aty  është shënuar emri ranishte, i cili me prapashtesën –ISHTE asociacionisht jep erë të sufiksit të serbishtes, pse mos të shënohet më drejt në shqipe prapashtesa me –Ë fundore -ISHTË ranishtë - ranishta  dhe jo ranishte ranishtja.

 

5.  Lidhur me Paragrafin  4  rreth formimit të fjalëve të shqipes me sufiksin e huazuar –LLËK të turqishtes  kemi dy sugjerime:

së pari,  të parapëlqehen sipas kontekstit trajtat e shqipes si bollshëm  për me bollëk, budalli e budallshëm  për  (është) budallallëk, me budallallëk (është) gomari, gomarshëm për (është) gomarllëk, me gomarllëk, hamalli për hamallëk, e kështu me radhë;

së dyti, është mirë që në kllapa të shënohen trajtat që janë lënë jashtë norme, pra përveç trajtës së normëzuar bollëk ose gomarllëk (që nuk kontestohen aspak prej nesh) të shtohen trajta jo normative: bollak, bollek bolluk bollyk a bollik ose gomarllak, gomarlluk, gomarllik, gomarllyk, gomarllik ngase trajtat me variantet: -llak, llek,-lluk, -llyk a -llik kanë përhapje mjaft të gjerë, sidomos në gjuhën e folur te ne.

 

  6. Te Paragrafi 5 (Ë-ja e patheksuar paratheksore), ia vlen të përsërisim vërejtjen e përgjithshme që shembujt është dashur të grupohen (ndahen) sipas pjesëve të ligjëratës, sidoqoftë, jo vetëm sa për të thënë diçka, por për më shumë se diçka, e shohim të nevojshme të japim ndonjë sugjerim si vërejtje, sipas pikave të caktuara:

E para, nën a)  shtrojmë tri çështje:

Së pari, pyesim mos është më mirë që krahas a në vend të trajtës thërres të qëndrojë trajta thërras (me thirrë), ngase kjo trajtë (thërras), si duket, ka përhapje më të gjerë dhe bashkohet me foljet me –AS që kanë model më të formësuar se a ato me –ES (?).

Së dyti, bie në sy se mbiemri i dëlirë (sipas kriterit etimo-historik) del ndryshe nga pjesorja dëlirur i dëlirur. Pikërisht kjo dukuri le të vlerësohet ngase, për ne si për të tjerë, zgjon interes. Të vihet re se asnjanësi ose mbiemri i emërzuar mund të dalë dyformësh të dëlirët dhe të dëlirurit, varësisht nga konteksti. Pra, nga komponenti bazë i prejardhjes, qoftë nga pjesorja e shkurtër (me dëlirë) ose mbiemri prejpjesor: i dëlirë të dëlirët, në njërën anë, qoftë emërzim i pjesore së zgjeruar: dëlirur i dëlirur, të dëlirurit,  në anën tjetër, shfrytëzohet mënyra e fjalëformimit.

Së treti, nga folja mësyj  (me mësy) del mësymje (jo mësyerje), pra këtu del e legalizuar pjesorja e zgjeruar e ish gegërishtes letrare me -m, dhe kjo është mirë, por ky fakt ia vlen të theksohet, ngase në burime të tjera disi  trajtat e tilla dalin nën hije ndaj trajtës së rotacizuar ose edhe anashkalohen fare.

E dyta, nën b) edhe këtu ndihet e nevojshme me u zëvendësue  përdorimi i foljes ndjek, ndiqet, me ndonjë sinonim tjetër ngase sipas logjikës -Ë-ja nuk ndiqet, por ndjek ose del e paravendosur ndaj “një teme që nis me bashkëtingëllore”. Sidoqoftë, edhe lidhur me shembujt nga kjo pikë, nevojiten sqarime përkatëse:. 

             Së pari, të vlerësohet a janë të nevojshme të dyja trajtat për të njëjtin koncept dorëzanë dhe dorëzanës. Kjo e fundit në të vërtetë si emërtim njeriu karakterizohet me prapashtesën e specializuar –ËS.

Së dyti, po ashtu nën b) disa fjalë-shembuj nuk shpjegohen me temën e vërtetë si b.f. anëtarësi shpjegohet nga anë jo nga anëtar, bulëzim nga bulë jo nga bulëzoj, udhëtim nga udhë në vend nga udhëtoj, valëzim nga valë në vend nga valëzoj e kështu me radhë. Për mos me lënë keqkuptim prapa kjo çështje është e lehtëzgjidhshme. Fundja, siç është vepruar me shembuj të tjerë në përdorimin paraprak të foljes përkatëse, mund të veprohet edhe me shembujt e  theksuar si të diskutueshëm prej nesh. 

Së treti, po në këtë pikë del i shënuar shembulli  zbetësi (i zbetë) në vend zbehtësi (i zbehtë), siç del në FD dhe në FSHS.

E treta, nën c) kemi këto vërejtje:

Së pari, arsyetimi rreth përdorimit të–Ë-së mbështetëse, rregulla  për fjalët që formohen nga tema me bashkëtingëllore dhe kanë një strukturë fonetiko-fjalëformuese të ngjashme me fjalët e mësipërme” është  sqarim jo i qartë, sidomos, kur është fjala lidhur me prapashtesën –tar(e), Krahaso:  harkëtar, kombëtar, lajmëtar, vargëtar, zdrukthëtar, në njërën anë, ndaj gjyqtar, kujdestar, tregtar, shkaktar zelltar,  tradhtar e kështu me radhë, në anën tjetër. Për mendimin tonë ka mundësi që ky grup emrash të harmonizohet (njëjtësohet), duke e hequr krejtësisht Ë-në mbështetëse, e cila nuk del e domosdoshme shqiptimisht, sidomos te emrat përkatës të gjinisë mashkullore.

Së dyti, te prapashtesa -tar/e, s’ka pasur nevojë të shënohet femërorizuesja –E, sepse nuk është rast i veçantë dhe një mënyrë e tillë del e vetëkuptueshme si rregull-model i njohur lidhur me femërorëzimin e emrave mashkullorë.

Së treti, te Shënimi nën b., ku jepen shembuj që sipas rekomandimit nuk shënohet Ë-ja, te fjalët e prejardhura  prej temash me bashkëtingëllore të lëngët: r, l ,ll, mendojmë se del konstatim fare i panevojshëm, sidomos për kohën tone, ngase nuk besojmë se dikush tashmë që e ka të kryer shkollën fillore, do të lajthisë me shkrue –Ë-në e paqenë fundore te rastet: i afërË  a afërË, i egërË a egërË,  letërË a letërËsi; i ëmbëlË a ëmbëlËsi. i vogëlË a vogëlËsi,  popullË a popullËsi, rregullË a rregullËsi e kështu me radhë.

            E katërta, nën ç) kemi një sugjerim, jo për temat me fundorët –ërr, -ël. –ëz por vetëm për një pjesë të fjalë-temave me fundoren –ËR. E kemi fjalën për ata shembujt që ishin dhe ende janë të gjallë në gegërishte me prapashtesën -ËN, pra nuk është fjala për shembujt: i poshtër, i pastër, misër etj, po për ata shembujt paralel me –ËN/-ËR. si p.sh: arbën/arbër arbnor, emën/.emër emnak, emnesë emnues, gjarpën/ gjarpër gjarpnushë etj. Prandaj për raste të tilla e kemi lehtë të sugjerojmë se nuk ka arsye të shënohet Ë-ja paratheksore Pra, sugjerojmë që si trajta gege ashtu edhe ajo toske të harmonizohen në shkrim, jo arbënor/arbëror, po arbnor/arbror, ose jo emërim po emrim ose emnim, jo gjarpërushë, po  gjarpnushë ose gjarprushë, ngjashëm sikurse i epër epror, ajër ajror, lakër lakror a laknor e kështu me radhë. 

 

7. Te Paragrafi 6 (Ë-ja pastheksore)  kemi këto vërejtje a sugjerime:

 E para, nën a) thuhet se shkruhet Ë-ja tek emrat femërorë e mashkullorë me formantet  fundore –ËZ, -ËS -ËSH, që në të vërtetë në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me prapashtesat përkatëse –S, -Z e –SH, ngase Ë-ja si fundore i takon temës fjalëformuese, si p.sh.: drejtëz-a nga i drejtë, lidhëz nga lidhë (me lidhë);  ardhës nga ardhë (me ardhë), blerës nga blerë, çelës nga çelë (me çelë); dyzetkëmbësh nga dyzetkëmbë, mijëshe nga mijë-a etj., prandaj në raste të tilla duhet konstatuar se kemi të bëjmë me parashtesën përkatëse –Z, -S ose –SH e jo me –ËZ, -ËS ose –ËSH. Por megjithatë mund të bëjë përjashtim ndonjë rast i rrallë (mbase edhe diskutueshëm), siç janë shembujt: (shtëpi) dykatëshe, veturë katërvendëshe e ndonjë tjetër, ku shfaqet një –Ë  mbështetëse. Pra edhe kjo çështje le të rivlerësohet. E dimë se mund të ketë edhe interpretim tjetër alternativ, po ky për ne është më i bindshmi.

 E dyta, nën b) kemi këto vërejtje:

Së pari, ngjashëm si në pikën e mësipërme, por për prapashtesë tjetër konstatojmë si më poshtë. Është e vërtetë se te disa mbiemra ndoshta mund të arsyetohet formanti –ËT si fundor, si p.sh: i dobët, i ngathët  e ndonjë tjetër, por te tipi tjetër si:  i cekët, i zbrazët, i errët, i përbashkët si prapashtesë del formanti –T jo -ËT, sepse Ë-ja vjen si fundore nga tema e qartë prodhuese e pjesores përkatëse. Krahaso me cekë (i cekët), me zbrazë (i zbrazët), me errë i errët), nga bashkë  (i përbashkët), e kështu me radhë 

 Së dyti, ndonëse nuk e kontestojmë zgjidhjen që jepet sipas Shënimit në fund të kësaj pike që mbiemrat me temë në –H fundore shkruhen me –të në njëjësin e pashquar, qoftë si asnjanës prejmbiemërorë, përkatësisht qoftë si mbiemra të mirëfilltë, megjithatë, na merr mendja se lypset sqaruar këtë çështje si më poshtë. Mbiemrat e tillë prej një teme me h i ftohët, i ngrohët të ftoh(ë)tit (që na i kujtojnë foljet: ftoh me ftohë, ngroh me ngrohë) zakonisht mund të përligjen me fundoren –ë/t, ndërsa si asnjanës  prejmbiemërorë marrën fundoren –të të ftohtët, prandaj kjo lypset sqaruar, ngase, përndryshe nuk dallohet qartë për shkak të homonimisë formale, kur emrat e tillë dalin si asnjanës në njëjësin e shquar e kur si mbiemra të emërzuar mashkullorë të shumësit të shquar, sepse mbiemrat e tillë mund të emërzohen, qoftë si asnjanës, qoftë si emra të gjinisë mashkullore.

 

8. Te Paragrafi 7 (nuk shkruhet Ë-ja pastheksore) tek emrat e mbiemrat më -ël. -ër, -ërr si dhe te mashkullorët me –izëm , -azëm, kemi këto vërejtje - plotësim:

E para, nën  a) vënerojmë:

Së pari,  tre fundorëve të sipërcituar (-ël, -ër, -ërr) lypset plotësuar teksti me fjalët: tek emrat mashkullorë e femërorë, ngase ashtu dalin shembujt. Krahaso: ajër ajri, drapër drapri ndaj bukël bukla, dhelpër dhelpra etj. Madje më mirë do të ishte që në tekstin e spastruar (korrigjuar) të drejtshkrimit të ndahen veç emrat mashkullorë, veç ata femërorë.

Së dyti, te shembulli egjër egjri ngatërrohet trajta e shquarsisë. Është në mashkullore, duhet të jetë në femërore egjër egjra.

Së treti, pse mos të citohet fakti në formulim se fjalët me formantet fundore: –IZËM, -AZËM janë huazime savante, zakonisht në cilësi ndërkombëtarizmi.

Së katërti, tek rastet i shtrembër i shtrembri, i shurdhër i shurdhri, që sot për sot s’kanë shembuj në gegnishte me varianti me –ËN, pse mos të përmenden edhe shembujt sinonimikë konkurrent me–Ë/T i shurdhët i shurdhti, i shtrembët i shtrembti që si raste mund të vlejnë për të dy dialektet e së këtejmi përdoren edhe si asnjanës: të shurdhtit a të shurdhët,  të shtrembëtit a të shtrembët etj.

Së pesti, kur është fjala te trajta e shquar dhe e pashquar e një emri

 nuk dimë pse të ndahet me presje i njëjti shembull. Në rastin konkret presja mund të përdoret vetëm kur ndahet fjala e caktuar me trajtat e veta përkatëse nga fjala tjetër, po ashtu edhe ajo me trajtat e veta përkatëse.

 E dyta, nën b) përveç te mbiemrat të plotësohet kuptimi se gjatë lakimit  nuk shënohet –Ë-ja edhe te mbiemrat e emëzuar me  -ëm dhe -shëm  dhe s’dimë pse është shënuar edhe J-ja aty, kur dihet se ajo është pjesë e vetë nyje-mbaresës përkatëse ose është epentetikë e zakonshme e emërores së njëjësit të shquar të femërores: Krahaso: i jashtëm i jashtmi të jashtmit, por e jashtme e jashtmja e  të jashtme-t.

E  treta, nën c), edhe lidhur me prapashtesat mbiemërore –shëm dhe –të vlen po ajo vërejtje që u dha në pikën e mëparshme, por tash femërorja e shquar merr –ja ose –a varësisht nga tipi i emrit (mbiemrit të emërzuar).. Krahaso: i natyrshëm i natyrshmi të natyrshmit, e natyrshme e natyrshmJA, të natyrshmet, ndërsa i përpiktë i përrpikti  të përpiktit, e përpiktë e përpiktA të përpiktat etj., ndëkaq asnjanësi, sipas nesh, më natyrshëm do të dilte me –Ë/T fundor:: të  natyrshmët, të përpiktët, ndërsa mbiemri i emërzuar mashkullorë  me –IT: të natyrshmit, të përpiktit, e kështu me radhë.

E katërta, nën ç) le të theksohet se elidimi i -Ë-së fundore te gjymtyra e parë e trajtave të përngjitura të habitores, bëhet, ngase trajta e shkurtër mbi bazë të të gjitha foljeve me konsonante si p.sh folja dal (me dalë), pjesorja dalë: dalkam, po ashtu nga ardhë: (me ardhë ardhkam)  etj. me ç’rast –ë-ja fundore e pjesores së shkurtë elidohet.

 

9.  Te Paragrafi 8  (Ë-ja fundore)  kemi këto vërejtje:

E para, nën a)  shënohen vetëm emra të tipit punë-a punë-t e jo ato të tipit nënë-a nëna-t që, siç është argumentuar në një punim tjetër, ku shihet se është trajtë tipike e numrit më të madh të femërorëve në gjuhën shqipe.

E dyta, nën b) janë shënuar edhe këto trajta të asnjanësve ballët, brumët, djathët, që nuk dalin të regjistruara në Fjalorin e shqipes së sotme; ndërsa  emrat: ujët, dhjamët jo, d.m.th. nuk dalin të shënuar këtu. Me fjalë të tjera duhen harmonizuar sadokudo shembujt në burimet relevante të shqipes sonë standarde..

E treta, nën c), të shikohet mundësia e dallimit, siç është përmendur edhe në një vend tjetër, që sikurse asnjanësit prejmbiemërorë  me H fundore  që marrin Ë/T (asnjanësit), e  I/T (mashkullorët), si p.sh nga mbiemri i ftohtë: të ftohtËT (neutri) ndërsa i ftohti  të ftohtit (mashkullori), të kenë zhvillim të njëjtë edhe tipat e tjerë si p.sh. nga mbiemri i përmenduri me dalë emërzimi i neutrit shumës: të përmendurët (koncept abstrakt), ndërsa të përmendurit emërzimi i mashkullorit të shquar, (koncept sigurisht më konkret nga i pari). Krahaso:  njerëzit e përmendur = të përmendurit ndaj  të përmendurët e të mosvepruarët nuk mjafton. Nuk insistojmë, por edhe hy sugjerim që po e përsërisim disa herë, pra, të kihet parasysh si mundësi diferencimi.

E katërta, nën ç) kur thuhet se mbiemrat e formuar nga foljet që mbarojnë me zanore, siç janë shembujt në kryerreshtin e dytë: i metë (mej) i mpitë (mpij) i ndytë (ndyj) i thatë (thaj) ka mospërputhje me realitetin e shkruar aty ndaj vetë formulimit të rregullës së larttheksuar, ngase siç po shihet shembujt ilustrues, d.m.th. foljet e tilla mbarojnë me –J fundore e cila është bashkëtingëllore jo zanore. Ku qëndron paqartësia? Duhet thënë e vërteta se mbiemrat e tilla kanë për temë, jo njëjësin e së tashmes, veta I, e dëftores së foljes së caktuar, siç janë shënuar aty: mej, mpij, ndyj, thaj, por  si temë prodhuese e kanë pjesoren e shkurtër të foljes përkatëse, të cilën, për me nxjerrë në pah më mirë po e shënojmë në kuadër të paskajores së mirëfilltë me + pjesore, si trajtë përfaqësuese që ishte kjo në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes. Krahaso: me me (me mejtë) (i metë), me (m)pi (i mpitë),  me ndy (i ndytë), me tha (i thatë). Pra, vetëm ky shpjegim përputhet me formulimin e rregullës së shprehur që s’do mend, është edhe shpjegim i vetëm i drejtë.

E pesta, nën d)  kemi dy vërejtje:

Së pari, te shumësi i emrave nuk dimë arsyen pse është shënuar  edhe shumësi i mbiemrave, pse ngatërrohen pa nevojë emrat me mbiemra, pasi dihet mirëfilli se sipas rregullës mbiemrat i përshtaten emrit përkatës, prandaj mbasi s’kemi të bëjmë me rast të veçantë, përzierja e mbiemrave të tillë me emra del e panevojshme. Mjafton të thuhet emrat ose mbiemrat e emëzuar.

 Së dyti, po aty del i shënuar emri tonË. Nuk dimë është fjala për peshk apo për masën ton (tonelatë) ose për mbiemër pronorë ?! Sidoqoftë, për mos me lënë mëdyshje ka mundësi që kjo fjalë të hiqet ose të qartësohet  se për cilin koncept është fjala.

E gjashta, nën dh), rregulla është e qartë se shënohen me –TË në shumësin e shquar njërrokëshat dhe emrat tek të cilët theksi bie në rrokjen e fundit, si: desh-të, barinj-të, të mëdhenj–të, por këtu vetëm nj-ja del e diskutueshme, sidomos te shembulli i fundit: barij/barinj-të Mbase pas rishqyrtimit të normës edhe kjo pikë e diskutueshme, raporti nj/j do të zgjidhet në dobi të J-së. Edhe për këtë çështje kemi sugjerim- propozimin tonë të shprehur në një punim tjetër.

E shtata, nën e)  kemi dy vërejtje:

së pari, shënohen rastet kur trajtat marrin –Ë fundore edhe në shumës, si p.sh  e re  të resë, po këtij emërzimi nuk dimë pse nuk i shënohet shumësi? Madje duhet dalluar shumësi të rejat ose vetëm  re-ja rejat për t’u dalluar e reja të rejat  si emër abstrakt i paranyjëzuar. Është fjala për dallimin nusja e djalit emër konkret ose i përgjithshëm i njeriut: rejë-a reja-t (e mia), por,gjithsesi me nyje të përparme: e reja  (e tij, d.m.th. nusja e djalit të tij)  Në të vërtetë, kur ka shembuj të tjerë më të qartë pse mos të shënohen rastet e tilla me shembuj më të përzgjedhur, më të padiskutueshëm?

së dyti, madje po aty te trajtat rasore edhe te shkurtesa ATSH-së nga ATSH—ja, lakimi në rasë shënohet mirë, ndërsa te emër-shkurtesa SMT shënohet si duket vetëm shumësi SMT-të e nuk shënohet emri në ndonjë rasë tjetër. Lidhur me këtë,  mendojmë se  është dashur që shembujt e tillë të sqarohen më mirë, duke i shënuar, së pari trajtat në emërore njëjës e shumës e pastaj dhe trajta përkatëse rasore, në rast nevoje.

E teta, nën ë) pse del dorezë-a që më parë shënohej dorëz dorëzat, emër ky i cili zakonisht del si pluraliatantum, por që mendojmë se të dyja trajtat mund të kenë njëjës e shumës varësisht nga koncepti që mbulojnë si : dorëza e plugut, dorëza e derës, dorëzat e duarve, dorëzat e grurit  (jo dorezat!) etj. Pra, jo vetëm ka mundësi, por duhet të aktivizohen të dyja trajtat dorezë-a doreza-t edhe dorëz–a dorëzat për koncepte të ndryshme, ngase edhe gjësendet konkrete ofrohen me koncepte të diferencuara. Për këtë mjafton të konsultohet FShS-ja.

E nënta, nën h) kemi tri vërejtje:

së pari, bashkë me foljet të cilat me të drejtë quhen me temë në zanore, është shënuar edhe folja punoj (me punue), e cila, në të vërtetë, po ashtu  si foljet  përziej thyej, ruaj, shkruaj u bashkohet foljeve me temë më grupzanor e jo atyre me temë në zanore.  Pra lypset rishikuarkëtë rast pozita e foljes punoj (me punue, punuar);

së dyti, po aty nuk shpjegohet e vërteta, pse e si atyre u del tema e qartë në zanore ose grupzanor?! Siç dihet tema e tillë u del ashtu, sipas konstatimit të lartcituar, vetëm e vetëm nëse ilustrohen shembujt me pjesoren e shkurtër, përkatësisht me paskajoren e mirëfilltë. Krahaso: me fshi (fshij), me punue (punoj), me përzie (përziej), me  thye (thyej), me  rue (ruaj), me shkrue (shkruaj) etj.  Këtë fakt duhet ta kenë në konsideratë   standardologët e sotëm. Sigurisht, s’duhen rënë pre e paradoksit, se gjoja shqipja e sotme nuk e njihka pjesoren e shkurtër të këtyre foljeve, kurse në rregullën e lartcituar faktikisht domosdo një fakt i tillë njihet.

Pra, për hir të së vërtetës shkencore, përkatësisht realitetit objektiv pjesorja e shkurtër duhet rehabilituar edhe në interpretim, madje edhe duhet ilustruar me shembuj konkretë. Prandaj, tashemenjëherë nga standaologët tanë kërkohet esullim dhe këtë çështje ta pranojnë pa ngurrim dhe ta sqarojnë e interpretojnë si duhet;

së treti, vetëm kështu, duke e njohur pjesoren e shkurtër mund të arsyetohet sqarimi i atyshëm se “kryesisht për arsye morfologjike shkruhen kështu edhe foljet  me grup zanoresh të ndjekur (më drejt: të passhoqëuara, n.v.) nga një J,  si  punojmë, të përziejmë, të zhyejmë, të ruajmë, të shkruajmë etj, përndryshe nëse si trajtë përfaqësuese fjalëformuese nuk pranohet pjesorja e shkurtër po vetëm veta e parë njëjës e dëftores, siç ilustrohet aty, e cila gjithsesi e ka J-në mbështetëse, andaj një sqarim i tillë del i panevojshëm, për mos me thënë absurd.

E dhjeta, nën k) lidhur me tekstin: “marrin -Ë fundore pjesoret e foljeve me temë më zanore a me l ll, r, rr dhe mbiemrat e nyjshëm të formuar prej tyre, kemi pesë vërejtje:

Së pari, lypset sqaruar disa gjëra lidhur me përkufizimin e parë të kësaj pike

1.  Konstatimi për foljet  e shënuara aty: qarë, blerë, bërë, pirë, fryrë që bëjnë pjesë në kuadër të foljeve me pjesore me temë në zanore është i drejtë, po këto raste është dashur të ndahen së paku me pikëpresje nga shembujt e tjerë (nga foljet apofonike) e jo të lidhen vetëm me lidhëzën a, ngase nuk janë të një tipi. Themi kështu se për të treguar temën me zanore, siç thuhet në atë rregull nuk duhet të mbështetemi në trajtën e sotme përfaqësuese, d.m.th. në vetën e parë të së tashmes të njëjësit të dëftores: qaj, blej, pi, fryj, as në pjesoren e letrarishtes së sotme: qarë, blerë, fryrë, po e kërkojmë të vërtetën dhe atë të vërtetë e gjejmë, llokum në gojë, vetëm te pjesoret e shkurtra përkatëse (të gegërishtes!), e cila, po përsërisim, del më qartë, siç u cek edhe më përpara, në kuadër të paskajores me + pjesore të shkurtër (me të cilën frymon organikisht si e pandarë). me qa, me ble, me pi, me fry.

2. Pra, për hir të së vërtetës shkencore, siç na imponon realiteti, kodi drejtshkrimor i shqipes duhet t’i pranojë dhe t’i shënojë patjetër të dyja trajtat e pjesores: trajtën e shkurtër (gege) dhe trajtën e zgjeruar të shqipes së sotme letrare (toske) dhe që të dyja duhet të cilësohen si trajta të shqipes së sotme standarde: qa/qarë, ble/blerë, pi/pirë, fry/fryrë, sepse kryejnë  edhe funksione të ndryshme.

3. Siç dihet pjesorja e zgjeruar me –rë që paraqitet sot si trajtë stabile në toskërishte, siç e shpjegojnë historianët e gjuhës, është refleks i një pjesoreje të vjetër të gjuhës shqipe të përbashkët. me -*NË fundore, prej nga  formanti *N/Ë (në toskërishten e lashtë), në pozitë mes dy zanoresh, u rotacizua  në –R/Ë.   

Pra vetëm në këtë mënyrë teksti nga pika 8/k “pjesoret me temë më zanore: qarë,  blerë,  pirë,  fryrë del i kuptueshëm, pra, nga foljet qaj me qa, blej me ble, pi(j) me pi, fryj me fry. Problemi a konfuzioni që ekziston në realitetin e sotëm gramatikor është i krijuar artificialisht nga normëvenësit tanë te periudhës para e pas Kongresit të Drejtshkrimit, sepse sipas gjykimit të tyre, shqipja e sotme letrare gjoja nuk e njohka ose e quan të huaj pjesoren e shkurtë të këtij tipi të foljeve, në njërën anë e në anën tjetër po ata stardardistë, siç po shihet nga teksti në shqyrtim, domosdo e pohojnë të vërtetën se një trajtë e tillë e shqipes (letrare) ekzistuaka, në këto raste, madje edhe shërbyeka si temë prodhuese e pjesores së dytë(!?). S’do mend se kur kemi parasysh realitetin që imponohet, mendojmë se është koha, po e ripërsërisim, që standardologët tanë të sotëm të esëllohen, të vetëdijesohen dhe këtë çështje, d.m.th. çështjen e pjesores së shkurtër në kuadër të paskajores së mirëfilltë që ndeshet edhe në përdorim të pavarur, ta zgjidhin plotësisht e si ka hije me rehabilitimin e saj të plotë dhe kjo mund të  bëhet fare lehtë. Propozimin e kemi pasë dhënë më përpara e tashti vetëm po e përsërisim. Rekomandojmë që para kryerreshtit të fundit të kësaj pike të shtohet teksti:

Edhe pjesoret mbi temë në bashkëtingëllore në kuadër të paskajores së mirëfilltë marrin –Ë fundore.P.sh.: me marrë, me shitë, me folë, me këqyrë etj. Ndërsa pas kryerreshtit të fundit të shtohet teksti tjetëri: Është i lejueshëm , për arsye shkencore e të tjera, përdorimi i pjesores së shkurtër në kuadër të paskajores së mirëfilltë (pa formantin -R ose -RË të pjesores së letrarishtes së sotme). P.sh.: me pëlqye (pëlqyer), me shkrue (shktruar), me pi (pirë), me  ble (blerë) etj.

Së dyti, lidhur me foljet me l, ll, r, rr  R- ja duhet të hiqet menjëherë, sepse në shqipen letrare nuk kemi asnjë folje të pranuar apofonike me –R fundore. Meqë ky rast që nga alternativa është kthyer në sigafë, është trajtuar më gjerësisht në një vend tjetër,  këtu, po shtojmë vetëm pak fjalë. Është e vërtetë se foljet joapofonike që në shqipen letrare  kanë –r fundore, numri i të cilave i afrohet 30-shit që të gjitha në pjesore marrin prapashtesën –ur, përveç dy rasteve: lëmbar dhe tumir, të formuara me parashtesim nga ndajfoljet mbarë dhe mirë, të cilat në pjesore marrin prapashtesën –Ë: lëmbarë (me lëmbarë) dhe tumirë (me tumirë), raste këto të vetmuara, por të diskutueshme, ngase me sa dimë në asnjë burim normativ nuk shpjegohet ndarja e tyre nga grupi i foljeve të  tjera  me –UR. Sidoqoftë, siç u tha, në letrarishten e sotme nuk kemi asnjë folje apofonike që në trajtën përfaqësuese merr fundoren –R.

Së treti, nuk kontestohet aspak rregulla lidhur me pjesoret e foljeve me togzanor, por kur është fjala tek emërzimi i mbiemrave prejpjesorë të paranyjëzuar, qoftë asnjanës ose të gjinisë mashkullore, nëse kërkon konteksti që prejpjesorët e tillë të dallohen në raportin ndërgjinior asnjanës i paranyjëzuar / mbiemër shumës i paranyjëzuar, siç jemi shprehur më përpara, edhe këtu, risugjerojmë  edhe për këtë tip foljesh që asnjanësit me marrë nyje-mbaresën –ËT në njëjësin e shquar, ndërsa teksti i njëjtë me -IT mjafton të shënohet  si  tregues i vetëm për shumësin e  emrave mashkullorë, ndërsa shembujt (emrat) e gjinisë femërore të shënohen pa mbiemra. Pra, prejpjesori mashkullor në shumësin e shquar me marrë nyje-mbaresën –IT, si p.sh. të përzierit, të lyerit, të mësuarit, të shkruarit etj., ndërsa emrat asnjanës, në njëjësin e shquar me marrë nyje-mbaresën –ËT: të përzierët, të lyerët, të mësuarët, të shkruarët, e kështu me radhë.

 

10. Lidhur me Paragrafin 9 (nuk shkruhet –Ë-ja fundore) para se të japim një gjykim të pëgjithshëm rreth këtij paragrafi, lidhur me tekstin ekzistues po i shprehim  këto vërejtje:

E para, nën a):

së pari, është shënuar  bukurëz duhet bukurezë-a,

së dyti, nuk dihet mirë që trajta rregull shkon me gjininë femërore si shpatull, nofull nofulla apo shkon me tingull pasi shembujt nuk shquhen dhe dihet se gjinia e emrit  rregull ndahet në të shkruar vetëm kur të shquhet  m. rregull rregulli (s’ ka shumës),  përkatësisht  f. rregull rregulla rregullat..

E dyta, në pikën ç), mbase më mirë do të ishte që të dilte shembulli  më tresh se më trish?.

E treta, nën pikën dh) pse nuk është shënuar tipi i mbiemrave i squet, të squetit etj., sepse edhe këta përdoren në realitetin tonë gjuhësor dhe i takojnë po atij grupi të shembujve të përfshirë në atë pikë.

E katërta, pse nën pikën gj) nuk janë shënuar trajtat e shumësit të urdhërores për foljet  lër lini, shpjer shpini, shtjer shtimi, zër zini, përzër përzini? 

Shënim: Tashti po e shfaqim gjykimin tonë të përgjithshëm që e paralajmëruam, i cili ka të bëjë me një propozim, mbase për dikë të guximshëm, por për ne jo të palogjikshëm. Pra, propozojmë që ky paragraf me tërë përmbajtjen që ka të mos përfshihet fare në tekstin përfundimtar të drejtshkrimit të ri.  Kur mendojmë kështu kemi parasysh faktin se një rregull e tillë ka qenë e nevojshme të theksohej, ndoshta në fillimin e shekullit XX, por për kohën e tashme në kapërcyell të shekullit XXI, del i tejkaluar. Prandaj besojmë se tashmë drejtshkrimi i fjalëve të tilla del plotësisht i përvetësuar. Fundja, kush i shkruan sot fjalët e mëposhtme me –Ë fundore, të cilat po i rikujtojmë me nga një shembull sipas 12 pikave të cekura në burimin në fjalë, ku, pra, nuk duhet përdorur –Ë-ja fundore që ne po e vëmë me shkronjë të madhe -Ë, vetëm sa për të treguar se rregullat sipas këtij paragrafi dalin krejtësisht të panevojshme për kohën tonë:  Pra Ë-nuk duhet vënë:

a)  pas emrave që mbarojnë me –ËL, -ËR, -ËRR, -ËZ, -UR si b.f.: :pupëlË-a, dhelpërË-a, kokërrË-a,  lidhëzË-a kumbullË-a ose hekurË..

b) pas emrave që në shumësin e pashquar dalin me një nga bashkëtingëllore: gj, -q, -j, -nj  të prira nga një zanore si p.sh.  zogjË, fiqË, bijË, ftonjË, përkatësisht: cjepË, djemË. dhenË, qenË etj.

c) pas emrave që shumësin e pashquar e bëjnë me dy bashkëtingëllore dhe të atyre që mbarojnë me –l.-r.-s, -z, si  b.f. bujqË, krushqË, murgjË, të vegjëlË,  mbretërË,  blerësË, njerëzË etj.

ç)  pas emrave në trajtën e rrjedhores së pashquar shumës që mbarojnë me zanore të theksuar si p.sh.: grashË, byroshË, ose më dyshË, dyfishË etj.

d) pas mbiemrave të formuar me prapashtesat: -(ë)m, -shëm, si p.sh.  i epërmË,  i ndryshëmË, i ardhshëmË, i vjetshëmË etj

dh) pas mbiemrave të formuar nga emra, numërorë e ndajfolje me theksin mbi rrokjen e parafundit, si i akulltË,  i avulltË,  i hekurtË, i misërtË, i panumërtË,  i katërtË,  i tepërtË etj.

e) pas pjesoreve dhe mbiemrave përkatës me –ur, -ier, yer, -uar si p.sh.: i ardhurË,  i pasurË, i përkryerË,  i bluarË,  i zgjuarË

ë) pas trajtave të vetës së parë dhe të tretë të shumësit të së tashmes dëftore e lidhore të foljeve me temë më bashkëtingëllore ose me –ie si p.sh.  të djegimË, të djeginË; të biemË, të bienË etj.

f) pas trajtave të shumësit të së pakryerës së dëftores e të lidhores tek të gjitha foljet, si p.sh.: të ecnimË, të ecnitË, të ecninË;  të punonimË, të punonitË, të punoninË, të zinimË, të zinitË, të zininË etj.

g) pas trajtave të shumësit të së kryerës së thjeshtë të foljeve me temë më bashkëtingëllore, si dhe trajtave të shumësit të kësaj kohe që përmbajnë një grup zanoresh, si p.sh.: humbëmË, humbëtË humbënË; përziemË, përzietË, përzienË etj.

gj) pas trajtave të urdhërores së foljeve që te kjo mënyrë e kanë temën më bashkëtingëllore: bjerË, çelË, folË, ecË,  hipË, ikË lërË, zërË, zhdukË etj.

h) pas përemrave dëftorë si dhe atyre pronorë: i atijË, i këtijË, i kësajË, i sajË etj.

 Pra pas shembujve që i shënuam më sipër besojmë se vërtet ky paragraf as që ka pasur nevojë të përfshihej në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe të vitit 1973, por edhe më hiç ka nevojë të përfshihet tashembastashit në drejtshkrimin e ripunuar pas  35 e sa vjetësh.

Mbase përmbajtja si vërejtje lidhur me këtë çështje mund të qëndrojë vetëm si përkujtesë se dikur në shkrimet e rilindësve e ku ta dimë ndeshim trajta të tilla me -Ë, por që tash pothuajse 50 vjet  e më tepër drejtshkrimisht nuk përdoren më.

 

11. Te Paragrafi 10 aty ku thuhet se shkruhen me u në të gjitha rasat emrat e mbiemrat me -ull, -ur dhe fjalët e formuara prej tyre kemi tri vërejtje:

E para, mendojmë se fjala mbiemrat del e shënuar pa nevojë të domosdoshme, ngase më tepër kemi të bëjmë, pra, me emra, përkatësisht me mbiemra të emërzuar, të konvertuar në emra.

E dyta tek emrat duhet shtuar tekstin  emrat e gjinisë mashkullore dhe femërore, sepse  vërtet me –ull  e -ur dalin emrat e dy gjinive.

E treta, madje te fjalët me –ur përveç flutur në gjininë femërore duhet cekur se ashtu eptohen edhe të gjithë prejmbiemrorët e prejpjesorët: të paranyjëzuar femërorë të emërzuar nga foljet me konsonante si femërorët: e lumtur-a,  e hedhur-a , përkatësisht mashkullorët: i lumtur, i hedhur etj. .

 

12. Te Paragrafi  12,  në raportin u/y ndoshta duhet rishikuar ndonjë emër me origjinë arabe a nga terminologjia kuranore si: mysafir / musafir, mysliman / musliman, pra në dobi të U-së, ngase y-ja te fjalët e tilla i takon e shqiptimit turk, ndërsa U –ja është e shqiptimit origjinal (arab).

 

13. Te Paragrafi 13  na ranë në sy formulimet jo të drejta, si p.sh:

E para, nën a) kemi vërejtje anësore, ngase grupi zanor -IE- nuk ndiqet (!) nga l, ll, r - po grupi zanor –IE- i parashoqëron i ndjek bashkëtingëlloret e tilla të lëngëta tek emrat e caktuar. Krahaso: e diel, miell, fier etj.

E dyta, edhe nën b) nga –J-ja, siç thuhet aty, ndiqet togzanori, në të vërtetë grupi i zanoreve ndjek –J-në mbështetëse, ngase J-ja del si fundor i  foljes përkatëse më –IE fundore, si: ziej, përziej, ndiej.

 

14. Te Paragrafi 14  vëmë re  këto  dy çështje të diskutueshme:

E para, aty thuhet se foljet me l. ll. rr  që në njëjësin e dëftores marrin –JE si mjel, mbjell, tjerr janë të një tipi me foljet: rrjedh,  djeg, pjek, rrjep, d.m.th, foljet me fundoret –dh, -g, -k dhe -p. Këtu del e diskutueshme qëndrueshmëria e fjalës tip, ngase foljet e tilla shikuar nga një aspekt më i gjerë lidhur me veçoritë e sotme dalluese, nuk mund t’i takojnë të njëjtit tip, sepse nuk përputhen në kategori të tjera. Në të vërtetë, në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes kishin përputhje më të madhe, qoftë në aorist, qoftë edhe sa i përket pjesores (së shkurtër) me –Ë, përkatësisht paskajores me + pjesore, si trajtë përfaqësuese: me rrjedhë, me djegë, me  pjekë, me rrjepë, por tashti në letrarishten e sotme pjesorja e tyre del me –UR fundor. Të vlerësohet sa është e drejtë që këto folje në shqipen e sotme letrare të cilësohen të një tipi të vetëm?

E dyta, pse edhe për foljet e tilla të tipit tjetër nuk është dhënë i njëjti eptim sikurse janë dhënë shembuj për foljet apofonike me l, ll, rr? Pra mungojnë shembuj për katër shembujt e foljeve me fundoret: -dh, -d, -k e -p. Kjo zbrazëti duhet të plotësohet.

 

15. Te  Paragrafi 15  kemi dy vërejtje:

Së pari, aty ku thuhet qartë se ruhet grupi zanor ye, po për shkak të mosndarjes së emrave veç nga foljet formohet konfuzion pa nevojë për shembujt e caktuar. Nuk dihet mirë a janë emra apo janë folje? Konkretisht fjala fyell dihet që është emër po fyej në këtë trajtë mund të jetë (unë) fyej me fye (folje), por edhe shumësi i emrit fyell fyej?

Së dyti, po aty në kundërshtim me konstatimin e sipërtheksuar se ruhet grupi YE, përkundrazi ky grup nuk ruhet tek emrat e shënuar po aty si ngjyrë (ngjyej), lyrë (lyej), pra grupi YE del i asimiluar në –u-.  Pikërisht ky fakt e bën të rishikueshëm formulimin e mësipërm. Fundi i fundit a kemi të bëjmë këtu me  prejpjesorë të tipit të veçantë apo jo? 

                                                                                                   

16. Te Paragrafi 16 kemi këto të vëna re:

E para, nën a) kemi dy vënerime:

Së pari, thuhet se grupi UA ruhet i plotë tek emrat e mbiemrat, mbase duhet shënuar tek emrat mashkullorë e femërorë dhe mbiemrat e emëzuar.

Së dyti, vërejtja jonë ka të bëjë edhe me faktin se nuk është shënuar sa për ilustrim asnjë mbiemër me ua, siç del në formulim, përkundrazi mbiemri i vetëm i shënuar aty nuk përputhet me formulimin e mësipërm, ngase del me togun ua të asimiluar në –U-: mujor, tremujor, gjashtëmujor-i (mbiemër i emërzuar).

E dyta, lidhur me trajtat e pjesores së habitorës për tipin e foljeve më –Oj dhe -UAj kemi dy vërejtje:

Së pari, te këto folje del e diskutueshme trajta e parë e habitores, pasi në vend shkruekam tani del shkruakam, d.m.th. pjesorja e shkurtër e gegërishtes është zëvendësuar analogjikisht me pjesoren e cunguar inekzistente të toskërishtes (!): shkrua. Pra nga shkruakam, norma e sotme  njeh shkruakam (jo shkruarkam as shkruekam)! Ne e paraqitëm këtë fakt jo për të kundërshtuar normën, por për ta vënë në pah mënyrën e tillë të ngjizjes, karakteristikë e letrarishtes së sotme, e cila, në njërën anë, nuk pranoi pjesoren e gegërishtes, e në anën tjetër e pranon të cunguarën toske (joekzistuese) me –UA?! Sidoqoftë, dihet se  letrarishtja e sotme e pranon dyzanorshin –ue tek emrat e mbiemrat e tipit: mësues, mësuesi; i pajtueshëm , pajtueshmëri etj.

Së dyti, njëherazi për t’i ikur këtij konfuzioni, si duket, në raportin  shkruakam / shkruarkam a shkruekam në burime të caktuara pas botimit të Drejtshkrimit (1973), doli e publikuar në Shtojcën e FSHS një trajtë tjetër paralele e nornmëzuar: shkrokam, punokam, d.m.th. me zanoren O kompromise (Krahaso: punuekam, punuakam, punuarkam – punokam, prandaj edhe kjo çështje duhet  ta gjejë zgjidhjen a interpretimin e duhur nga kompetentët, sepse në gjendjen e sotme trajta puno- nuk mund të quhet pjesore dhe si rrjedhojë formulimi dhe interpretimi gramatikor i deritashëm, nëse pranohet kjo mënyrë derejtshskrimore, rreth formimit të trajtave të habitores duhet të ndryshojë patjetër, duke iu përshtatur realitetit të imponuar.

                                                                                  

17. Te Paragrafi 17, ku thuhet se shkruhen me UE emrat dhe mbiemrat foljorë të formuar me parashtesën –S, dhe –SHËM,  nga foljet me temë në –o / ua (!) tipi botues -e, përkatësisht i afrueshëm. kemi këto katër vërejtje:

E para, aty teksti “folje me temë në –ua” pa sqarimin plotësues se  kemi të bëjmë me trajtën përfaqësuese të foljes, krijon paqartësi ndaj paraleles -ue, sepse, në të vërtetë,  vetëm  pjesorja e foljes më  UE shërben si temë fjalëformuese jo –ajo me –UA fundore  që nuk ekziston (!). S’do mend se asnjë emër as mbiemër me –s e –shëm në letrarishten e sotme nuk del në mbështje  të foljes me -UA, por vetëm me -UE  Krahaso: folja shkruaj/ por: shkruej me shkrue: shkrues, i shkrueshëm shkrueshshmëri etj.

E dyta, pse emrat, veç në njëjësin e pashquar të gjinisë mashkullore si trajtë përfaqësuese, janë shënuar pa nevojë fare edhe në femërore, ngase trajtat e tilla në gjininë femërore, siç është vepruar me mbiemrat  foljorë, janë të vetëkuptueshme në kuadër të rregullave të fjalëformimit, prandaj s’del e nevojshme me i regjistrue fare në Drejtshkrim si trajta paralele.

E  treta, pse nuk thuhet e vërteta shtruet e qartë se fjalët e tilla janë formuar nga pjesorja e shkurtër më -UE fundore, e cila, ishte trajtë e normëzuar në ish-shqipen letrare mbi bazë të pjesores së gegërishtes dhe përdoret edhe sot në funksione të ndryshme e ndër të tjera edhe si trajtë normative në kuadër të paskajores së mirëfilltë të pavarur.

E katërta, pse aty jepet shpjegimi gjysmak, jo vetëm lidhur me foljet e tipit me –UAj, po edhe me –Oj, ngase nuk jepen shembujt si b.f. tipi punoj (me punue) punue punues dhe as të tipit më –UA/j  shkruaj shkruej (me shkrue) shkrue shkrues. Prandaj propozojmë që në tekstin integral të spastruar, pas tekstit ekzistues po kështu shkruhen...” të shtohet ky përplotësim:”edhe pjesorja e shkurtër, përkatësish paskajorja e mirëfilltë me + pjesore e shkurtër e foljeve me –O/j e UA/j/UE/j dhe mbyllet me tekstin ekzistues “edhe fjalët e formuara prej tyre”.

 

            18. Te Paragrafi 18 lypset sqaruar se kur kemi të bëjmë me dy fjalë (kompozita ose sufiks + temë-fjalë) që fundorja e fjalës së parë përkon me nistoren e fjalës vijuese lejohet të shënohen të dyja zanoret e njëjta, por kjo dukuri nuk duhet ngatërruar me fjalët e prejardhura të huazuara të tipit me prapashtesën -im, si b.f. asocim ose inicim, ngase këtu kemi të bëjmë me temë-foljen e gjuhës së huaj asociare a iniciare të konvertuar në shqipe, sipas huazimit të pjesshëm asocoj me asocue  (jo me asociue) ose inicoj  me inicue (jo me iniciue) + prapashtesa e shqipes –im:  asocim, inicim si emër veprimi që ka model fjalëformimi: mbi bazë të një pjesoreje të dikurshme të foljes më –Oj, këtu konkretisht nga folja asocoj ose inicoj. Pra, nuk i kemi të bëjmë me dy fjalë, po vetëm me një emër të prejardhur.    FGJSH 2006 del rasti i diskutueshëm asicioj asociim!, por te shembulli i ngjashëm negocioj del negocim. Këtu del njëfarë përmirësimi si mbështetje të propozimit tonë. Sidoqoftë, edhe rastet e tilla duhen shqyrtuar dhe përcaktuar drejtshkrimisht.

 

19. Te Paragrafi 19 kemi këto vërejtje:

E para, nën a), te shprehja “të m’u bësh të fala”, sa është i pranishëm dhe sa ndihmon apo jo në larminë e shprehjes reflektimi a ndikimi paralel i sinonimit me paskajoren e mirëfilltë: me m’iu bë të fala, ose: t’ia thuash të gjitha – me m’ ia thënë të gjitha ose të mos m’ia prishësh qejfin – për mos me m’ ia prishë qejfin etj. Ky është vetëm një sugjerim në të mirë të shfrytëzimi të të gjitha vlerave paralele sinonimike që ka gjuha jonë.

            E dyta, nën b),  kur sqarohet se apostrofi vihet pas pjesëzës  mohuese  S’ dhe pas përemrit Ç’, s’ka arsye të mos shënohet edhe shqiptimi i  pjesëzës s’ (SË) si emërtim ose i përemrit ç’ (ÇË), d.m.th. S’= sëja me apostrof, përkatësisht Ç’= çëja me apostrof.  Madje ky apostrof duhet të jetë pjesë përbërëse e trajtave në fjalë, sa herë manipulohet teorikisht me këto dy fjalë në gjuhën  e shkrimit, sikurse bëhet në gjuhën  e shqiptimit. Këtë po e themi pasi aty në tekstin në shqyrtim dhe në burime të tjera profesionale nënkuptohet po nuk po veprohet kështu. Propozojmë, pra që të shqiptohen dhe të shkruhen sipas kontekstit të dyja rastet si fjalë të pandara:  S’ ose së me apostrof  =s’ ; Ç’ ose çë me apostrof  = ç’.

E treta, propozojmë që pikat b) e c) t’i ndërrojnë vendet, ngase ashtu kërkon natyra e lëndës, përkatësisht përmbajtja në harmoni me pikën a) dhe njëherazi propojmë:

Së pari, të shtohen shembujt ilustrues: sytë e s’ëmës,  fjalët e t’jatit ose t’et, dhe

Së dyti të shtohet edhe një pikë e veçantë ç) me këtë përmbajtje dhe të ilustruar me shembuj përkatës konkretë:

ç) Apostrofi mund të vihet (si dysor sinonimik i vizës) edhe për të ndarë dy bashkëtingëllore për t’i shqiptuar më mirë tingujt, në rastet kur puqja e dy shkronjave diagrami (qoftë në fjalët anase ose të huaja) krijon ngatërresë shqiptim-shkrimi në shqipe, si p.sh. kur’an, Mas’har, Mit’hat, sand’hi etj.

 

20. Te Paragrafi 22 duhet të figurojnë edhe shembujt dridhërimë-a jo drithërimë-a si dhe shumësi i emrit shtalb shtalba ose shtalbij, jo shtalpinj, ngase trajtat e tilla: drithërimë e shtalpinj i kundërvihen pa nevojë rregullës së  përcaktuar sipas këtij paragrafi.

 

21. Te Paragrafi 23 kemi këto tri vërejtje:

E para, nën a) aty ku thuhet se me sh- nistore shkruhen fjalët kur kjo ndjek një bashkëtingëllore të shurdhët: f, k, p, q, t, th dhe vihet treguesi etj., mbase pa nevojë. Themi mbase pa nevojë se janë lënë pa u shënuar vetëm edhe këto 4 konsonantet e tjera shurdhuese c, ç, s, dhe h që, para të cilave, sipas FSHS 2002 dhe FGJSH 2006 nuk del e regjistruar në shqipen letrare asnjë fjalë. Ndoshta normëvënësit kanë pasur parasysh mundësinë për të ardhmen. Sido që të jetë, kjo çështje duhet sqaruar.

E dyta, nën  c), gjithashtu  thuhet se Ç- nistore përdoret kur ndjek një zanore ose një bashkëtingëllore të tingullta l, ll, r, rr, m, n, nj, j, por nuk jepet asnjë shembull me ll, s cepse, në të vërtetë, sipas FSHS 2002 dhe FGJSH 2006, nuk ekzistojnë fjalë të tilla në shqipen e sotme letrare. Edhe kjo çështje duhet të sqarohet, sepse në Projekt (1967) LL-ja nuk figuronte bashkë me bashkëtingëlloret e tjera  të tingullta.

E treta, thuhet me vend se zh-ja nistore përdoret para fjalëve që fillojnë me një bashkëtingëllore të zëshme: b, d, g, gj po nuk përmendet fare se para fjalëve me Z ose me  –ZH, cila nistore përdoret. Ne kemi ndeshur  shembuj, ku para fjalës me Z përdoret nistorja ZH si p.sh. zhzgjidhje,  ndërsa nistorja Ç-  përdoret para fjalëve që fillojnë me zh-, si çzhvilloj, çzhulos etj., andaj mendojmë se një mundësi e tillë mund të përligjet si rregull drejtshkrimor edhe në tekstin  e drejtshkrimit të shqipes standarde.

.

 22.  Edhe te Paragrafi 24. si në paragrafin e mësipërm, përveç përdorimit të diskutueshëm të fjalës ndjek ndiqet (!) kemi këto dy vërejtje  rreth nistoreve  s-, z-:

E para, nën a) lypset plotësuar, duke i shënuar konkretisht bashkëtingëlloret e shurdhëta po edhe të tingulltave m, n, l. Në të vërtetë, në tekst nuk shënohet asnjë bashkëtingëllore e shurdhët, por nga shembujt kuptohen këto: f, k, p, q, e për të tjerat mbetet borxh sqarimi, sepse nuk jepen shembuj me bashkëtingëllore të tjera të shurdhëta, ndërsa formulimi del si rregull i verifikuar si me pasë prova zbatimi.

E dyta, nën b):

Së pari,  thuhet se nistorja Z- përdoret para një bashkëtingëlloreje të zëshme, por edhe kjo del e diskutueshme, sepse nuk përcaktohen para cilave. Në të vërtetë, konstatojmë se sipas FSHS-2002 dhe FGJSH 2006 nuk e kemi asnjë fjalë që fillon me   Z+l, Z+ll,  Z+n, Z+rr, Z+r, Z+nj, po vetëm para të zëshmeve: b, d, g, gj, v dhe m te shembujt zmadhoj e zmbraps. Kjo sa u tha duhet të sqarohet.

Së dyti, mendojmë se sa i përket nistores mund të njëjësohen trajtat  e sipërcekura si raste të vetmuara, zmadhoj e zmbraps me fjalët smag, smeril,  pra duke i dhënë përparësi nistores S-: smadhoj, smbraps, për të përforcuar kështu rregullën përkatëse me s- nistore.

 

23. Te Paragrafi 25 kemi këto katër vërejtje:

E para, nën a), në grupin e shembujve, ku J-ja i takon temës  janë dy raste të diskutueshme: dije nga folja di me ditë, dhe pi me me pi pije, mbase edhe fill fije, ku del qartë prapashtesa –JE.

 E dyta, nën  b) propozojmë që  J-ja e regjistruar si pjesë përbërëse  e nyje-mbaresës së njëjësit të shquar si rrufe-ja,  fe-ja, ide-ja, dru-ja kala-ja , por edhe ato më – i shtëpi-a , fli-a në rasa të formimit të foljeve të theksohet se  tingulli i tillë J-  nuk elidohet, përkundrazi edhe nga tradita është përdorur si element epentetik pararendës i foljes  më 0- p.sh. flijoj. fejoj, shijon drujoj etj., prandaj pasi modeli ekziston lypset që po kjo mënyrë foljeformimi  të respektohet, përkatësisht të sforcohet edhe me shembuj të rij si p.sh.: shtëpijoj, idejoj, partijohet  etj., pra jo shtëpioj, ideoj, partioj, e kështu me radhë, siç po ndeshet në burime të caktuara.

 E treta, nën c),  pasi në kryerreshtin e parë të gjithë emrat si shembuj ilustrues janë në gjininë femërore pse mos të shënohet ky fakt në tekst, ndërsa në kryerreshtin e dytë pas tekstit: “po kështu shkruhen”.të shënohet sqarimi: emrat mashkullorë e femërorë.

E katërta, nën ç), pas Shënimit për foljet e parregullta të parme, s’ka nevojë të shënohet treguesi etj. kur mund të përmendën aty të gjitha ato, nuk janë shumë.

E pesta, nën dh) te folja mbruj shënohet etj. Është fjala vetëm edhe për një folje tjetër të parme të mirëfilltë: buj (me bujtë), prandaj të shënohet edhe kjo dhe këtë rast të fshihet treguesi etj., si i panevojshëm, ngase  asociacionon se gjoja ka edhe shumë shembuj të tjerë.

 

24. Te Paragrafi 26, kemi dy sugjerime:

E para, siç dihet emrat  e gjinisë mashkullore  më -ua  të theksuar, tipi ftua, dragua në toskërishte (normën e sotme letrare) në njëjësin e shquar togun ua e shndërrojnë në O +  marrin nyje-mbaresën shquese I, ftoi, dragoi, ndërsa në gegnishte para nyjembaresës –I marrin N: ftue ftoni, drague dragoni. Mendojmë se edhe trajta gege duhet të jetë më njëfarë dore e njohur për opinionin, jo pse ka përhapje mjaft të gjerë, por edhe pse N-ja që këtu duket se del si element epentetik apo jo, reflekton në të vërtetë grupin e hershëm *ON, apo jo, nga i cili u zbërthye O-ja në UA, përkatësisht –UE. Sidoqoftë,  imponohet sqarimi nga  ekspertët.

E dyta, madje te shembujt me –A të theksuar në njëjësin e shquar që tipi baba që në tekst njëjtësohet me vëlla në njëjësin e shquar merr po ashtu nyje-mbaresën –I babai, vëllai, siç dihet, në gegnishte rasti baba-i  si fjalë e huazuar me theks fundor nga turqishtja del e përpunuar brenda sistemit të shqipes, nga oksitone del paroksitone. Krahaso: babë-a babës shumësi babët, e jo baba babai babait shumësi baballarët (pos ndonjë rasti specifik). Me një parapëlqim vetëm të trajtave siç janë të rekomanduara me theksin fundor po i bihet ndesh  prirjes ose natyrës së gjuhës shqipe që huazimet transfer me theksin fundor, sipas natyrës së vet (shqipes) t’i kthejë në fjalë  paroksitone.

Dy vërejtjet e mësipërme u cekën  vetëm sa për të kthyer vëmendjen e stardardologëve tanë në natyrën e eptimit dhe të trajtëformimit tradicional sipas natyrës së gjuhës shqipe.

 

25.Te Paragrafi 27, nën c)

Së pari propozojmë të hiqet fjala muhamedan. Nuk është turqizëm as e burimit turk dhe është disi irituese për muslimanët, sepse është krijuar në biçim të fjalës kristian, që lidhet me kristianizmin (Krishtin-Zot) , ndërsa sipas fesë islame nuk ekziston emërtimi muhamedanizëm, për vetëm fe islame e në raste edhe islamizëm a muslimanizëm.

Së dyti, të rishikohet qëndrueshmëria e fjalës rehat e mëhallë pse mos të jetë  rahat mahallë, me a në rrokjen  e parë, ashtu siç janë në turqishte e arabishte (rasti i dytë), e ndonjë rast tjetër. .

 

26, Te Paragrafi 28  kemi këto vërejtje:

E para, në a), është shënuar rrasht, sipas FGJSH-së në përdorim është vetëm trajta rrashtë-a,

E dyta, pse në grumbullin e shembujve vetëm emri shtjerra del në trajtën e shquar,  i dihet apo jo arsyeja? Edhe këtu është më mirë të ndahen emrat mashkullorë nga ata femërorë.

E  treta, nën c)

Së pari,  është shënuar folja rrasallis, e cila në FSHS del rrasallit, d.m.th. me fundore-prapashtesën –it. Propozohet që të harmonizohet qëndrimi.

 Së dyti,  ndër foljet apofonike me RR fundore bjerr, çjerr  marr  nxjerr, përmjerr, tjerr që të kryeren e thjeshtë RR-në e kthejnë në R (O/Ra): nxora, mora etj. janë përfshirë edhe foljet e tipit tjetër: korr,  ngurr,  (të)harr dhe tkurr, tek të cilat nuk ndodh një apofoni e tillë, prandaj mendojmë që shembujt e tillë patjetër duhet me u nda në dy  grupe: veç foljet apofonike, veç  ato të tjerat.

 

27. Rreth Paragrafit 29, për Nj-në në fund të fjalës ka vërejtje nga të tjerët, por siç do të shohim, kjo temë është trajtuar edhe prej nesh në një punim të veçantë, prandaj mendojmë se kjo pikë në shumë raste duhet të ndryshojë në dobi të mbaresës zero ose të mbaresës –J, sidomos te shembujt nën c).

 

28. Te  paragrafi 31,  propozojmë që para shembujve me mbiemra  të shënohet si tregues renditjeje  pika a), ndërsa të shembujt me folje, pika b).

 

29. Rreth Paragrafit 35 ku bashkohen dy shkronja të njëjta kam pasë shprehur mendimin se duhet të ndahen me vizël kur është fjala te raporti l/ll dhe r/rr jeshil-llëk, derr-rritës a derr-ruajtës e ndonjë shembull tjetër. Një mundësi e tillë del e parapëlqyeshme për të respektuar shqiptimin normal.

 

30. Te Paragrafi 36

Së pari,  nën d) është pleur-a duhet pleurë-a.

Së dyti, nën 11) (llë) Shënimi 3 mendojmë se për të respektuar specializimin e prapashtesave të caktuara sipas nënfushave semantike që mbulojnë, fjala komsomolas-it në shqipe duhet të shkruhet komsomolës-it, ngase nuk kemi të bëjmë me banorë po me emërtimin e njeriut si pjesëtar të një organizate ose të një lëvizjeje të caktuar shoqërore-politike. Siç dihet  prapashtesa -AS në gjuhën shqipe del si formant i specializuar tek emrat vetëm për emërtimin e njerëzve sipas vendbanimit a prejardhjes së tyre.

Shënim: Përveç shkronjve l (lë) dhe ll (llë) që për mos me u ngatërrue me numrat 1 (një) dhe ll (njëmbëdhjetë) një sqarim i tillë nevojitet edhe për zanoren O, përkatësisht shenjë-numrin 0 (zero) si p.sh: fundorja 0 (zero) e emrave ndaj fundores O, d.m.th fundorja me zanoren O të emrave del e nevojshme të shënohet sipas kontekstit Gjithashtu edhe mbaresa ose fundorja zero (0)  del e nevojshme të dallohet me fjalë nga fundorja me zanoren O, në  tekstet përkatëse.

 

31. Lidhur me fusnotën e Paragrafit 37,  vërejmë:

Së pari, kur sqarohet se “në shfaqjen e parë të emrave të huaj mund të shënohet në kllapa  edhe shkrimi fjalës sipas grafisë së gjuhës nga buron”, duhet shtuar fjalët: ose anasjelltas, nëse shkruhet fjala a shprehja e gjuhës së huaj në origjinal, në kllapa mund ose duhet shënuar shqiptimi sipas grafisë së gjuhës shqipe. Sidomos kjo vlen të praktikohet në fillim të  tekstit përkatës.

Së dyti, është Kamberra duhet të jetë Kanberra.

 

 32. Te Paragrafi 38 shumësi i emrave femërorë klasifikohet jokeq, mirëpo, megjithatë, kemi këto tri vërejtje:

E para, nën  a), me mbaresën –A të shumësit jepen 37 shembuj, por pa treguesin etj. Për mendimin tonë është dashur me u shënue, pikërisht treguesi etj, ngase numri i emrave të tipit të tillë përfshin edhe shumë shembuj të tjerë. Modeli lejon numër të pakufizuar.

E dyta, edhe nën b), te tipi i dytë femërorë me mbaresë zero janë shënuar 22 shembuj, edhe aty, në fund, duhet shtuar gjithashtu treguesin etj. sepse ka edhe mjaft shembuj të tjerë, ndonëse numri i emrave sipas kësaj mënyre del i kufizuar.

E treta, siç  është trajtuar në punime të tjera tona, ekziston prirja që një numër jo i vogël i tyre, pothuajse të gjithë emrat me kuptimësi të gjë-sendeve konkrete të kalojë tek tipi i emrave me mbaresën –A të shumësit, prandaj një prirje e tillë në drejtshkrimin e ri të përpunuar mund të gjejë vend po në këtë paragraf.

 

33. Te Paragrafi  39  te shumësi i emrave femërorë më i, e, a ose o të theksuar dhe e, o të patheksuar që shkruhen njësoj në shumësin e pashquar duhet shtuar patjetër edhe shembujt më –ë të theksuar që paraqitet si mundësi e hapur shumimi siç është tipi: abëcë-ja abëcë-të, d.m.th. me –Ë fundore, pastaj edhe emërtimi i onomatopeve më më! Mëmë-ja mëmëtë!, në shkurtesa të ndryshme si PPT-ja pëpëtëtë, e kështu me radhë. Fakt ky gjer tani i pavërejtur nga gramatikanët tanë dhe i zbuluar dhe i theksuar prej nesh dhe e quajmë argumentohet më në hollësi e bindshëm në një punim tjetër.

 

34. Te Paragrafi 40 vërejmë si më poshtë:

E para, siç u cek te paragrafi 38, vërejtja e tretë, rreth shumësit të emrave e mbiemrave mashkullorë për mendimin tonë duhet rishikuar. Përveç që duhen hequr mbiemrat, të cilët vetëm e rëndojnë rregullën pa nevojë, ngase shumësi i tyre bën përshtatjen gjiniore sipas emrave përkatës, mendojmë se për këtë temë duhet kërkuar zgjidhje tjetër jo në bazë të fundorëve, po sipas kriterit të nënfushës perkatëse semantike të emrave të caktuar Edhe kjo çështje del e cekur dhe trajtuar më në hollësi në një vend tjetër e këtu po mjaftohemi vetëm me rezultatin që del i zbatueshëm në parim nga ajo analizë:

1. mbaresa  –Ë  del  me prirje specifikimi për emërtimin shumësit të emrave mashkullorë të frymorëve,

2. mbaresa E  del  me prirje specifikimi për shumësin e emrave  mashkullorë abstraktë që pësojnë ndërrim gjinie, përkatësisht të termave që tregojnë veprime ose vend-lokale ku kryhen veprime  a procese të caktuara  zakonisht . dhe

3. mbaresën A del pothuajse e specifikuar  si mbaresë e shumësit të emrave mashkullorë që  tregojnë kryesisht  gjë-sende korrekte.

 E dyta, sipas prirjes së hetuar prej nesh është korrigjuar fjala djepe nën shënimin 4. nën b),  djepa, siç del në fjalorët normativë  të gjuhës sonë letrare,  ashtu siç do të duhej të dilnin,nga sa u tha më sipër, edhe shembujt e tjerë: kallëpa, kryqa, rafta, zarfa, d.m.th. jo me –E po me mbaresën –A.

 

35. Te Paragrafi 41 mendojmë që emrat mashkullorë të formuar mbi temë të një pjesoreje të shkurtër të foljeve tipash të ndryshëm, të shënohet me –S e jo më gjoja tre fundorë të veçantë: -ËS –UES -YES (krahaso: marrëS, nga marrë me marrë, nxitëS nga nxitë me nxitë, lexueS e nga lexue me lexue dhe përkthyeS nga përkthye me përkthye), sepse me një veprim të tillë jo shkencor vërtet po krijohet huti se gjoja formantet –Ë/, -UE/, -YE/ janë pjesë e pandarë përbërëse e prapashtesës e jo, siç janë në të vërtetë pjesë përbërëse e pjesores së shkurtër (gege) të tipave përkatës të foljeve, ku shërben si temë fjalëformuese..

 

36. Lidhur me Paragrafin 43   shprehim mendimin se kishte me qenë  mirë të rishikohet rregulla se mbiemrat me –RA në shumës që përcaktojnë emrat mashkullorë e asnjanës do të përdoren në gjininë femërore apo jo: drithëra të bardha a drithëra të bardhë, mallra të jashtme a mallra të jashtëm, mallra të përdura a mallra të pëedorur. Zgjidhja ta ketë parasysh edhe mbështetjen nga trashëgimia e të folmeve të gegnishtes: drithna të bardhë, mallna të jashtëm, mallna të përdorun.. Sidoqoftë le të vlerësohet kjo çështje Në këto raste në aspektin aktual asnjanësi i paranyjëzuar s’duhet përmendur fare, ngase funksioni i tillë te shumësi me – NA del i transformuar në gjininë femërore.

 

37. Te Paragrafi 48, në fund të Shënimit mendojmë se për hir qartësie duhet përmendur se nyja e përparme SË përdoret vetëm për mbiemrat e nyjshëm ose numërorët rreshtorë  të gjinisë femërore.

 

            38.  Te paragrafi 53  është sqaruar mjaft mirë çështja e  përdorimit të nyjës si dhe asaj në raste të caktuara, por kur është fjala te përdorimi në  trajtën e pashquar nuk është dhënë asnjë shembull konkret sa për ilustrim. Këtu ka nevojë për qartësim me shembuj përkatës.

 

39.  Te Paragrafi  56, kemi dy vërejtje:

E para, emrat mashkullorë më –Ë dhe –O që lakohen si femërorët është mirë të ndahen në dy nëngrupe:

Së pari, nën  a),  tipi dajë,  gegë, toskë, Isë, Kolë, Gjokë, Rexhë, Sulë etj,. dhe

 Së dyti,  nën  b), Bajo, Pirro, Bato, Hamzo, Rexho etj.

 

Të dyja nëngrupet duhet me i ilustrue me shembuj konkretë, d.m.th. me mbiemrat përcaktues mashkullorë. Pra jo vetëm daja i Agimit, i axhës së Agimit e kështu me radhë, por edhe daja i Pirros, i axhës së Pirros, nga se për grupin e dytë në tekstin në shqyrtim mungojnë shembujt ilustrues.

E dyta, mendojmë se po në këtë paragraf duhet me pasë vend edhe trajtimi i formanteve paralele.

Së pari, i emrave me theks fundor, tipi, Sulo, Musa, Isa, Thoma, etj dhe

Së dyti i emrave pa theks parafundor si p.sh.: Sulë. Musë. Tomë, Kolë etj. 

 

Natyrisht që të dy tipat duhen konsideruar si normativë, ndonëse kategoria e shquarsisë së tyre ndryshon. Po marrin një shembull në dy versionet: Isë dhe Isa. Krahaso: Isa Isaja  Isasë ose Isai Isait, në njërën anë dhe Isë Isa Isës, në anën tjetër. Kuptohet se trajtat me fundoret e theksuara me të drejtë kuptohen se janë më afër huazimit tranfer, se ato me fundorin e patheksuar, të cilat dalin më të përpunuara trashëgimisht se të parat në kuadër të ligjërimit normal të shqipes.

 

40. Në Paragrafin 59  vërejmë dy çështje:

E para, mos është më mirë metologjikisht që pas çdo rregulle të jepen shembujt përkatës, d.m.th.  Ndaji mollët e mira ( kemi të bëjmë me kundrinë), ndërsa I dua  mollët  të ëmbla ( kemi të bëjmë me kallëzuesor).

E dyta, te fjalia “përdorini drejt trajtat e shkurta të përemrit”, urdhërorja përdor(I)ni  mos është dashur të përdorej pa infiksin –I  përdorni (që ne e vumë mes kllapash), ashtu siç rekomandohet urdhërorja në të gjitha burimet normative. Në kontekst nuk duket qartë se është fjala për përsëritjen e grimcës proklitike të përemrit apo jo: T’i përdorni ato, Ju përdorini ato. Sidoqoftë, le të rishikohet është me vend apo jo trajtëshkrimi i foljes së tillë dhe për mos me lënë paqartësi mbrapa, nëse është qëllimi për të treguar trajtat proklitike, atëherë duhen shënuar shembuj të tjerë më të qartë.

 

41. Lidhur me Paragrafin 63,  shtrohet çështja, aty kur kërkohet që pjesëza të përsëritet rregullisht përpara lidhores, ashtu si edhe parafjala për e të tjera para trajtave përkatëse foljore,  kemi të bëjmë, apo jo, me ndonjë ndikim nga trashëgimia  që ka lidhje me përsëritjen pjesëzës  me  karakteristike të paskajores së mirëfilltë me + pjesore. Krahaso Me jetue, me punue dhe me mendue si revolucionarë ndaj Të jetojmë, të punojmë e të mendojmë si revolucionarë ose  Të përpiqemi  me studiue, me i  kuptuae e me i zbatue drejt udhëzimet, ndaj Të përpiqemi për të studiuar, për të vlerësuar dhe për t’i zbatuar drejt udhëzimet, ngase paskajorja në shembujt e tillë domosdo gjithmonë shqiptohet e plotë, d.m.th  pjesëza me dhe pjesorja përkatëse, pothuajse përherë, janë të pandara.

Ne këtu kemi për qëllim t’i ofrojmë lexuesit vlerat paralele  ekzistuese të gjuhës sonë që të njihet më mirë ndërndikimi i tyre dhe të ndërkëmbehen sa herë që këtë e kërkon konteksti përkatës.

 

42. Te Paragrafi 65, edhe këtu del e nevojshme të konstatohet se sa ka pasur lidhje e ndërndikim reciprok në raportin pa + pjesore / me + pjesore si  te shprehjet:  Pa dashtë, pa ditë e pa mujtë nuk mund të krijohen kushte për t’u arritur suksesi i dëshiruar ndaj Me dashtë, me dijtë e me mujtë janë parakushte  për me u arritë suksesi i dëshiruar ose  Pa me dashtë, me dijtë dhe pa me mujtë nuk mund të krijohen kushte për t’u arritur suksesi i dëshiruar(!).

 

43. Shembujve të parafjalëve në Paragrafin 66 t’i shtohet edhe   parafjala kah, e cila  në realitetin tonë gjuhësor ka përdorim mjaf të gjerë dhe specifik. Kah po vjen e kah po shkon / Nga po vjen e nga po shkon, Kah hyni e kah doli. Kah po prapton qerrja? etj,  por kryen edhe funksione të tjera që s’i ka parafjala nga  as ajo prej.

 

44. Te Paragrafi 67 kemi këto vërejtje:

E para, nën A.b),  propozojmë:

Së pari, që fjala vojokushas-it mendojmë se duhet të shkruhet me drejt me –Ë/T fundore: vojokushët, sepse me të nuk shprehet koncepti për emërtim banori, por të një anëtari të një lëvizjeje të caktuar shoqërore- politike.

Së dyti, është bollujsë  duhet bollujëse.

Së treti, kemi lulëkuqe, lulëgjake e njëherazi lulelakër, luleshqerrë, luleshtrydhe etj.  dhe të shikohet mundësia që mbase kompozitat e tilla të formohen nga njëra  trajtë e gjymtyrës  përkatëse lule- ose lulë-.

Së katërti, janë shënuar dy shembuj gurkali dhe gjysmagjeli, i pari s’ka shquarsi, ndërsa i dyti ka, prandaj edhe këtu paraqitet i nevojshëm sqarimi përkatës.

Së pesti, rreth rastit besëpakë a ka lidhje analogjia, pse gjymtyrës pak i është shtuar –Ë- ja fundore që nuk e ka baza e gjymtyrës  fjalëformuese.  

E dyta, nën c) në vend të trajtës shtojzavallet, kuptohet, duhet shtojzovalle-t , ngase nuk kemi të bëjmë me zavalle, po me valle.

E  treta, nën B vërejmë dhe meditojmë:

Së pari,  pse i është dhënë përparësi sinonimit bojë ndaj ngjyrë, kur dihet se ngjyrë e ka çerdhen e vet fjalëformuese më të kompletuar se huazimi bojë-a,  e cila në mbi 15 raste del në tekst si rast i vetëm pa konkurrencë sinonimike në kuadër të kompozitës përkatëse.

Së dyti, nën ç) për mendimin tonë duhet shtuar edhe versionin me paskajoren e mirëfilltë  me i ra ndërmend, mos me lënë pas dore etj.

 

45..Edhe te  Paragrafi 68  kemi këto vërejtje:

E para, nën a)  vëmë re:

Së pari, te kryerreshti i parë i shembujve në vend kortarë-kortarë, duhet korrtarë-korrtarë. Pra. në vend të R-së duhet RR, krahaso foljen  korr me korrë korrtar-i korrtarë-t.

Së dyti, te kryerreshti i katërt, shembujve t’u shtohen edhe rastet: gërr- mërr, xërr-xërr e ndonjë tjetër.

E dyta, nën ë) emrat e përbërë (toponimikë) të krahinave e të fshatrave të regjistruar është mirë të ndahen sipas tre nëntipave fjalëformues të cekur aty: 

1. me lidhje bashkërenditëse,

2. me lidhje ndajshtimore dhe

3. me ndëlidhje përkatëse

duke i  grupuar sipas  tipit fjalëformues shembuj e pranishëm, por edhe duke shtuar shembuj të tjerë karakteristikë..

E treta,, nën f)  te emri  Alsas - Lorenë, s’dimë pse është shënuar ky emër me  Ë fundore. Nuk dimë kjo del e domosdoshme apo jo, kur kemi parasysh  formën shkrimore në origjinal dhe shqiptimin e saj.

E katërta, nën gj) kërkojmë të rishikohet qëndrueshmëria e drejtshkrimit të  fundorëve të numrave rreshtorë. Kreu i  4-t (i katër-t), i 74-ti (i shtatëdhjetekatër-ti), ngase vetvetiu nga paranyjëzimi del edhe shquarsia e shënuar aty (i katërt, i shtëdhjetekatërti). Pra, kontestohet shkrimi jo si duhet i nyje-mbaresës pas vizës.

E pesta, nën i), edhe tek numri i telefonave dhe të targave të automjeteve teksti duhet riformuluar ose duhet  ilustruar me shembuj të rinj, ngase në praktikë nuk ndahen vetëm numrat dy nga dy, por edhe tjetër ndryshe, madje numrit përkatës të telefonit dhe të telefaksit që lypset shtuar tekstit, duhet shtuar edhe prefiksi përkatës, i shtetit, qytetit, ndërmarrjes, kompanisë, individit e  ku ta dimë.

E gjashta, nën j)  te shkurtesat  kemi dy vërejtje:

Së pari, te shembulli: Seksioni i 28-të(!) me sa dimë,  pas numrit arab, i cili  shqiptohet i njëzet e tetë (28) nuk duhet të shënohet - TË, sepse qoftë për shkak të thjeshtësimit të geminatës TT, qoftë nga veprimi thjeshtësues haphologjik numri TË+TË, si themelor tetë-a e si rreshtor i tetë i teti, nyje-mbaresa e shquarsisë  -të, faktikisht te rastet e tilla do të ketë rënë që moti,  prandaj –të pas numrit tetë del e tepërt apo jo? Edhe kjo dhe rastet si kjo le të sqarohen.

Së dyti,  lidhur me shkurtesat, lypsen cilësuar se a konsiderohen si emra të numrit njëjës ose do të respektohet zbërthimit kuptimor sipas rastit (njëjës ose shumës), varësisht nga koncepti që mbulojnë. Pra do të konsiderohet shkurtesa si një emër i numrit njëjës ose shumës apo dynumërsh: njëjës e shumës.  Kemi vërejtur se shkurtesa SHBA po përdoret në të dy numrat: njëjës SHBA- ja dhe  shumës SHBA-të. Edhe kjo çështje  e rastet si kjo le të sqarohen.

            E shtata, nën l) (shqipto: lë), lidhur me shkronjat ose numrat (kur shkruhen me shifra–numra, ose shifra-shkronja si simbole, që zëvendësojnë zakonisht pjesë kumtuese të ndryshme të ligjërimit, si edhe elementet që nuk janë pjesë e ligjëratës, kur përdoren si emra dhe marrin tregues të trajtave rasore, kemi këto tri vërejtje konkrete për tekstin e këtij paragrafi:

 Së pari  aty thuhet “të gjendet X-i, pa e qartësuar se për çka është fjala të gjindet shkronja X (xë) apo të gjendet, numri i panjohur: iks-i (x),  prandaj është dashur që pas numrit të panjohur me shenjën  x në kllapa të shënohet shqiptimi (iksi), sepse që edhe shkronja a grafi X (xë) e shqipes në ligjërim të lirë etj. ndodh. të emërzohet si emër i gjinisë mashkullore. Xë-i si alternativë ndaj gjinisë femërore: Xë-ja (X-ja)...

Së dyti, edhe ne u ballafaquan këtë rast me një problem të tillë, po të  një natyre paksa tjetër. E kemi fjalën për shenjën  l ose ll, shenja këta që në gjuhën e shkrimit mund të lexohen si numra, gjegjësisht, një ose njëmbëdhjetë në njërën anë dhe si shkronja që shqiptohen (l) e llë (ll), në anën tjetër. Pë t’i ikur një homonimie të tillë grafike, ne, në rastin tonë, shkronjës i shtuam shqiptimin në kllapa. Po në ndonjë rast tjetër, varësisht nga konteksti edhe pas numrit mund të shënohet shqiptimi përkatës në kllapa, p.sh. l (një) ose ll (njëmbëdhjetë). Standadologët tanë edhe këtë problem duhet ta kenë parasyshme rastin e shikimit të tekstit.

Së treti, gjithashtu po në këtë pikë për mendimin tonë nuk është shënuar drejt treguesi te shembulli “ngjarjet e 1944-s duhet e 1944-ës. Sepse mbiemri ose gjinorja e numrit katër i katërt nuk merr –ë fundore, prandaj nyje-mbaresa e shquarsisë së rasës duhet me dalë –ës.

Së katërti, tek togfjalëshi sifjalior: “aksionet kryesore gjatë 1943- së”, kemi vërejtje, rreth shqiptimit të numrit, është fjala për dy shifrat e fundit  gjatë ‘43 –ës , dyzet ose katërdhjetë e tretës, dyzet ose katërdhjetë e treshës, dyzet ose katërdhjetë e treshit? Për mendimin tonë më natyrshëm del emërzimi i numërorit me prapashtesën –sh+ës, pra  ’43-shës, por edhe ngjarjet e ’43-shit ose e 43-së (katërdhjetë e tresë!) ose katërdhjetë e tretës. Sidoqoftë, edhe kjo çështje lypset trajtuar dhe zgjidhur drejt, ngase treguesi –së, sido që ta marrësh nuk qëndron, përveç nëse pranohet trajta jo normative dyzet e tre treja tresë ( ngjarjet e dyzetetre-së, që ne e shënuam me pikë çuditje.

E teta, nën ll) (shqipto: llë) duhen harmonizuar komandat sa i përket drejtshkrimit të emrave: Skuadër ndal! Skuadra djathas – kthehu!; Togë ndal! Toga mblidhu!, e kështu me radhë.

E dhjeta, nën m) ne kemi pasë shprehur mendimin se për mos me pasë problem të pazgjidhur drejtshqiptimor në rastet e tilla të përdoret vizëla si për fjalët e huaja prej origjine, si sand-hi Mas-har, Et-hem, pastaj edhe te rastet vendëse: r-r, l-l, e kështu me radhë, mes të shkronjave diskutabile të vihet në alternativë qoftë apostrofi, qoftë (mbase edhe më drejtë) vizëla ndarëse (së paku kjo vizël të përdoret me rastin e shfaqjes së parë në tekst të fjalës përkatëse. Kështu është vepruar për raste të tilla edhe në FSHS.

A do të përdoret apostrofi apo vizëla për raste të tilla le të përcaktohet nga standardologët. Fundi i fundit shkrimi i fjalëve të caktuara me apostrof, me vizël ose krejt pa to për shkrimin e mjaft fjalëve varet edhe nga gjuhët e huaja dhënëse më të zhvilluara, nga të cilat edhe është kopjuar ose është bërë huazimi a përshtatja i fjalës a i fjalëve të tilla.

 

46. Te Paragrafi 69 duhen sqaruar dy çështje:

E para, meqë teknikisht në disa makina kompjuterike është e pamundur të ndahet vizëla nga viza ose viza e shkurtër nga viza e gjatë ndarëse ose parashoqëruese a ndjekëse, atëherë ndoshta duhet pranuar se në raste të tilla mund të tolerohet vetëm viza ose vizëla (ndarëse). Për mendimin tonë një mungesë e tillë në raportin viza e shkurtër/viza e gjatë nuk paraqet kurrfarë problemi semantik.

E dyta, nën c) është shënuar përcaktuesi të ndërsjellta duhet të ndërsjella, siç çshtë në fjalorin normativ, pra edhe ky rast duhet korrigjuar nga teksti përfundimtar i spastruar i Drejtshkrimit të shqipes standarde.

 

47. Te Paragrafi 70 mungojnë shembujt në raportin: emër i përveçën ose emërtimi i  barasvlershëm me të, ndaj emrave të përgjithshëm, prandaj edhe  pse-ja ka vend në këtë kontekst.

 

48. Te Paragrafi 71 emri i përveçëm Rustemi (Avni Rustemi) nuk kontestohet, por në bazë të shqiptimit të pranuar në letrarishten e sotme dhe ashtu siç dikton praktika në të folmet e tjera, sidomos të viseve veriore etj. duhet shkruar Rrustem, si p.sh. rruga Rrustem Statoci (Prishtinë) etj. Këtë po e cekim se shpesh po ndodhin keqkuptime lidhur me interpretimet e rasteve nga Drejtshkrimi lidhur me emërtimet personale të njerëzve, të cilët fundi i fundit nuk u shtrohen patjetër rregullave gramatiko-drejtshkrimore. 

 

 49. Te Paragrafi 72 vërejmë dy çështje:

E para, sikurse shumësi me -Ë: konstriotët, homerët duhen shkruar po më –ËS  e jo me -AS edhe rastet e tjera  jo vojokushasit bajramcurrasit, por vojokushët, bajramcurrët, komsomolët, siç është cekur më përpara, kur është fjala lidhur mer emërtime të anëtarëve të lëvizjeve të caktuara shoqërore-piolitike, ndërsa kur kemi të bëjmë me banorët siç është fjala për banorët e qytetit Bajram Curr, ose për pasardhësit e familjeve të tyre, atëherë trajta  bajramcurrasit del e ligjshme.

E dyta, lidhur me antonomazitë mendojmë se duhet të jetë e tolerueshme që për shkaqe stilistike pejorative armiqtë të shënohen me shkronjë të vogël p.sh. hitlerët, milosheviçët e viçët e tjerë, ndërsa Naimët e  Migjenët tanë të rij të shënohen me shkronjë të madhe nistore, ashtu siç është paraparë në  këtë paragraf të drejtshkrimit  në fjalë.

 

50. Te Paragrafi 73 mendojmë se emrat e tillë si  Ali Pashë Gucia, Ali Pashë Tepelena  ashtu si edhe Atë Gjergj Fishta, Atë Shtjefën Gjeçovi, (jo at ngase krijohet homonimi me emërtimin e atit (kalëshale) Për këtë shih edhe FSHS dhe FGJSH 2006. Pra të  shkruhen me shkronja të mëdha nistore të gjithë emrat e përbërë ashtu si Hoxha Taksini e Papa Kristo Negovani, Muderriz Ymer Prizreni, Mulla Haxhi Zeka e kështu me radhë, ngase vetëm me dy a tri komponentet përbëres del më kuptimplotë nocioni i dëshiruar.

 

51. Te paragrafi  74  nuk shohim kurrfarë arsyeje që  emërtimet e titujve të nderit të ndahen në drejtshkrim. Për mendimin tonë si Mësues i Popullit le të shkruhet me shkronjë të madhe nistore edhe titulli tjetër Mësues i Merituar. Pra mos të bëhen dallime.

 

52. Te Paragrafi 75 sigurisht emërtimet më të rëndësishme fetare monoteiste patjetër duhen shkruar me shkronjë nistore të madhe si Allah (All-llah), Perëndi, Zot  etj. me kuptim të një fuqie të vetme mbinatyrore, e kështu me radhë për atributet përkatëse.

 

53. Te Paragrafi 78, kemi këto vërejtje:

E para, nuk dimë arsyen pse shkruhen shembujt si Adriatiku, Shari,  Muzeqeja, Shqipëria vetëm në trajtën e shquar, ndërsa te  Shënimi 1. si emër i përgjithshëm gjeografik, shënohet emri tropik, ashtu si të gjithë shembujt e tjerë që aty i ndeshim të shënuar vetëm në trajtën e pashquar?

Pra shquarsia të respektohet edhe te shembujt në fjalë.

E dyta, te Shënimi 2. është shkruar toponimi  Curraj i Epër, mbase më mirë do të ishte: Curraj i Epërm, sepse në FSHS është shkruar mbiemri i epërm-i (jo i epër).

E treta,  te Shënimi 3.  është Principata e  Arbënisë, mendojmë se më drejt ndoshta është të quhet Principata e Arbrit, siç është në Enciklopedinë shqiptare..

E katërta, te Shënimi 4. është emërtimi Evropa Juglindore. Siç dihet ndërkohë, pas një presioni të arsyeshëm nga intelektualët e caktuar standaologët tanë janë pajtuar që për rastin e tillë të emrit Evropë të përdoret  nistorja EU- jo EV-, kështu tani po përdoret kryesisht fjala Europë jo Evropë, prandaj në tekstin e rinuar kjo trajtë në emërtimin në fjalë duhet korrigjuar patjetër nga Evropa PerëndimoreEuropa Perëndimore.

 

54.  Te Paragrafi 79 kemi dy vërëjtje:

E para, aty është shënuar shembulli Kongresi VI i PPSH. Sipas rregullës shkurtesa PPSH është dashur me marrë mbaresën rasore –së, pra:  Kongresi VI i PPSH-së.  

E dyta, gjithsesi edhe te emërtimi xhamia e Ethem beut duhet të shënohen të gjitha elementet përbërëse: Xhamia e Et-hem Beut, ashtu si edhe e shembujve të ngjashëm si: Xhamia e Sinan Pashës, Shtëpia Muze e Nënë Terezës, e kështu me radhë.

Pra të gjitha komponentet përbërëse të emërtimit, duhet të shënohen me shkronjë nistore të madhe, ngase vetëm të gjitha komponentet bashkë e japin konceptin e plotë të objektit në fjalë.

 

55. Te Shënimi i Paragrafit 80 në shembullin “ky universitet ka fakultet mjekësie, mendojmë se mbiemri mjekësie më mirë do të dilte me u shënue në trajtën e mbiemrit të paranyjëzuar ky universitet ka fakuktet të mjekësisë, Krahaso titullin Fakulteti i Mjekësisë, Klinikat e Fakultetit të Mjekësisë etj.

 

56. Te Shënimi i Paragrafit 82 thuhet se “emrat e festave fetare shkruhen me shkronjë të vogël”. Siç dihet kjo anomali, pasojë e sistemit të kaluar shoqëror ateist në Shqipëri, tashmë në praktikën tonë është korrigjuar. Janë bërë korrigjime edhe në FSHS, prandaj duhet të ndryshojë për këtë pikë edhe formulimi i tekstit në shqyrtim. Sigurisht duhen shkruar me shkronjë të madhe nistoret e të gjitha fjalëve të ditëve të festave të veçanta fetare  e patjetër sidomos ato mç tç dalluara të besimit monoteist si: Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Kërshëndellat, Pashkët, Nevruzi, e kështu me radhë.

 

57. Te Paragrafi 84 lidhur me shkurtesat duhen sqaruar dy çështje:

  pari, a ka mundësi të përcaktohen se kur inicialet e caktuara që përcaktojnë titujt e caktuar të ndërmarrjeve përkatëse të shkruhen me shkronjë të vogël e kur të gjitha me shkronja të mëdha, b.f.: PTT /ptt ; TEC / tec ose Tec-i  e kështu me radhë. dhe

së dyti, kur me shkronja të mëdha siç janë inicialet e shteteve, shkurtesat e organeve të larta të pushtetit etj. dhe kur ato shkruhen vetëm me shkronja të vogla, siç janë b.f. shkurtesat e fjalë-lidhëzave të rëndomta si: d.m.th., f.v., d.v. resp...(respektivisht) nqf. (nëqoftëse), e kështu me radhë.

Sidoqoftë, drejtshkrimi duhet ta përcaktojë më mirë e më me saktësi edhe zgjidhjen e këtyre çështjeve.

 

58. Te Paragrafi 85 le të konstatohet se a është më mirë të thuhet Përralla gjet(!) të Vërtetën apo Përralla gjeti të Vërtetën? Krahaso: unë gjeta, ti gjete ai gjeti apo gjet?

 

59. Te Paragrafi 88 sigurisht edhe pse si emërtime shkencore profesionale ose ndonjë koncept a emërtim nga mjekësia si Canis lupus, Hydroextrcter etj, në kllapa do të ishte mirë të shënohej në raste të caktuara edhe shqiptimi në shqip sipas ortografisë së gjuhës sonë: kanis lupus, hidroekstrakter e kështu me radhë, sepse në tekst nuk ceket fare një mundësi e tillë sqaruese dhe nuk dimë arsyen pse insistohet si rregull që emërtimet a thëniet e tilla të fillojnë me shkronjë të madhe edhe brenda teksteve, kur  emërtimi a shprehja e tillë dallohet me të nënvizuar, me thonjëza ose në ndonjë mënyrë tjetër. .

 

60. Te Paragrafi 90 lypset sqaruar se me shkronjë të madhe  shkruhet apo jo edhe komponenti rruga vetëm atëherë kur rruga tregon drejtimin p.sh në Tiranë Rruga e Durrësi-t, Rruga e Kavajës d.m.th. rruga drejt qytetit Durrës ose të qytetit Kavajë, ose në Kaçanik, Rruga e Shkupit etj. por nëse në Prishtinë emërtohet b.f. një rrugë me emërtimin Vlora,  Roma, në Therandë Permeti , në Gjilan Shkodra etj  atëherë rruga shënohet me të vogël, ndërsa “Tirana” ose “Vlora”, “Roma”, ”Permeti”, “Shkodra” futet ndërmjet thonjëzash. Po kështu, rruga ”UÇK” jo Rruga e UÇK-së, nëse nuk është paraparë ndonjë simbolikë kuptimore e kështu me radhë. Një rregull e tillë mungon në tekstin e Drejtshkrimit në shqyrtim.

 

61. Te Paragrafi 91 emërtimi zviceranët lypset harmonizuar me emërtimin e vetë shtetit Zvicër (në gjuhën shqipe),  prandaj edhe banorët pse të mos shënohen me –ËR zvicëranët, jo zviceranët, siç është në burimin në fjalë.

 

62. Te Paragrafi  99  kemi këto dy vërejtje:

E para, nën b) janë shënuar dy trajta të diskutueshme : Kongresi i  6- të (i gjashtë) dhe shekulli i 20-të (i njëzet-ë), pra në rastin e parë –TË ja fundore del e diskutueshme, ngase del e tepërt, nëse pranohet thjeshtimi i geminatës ose veprimi  haphologjik, gjashtë gjashtë+të + i gjashtë (= i 6), po ashtu edhe te shembulli i dytë: tetë i tetë  (= i 8) (jo i tetë+t) siç u përmend më përpara te Paragrafin 68, nën J.

E dyta, nën c)  rekomandohet që nistoret e gjymtyrëve të fjalëve të shkurtuara, si lidhëza a fjalë të ndërmjetme etj. si  p.sh. (për shembull), b.f. (bie fjala) d.m.th. (do me thënë), të shënohen me pikë, por në burime të tjera ato shënohen bashkë dhe në fund shënohet pikë si psh., bf., dmth. Sidoqoftë edhe kjo dukuri le të sqarohet me kompetencën e duhur

 

63. Te Paragrafi 101 përmendet, ashtu siç u cek më përpara, viza e gjatë dhe viza e shkurtër. Mendojmë se zgjidhja lidhur me këtë duhet të harmonizohet me zgjidhjet e bëra në gjuhë të tjera të zhvilluara, ngase, nëse një gjë e tillë nuk është paraparë në tastaturën e kompjuterëve ose të makinave përkatëse llogaritëse, digjitale, atëherë një porosi e tillë është e pamundur me u realizue pa vështirësi. Gjithsesi nga konteksi, për mendimin tonë, mund të sqarohet fare lehtë natyra e të shprehurit të tillë pa pasur nevojë që domosdo të dallohet teksti me shenjë-vizën e caktuar (të gjatë ose të shkurtër).

 

64.  Te Paragrafi 102 lidhur me shkrimin e datave  e të veprimeve të ngjashme lypsen  përplotësuar  a sqaruar këto gjashtë çështje:

E para, nuk kontestohet rregulla që shifrat e datave përkatëse (dita, muaji, viti) të mos ndahen as me kllapën e pjerrët as me vizël, po me pikë, siç është përcaktuar në rregullën përkatëse.

E dyta,  nga rregulla e deritashme i jepet përparësi mënyrës që muaji të shënohet me shifër latine, b.f. 20.VIII.1933, mënyrë kjo që si duket nuk praktikohet më. Më tepër po përdoret varianti tjetër që edhe muaji të shënohet me shifër arabe. Një dukuri të tillë duhet me pasë parasysh edhe standardistët tanë.

E treta, është e vërtetë se në tekstin në shqyrtim me shkronja arabe është dhënë shembulli alternativ: 20.7.1973, por edhe ky rast sipas realitetit të imponuar del i diskutueshëm, sepse muaji është shënuar me një shifër 7, gjë që në praktikën e sotme, si të thuash, edhe dita edhe muaji shënohen domosdo dyshifror, kuptohet ku nuk është numri i përbërë, si shifër e parë shënohet zeroja, p.sh. 02.01.2008,  e kështu me radhë.

E katërta, meqë në gjuhë të huaja, ashtu edhe në shkrime të caktuara edhe te ne, viti ose vitet po shkurtohen me apostrof para dy shifrave të fundit, si p.sh. në vitet  e‘70 –a të shekullit XIX, ose më 17.O2.’08 e kështu me radhë, prandaj shtrohet çështja që një praktikë e tillë a do të legalizohet edhe me drejtshkrimin e gjuhës sonë apo jo?

E pesta, propozojmë që si rregull drejtshkrimor të futet mbase një paragraf i ri, ose të gjendet vendi përkatës te ndonjë paragrafi ekzistues, të cilit do  t’i ndajmbathet edhe çështja e shkrimit të orës, sepse nuk e kemi një dorë shënimi në burimet tona që ndjekin normën. P.sh. ndeshim Mbledhja bëhet ora 17.00 ose 17:00 ose Takimi fillon në orën 12.30 ose 12,30 ose 12:30. Është fjala të përdoret mes numrit të orës e të minutit: pika, presja a dypikëshi? Madje edhe çështja e shënimit të minutave dhe të sekondave me një shenjë ose me dy shenja apostrofi. P.sh. një minutë ose 1’; l5 sekonda ose l5’’, e kështu me radhë.

E gjashta, del e nevojshme që  të qartësohet edhe vënia e shenjës së endnotës ose fusnotës (yllthi, numri  i zvogëluar romak ose arab) para ose pas pikës si fundit të fjalisë përkatëse.

Gjithsesi, për çështje të tilla, drejtshkrimi ynë duhet të përshtatet me praktikën universale, siç po veprohet edhe me gjuhë të tjera të zhvilluara..

 

     C) Përmbyllje e vështrimit  kritik rreth Drejtshkrimit

                                     të shqipes (1973)

 

Këto ishin disa nga konstatimet dhe vërejtjet tona të veçanta konkrete lidhur me rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe në fuqi, të cilat  besojmë se do t’i shërbejnë për të mirë në radhë të parë opinionit të gjerë dhe sidomos një armate të tërë intelektualësh  e dashamirësit të gjuhës sonë, të cilët janë të interesuar organikisht, jo vetëm për ta kuptuar e njohur më mirë gjendjen reale të drejtshkrimit tonë, por edhe për ta bërë më të përkapshëm atë për përvetësimin, zbatimin si dhe përsosjen e tij, por besojmë se do të jenë të mirëpritura edhe nga një pjesë e anëtarëve të Komisionit ndërakademik i formuar enkas për rishqyrtimin e qëndrueshmërisë së drejtshkrimit të sotëm të gjuhës shqip.

Ky punim në njëfarë mënyre mund të cilësohet si njëfarë sfide, por jo si pamflet  ndaj standardistëve oficielë të deritashëm, te të dy qendrave (Tiranë - Prishtinë), ngase ne  përpiqemi se si të zgjidhen problemet ekzistuese dhe assesi nuk godasim në parim ecurinë e deritashme të normëzimit, por kërkojmë që ky proces të jetë më i plotë dhe më i përsosur. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe standardologët tanë, të cilët edhe janë a mund të jenë në vende e pozita kyçe me përgjegjësi Dikush  a disa prej tyre duhet të esëllohen dhe mos ta pengojnë edhe më punën e rishikimit të drejtshkrimit me arsyetime të flashkëta, por të kontribuojnë që kjo çështje kaq e rëndësishme për kombin, e kulturën tonë të përbashkët të marrë rrugën e duhur të mirë e të mbarë dhe sa më parë, duke e pajisur  tekstin stilistikisht e përmbajtësish me impulse e përplotni të reja.

Është e vërtetë se në këtë vështrim kritik tonin, kushtuar përmbajtjes së Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973), i cili ka 130 faqe tekst, 104 paragrafë, nga të cilët u trajtuan prej nesh 64, dolën mbi 200 konstatime të veçanta, si vënerime, sugjerime madje edhe propozime e vërejtje ( qoftë të përcipta ose edhe serioze) dhe të gjitha këto kërkojnë përgjigje. Pra, vërejtjet e tilla, jo vetëm se duhen  lexuar me kujdes, por edhe duhet me i vlerësue objektivisht.

Sidoqoftë, për mendimin tonë, ndonëse vërejtjet a sugjerimet tona për nga numri nuk janë pak,  por kur kemi parasysh faktin se shumica prej tyre nuk janë aq serioze sa të arsyetojnë kërkesën si adut për përmbysjen e normës në fuqi, në njërën anë, por nuk duhen konsideruar se janë  edhe aq të pa peshë, në anën tjetër, që mos ta përmbysin mendimin e disa adhuruesve (ma drejtë: penguesve) fanatikë të drejtshkrimit në fuqi, të cilët mendonin ashtu siç edhe shpreheshin e ende po shprehen me forcë se norma e tillë e shënuar në doracakun në fjalë, ishte ose është aq e përkryer, saqë e quanin, siç e quajnë edhe sot, absurditet, nëse dikush kërkonte rishikimin e saj për ndonjë çështje të caktuar, duke ngulmuar se tekstit në fjalë nuk bën t’i hiqet, ose t’i shtohet madje asnjë presje e jo më t’i ndryshohet a shtohet ndonjë fjalë a fjali apo paragraf (!).

Natyrisht vërejtjet tona prej afro 200 pikash e nënpikash, por që si raste janë edhe më shumë, nuk i konsiderojmë shteruese as të përkryera dhe gjithëpërfshirëse, prandaj presim që edhe të tjerët, si ne, pa ngurrim, të japin vërejtjet e veta, madje të formuluara edhe më mirë se ne.

 Po sqarojmë edhe paksa lidhur me këtë. Nga vërejtjet tona, vetëm afro 30 pika kërkojnë korrigjim e plotësim të domosdoshëm të tekstit në shqyrtim. Afro 50 pika  të tjera paraqiten si shenja patologjike që shtrojnë nevojën  e shërimit e dhe të këndelljes së koncepteve ndaj standardit gjuhësor, megjithatë shumica prej tyre që kalojnë dukshëm 100-shin, në të vërtetë, janë sugjerime, pyetje për sqarime e konstatime të natyrës së lehtë, por edhe këto (paksa të fryra), siç u tha, shtrojnë nevojën e shqyrtimit dhe të verifikimit nga ekpertët.

Vërejtjet tona, nëse merren në konsideratë dhe jetësohen, jo vetëm nuk dëmtojnë normën në fuqi, por ajo përkundrazi do të fuqizohet më tej, ngase duke bërë përmirësimet e përplotësimet e nevojshme do të kontribuohet në përsosjes dhe rinimin e kësaj norme me qëllim që ajo të fitojë me siguri dhe patjetër gjak e impuls të ri, forcë të re gjallërimi e këndelljeje si dhe prestigj më të madh. Dhe në këtë mënyrë kodi i ripërtërirë me tekst të korrigjuar në versionin përfundimtar do të jetë më i denjë me u quejtë, vërtet, siç e meriton: Drejtshkrim i gjuhës shqipe, drejtshkrim i standardit mbarëkombëtar të të gjithë shqipfolësve dhe shqipshkruesve dhe pritet që përqafimi, respekti dhe zbatimi i rregullave përkatëse do të jetë edhe më i motivueshëm, më masiv dhe më i vullnetshëm.

Me fjalë të tjera, nga numri i vërejtjeve që mund të jetë edhe më i madh, pasi ne nuk morëm në vështrim kritik 40 paragrafë dhe jo të gjitha pikat e nënpikat e 64 paragrafëve që trajtuam, nuk na duket se do të dalë i zhgënjyer ndonjë dashamirës i denjë e i sinqertë i normës së përbashkët kombëtare të gjuhës shqipe, të zhgënjyer mund të dalin vetëm përkrahësit e grupeve fanatike të caktuara, të cilët me veprime e mendime të deritashme bunkeriste përpiqen me e ruejtë ende monopolin ndaj gjuhës me rregulla formale e formaliste jo të kuptuara mirë mbase edhe nga vetë ata dhe gjithashtu të zhgënjyer mund të dalin edhe ata ekstremistë, të cilët kërkojnë që gjithsesi norma e deritashme patjetër  të përmbyset dhe tërësisht.

 Ne jemi të vetëdijshëm, ç’është e drejta, se rregullat ose teksti që po e trajtojmë ne dhe siç duhet ta mirëkuptojnë edhe të tjerët, nuk është miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, siç e plason nganjëherë propaganda, ndonëse dihet se  shumica  e formulimeve është në frymën e atmosferës para Kongresit dhe gjatë diskutimeve në kuadër të sesioneve të Kongresit, por që siç dihet formulimi konkret dhe dora e fundit që i është dhënë tekstit pas Kongresit si formë të prerë përfundimtare ka dalë, si duket  nga sekretaria përkatëse, natyrisht e miratuar  ndoshta edhe nga tre-katër emrat, anëtarët- të  Komisionit hartues ose edhe më drejt nga  fama a firma e njërit prej tyre, , siç thuhet te ne, me shpinë të fortë

Në fund të këtij vështrimi nga lexuesi i nderuar kërkojmë mirëkuptim ashtu si edhe nga ekspertët e gjuhës me standardologët në krye që pasi t’i lexojnë me kujdes vërejtjet e sugjerimet tona rreth drejtshkrimit të sotëm të japin ndihmesën e tyre edhe për përsosjen dhe rinimin e tri shtyllave themelore të standardit të shqipes, siç janë: drejtshkrimi, gramatika dhe leksiku, sepse, siç është theksuar edhe nga të tjerë,  tek të tria këto shtylla  vërehen mangësi jo të vogla.

Sidoqoftë, patjetër dhe sa më parë duhet të korrigjohet e të përplotësohet stilistikisht e përmbajtësisht teksti i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, dhe pas  përmirësimeve të domosdoshme ta gjejë dritën e shtypit nën titullin Drejtshkrimi i shqipes standarde.

Këtë kërkesë duhet ta marrin si zotim për ta realizuar sa më parë institucionet përkatëse përgjegjëse për përkujdesjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në plan kombëtar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora