Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Islam Lauka: Isa Boletini, simbol i bashkimit

| E diele, 24.01.2016, 11:18 AM |


ISË BOLETINI, SI SIMBOL I VIZIONIT TË BASHKIMIT KOMBËTAR

Nga Dr. Islam LAUKA

Organizimi i veprimtarive të tilla si Akademia Përkujtimore, me rastin e 100 vjetorit të rënies së heroit Isë Boletini, është i nevojshëm dhe i dobishëm sepse ka disa vite që figurat dhe simbolet tona kombëtare janë vënë në shënjestrën e disa shqipfolësve që e heqin veten si “analistë” dhe “historianë”. Një ndër figurat e shënjestruara prej tyre është edhe ajo e Isë Boletinit.

Dy janë drejtimet kryesore të goditjes së heroit, të cilat u shfaqën hapur gjatë vitit të kaluar, me rastin e rivarrosjes së eshtrave të tij.

Goditja e parë erdhi nga ata që njihen si mohues të vlerave kombëtare dhe të historisë së shqiptarëve. Sipas tyre, Isë Boletini ka qenë një mercenar, i shitur te serbët, i cili ka punuar, jo për interesat e kombit, por për interesat e tij meskine. Në këtë kontekst, ai krahasohet me pushtetarët e sotëm, të cilët, siç dihet, në plan të parë, kanë interesat e veta dhe të klanit që përfaqësojnë.

Teza e mercenarizmit të Isë Boletinit, nuk u qëndron as fakteve historike as logjikës së shëndoshë. Studiuesi i shquar britanik, Noel Malkolm, pasi e hedh poshtë tezën e mësipërme, pikërisht për mungesë të fakteve, thekson se “nderi i tij nuk mund të blihej lehtë”.

Ndërkohë, logjika e shëndoshë thotë se në luftë kundër armikut kryesor, çdo lëvizje serioze kërkon aleatë, edhe midis fqinjëve. ?shtë fakt i njohur historik që Isë Boletini ka marrë armë nga serbët. Pyetja që shtrohet është: kundër kujt i përdori këto armë? Faktet historike japin këtë përgjigje: fillimisht ato u përdorën kundër Perandorisë Osmane, por në tetor 1912 ato u përdorën kundër Armatës së Tretë Serbe, sepse Serbia u kthye në rrezik kryesor për trojet shqiptare. Ku qëndron mercenarizmi i Isë Boletinit? Duket se nga ky mëkat, vuajnë ata që e sulmojnë heroin tonë, pseudoanalistët mohues.

Nga sa sipër, mund të nxjerrim përfundimin që në vlerësimin e figurave historike duhet të nisemi jo nga raportet e tyre me këtë apo atë individ, por nga raporti i tyre me kombin dhe me perspektivën historike.

Në të dy këto raporte Isë Boletini del krejt i pastër-ai mbrojti trojet kombëtare dhe ishte në përputhje me perspektivën historike, pra pavarësimin e Shqipërisë.

Ndërsa krahasimi i Isë Boletinit me pushtetarët e sotëm, veç të tjerash, ka dy mangësi: ndërkohë që, për heroin Boletini ekziston distanca e nevojshme kohore për të folur për të, pasi sot përkujtojmë 100 vjetorin e rënies së tij, për pushtetarët e sotëm nuk mund të flitet me objektivitet, pa hapur arkivat. Boletini i ka qëndruar kohës dhe arkivave, ndërsa pushtetarët e sotëm, kanë probleme me kohën në të cilën jetojnë dhe kam frikë se do kenë akoma më shumë probleme nesër, me hapjen e arkivave. Nga ana tjetër, Isë Boletini, Ismail Qemali, Hasan Prishtina kanë qenë idealistë. Për pushtetarët e sotëm idealizmi, duket, është krejt i huaj. Kjo është arsyeja që krahasimi i tyre është i pavend dhe i pamundur.

Goditja tjetër Isë Boletinit i erdhi nga kumbarët e “kombit kosovar”, një grusht zhurmaxhinjsh, të vetëshpallur si historianë, antropologë, politologë, “të mbërrimë”, të cilët, jo vetëm nuk kanë asnjë gradë apo titull shkencor, por nuk kanë as formimin bazë në këto shkenca. Fallxhorët e “kombit të ri”flasin jo për shqiptarin Isë Boletini, por për kosovarin Isë Boletini, duke e parë atë si pjesë të identitetit kosovar, krahas Pjetër Bogdanit, Lekë Dukagjinit, Hasan Prishtinës, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës. Xhuxhat e kombit të sajuar kosovar mendojnë se duke u përpjekur për ta futur Isën në kotecin e tyre të “kombit kosovar”,ata vetë mund të transformohen nga xhuxha, në viganë si Isa dhe, pse jo, në “baballarë kombi” si ai. Ata harrojnë se Isë Boletini ka jetuar në kulla të mëdha prej guri. Ata harrojnë se Isë Boletini është në mesin e baballarëve të kombit, por jo të ndonjë kombi të shpikur, por atij që ekziston realisht, të kombit të madh e vital shqiptar. Këtë e ka dëshmuar me gjakun, por edhe me fjalët e tij: “unë jam mirë kur është mirë Shqipnia”; “unë kam ngritë krye për hakin e Shqipnisë”.

Nga ky këndvështrim, nuk ka fare rëndësi se ku prehen eshtrat e tij, në Vlorë, në Boletin apo në Qafë të Çakorrit, sepse ai prehet në tokën e vet. Ai u përket të gjitha trojeve shqiptare, ai i përket gjithë kombit shqiptar. Si i tillë, Isë Boletini është simbol i vizionit të bashkimit kombëtar.

Së fundi, midis shumë mësimeve të tjera, mendoj se në situatën aktuale duhet të nxjerrim dy mësime kryesore nga jeta dhe vepra e Boletinit: së pari, nisur nga fakti që Isë Boletini me bashkëluftëtarët e tij kanë krijuar Gardën e parë Kombëtare të Shqipërisë, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë, klasa politike e Kosovës, pozita dhe opozita, duhet të përshpejtojnë hapat për krijimin e forcave të armatosura të vendit. Pas tetë vjetësh pavarësi, është e pafalshme që kjo çështje të zvarritet më tej. Domosdoshmëria e forcave të armatosura diktohet nga qëndrimi i pandryshueshëm i Beogradit kundër Pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë, me Kushtetutë, si pjesë të saj; ajo diktohet nga zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe jashtë tij (ndërhyrja ruse në Ukrainë); domosdoshmëria e tyre diktohet edhe nga proceset integruese euroatlantike. ?shte iluzion të mendohet anëtarësimi në NATO, pa patur forcat e tua të armatosura.

Mësimi tjetër është: zhvillimi dhe konsolidimi i frymës së bashkëjetesës dhe tolerancës etnike fetare, si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar. ?shte fakt historik se Boletinët kanë dhuruar tokë për manastirin serb në atë zonë dhe se e kanë mbrojtur atë, ashtu siç e kanë mbrojtur shqiptarët Manastirin e Deçanit, Patriarkanën e Pejës etj. Në një kohë të histerisë albanofobe, siç është kjo e sotmja, kur shqiptarët po etiketohen si xhihadistë, terroristë, fundamentalistë etj, Isë Boletini, na vjen në ndihmë, edhe në këtë drejtim, me jetën dhe veprën e vet.

______________

Fjala e mbajtur në Akademinë Perkujtimore, organizuar nga Shoqata e Historianeve "Ali Hadri", Deçan, me rastin e 100 vjetorit te Heroit të Kombit, Ise Boletini.