E merkure, 24.04.2024, 04:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Të ndjesh një zemër...

E premte, 08.08.2008, 07:44 PM


Suzana Kuqi
Të ndjesh një zemër...

Nga Suzana Kuqi

- Të kam parë të trishtuar këto ditë - më tha tek serviri kafenë.

Ja përse më ka thirrur. E ç'i duhet asaj me mërzitinë time e nuk sheh ato rrathë poshtë syve, mendova unë e irrituar e dora m'u drodh kur mora filxhanin në dorë.Kisha pranuar ftesën e fqinjes sime marokene për të ngrënë drekë e për të disatën herë trurin ma përshkoi mendimi se nuk kish qenë ide e mirë . Ato biseda të fëmijëve të saj rreth pluhurit magjik që nëna e tyre u hidhte gjellëve, se nëna e tyre ishte një magjistare e mirë e i bënte të hanin, ato budallallëqe mbi fuqitë e saj...padashur vura buzën në gaz. Sido që të ishte me hir a me pahir dhe unë i kisha dhënë fund pjatës së kuskusit të shijshëm.Po , e kisha pranuar atë ftesë ashtu e mërzitur siç isha pas asaj zënke që kisha pasur me tim shoq . Kish qenë veç një vizitë e kushëririt të tij dhe ... ja , disa ditë pa folur e oreksi me ishte prerë. Por këto ishin probleme të miat e asaj nuk kishin ç'i duheshin...Le të shikonte ato shenjat e zeza poshtë syve të saj të bukur, nesër do të jenë ndoshta ngjyrë violetë e më pas në të verdhë të shpifur e pastaj do të zhdukeshin sikur nuk kishin qenë kurrë  derisa i shoqi ta rrihte përsëri...

               - E di se ç'mendon ,- padashur ajo preku me gishtat e duarve mollëzat e faqeve, - por unë jam mësuar , ndërsa ty të kam parë gjithnjë të gëzuar dhe... Se si më duket kur të shoh kështu...

              - Si të dukem ?

              - Sikur nuk je ti .- zëri i saj ishte i ëmbël.

             - Je personi i fundit që mund të më dëgjojë apo të më japë këshilla. Ndoshta unë mund të të ndihmoj Kadizhe...

              - Ashtu ?- fytyra e saj një çast , vetëm një çast e humbi ëmbëlsinë .- Mos do të më thuash se im shoq më keqtrajton dhe se duhet t'a denoncoj ? Të denoncoj e t'i bëj keq babait të fëmijëve të mi ? Cfare din ti për mua dhe për atë që mund të më ndihmosh ? Asgjë ! Dhe asgjë nuk mund të bësh.

              - Qetësohu Kadizhe , të lutem ! - ju përgjërova unë.

Por Kadizhja ishte qetësuar më parë se unë të mbaroja fjalën.Sytë e saj shihnin jashtë në një pikë të papërcaktuar e ishin  të bukur e ëndërrimtarë.

             - Unë nuk e desha burrin me të cilin më martuan. Më detyruan. Ishte fati im.

Fati , mendova unë, ja një ngushëllim që i bëjmë shpesh vetes kur gjërat nuk na ecin siç duhet e nuk kemi guximin për t'ju kundërvënë.

             - Nuk do të thotë që duhet ta durosh kur të keqtrajton.

             - Nuk është i keq, është njeri i mirë dhe unë i detyrohem.

Sigurisht , mendova përsëri, të mban në shtëpi të rrisësh fëmijët e të përkujdesesh për të e pastaj...

             - Je e zonja e vetes. Mund të punosh nëse e ke fjalën që të mban ai.

             - Nuk e kam fjalën aty,- sytë e saj u kthyen nga unë. - I detyrohem më shumë .Kam dashur një tjetër më parë ,-zëri i saj u mek pak,- e kam dashur shumë , aq shumë...

Kuptova, i shoqi nuk e kishte gjetur të virgjër. Nuk ke ç'i bën , janë zakone.Janë akoma edhe në vendin tim.

              - Nuk më ktheu mbrapsht !- përfundoi Kadizha.

              - Më mirë të të kishte kthyer, - ja pata unë pa u menduar shumë.- Fundja ky ankth do të kishte marrë fund një herë e mirë.

              - Jo, mos e thuaj atë . Vëllezërit e mij... do të më vrisnin e ndoshta... do të vrisnin edhe atë...Do të bëheshin vrasës për shkakun tim...Ose do të më hidhnin në rrugë e unë do të humbja familjen time.. Ju përgjërova burrit të më falte e të më pranonte siç isha natën e dasmës...

Shikoja sytë e saj të bukur të përlotur e zemra m'u ngushtua në krahëror. E kishte falur, por a mund të bënte ndryshe duke parë ata sy të bukur e të trishtuar tek përgjëroheshin...Kishin një dritë të tillë...ishin të magjishëm...nëna ime është magjistare kish thënë vogëlushja...

              - Fakti që të fali...

              - Më fali sepse është njeri i mirë. Në fillim ishte ndryshe. Nuk më donte dhe aq, fundja nuk më kish njohur më parë, e kishte më të lehtë të më falte. Tha se donte të bënte një xhest të mirë , se fati i tij kish qenë i shkruar kështu dhe kështu do ta pranonte. Gjërat u keqësuan më vonë, kur filloi të më njihte e të më donte .Filloi të bëhej xheloz e të shpërthente në kriza xhelozie. Prandaj dhe erdhëm këtu , të shkëputeshim një herë e mirë nga ai vend mbushur me  kujtimet e atij tjetrit.Por nuk shpëtuam prej tyre.Tani krizat janë më të pakta dhe nuk ma zë më në gojë . Por kur burri mësohet të vërë dorë mbi gruan... ajo e shkretë dorë sikur ngrihet vetë , bëhet rrugë. Por pastaj pendohet e më mbyt me ledhatime...

 

Me ledhatime ?! E ç'do të më duheshin mua ledhatimet pasi burri të më kish rrahur ?

              - Përse m'i thua mua këto ? - e pyeta papritur.

              - Ashtu kot, fundja duhet t'ja them dikujt, kam nevojë edhe unë të flas me dikë.

              - Ku ndodhet ai... desha të them...

              - Eshtë atje , - psherëtiu ajo.

              - Lidhesh me të , desha të thoja ndonjë letër, ndonjë ...

              - Lidhem ?! As që e çoj ndër mend. Unë i jam besnike burrit tim e do t'i qëndroj besnike deri në fund. Për... atë... më mjafton të di se është mirë dhe kaq.

              - Dhe vetëm kaq ?- ngulmova, mënyra se si e shqiptonte "atë", ai tingull i butë zemre që dilte prej gojës së saj kur thoshte "ai" ose "atë"...

               - Përse ? Nuk mjafton vetëm kaq ? Kur zgjohem në mëngjes çdo gjë është më e bukur sepse ai është , ekziston në këtë botë, ani se është atje...Dielli është më i shndritshëm se ndriçon edhe për të...Yjet, hëna që kundroj unë i kundron edhe ai... Lulet kundërmojnë më shumë, ngjyrat e tyre janë më të bukura, zogjtë cicërijnë ëmbël dhe zemra ime është e gëzuar e buza më qesh e më këndon.Sepse ai ekziston. Po, nëse don vërtet ta dish ,unë nuk e kam harruar , nuk kam pushuar as edhe një minutë së dashuri atë  . Eshtë mëkat , e di, por nuk e kam zemrën në dorë që ta komandoj, e ka ai atje lart, e nëse ai më lë të mekatoj ...Nëse ai më ka dhënë një zemër të tillë ...

Nuk po e dëgjoja më. Shikoja sytë e saj , buzët e saj tek i faleshin një djaloshi një mbrëmje me hënë ndën një peme të lulëzuar.Ndjeva dy zemra të çmendura nga dashuria e duart që ndiqnin ritmin e tyre, të ethëshme , në lëvizje të hirëshme e të pafajshme në një akt sublim dashurie ...Rënkime e pëshpërima të ëmbla...Kadizha...Kadizha...

 

               - ...jam mëkatare , do të digjem në ferr

              - Ferrin po e kalon këtu në tokë .Perse nuk ike me te ?

Kadizha fshiu lotët. Papritmas fytyra e saj e humbi magjinë e saj. Edhe zëri nuk kishte atë timbër të bukur kur foli.

              - Nuk e di por nuk munda.I kisha përgatitur dhe dy plaçka për t'i marrë me vete e kishim vendosur edhe ditën. Do të ikja natën, natën si një hajdut.Në majë të gishtave hyra në dhomën e prindërve teë mij tek flinin. Fytyra e nënës sime të përvuajtur, aq e dashur , si mund të ikja kështu e të mos e shihja më...Po babai, do të mbetej me kokë ulur për tërë jetën nga turpi ...E vëllezërit e mij...

              - Po do të ishe e lumtur me atë - padashur edhe unë e shqiptova "atë" në mënyrë të veçantë si Kadizha.

              -E lumtur ?- sytë e saj u mbushën sërish me lot - E lumtur për sa kohë ? A do të mund të isha e lumtur unë kur të mendoja se si e kisha braktisur familjen time , nënën, babain , vëllezerit...Si mund t'a shihnim njëri tjetrin në sy kur të na merrte malli për familjet tona...

             - Mund t'i kishe humbur gjithsesi nëse...

Fytyra e saj u zbeh dhe pikëlza djerse si margaritarë të vegjël hijeshuan ballin e saj. Dukej si një princeshë e trishtuar përrallash të lashta.

            - Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Kisha edhe një mundësi të vetme , vetëm një. Lusja Zotin natë e ditë që burri me të cilin do të martohesha do të më falte ose... Nuk kishte rëndësi nëse e doja apo jo, rëndësi kishte vetëm të më falte, të më falte një natë të vetme ...

             - Kadizha, po të jetosh me një burrë që nuk e don ...- zemra më ishte ngushtuar sërish nga dhëmbsuria për të. Unë kisha bërë veç disa fjalë, jo veç disa, ishin shumë. Fjalët tërheqin njëra tjetrën duke u rënduar e të plagosin thellë në shpirt ...Fjalë , fjalë, fjalë e kisha ditë që e ndjeja tim shoq kilometra larg edhe kur shtrihesha në shtrat dhe ishte veç një pëllëmbë larg meje e jeta më dukej skëterrë...

              - Gabohesh, e respektoj dhe e dua  burrin tim për zemrën e tij të mirë.Dua pafundësisht fëmijët  siç dua vëllezërit e familjen time. Por dhe atë nuk e harroj dot. Kur burri im ngre dorë, mendoj se është dora e atij , dënimi që më jep që nuk ika me të e pranova të martohem me tjetër...kur burri më përkëdhel janë duart e tij që më ledhatojnë e përkëdhelin aq ëmbël... Ai është kudo, në ajrin që thith, në rrobën që më prek, në lëkurën e tim shoqi kur bëj dashuri...Ata janë një , për shpirtin tim fatkeq i kam bashkuar e bërë një...ndryshe si do të bëja të duroja, më mirë të kisha vdekur.E po të kisha vdekur nuk do të kisha lindur fëmijë. I ke parë sa të bukur e të mirë janë fëmijët e mij ?

              - Janë të mrekullueshëm,- pranova unë me sinqeritet megjithëse përbrenda po më gërryente dyshimi se kjo grua nuk ishte normale .Duhej të ishte e çmendur e kishte më shumë nevojë për ndihmë se sa pata menduar .

              - Sepse janë fëmijë ëndrre , të një ëndrre dashurie që mbeti dhe ajo e pothuaj fëmijë atë natë me hënë mbushur me aromë lulesh.Kjo është historia e jetës sime .

E dhimbshme dhe interesante, mendova duke shikuar orën në mur. Kish ardhur koha të kthehesha në shtëpi. Mirë që nuk flisja me tim shoq por të paktën t'i përgatisja diçka për darkë.U ngrita e ajo më shoqëroi tek dera gjithnjë me atë nënqeshje të ëmbël dhe për habi ato rrathë poshtë syve dukeshin sikur i jepnin më shumë hijeshi asaj fytyre të bukur si fytyrë fëmije. Siç duket koha ishte stepur për të atë natë që kish bërë dashuri me të dashurin e saj atje, ndën  pemën që kundërmonte , ato çaste lumturie që i kishin sjellë kaq andralla. E përshëndeta dhe dola.

Ishte vonë e burri im nuk ishte kthyer e unë  rrija në ballkon duke e pritur. Si do të shkonin punët këtë natë, do të mbanim akoma mëri ? Në ballkonin tjetër ishte Kadizha që rrinte më këmbë me duar kryqëzuar e kundronte yjet . Sytë e saj ëndërrues kishin marrë shkëlqimin e tyre. Po mendon atë, mendova unë, është duke u dashuruar akoma.Dera e ballkonit të saj u hap dhe i shoqi ju afrua ngadalë nga pas e pështolli në krahë dhe e shtërngoi në gjoks. Pashë kokën e saj tek pështetej pas atij krahërori dhe më pikoi në shpirt tek dëgjova një psherëtimë të lehtë e të ëmbël të saj. Një xhest aq i hirshëm, një tingull drithërues ... Një kujtim i shkuar i një nate të vetme i një burri tjetër i jepte aq forcë sa t'i falte trupin e shpirtin këtij burri...Jo,nuk mund të ishte kështu, kish diçka që më kishte rrëshqitur, një fill që nuk e kisha kapur dot. Befas kuptova që e kisha gjykuar keq. Nuk ishte ai tjetri që ajo kish mbartur në shpirt e zemër gjithë ato vite , atij ndoshta pas kaq vitesh nuk i mbante mend as fytyrën. Ishte ajo ndjenjë e madhe dhe e bukur e atij çasti të bekuar kur ajo kish kuptuar se ç'ish dashuria kur kish kuptuar e njohur magjinë e forcën e saj .E kërkonte atje ku e kish zbuluar për herë të parë dhe e mbartëte këtu larg ...ishte pluhuri i saj magjik që i jepte kuptim të bukur jetës. E unë ? E ne , të rritura me një frymë tjetër, ne që mendojmë se jemi aq të forta në karakter e në shpirt . Ne që kemi ligjin pas vetes që na mbron... Ne që marrim burrat që dashurojmë, që kemi me mijëra kujtime të bukura me ta .Kujtime që nuk dimë t'i thërrasim kur kemi nevojë, thërresim vetëm të këqiat... Ne me mëndje e karakter të fortë e me shpirt aq të dobët sa mund të shkatërrojme edhe familjet që i ndërtojmë me aq mund e punë në një sekondë inati e mërie... Ja ku është ajo, nuk është aspak e çmendur siç e pata menduar, është me zemër të madhe, me zemër më të madhe se unë ... Zemra e saj diti të ruajë dashurinë e saj të parë, të familjes e të vëllezërve,  të burrit që ka në krah , e respekton e don dhe nuk do t'ja dijë se e keqtrajton e nuk e ndan...Zemra e saj është e mbushur me shpresë se gjërat do të ndryshojnë për mirë .Zemra jonë mbushet me mëri e inat për një fjalë që rrëshket pa u menduar... na duket fundi i botës...

Dera e ballkonit tim u hap e ndjeva hapat e tim shoqi. Nuk u ktheva për t'a parë në sy, më vinte turp.

                  - Mirëmbrëma ! -  zëri i tij ishte i ulët e i ndruajtur.

                 - Të kujtohem ... kur më ke parë atë ditë...per herë të parë ... si isha ?- pyeta unë duke sjellë ndërmend herën e parë që kisha parë atë djalë të ri e kisha ndjerë atë drithërimë diku aty afër stomakut, tani ishte aty pranë meje.

                 - Si ishe , apo ... si je ?

                 - Mirë , më thuaj si jam?- fola unë me zemër të ngrirë nga frika se mund të dëgjoja diçka të papëlqyeshme.Mirë të më bëhej , vetë e kisha kërkuar.

                 - E mrekullueshme, më e mrekullueshme se atëherë ! - fryma e tij më gudulisi veshin e unë pështeta kokën në supin e tij tek ndjeja tërë atë akull mërie të shkrihej e vendin e tij e zuri dashuria e malli. Më kish munguar këto ditë , më kish munguar shumë.Isha torturuar aq shumë në morsën e inatit e mendimeve të këqia... E...kish mjaftuar aq pak që të ndjehesha sërish e dashur, e dëshiruar dhe e dashuruar njëkohësisht dhe ... e lumtur.  Kadizha...kish patur të drejtë. Ishte vërtet një magjistare , një magjistare e mirë... kish theksuar i biri ..I isha mirënjohëse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora