Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova - Kosova në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara

| E enjte, 21.01.2016, 10:21 PM |


DR. IBRAHIM RUGOVA: KOSOVA NË MIQËSI

TË PËRHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA

(Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes)

Nga Frank Shkreli

Ndonëse 21 Janari 2016 shënon dhjetëvjetorin e ndarjes nga kjo jetë të ikonës së pavarësisë dhe udhëheqësin e Dardanisë antike, Presidentin Ibrahim Rugova, prijësin e madh të kombit shqiptar dhe udhëheqësin e parë antikomunist në Evropën juglindore.

Deri në vdekje, Dr. Rugova mbeti mik i Shteteve të Bashkuara dhe i udhëheqësve të saj dhe antarëve të Kongresit të të dy partive kryesore të këtij vendi, qofshin ata republikanë apo demokratë.   Prandaj nuk është për tu habitur që në ngushëllimet dërguar familjes Rugova dhe popullit të Kosovës, me rastin e vdekjes së të ndjerit Ibrahim Rugova, Presidenti i atëhershëm, George W Bush - në emër të popullit amerikan dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara –u shpreh se “Jam tepër i pikëlluar nga vdekja e Presidentit Rugova, i cili për shumë vjetë udhëhoqi fushatën për liri, paqë e demokraci në Kosovë.  Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili njëkohsisht ka siguruar gjithashtu edhe respektin e mbarë botës, për qëndrimet e tij parimore kundër dhunës”.  Duke shikuar nga e ardhëmja e Kosovës pa Presidentin Rugova, në mesazhin e tij të ngushëllimeve, udhëheqsi amerikan, ashtu siç kanë bërë edhe shumë zyrtarë amerikanë  të niveleve të ndryshme gjatë viteve, ritheksoi atë që  edhe sot është qendrimi zyrtar i Washingtonit se, “Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara që të bashkpunojnë me popullin e Kosovës, për të siguruar për të një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe e begatë.”

Ndërsa Sekretarja Amerikane e Shtetit, në kohën kur ndërroi jetë Presidenti Rugova, Condoleezza Rice në mesazhin e saj të ngushëllimeve, është shprehur se, “Madje edhe ndërkohë që ai luftonte sëmundjen që më në fund i mori jetën, Presidenti Rugova punoi për të siguruar unitetin në radhët e udhëheqsve të Kosovës dhe popullit të saj. Shtetet e Bashkuara kanë humbur sot një mik të madh, ndërsa populli i Kosovës ka humbur gjtihashtu një udhëheqës të madh”, ka theksuar Condoleezza Rice në mesazhin e saj dhjetë vjetë më par”.  Kryediplomatja amerikane në atë kohë u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë së punuari me mbarë popullin e Kosovës për ndërtimin e një shoqërie bazuar në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe tolerancës, vlera që sipas saj, Presidenti Rugova i vlerësonte jashtzakonisht shumë.

Ai, siç është shprehur edhe Presidenti Bush, admirohej jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara por edhe nga e gjithë bota.  Për cilin udhëheqës tjetër shqiptar mund të thuhet një gjë e tillë?  Me një krenari atdhedashurie si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar i kohërave moderne, Presidenti Rugova me bashkëbiseduesit e tij, qofshin ata shqiptarë apo ndërkombëtarë, ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë e qëndresën, - vlera këto që gjatë shekujve kanë përbërë  dhe kanë dalluar qenien shqiptare së bashku me besën, nderin e burrninë.  Presidenti Rugova besonte se bota do të kishte respekt më të madh për ne shqiptarët në qoftë se u përmbahemi këtyre vlerave bazë të qenies arbënore.  I frymëzuar nga këto virtyte, ai me durim, guxim e besim – filloi të rikthejë dinjitetin tonë kombëtar të nëpërkëmbur gjatë 50 vjetëve të fundit të shekullit të kaluar nga një ideologji krejt e huaj për qenien tonë.  Me një ndërgjegje të thellë kombëtare, ai na vuri përsëri aty ku e kemi vendin, në radhë me popujt dhe aleancat perendimore.   Fjala e jonë popullore thotë: "Burri i mirë me shokë shumë".  10 vjetë më parë e humbëm Presidentin Rugova, por për hir të tij dhe vepërs së tij, Kosova dhe kombi shqiptar fituan shumë miq e dashamirës në të gjithë botën.  Presidenti Rugova fliste pak, por jehona e mesazhit të tij u dëgjua anë e mbanë botës. Mesazhi i tij bëri që e gjithë bota të mësonte për hallet tona, dhe jo vetëm kaq.  Mesazhi i Presidentit Rugova, sipas Bernard Kouchner, kryetarit të parë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e i cili e kishte takuar Rugovën për herë të parë në vitin 1991, ka qenë gjithmonë i njëjti, duke shtuar se, Ai ishte gjithmonë I qetë dhe kurrë nuk bërtiste” ka thënë Kouchner.

Presidenti Rugova bëri që e gjithë bota të jetë me shqiptarët. Siç ka thënë edhe Presidenti amerikan Bill Clinton – protagonisti kryesor i çlirimit të Kosovës – dhe i cili e kishte takuar Presidentin Rugova, se përsa i përkiste atij, “nuk kishte avokat që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij” se Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova i përket pra një grupi të vogël njerëzish, që me punën e tij për popullin e vet dhe për vlerat njerëzore, në të mirë të atdheut e të njerëzimit – lartësohen në atmosferat e universit - e që nuk mund të maten as nga koha e as nga hapësira.  Në këtë 10-vjetor të ndarjes nga kjo jetë, Presidenti Rugova qëndron gjithnjë si një dëshmitar i punës dhe veprave të mëdha.  Ndonëse sot është e lirë dhe e pavarur, Kosova, ndoshta si asnjëherë tjetër, ka nevojë për urtësi e fuqi mendore rugoviane dhe për frymëzim të vazhdueshëm për të dalë nga ngërçi politik që ka pllakosur vendin ashtuqë, Kosova dhe kombi shqiptar të   kenë një të ardhme me ditë më të mira.  I lutemi Zotit që në këtë përvjetor të kësaj humbjeje kaq të madhe, Kosova dhe udhëheqësit e saj të sotëshëm, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe duke pasur parasysh interesat e larta kombëtare – dhe duke lënë mënjanë ndryshimet politike dhe interesat ekonomike midis tyre, të shënojnë fitore të mëtejshme historike në avancimin e lirisë dhe demokracisë brenda vendit, por edhe njohje të mëtejshme në fushën ndërkombëtare, duke u frymëzuar nga kujtimi i Presidentit Rugova.

Si studiues i historisë dhe si atdhetar i vërtetë- që i dallonte mirë miqtë nga armiqtë e kombit shqiptar - Dr. Ibrahim Rugova, ishte i bindur se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të gjente miken dhe përkrahësen e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur ç’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Uilson e këtej.    Ai ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës dhe njëkohësisht përforcoi edhe mëtej marrëdhënjet midis popullit amerikan dhe kombit shqiptar.  Pas vizitës së tij të pare në New York dhe në Washington në vitin 1989, Kosova dhe kombi shqiptar kishin tani një zëdhënës ndryshe për hallet e veta. Ndonëse në rrethana shumë të vështira, ai ishte një zë i urtë që dëgjohej e respektohej nga të gjithë bashkëbiseduesit.   Ishte një zë që fliste për të drejta të shqiptarëve në trojet e veta, për liri e demokraci për popullin e vet, dhe si asnjë person tjetër, siç ka thënë edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, Dr. Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare edhe nga nga pikëpamja historike dhe njerëzore.  Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar më në fund e ndëgjoi dhe filloi të interesohej për tragjedinë e Kosovës.    Me urtësinë e tij të madhe, Dr. Ibrahim Rugova luftoi kundër pohimeve anti-shqiptare të të gjithë atyre që i paraqisnin shqiptarët si të egër, dhe si njerëz jo të zotët për vetqeverisje.

Si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar, ai kishte një vizion të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe për interesat kombëtare të shqiptarëve. David Binder, ish-korrespondent i gazetës New York Tajms i kishte thënë Zërit të Amerikës me rastin e vdekjes së Presidentit të Kosovës, se Ibrahim Rugova do mbahet mend për vendosmërinë e tij të palëkundur në promovimin e pavarësisë së Kosovës. “Ai zgjohej në mengjes duke predikuar pavarësinë e Kosovës dhe shkonte për  të fjetur duke predikuar pavarësinë e Kosovës. Dhe sigurisht ai edhe endërronte për pavarësinë e Kosovës kur ishte në gjumë”, është shprehur për VOA-n ish korrespeondeti i New York Tajms

Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte kombi shqiptar për t'u radhitë ndershmërisht në radhën e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për në rrugën e bashkimit dhe integrimit të kombit shqiptar me vendet perëndimore.  E respektoja për bindjen e tij se komunizmi qe rreziku më i madh që i kishte ndodhur kombit shqiptar në shekullin e 20-të, si dhe për faktin se besonte me ngulm se kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve. Ai nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione për një të ardhme më të mirë të kombit të vet duke i dhënë një emër të nderuar gjakut shqiptar. E respektova Dr. Rugovën se ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste si shumë nga ata të brezit të tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem.  Në të vërtetë, këta janë ende ndër kundërshtarët më të fortë dhe përbuzësit më të mëdhej të Presidentit Rugova. E po të kishin këta kritikë të Ibrahim Rugovës të njëjtin respekt dhe tolerancë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë që ai kishte për ta, politika shqiptare do të ishte në një nivel më të lartë qytetërimi dhe nuk do ishte në shpellën ku gjëndet sot.  Ndryshe nga këta, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuara me traditat dhe vlerat më të mira shekullore të kombit shqiptar.  Ai ishte i vetdijshëm se trimëria dhe pushka, natyrisht e kanë vendin dhe kohën e vet për t'u përdour në mbrojtje të interesave të kombit.  Por me shëmbullin e tij, ai gjithashtu tregoi dhe e la trashëgimi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet gjithashtu – në bashkpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara, siç preferonte të deklarohej shpesh - duke i ruajtur nderin emërit shqiptar në botë, një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën dhe sidomos për politikanët e sotshëm në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.  Këjo është trashëgimia dhe porosia e Presidentit Ibrahim Rugova në 10-vjetorin e vdekjes!