Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thanas Gjika: Mërgim Korça - Nderi i Kombit

| E diele, 17.01.2016, 06:58 PM |


MBI TË GJITHA POLITIKANËT DHE HISTORIANËT DUHET TË JENË ATDHETARË DHE TË MORALSHËM

(Ese për analistin ing. MËRGIM KORÇA)

Nga Thanas L. Gjika

Ing. Mërgim Korça, në letrat shqipe, është një nga analistët vërtet të lirë të periudhës paskomuniste, i cili me veprat e tij ka zgjeruar dhe zgjeron horizontin e lexuesve, ka hapur dhe hap rrugë të reja për zgjidhje problemesh të mbetura pezull para shoqerisë sonë të djeshme e të sotme. Ai ka shkruar shumë artikuj nëpër forume e gazeta të ndryshme, shumicën e të cilave i ka botuar dhe në tri përmbledhjet e mirëpritura Histori të Pashkruara (268 f, 2005), Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike (247 f, 2008) dhe Çështja Kolaboracionizëm e të tjera, t'i Gjykojmë (515 f, 2014). Po ashtu ai ka mbajtur në TV Miçigan biseda dhe intervista të ndryshme, kumtesa në sesione shkencore, si dhe disa DVD me intervista të kryera prej tij me z. Seit Demneri, ish shok klase i Ramiz Alisë në gjimnazin e Tiranës, etj. Në këto vepra bëhen përpjekje këmbëngulëse për të sqaruar faktin se cili ka qenë morali dhe atdhetaria e figurave kryesore të Luftës Antifashiste Shqiptare dhe e drejtuesve të regjimit komunist shqiptar në vitet 1944 - 1992. Mësimi themelor që transmetojnë shkrimet e këtij analisti, moto e tyre, është: Politikanët dhe historianët e pamoralshëm kanë qenë dhe janë të dëmshëm.

Për vlerat e Mërgimit si analist kanë shkruar pena të spikatura si profesor Ardian Ndreca, shkrimtari i shquar Visar Zhiti, etj.

Ingjinieri i talentuar Mëgim Korça, është djali i vogël i Dr. Xhevat Korçës (1893 – 1959), një intelektual e atdhetar i pavlerësuar ende. Xhevati, mbasi mbaroi gjimnazin në Janinë, më 1911 doli malit si komit me çetat e Rilindjes sonë Kombëtare të Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit. Më 1917 u dërgua për studime në Austri, ku më 1922 doktoroi me një studim për jetën dhe vlerat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërtuar si përgjigje ndaj tri pyetjeve. Mbas kthimit në atdhe, disa muaj më vonë u dërgua prej qeverisë shqiptare të themelonte Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës, punë të cilën e kreu me sukses. Në vitin 1925 u largua prej Shqipërisë si antizogist, dhe po atë vit, prof. Barich e emëroi lektor në Universitetin e Beogradit. Më 1928, mbasi Ahmet Zogu dërgoi atje dy herë njerëz për t'i bërë atentat, u largua prej Beogradit dhe shkoi në Austri, ku jetoi si emigrant deri më 1936, vit kur kaloi me gjithë familje në Fiume të Italisë. Në gusht 1939 u kthye në atdhe, dhe kur miku i tij Mustafa Merlika Kruja e ftoi të bëhej Minister i Arsimit, Xhevati pranoi pasi u aprovua kerkesa e tij për heqjen e italishtes nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë, si dhe për lirimin nga burgu dhe nga internimi në Itali i të gjithë arsimtarëve të dënuar si kundëritalianë.

Më 17 nëntor 1944 atë bashkë me djalin e madh, forcat komuniste e arrestuan duke e cilësuar “profashist, armik të popullit”. Në prill 1945 bashkë me shumë të dënuar të tjerë, e nxorrën para Gjyqit Special me kryetar të trupit gjykues Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, i cili në pretencën e tij kërkoi dënimin me vdekje me pushkatim të Xhevat Korçës si fashist. Në fjalën e tij të fundit Xhevat Korça, duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, tha : “Zoti kryetar mos i dëgjoni se ç’thotë prokurori. Unë ju them : Gjemani një fjalë të thënë publikisht në favorin e fashizmit, ose një fjalí të shkruar kësisoji dhe pushkatomëni !”. Mbrojtja burrërore që Xhevar Korça i bëri vetes, e detyroi trupin gjykues ta ndërronte dënimin në dënim me burgim të përjetshëm. Në gusht të vitit 1959, për të shprehur protesën e vet ndaj dënimit që i ishte dhënë pa të drejtë dhe ndaj gjendjes së mjerueshme të të burgosurve të Burelit, Xhevat Korça i dha fund jetës me grevë uríje, rast i rrallë, në mos i vetëm deri atëkohë në burgjet e kampit komunist.

Ndihmesa e tij në fushën e letrave është e panjohur ende. Fillimet e shkrimeve të tij dokumentohen në revistën Djalëria që botonin studentët shqiptarë në Austri. Por këto shkrime si dhe të tjera të botuara në organe të tjera shtypi nuk janë mbledhur. Rëndësí të madhe padyshim paraqet i gjithë dokumentacioni i marrë në arkiva të ndryshëme europiane, i përkthyer prej tij dhe i titulluar Akte dhe dokumenta Austro – Hungare lidhur me Shqipërinë. Gjithashtu Xhevat Korça përktheu nga gjermanishtja veprën e amerikanit John Reed 10 Ditë që tronditën Botën (gjermanisht: 10 Tage DieDie Welt Erschutterten).

Djali i madh, Genci u lind në Shkodër më 1924 dhe u detyrua që foshnjë të merrte rrugën e mërgimit bashkë me babain dhe nënën. Ky djalë emigranti filloi të merrte formim në shkolla austriake dhe italiane deri më 1943, ku mbaroi edhe vitin e parë të mjekësisë, u kthye për pushimet verore dhe mbeti në Shqipëri. Endërra e Gencit ishte të mbaronte studimet për mjekësi, por nuk mundi ta realizonte për shkak të rrethanave. Më 17 nëntor 1944 ai u arrestua bashkë me babain dhe u lirua, për mungesë faktesh mbas 13 muajsh, pa qenë i dënuar nga asnjë proces gjyqësor. Ai punoi për të mbajtur familjen si ndihmësmjek në Shkodër, por pas ndonjë viti e dërguan me punë në zonën malore të Dukagjinit, ku ai u lidh me disa ardhetarë antikomunistë, me të cilët pas peripecish të ndryshme mundi të arratisej në Jugosllavi në tetor të vitit 1952. Mbas disa muajsh ai mundi të arratisej edhe prej Jugosllavisë në Austri e prej andej shkoi në Greqi, prej ku më 1955 shkoi në SHBA. Këtu vijoi formimin e tij në Wayne State University, Detroit MI në degën Kimi Industriale në profilin Higjenë Industriale. Për rezultatet e larta studentore iu dha një simbol i Universitetit si studenti më i shkëlqyer i vitit. Aty dha leksione për disa vjet. Më tej punoi si ingjinier në kolosin amerikan të industisë, në General Motors Detroit MI ku për 13 vitet e fundit, derisa doli në pension, ishte Drejtor i Higjenës Industriale për të gjithë Korporatën e General Motors.

Në vitin 2009 Genci botoi në anglisht vëllimin me kujtime One Man's Journey to Freedom (Rruga e një burri drejt Lirisë), të cilën e vlerësoi po në anglisht në gazetën Dielli Dr. Gjon Buçaj, kryetari i Shoqërisë Vatra. Kjo vepër të tërheq për rrëfimin e thjeshtë të peripecive që kaloi djaloshi dhe burri Genc në mërgim e në atdhe dhe sërishmi në mërgim. Ai u martua më 1958 me z-njushen Margaret dhe ka sot dy djem e një vajzë dhe tetë nipër e mbesa, një bletë e plotë, si themi në Shqipëri.

Nga treshja e familjes elitare Korça, shkëlqen në mënyrë të veçantë djali i vogël i familjes, Mërgimi, të cilit ia kushtoj këtë ese të shkurtër. Ai, që në rininë e hershme u detyrua të punonte e të shkollohej për të mbijetuar me nder e për të pleqëruar nënën, të përvuajturën e madhe të familjes. Kjo zonjë ishte një nga kurajozet e pakta që votoi kundër rregjimit në zgjedhjet e vitit 1945, duke e lëshuar sferën (votën) në kutinë e “armikut”, kuti e pashtruar me kadife gjë që shkaktoi zhurmë dhe zbulimin e sekterit të votimit kundër...

Mërgimi e piu të plotë gotën e hidhërimeve gjatë kohës së diktaturës dhe mbas shkërmoqjes së saj u përshtat për bukuri në atdheun e ri, në ShBA, ku krahas punës së paguar për të siguruar jetesën e tij e të familjes, filloi luftën si intelektual me ndjenja te spikatura qytetare për sqarimin e karakterit negativ të diktaturës shqiptare dhe të personaliteteve politikë e shkencorë të saj.

Mërgimi, si e tregon vetë emri, u lind jashtë shtetit, në 30 nëntor 1932, kur familja e tij ndodhej në mërgim, në Grac të Austrisë. Në vitet e diktaturës, si bir i një të dënuari me damkën “armik i popullit”, dhe vëlla i një të arratisuri, pra për shkak të biografisë, Mërgimit nuk iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta. Por duke përfituar nga një “zbaticë” në luftën e klasave si edhe nga mbështetja që i dha Ndërmarrja Rruga-Ura ku punonte, ai mundi të ndjekë studimet për Ingjineri Mekanike në kurset pa shkëputje nga puna, (kurset e mbrëmjes), nëntë vite mbasi e kishte mbaruar shkollën e mesme. Mërgimi arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe t’i imponohej qeverisë diktatoriale e cila ishte shumë e varrur nga mekanika bujqësore. Këto suksese ai i arriti përmes punës së tij intensive e këmbëngulëse për të projektuar e zbatuar projekte origjinale për makineri bujqësore, ku spikati talenti i tij prej projektuesi e konstruktori mekanik.

U bënë shumë të njohura makineritë e projektuara dhe krijuara prej ing. Korçës, si makina për rrallimin e pambukut, (për të cilën i kishte urdhëruar vetë Enver Hoxha drejtuesit e rretheve Lushnjë edhe Fier që patjetër ta zgidhnin atë problem duke ngarkuar ingjinierët më të aftë për atë punë, sepse industria tekstile detyrohej të importonte sasira të mëdha pambuku nga që rendimenti i prodhimit pambukut ishte shumë i ulët).

Ing. Korça e idéoi, e projektoi dhe e ndërtoi agregatin për drenazhimin e tokës me hapje të mekanizuar tuneli me diametër 10 cm. në thellësí 70 cm. nga sipërfaqja e tokës dhe të mbushur automatikisht me zhavor të larë e të fraksionuar në vend të tubave qeramike. Vënja në zbatim e kësaj metode drenazhimi e ulte koston e drenazhimit dhjetë herë krahasuar me vendosjen e tubave qeramike. Gjithashtu ajo e shpejtonte këtë proces nga një hektar që drenazhonte një brigadë prej 10 vetash në një muaj, në katër hektarë në ditë kur kryhej me këtë mekanizëm.

Gjithashtu ing. Mërgim Korça projektoi dhe ndërtoi një tjetër makineri për hapjen e vijave kulluese, të cilën vetë Kryeministri Mehmet Shehu kishte vite që ua kërkonte uzinave të Mekanikës Bujqësore. Kjo, sepse makineritë e sjella nga importi dhe që dispononin S.M.T.-të dhe Fermat Bujqësore, e hapnin vijën kulluese me gjerësi në sipërfaqe mbi një metër. Nisur nga ky fakt Kryeministri i kishte dhënë Sekretares së Parë të Lushnjës, Lenka Çukos, një skicë me porosí që t’ia jepte ing. Korçës ku përmasat e vijës kulluese ai kërkonte të ishin në sipërfaqen e arës 45 cm., në thellësí 45 cm. si dhe gjerësí të bazës së vijës 10 cm. Vënja në punë e kësaj makinerije i kurseu ekonomisë bujqësore dhjetra mijëra hektarë toke krahasuar me vijat që hapeshin deri atëherë me makineri të importuara.

Doemos projektimi si edhe ndërtimi i këtyre makinerive në rrethin e Lushnjes i bënte kryesisht drejtuesit e këtij rrethi të rritej konsiderata ndaj tyre nga ana e udhëheqjes. Por, nga ana tjetër, edhe Dikasteri i Bujqësisë nderohej nga këta rezultate. E për pasojë, rritej edhe konsiderata e drejtuesve të vëndit ndaj ing. Korçës. Nuk mund të mos vihet në dukje se si vetë Kryeministri Mehmet Shehu vajti për t’i parë si rralluesen e pambukut edhe agregatin e hapjes së vijave kulluese, (me ç’rast qëndroi mbi pesë orë dhe kryesisht duke diskutuar me ing. Mërgimin). Po kështu, të ngarkuar nga Kryeministri, agregatin e drenazhimit me zhavor, të shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, shkuan dhe e ndoqën në punë e sipër dy nga zv/Kryeministrat.

Megjithatë, pavarësisht nga arritjet si projektues e krijues makinerish, atë kurrë nuk e afruan të punonte në institucionet qendrore të mekanikës në Tiranë, as i dhanë tituj e grada shkencore. Por për rezultatet shumë dobiprurëse të punës së tij, Mërgimit iu akordua titulli i lartë shkencor Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast e shkeli parimin e luftës së klasave i detyruar nga nevojat e mëdha që kishte bujqësia për mekanikën bujqësore, por doemos edhe i prirë nga informacionet që merrte rreth rëndësísë së agregateve të ndërtuar prej këtij ingjinieri. Ky titull nuk shoqërohej me rritje rroge a privilegje të tjera.

Jetën nën diktaturë, pavarësisht nga sukseset, Mërgimi e jetoi nën shpatën e Demokleut, si shumica e bijve të familjeve të dënuara prej regjimit komunist. Ai fillimisht u muar me punën e tij si punëtor krahu, më tej si teknik e ingjinier mekanik, duke treguar me punë të ndershme aftësitë e veta, pa lajka e servilizëm. Mërgimi punoi me gjithë forcat e veta mendore e fizike, natyrisht jo për forcimin e diktaturës, por sepse ishte edukuar në familje të punonte me përgjegjësi e ndershmëri dhe sepse e ndjente se vetëm duke arritur që të ishte shumë i nevojshëm, mund të mbijetonte, si dhe mbijetoi pa pasoja shkatërrimtare.

Në vitin 1990, Mërgimi, ashtu si babai i tij dikur, mori rrugën e mërgimit, po kësaj radhe për shkaqe të tjera: bijtë e familjeve me biografi antikomuniste, udhëheqja komuniste në fuqi, për të zbatuar planin Katovica për Shqipërinë, nuk i donte t'i kishte në Shqipëri këta bij të ish opozitës së PKSh-së, me synimin që proceset e pluralizmit t'i kryenin shërbëtorë besnikë të PPSh-së, ish sigurimsa e ish komunistë të fshehur si antikomunistë... Kështu, familjes Korça, bashkë me shumë familje të përndjekura, në vitin 1990 “iu krijuan kushtet” për të shkuar jashtë shtetit pranë të afërmve të tyre. Mërgimi me familjen e vet shkoi tek vëllai i tij, që jetonte prej vitesh në Detroit MI, USA. Kur mbërriti në Amerikë iu fut studimit të anglishtes, të cilën e përvetësoi shpejt dhe mirë ndonëse ishte 59 vjeçar. Përvetësimi i anglishtes, kësaj gjuhe të vështirë për moshën e tij, u bë i mundur në saje të kujtesës së fuqishme dhe zotërimit në nivele të lartë të gjermanishtes dhe italishtes. Njëherazi ai punoi për përvetësimin dhe përdorimin e kompjuterit, për t'u përshtatur me psikologjinë dhe mënyrën amerikane të të menduarit, hapa këto që e ndihmuan të punësohej fillimisht si nëpunës në një zinxhir restorantesh McDonald ku pronari Z. Ekrem Bardha e punësoi se ishin njohur duke qenë ushtarë në Repartin e Punës para se Z. Bardha të arratisej nga Shqipëria, e në vazhdim pastaj si përkthyes për tri gjuhët që ai zotëron, punë të cilën e vijon dhe sot.

Me të tilla arritje Mërgimi me familjen e tij filloi të bënte një jetë modeste, por komode, në ardheun e ri. Mirëpo brumi atdhetar e intelektual i trashëguar prej familjes së tij Korça nga babai e Angoni nga nëna gjirokastrite, nuk e lejonte që ai të bënte jetën e një njeriu të vetëkënaqur. Ai ia nisi punës shtesë për të ndihmuar zhvillimin e mendësisë së popullit shqiptar duke shkruar artikuj e kumtesa, duke mbajtur biseda e intervista, duke botuar libra. Deri në moshën 59 vjeçare, edhe pse dinte mirë disa gjuhë të huaja, Mërgimi nuk kishte shkruar asnjë artikull në Shqipëri, nuk i ishte dhënë mikrofoni të fliste para dëgjuesve, por ai i kapërceu me sukses të tilla pengesa psikologjike në saje të aftësive të tija të lindura.

Ashtu si në vitet e Rilindjes sonë Kombëtare, arbëreshët e Italisë e të Greqisë, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Pashko Vasa, etj, etj edhe Mërgim Korça bashkë me veprimtarë që punojnë sot në diasporë, janë dëshmi e gjallë e faktit se njeriu mund ta ndihmojë atdheun pavarësisht se ku jeton e punon, se largësia nuk e pengon askënd që të japë ndihmesën e vet në të mirë të popullit të cilit i përket. Njësoj sikur të jetonte në atdhe, Mërgimi jeton me hallet e popullit të tij, shpenzon kohë, energji, shkurton orët e gjumit, lexon materiale të ndryshme në internet dhe me kurajon e vet, pa pyetur se kush janë ata që përpiqen ta mbajnë në vendnumëro mendësinë e popullit shqiptar, sulet me shpatën e tij, me “penën” e intelektualit të pakompromis.

Ish pushtetarë të regjimit komunist, si Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, Liri Gega, Liri Belishova, Rahman Parllaku, etj. i vuri në shënjestër për bëmat e tyre të turpshme e kriminale, duke zbuluar mendësínë e tyre çnjerëzore të shfytyruar prej ideologjisë komuniste. Në anë të kundërt me të tillë politikanë, ai portretizon dhe ish kryetarin e grupit komunist të Shkodrës, Zef Malën, me të cilin pati rast të njihej më 1954, pasi ai kishte dalë prej burgut. Komunisti Malaj kishte njohur në burg kundërshtarë të ideve të tij politike, klerikë dhe antikomunistë si Xhevat Korça. Mbas bisedave me ta, ky ish komunisti i hershëm u kthjellua dhe kuptoi thelbin antinjerëzor të doktrinës komuniste, gjë që nuk mundën ta bënin shumica e ish komunistëve të dënuar prej diktatorit, si Liri Belishova, Todi e Liri Lubonja, Fadil Paçrami, etj, etj.

Dëmi më i madh i ideologjisë komuniste që zbatoi diktatori Hoxha, sqaron analisti, ishte krijimi i njeriut të ri socialist, një qenie e pamoralshme, e paskrupull, që ta bën të keqen dhe nuk kërkon kurrë të falur, qënie që ka marrë pushtetin në Shqipëri dhe nuk pyet për hallet e popullit, por si e si të pasurohet për vete. Edhe Dritëro Agolli, poeti i talentuar e shumë i lëvduar në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit, i mbiquajturi “Patriarku i Letrave Shqipe”, kritikohet për mungesën e zgjerimit të këndvështrimit të mendësisë së tij, për mungesën e moralit. Në kongresin e X-të të PPSh ky deputet kritikoi ashpër “katër fajet e rënda”, si edhe bëmat e partisë së tij, por si anëtar i K.Q. të saj, ku kishte milituar me vite, ai nuk kërkoi të falur për ato që kishte bërë vetë gjatë diktaturës dhe për më keq u kthye në vitet e tranzicionit në një mbrojtës i politikës së PS-së bijës së PPSh-së, pra mbeti një penë që punoi për lëvdimin e politikës së gabuar të partive PKSh / PPSh / PSSh. Në të njëjtën kohë Mërgimi nuk ka lënë pa kritikuar dhe gabime të pushtetarëve të paskomunizmit, si Presidentët Alfred Mojsiu e Bamir Topi, Zv/Kryeminist-rin e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, etj.

Vlerat e Mërgimit analist nuk qëndrojnë vetëm në analizat kritike. Ai është po aq tërheqës edhe kur vlerëson shkrimtarë të shquar si Gjergj Fishta, Visar Zhiti, shkencëtarë si Dr. Edor Kabashi, këngëtaren Ermonela Jaho, burra shteti e atdhetarë të përkryer si Luigj Gurakuqi, dhe të mëvonshëm si Safet Butka, Prenk Cali, etj, etj. Shkrimet e Mërgimit të ngjallin respekt e simpati për bijtë e familjes princore të Mirditës, si Gjon Markagjoni dhe djemtë e tij, dhe për më të vuajturin midis tyre, Gjon Markagjonin e Ri, të cilët ai i vlerëson me shumë respekt për ndershmërinë, moralin e pastër shqiptar, burrërinë e tyre. Respekt e dashuri ngjallin te lexuesi edhe shkrimet ku ai vlerëson klerikë martirë si Pater Anton Harapi, Pjetër Mëshkalla, Patër Fausti, etj. Në këtë vazhdë është edhe shkrimi recensional i publikuar këto javë në media prej Mërgimit për vëllimin me kujtime të botuara më 2015, shkruar më 1966 prej Xhelal Staraveckës “Përpara Gjyqit të Historisë” dhe botuar prej djalit të tij Naim Staravecka. Mprehtësia e artikullshkruesit shfaqet këtu përmes zbulimit të kundërvlerave të vëllimit ku ai tregon mungesën e vlerave të të droguarit prej ideologjisë komuniste, ish komunistit Xh. Staravecka, i cili ngre lart figurën e Enver Hoxhës për vlera të paqena, sikur të ishte një ideolog e strateg i madh dhe jo siç ishte në të vërtetë, shërbëtor i Josif Broz Titos e Stalinit.

Një nga figurat më të dashura e më të respektuara për Mërgim Korçën është ajo e Baba Rexhebit (1901 – 1995), klerik mysliman i arratisur prej Shqipërisë diktatoriale, themelues dhe drejtues i Teqesë Bektashiane në Taylor, MI, USA. Ai e vizitonte rregullisht familjarisht dy herë në javë Babanë e nderuar dhe nuk druhet të tregojë se në botëkuptimin e vet ka ndikim të ndjeshëm prej predikimeve të këtij Babai, sidomos prej mësimit themelor, sipas të cilit egoizmi është burimi i gjithë të këqiave njerëzore. Baba Rexhebi ishte një nga të përndjekurit e diktaturës komuniste shqiptare, i cili duke vijuar jetën e një kleriku të ndershëm në USA kishte arritur dhe në disa mendime të vetat për të dëshmuar thelbin e së keqes që i erdhi Shqipërisë. Së pari, thoshte ai, prej krimeve të përbindëshme që filluan që gjatë Luftës Antifashiste, pastaj prej luftës së paprincip kundër besimeve fetare dhe më tej prej ngritjes në kult e bindje të verbër ndaj udhëheqjes personale të diktatorit. Kur humbet ndjenja e moralit, theksonte Baba Rexhebi, u hapet rruga gjithë të këqiave të kësaj bote.

Si një moto për mentalitetin e sejcilit, i vlerëson Mërgimi fjalët e këtij predikuesi: "I ndershëm ësht' ai që i ndryshon mendimet e tij për t'i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm ësht' ai që i ndryshon të vërtetat për t'i njësuar ato me mendimet e tij... Mua nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj dhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë duke u bazuar në drejtësi."

Fusha ku shkëlqen me dritë verbuese mprehtësia analitike e Mërgim Korçës është fusha e historisë së Shqipërisë e periudhës së L2B dhe pas saj, përmes një vargu polemikash me profesorë e akademikë, pra me përfaqësuesit e niveleve të larta të shkencave historike shqiptare. Pa pasur formimin shkollor të një historiani, por duke ecur në rrugën e tij autodidakte përmes leximesh të shumta në gjuhët që zotëron, ndihmuar prej logjikës së tij të fortë, ndershmërisë dhe bindjeve solide demokratike, Mërgimi hartoi një varg analizash polemike me akademikët Kristo Frashëri e Arben Puto, me profesorin Paskal Milo, etj. Ai vë në dukje se vlerësimet që këta personalitete dhe të tjerë kishin dhënë gjatë kohës së diktaturës për ngjarjet e ndryshme të popullit shqiptar, ishin të gabuara për shkak të politizimit. Kurse vlerësimet që po këta persona vijonin t'u jepnin atyre ngjarjeve edhe mbas vitit 1992 njësoj si në kohën e diktaturës, për Mërgimin dëshmonin se ata kishin mbetur skllevër të mendësisë komuniste, se u mungonte kurajua për të pranuar se dikur kishin gabuar. Kur fakte të rinj ishin bërë të njohur dhe kur ishin botuar interpretime ndryshe, qëndrimi i njëjtë i këtyre akademikëve dhe kolegëve të tyre, në radhë të parë buronte nga mungesa e karakterit, nga prishja e ndërgjegjes, që këta studjues e kishin pësuar gjatë regjimit komunist.

Variantet e Kolaboracionizmit dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj tyre

Një nga temat më të rrahura në shkrimet e analistit Korça është çështja e kolaboracionizmit, interpretimi i të cilit e ndan atë prej gjithë atyre që e kanë përdorur dhe interpretuar para tij. Sqarimi i tij për kolaboracionizmin shqiptar përbën një nga sfidat më të mëdha që ky analist u ka bërë studjuesve tanë të historisë së Shqipërisë. Kurse studjuesve të etnologjisë shqiptare, ky analist i ka bërë të skuqen me analizën e hollësishme që ai i ka bërë kapitullit “VRASA” të Kanunit të Maleve.

Liderët e PKSh-së / PPSh-së, literatura politike dhe ajo shkencore e kohës së diktaturës komuniste dhe pas saj e shpallën dhe e luftuan dukurinë kolaboracionizëm, bashkëpunim me pushtuesin, si të keqen më të madhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore, si gogol për të manipuluar popullin dhe për të fshehur bëmat e tyre të ulta.

Veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të cilët shumë e shumë vjet që nga Rilindja punuan për të mirën e atdheut duke rrezikuar jetën dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, gjatë L2B për të shpëtuar ç' mund të shpëtohej nën pushtimin italian, ose atë gjerman, pranuan të bashkëpunonin me pushtuesin duke marrë detyra të larta qeveritare të cilat i ushtruan për një vit, ose dishka më gjatë, por si rregull vetëm në interes të vëndit.

T'i fusësh në një thes qeveritë që u krijuan gjatë pushtimit, si qeverinë e Shevqet Vërlacit (prill 1939 – dhjetor 1941) me qeverinë e Mustafa Merlika Krujës (dhjetor 1941 – janar 1943), apo me Këshillin e Regjencës që krijoi parlamenti shqiptar gjatë pushtimit gjerman (tetor 1943 – tetor 1944) me përfaqësues Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Pater Andon Harapin dhe Fuat Dibrën, është miopí shkencore dhe poshtërsi politike. Eshtë miopí shkencore dhe poshtërsi politike, sepse qeveritë e vërteta kolaboracioniste si ajo e Vërlacit e pranuan bashkëpunimin thjesht për interesa kolltuku, kurse Qeveria Merlika dhe Këshilli i Regjencës e pranuan bashkëpunimin me pushtuesin për të mirën e atdheut dhe jo për interesa kolltuku. Anëtarët e këtyre qeverive, biografinë atdhetare të të cilëve, Mërgimi e shpalos me fakte, dëshmon qartë se ata vunë peng nderin dhe atdhetarinë e tyre për të mirën e kombit dhe jo për përfitime personale.

Mbështetur në fjalorë të ndryshëm dhe në të dhëna historike nga historia e shteteve të ndryshme të Europës si Franca, Danimarka, Norvegjia, etj, që përjetuan pushtimin e huaj gjatë L2B, Mërgimi shtjellon termat kolaboracionizëm dhe kuisling, si koncepte dhe duke u mbështetur në të dhëna konkrete historike arrin të sqarojë se në Shqipëri nuk kemi pasur asgjë të ngjashme me Kislingun e Norvegjisë dhe se në jetën shqiptare duhet të dallojmë dy lloje kryesore kolaboracionizmi:

a. Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut dhe

b. Kolaboracionizëm për interesa egoiste personale pushtetdashëse.

Dhe këtu analisti ynë nuk ka fare parasysh një kolaboracionist të caktuar por, duke u mbështetur në materiale arkivore, në artikuj e fjalime të liderit kryesor të PKSh-së, shpalos qartë e bindshëm se Enver Hoxha me kërkesat e tij për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë botuar në plenume të PKSh-së dhe me nënshtrimin total ndaj Bashkimit Sovjetik të diktatorit Stalin dhe ndaj Kinës së Mao Ce Dunit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një kolaboracionist për interesa egoiste personale për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e në çdo rrethanë.

Përfundimi i Mërgim Korçës është i kuptueshëm nga të gjithë: historianët duhet t'i dënojnë parimisht të dy palët e kolaboracionistëve, si Mustafa Merlikën, Pater Anton Harapin, Lef Nosin, të cilet rregjimi komunist i dënoi me pushkatim sepse bashkëpunuan me pushtuesit fashistë ose nazistë për të mirën e atdheut, si edhe Enver Hoxën, që bashkëpunoi për 40 vjet thjesht për interesat e tij egoiste pushtetdashëse me Josif Broz Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin duke e vënë Shqipërinë nën diktatin e tyre komunist antishqiptar. Por, e gjithënjë ka një “por”, në analizë të fundit, të nxirren përfundime se kush bashkëpunoi për t’i shërbyer vëndit e kush për interesa fillimisht grupi e në vazhdim interesa thjeshtë personale !

Disa konkluzione.

Ing. Mërgim Korça është një përfaqësues i intelektualit shqiptar atdhetar e modern. Dje, me veprat e tij ingjinerike ai i zgjidhi shumë probleme mekanikës bujqësore shqiptare në kohën e vështirë të diktaturës. Sot, duke shfrytëzuar mundësitë që i jep jeta e lirë në ShBA, ai ka krijuar një tërësi veprash me vlerë, rezultatet e të cilave duhet të merren parsysh prej atyre që po rishikojnë dhe do të rishkruajnë historinë e Shqipërisë.

Ky analist bie në sy për njohuri enciklopedike, punë prej studiuesi sistematik, kujtesë te veçantë, guxim, etj; veti që i ka vënë shumë mirë në dukje dhe hartuesi i parathënies së librit të dytë, profesor Ardian Ndreca.

Mërgim Korça, si e ka karakterizuar dhe Visar Zhiti, tek parathënja e librit të tretë, "u fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve analitike me bagazh të plotë dijesh dhe përvojë të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i japin dinjitet historisë sonë, atje ku ajo ishte bjerrur."

Vlerësimi i tij me titullin NDER I KOMBIT, të cilin e ka merituar prej kohe, do të ishte thjesht një nder që qeveria e sotme shqiptare i bën vetes dhe jo vetëm këtij ingjinieri dhe analisti që kurdoherë ka hapur rrugë të reja për ekonominë dhe mendësinë shqiptare. Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë këto 25 vjet tranzicion, ka kryer krahas disa punëve të mira edhe një krim kombëtar, një punë antikulturë duke mos treguar asnjë interes për veprat që shkruajnë e botojnë bijtë e shquar të diasporës së re shqiptare, si Prof. Sami Repishti, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Pëllumb Kulla, Lek Pervizi, Ruben Avxhiu, etj, etj. Sipas meje, ajo duhet të krijojë sa më parë një grup pune për të realizuar një kolanë me vepra të zgjedhura prej penave të spikatura që janë shquar gjatë këtyre 25 vjetëve duke sjellë mendime të rinj për evoluimin e mendësisë shqiptare paskomuniste dhe për të korrigjuar gabime të ndryshme që i janë bërë historisë sonë kombëtare nga të huajt dhe nga historianët tanë të politizuar. Botimi i kësaj kolane në disa mijëra kopje dhe shpërndarja e saj në mbarë vendin do të ndihmonte lexuesin e gjerë, sidomos studentët e degëve të shkencave humanitare për t'i shfrytëzuar si literaturë plotësuese për një formim më të shëndoshë shkencor.