E premte, 26.04.2024, 12:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Nysret Ismajli: Periudha me fjali të varur shkakore

E premte, 08.08.2008, 07:25 PM


Nysret Ismajli
Periudha me fjali të varur shkakore

 

Nga Prof. Nysret Ismajli

 

Fjalia e varur shkakore bashkohet me kryesoren me anën lidhëzave dhe lokucioneve lidhëzore të shkakut të cilat nga vlera e tyre e përgjithshme mund te ndahen ne tri grupe. 1) lidhëza e lokucione lidhëzore konstatuese te shkakut si: se,pse, sepse, ngaqë, ngase, nga shkaku se, nga shkaku që, për shkak se, për arsye se, me pretekst se, nga frika se mos:

2)lidhëza e lokucione lidhëzore motivuese, arsyetuese si meqë, meqenëse, meqenëqë, duke qenë se, duke qenë që, përderisa, 3)lidhëza lokucione kohore si:   kur, tek, si, mbasi, posi posa, sapo gjersa,                                                                                                                             

 

Fjalia e varur shkakore bën në periudhë funksionin që bën plotësori i shkakut në fjalë: ajo shpreh marrëdhëniet e ndryshme shkakore kundrejt gjymtyrës nga varet.

P.sh. Unë s’punoj që të marrë  gazeta, po punoj se ma do shpirti.

Fjalia “që të marrë gazeta”, shpreh shkakun final apo qëllimin, kurse fjalia “se ma do shpirti” shpreh një shkak të brendshëm detyronjës. Nëse marrim përkundrazi periudhën: “Unë nuk dola fare sot nga shtëpia, sepse binte shi” fjalia “sepse binte shi” shpreh një shkak të jashtëm pengonjës.

Kurse nëse marrim periudhën: “Pemët u thanë, se i dogji thëllimi”, fjalia “se i dogji thëllimi” shpreh” një shkak të jashtëm vepronjës, i cili, në formën e një njësie jo prediaktive, do të ishte barabar me: “nga thëllimi” ( = pemët u thanë nga thëllimi), etj.. Kështu ne shohim se fjalia shkakore bën në periudhë funksionin e plotësorit të shkakut në të gjithë aspektet e tij. Si rrjedhim:

“Fjalia shkakore është ajo fjali e varur, e cila shpreh marrëdhënie të caktuara kauzale kundrejt gjymtyrës nga varet”.

Fjalia shkakore, për arsye të analogjisë së saj funksionale me plotësorin e shkakut, mund të kthehet shpesh në një plotësor të thjeshtë shkaku, por një këmbim i tillë nuk është gjithmonë i mundur. P.sh., në periudhën “Nëna ime është dobësuar keq, se ka qenë sëmur nga gripi”; fjalinë shkakore mund ta zëvendësojmë me plotësorin e shkakut vepronjës: “nga sëmundja e gripit”. Në periudhën: “Më erdhi keq për motrën, se vrau këmbën”, gjuha s’na lejon të bëjmë asnjë këmbim të tillë.

Ka raste kur, në thurjen e ligjëratës, fjalia shkakore për arsye të ndryshme, përmban jo shkakun real të fjalisë nga varet, por shkakun e fjalisë së vërtetë shkakore, e cila paraqitet si e pavarur, p.sh.:

“- Trego, se kemi edhe dëshmitarë. S’ke si ta fshehësh – thirri oficeri e urdhëroi që ta sillnin Mullxhinë”. (F. Gjata, “Përmbysja”).

 

Raportet shkakore, mund të paraqiten edhe në formë të fjalive të pavarura, por në këto raste ne nuk bëjmë fjaë për fjali shkakore. P.sh.:

“Qajni pyje, fusha gurë,

Qajni male me tëborë,

Shqipëria mbet e gjorë

Dhe nuk sheh dritë kurrë”.

                                             (Çajupi, Vepra).

Dy vargjet e fundit përmbajnë këtu arsyen e të qarit, po lidhja është bërë në formë fjalishë të bashkrendituar të pavarura.

Fjalitë shkakore mund të jenë edhe të bashkërenditura me përbërje gjymtyrale të thjeshtë, të zgjeruar apo eliptike.

Një fjali shkakore mund të varet, siç kemi thënë, nga më shumë se një fjali. Ajo mund të varet edhe nga fjalia (a vetëm folje) e munguar, p.sh.:

“Kolendra melendra,

................................

Nem moj babo një kulaç

Se të bie me çamak”.

                                    (S. Spasse, “Të fala nga fshati”).

Këtu fjalia “Se të bie, etj” varet nga një fjali e munguar, e nënkuptuar nga konteksti, d.m.th. nga fjalia “po s’më dhe” etj..

Shpesh fjalia nga varet shkakorja është eliptike e përfaqësuar vetëm nga një pasthirrmë apo nga ndonjë shprehje pasthirrmore a thirrore, p.sh.:

 

“Shyqyr që koha është mirë – mendoi Leka – se vaj hallit çdo të bëhej po t’ishte e keqe”!

                                       (P. Marko, “Qyteti i fundit”).

Mungesa e fjalisë (foljes) nga e cila varet, ka sjellë si përfundim që fjalia shkakore të paraqitet, me lidhëzën se, si e pavarur, sikurse fjalitë dyshimore me lidhëzën ftilluese se, etj.. P.sh.:

“Ku vini, more të mjerë,

Se sot s’është si njëherë:

qysh vini në vënd të huaj,

Kur s’dini as gjuhë të huaj?”

                                                            (Çajupi, Vepra).

 

 

Fjalia e varur shkakore varet rregullisht nga folje të ndryshme, por ajo mund të varet edhe nga një emër a mbiemër foljor, sepse fjalia shkakore tregon jo vetëm shkak të një veprimi, por edhe të një gjendje, p.sh.:

“I hidhëruar që i nipi përfitoj

Nga vërsa, dobësia dhe sëmundj’e tij,

Çoj, thirri Fortimbrasin, ..................”.

                                                            (Hamleti).

 

Këtu fjalia shkakore varet nga mbiemri foljor “I hidhëruar”.

Fjalia shkakore, në një periudhë, është e varur ndonjëherë prej një fjalie të ndërmjetme të munguar, prandaj ajo është në këtë rast një fjali shkakore e ndërmjetme, p.sh.:

“Don Kishoti, duke vënë re përnjësin e kapedanit të kështjellës, se ashtu i dukeshin hanxhiu dhe hani, u përgjejg: Për mua, zoti kështjellan, çdo gjë është mjaft”.

                                            (Don Kishoti). ....*1

 

– Prof. Stefan Prifti, “Sintaksa e gjuhës shqipe”, Prishtinë, 1971, fq. 353, 355.

 

Ndërtimi

 

Fjalitë shkakore mund të jenë të shtjelluara dhe të pashtjelluara, me formë sindente dhe asindente dhe me modalitet të ndryshëm.

Fjalitë e formës sindente ndërtohen me:

a)      lidhëzën shkakore se dhe me lidhëzat e formuara në bazë të saj: pse, sepse, meqenëse, dhe më rrallë: ngase, përse, prejse: p.sh.:

1)”Ç’vish rrobat e robërisë,

mëmëdhe

Vish armët e trimërisë,

Se ke ne!” 

 (Çajupi, Vepra).

2) Nuk erdha, sepse binte shi.

3) Meqenëse s’ke mësuar, rri mos dil në shëtitje.

b) me lidhëzën që dhe me lidhëzat e formuara në bazë të saj: meqë, meqenëqë, ngaqë, duke qenë që, etj. P.sh.:

1) “Ç’t’i bëj që është vajzë, pa ia kisha treguar qejfin! – tha Tiri duke ndezur cigare që i dha Lefteri”.

(F. Gjata, “Tana”).

2) “Meqë s’di si ka ndodhur puna, mos fol kot”.

c) me lidhëzat kohore – vendore: si, pasi, (mbasi), posa (që), sapo (që), gjersa (derisa, përderisa), kur, që kur, qëkurse, qysh se dhe rrallë ke, tek, kah. P.sh.:

1) “Si u doq në kungul, po i fryn dhe kosit”. (S. Kolea)

2) “Mbasi puna ka vojtë kështu, ma mirë po dal për qar”.

3) “Qejt kah shifnin mishin, luejshin bishtin”.

 

Nuk duhet të përziejmë fjalitë shkakore me fjalitë ndajshtimore përcaktore të shkakut, të cilat ndahen jo vetëm me përemra lidhorë, por rrallë, edhe me ndonjë ndajfolje vendi a kohe, p.sh. “Vijtorja e Mokrenës, ndonëse shumë m’e vogël se ajo e Torviollit, bëri më tepër bujë n’Evropë, ku vajti si një ngushëllim i mirëpritur pas katastrofës së Varnës”. (F. Noli, H. S.). Kështu: ku= sepse atje etj..

Vendi dhe pikësimi

 

Fjalia shkakore mund të vendoset në periudhë para, ose pas ose edhe ndërmjet gjymtyrëve të fjalisë nga varet, sipas rastit. Fjalia shkakore, kur vendoset para ose ndërmjet duhet ndarë rregullisht me presje, përshkak të pauzës që krijohet, kur vjen pas, ka raste që nuk ndahet, sipas pauzës.

 

Shembuj:

1)      “Meqë s’e ke kuptuar mësimin, po tashpjesëoj unë”.

2)      “E shau që s’ish e zonja ta ruante të bijën”

Nuk ndahet rregullisht me presje fjalia e pashtjelluar që vjen pas fjalisë nga varet.

P.sh.: “Plasën duke qarë”. ...*1

 

 – Po aty, fq. 356, 357.

***

 

 Nëse krahasojmë kuptimin dhe ndarjen e fjalisë së varur shkakore në sintaksën e Prof. Stefan Priftit me shpjegimet e mëvonshme në “Gramatika e gjuhës shqipe II” të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, 1997, dhe në “Gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe” – Sintaksa e periudhës, 1991, nuk kemi një shpjegim kaq të plotë. Si përfundim do të japim përkufizimin, ndarjen dhe ndërtimin e periudhës me fjali të varur shkakore në librat e lartëpërmendura.

            Periudhë me fjali të varuru shkakore quhet ajo periudhë që shpreh marrëdhënie shkak – pasojë, tregon shkakun ose arsyen e asaj që thuhet në fjalinë drejtuese d.m.th. vë në dukje lidhjen shkakore midis fjalive.

            Fjalitë e varura shkakore bashkohen me kryesoren me anën e lidhëzave dhe lokucioneve lidhëzore të shkakut, të cilat nga vlera e tyre ndahen në tri grupe:

1)      lidhëza e lokucioneve lidhëzore konstatuese të shkakut si: se, sepse, ngaqë, nga shkaku se, nga shkaku që, etj.;

2)      lidhëza e lokucione lidhëzore motivuese, arsyetuese si meqë, meqenëse, meqenëqë, përderisa, etj.;

3)      lidhëza e lokucione kohore si: kur, tek, si, mbasi, pasi posa, sapo gjersa, derisa, qysh se, etj.;

Periudha me fjali të varur shkakore ngërthen dy nëntipa kryesorë:

 

I – Periudhën me fjali shkakore konstatuese, e cila ngërthen disa

lloje që dallohen:

a)      me mjetet e lidhjes se, ngaqë, ngase, etj..

-          E lëvdoj se ishte tamam burrë, - mburrej gjyshja. 

Sytë i ishin skuqur, ngaqë s’e zinte gjumi.

b)      nga ngjyrime kuptimore më të veçanta:

E kryeja çdo gjë me kënaqësi të madhe, pikërisht sepse e mbaja të fshehtë interesimin tim.

 

     II – Periudhën me fjali shkakore arsyetuese, ku edhe ky lloj ngërthen disa lloje që dallohen nga mjetet e lidhjes dhe nga ngjyrime kuptimore të veçanta.

a)Fjali shkakore me lidhëza e lokucione lidhëzore arsyetuese të shkakut. Këto fjali shprehin një fakt real, një të vërtetë të mirënjohur, të pranuar a të supozuar si të tillë mbi të cilën mbështetet folësi për të nxjerrë një përfundim në kryesoren.

Meqë ishte dimër, ne binim herët në shtrat.

Teodor Korona Muzaka, duke mos pasur asnjë trashëgimtar, ia fali Beratin Skënderbeut me testament.

b) Fjalitë shkakore me lidhëza kohore.

Kur është me aq ngut, do të vete t’i thërras vetë.

Gjersa e ka thënë ai, s’është e mundur të mos ia dalim.

     c) Fjalitë shkakore me lidhëzat si, siç dhe me lokucionin      lidhëzor si...që.

Në ato çaste, zemërduruar siç ish, ai donte sa më pak të flitej për punë zemre e vëllazërimi.

Plaka e tij, si plakë që ishte, s’para dëgjonte mirë nga veshët.

ç) Fjalitë shkakore me lidhëzën që, ku dallohen tre nëntipe: fjali shkakore të vlerësimit, të gjendjes së brenshme dhe të shprehjes së jashtme të një gjendje të brendshme.

 

Mirë bëre që na i kujtove gjithë këto sonte.

Stavri u gëzua që ra telefoni përsëri.  

Shyqyr që të erdhi djali shëndosh.

 

Rendi i fjalëve në periudhën me fjali të varur shkakore përcaktohet nga mjeti i lidhjes, nga ngjyrimet e marrëdhënieve shkakore nga prania e ndajfoljeve a lidhëzave korrelative si edhe prania e pjesëzave të ndryshme.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora