E marte, 19.03.2024, 06:39 AM (GMT)

Editorial » Entela

Binjaku: “Slow food Fishta”, Mekolli dhe ne të tjerët

E enjte, 14.01.2016, 09:40 PM


“Slow food Fishta”, Renato Mekolli dhe ne të tjerët….

Nga Entela Binjaku

Diskutimi mbi kuzhinën dhe ushqimin tradicional ka zënë vend në mjaft biseda, veçanërisht kur synimi ka qenë për t’u krenuar me shijen, origjinalitetin dhe autenticitetin e saj. Por, në jo pak raste qytetarët e kanë gjetur veten në vështirësi sa i takon kufizimit në larmi apo veçimit prej kulturave të tjera, zakonisht prej asaj turke. Ushqimi dhe gatimi janë nga ato aspekte të jetës shqiptare që njohën risi dhe zhvillime në këto 25 vitet e ndryshimit. Mënyra e të ushqyerit gjatë kësaj kohe bëri që shprehja mjaft e konsoliduar në psikën shoqërore, si tregues i varfërisë së trashëguar: “po hamë bukë” të fillojë të zëvendësohet me shprehjet: “po hamë… drekën, darkën, mëngjesin”. Varfëria kolektive dhe izolimi tërësor që parapriu këto ndryshime u pasua në njërin krah nga varfëria individuale dhe familjare tek mjaft shqiptarë, por nga ana tjetër edhe nga mirëqënia ekonomike tek të tjerë, ku natyrisht hapja e vendit bëri “punën e vetë”. Në këto vite tryezat e mjaft familjeve shqiptare u transformuan në mozaikë shijesh dhe dekori të panjohura më parë. Qytetarët vetë po i aviteshin me më shumë guxim dhe kurajo gastronomisë për të provuar shije të reja dhe të vjetra njëkohësisht. Ndikimi i kuzhinës nga përtej Adriatikut bëri që makaronave t’u thuhet “spageti “ dhe pilafit “rizoto”. Nga kufijtë jugorë “xaxiqi” zëvendësoi “salcën e kosit” dhe me “sallatë greke” bëri të njihej sallata me domate dhe kastraveca kur i ke hedhur përsipër djath. Ndërkohë ndikimi i shkollës ndërkombëtare të guzhinës bëri që në vend të fjalës “guzhinier” të gjejë gjithmonë e më shumë vend fjala “Shef”. Në këtë atmosferë ndyshimesh guzhina shqiptare, herë e ngatërruar, herë e pasuruar me të tjerat, herë e mbetur e palëvizshme, përmes medias pamore  po i  paraqitej  publikut përmes rubrikave të gatimit, recetave të përditshme duke e afruar qytetarin shqiptar më pranë shijes së re, të menduar dhe të kujdesur. Një vend të ndriçuar në këtë panoramë zënë dy personazhë, që edhe pse të palidhur me njeri-tjetrin, përfaqësojnë kulturën e re të gastronomisë shqiptare. Njëri quhet Renato Mekolli i cili ju paraqit publikut përmes një programi gatimi që zinte vend qëndror në programacionin e një tv. kombëtar me ndikim dhe shikueshmëri të lartë. Popullariteti i shpejtë, simpatia që fitoi në radhët e shikuesve, numri i lartë i ndjekësve në rrjetet sociale bëri që Renato të shndërrohej në ikonën e këtij programi ku ndërthurej disiplina, pasioni, magjepsja që krijon një pjatë e gatuar bukur dhe shija e pakundërshtueshme. Ky program dhe aktorët e tij solli në vëmëndjen e opinionit tonë një fushë të nënvlerësuar siç është gatimi, duke theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë që kërkon ky proces. I ftuar në një takim me të rinj, studentë Renato ju përgjigj kërshërisë së të pranishmëve për zbulimin e pasionit, fillesat e tij, përkushtimin ndaj gatimit, modelet që e kanë frymëzuar duke shprehur dëshirën e tij për të sjellë në një format bashkëkohor e të rijetësuar kuzhinën tonë tradicionale. Ai i ftoi të rinjtë t’i qasen me dashuri gatimit, duke i rekomanduar ushqimin e shëndetshëm dhe emocionet që sjell koha e ndarë sëbashku duke gatuar. Në një klimë të lartë të mosbesimit të të rinjve tanë për të ndjekur pasionin, të nevojës për modele që frymëzojnë, veçanërisht në një fushë të pavlerësuar siç është gatimi, Renato solli më afër modelin e ecjes përpara falë punës, sakrificës për pasionin,  vështirësitë e një emigranti për të siguruar jetesën falë talentit dhe këmbënguljes, duke u bërë zëri edhe i  mjaft të rinjve të tjerë të apasionuar dhe të talentuar në këtë fushë, por dhe jo vetëm.

Personazhi I dytë që vjen në të njëjtën linjë, të suksesit të dhe modelit të mirë, ku kuzhina tradicionale është pasuruar në risi, duke ruajtur origjinalitetin dhe autenticitetin është restoranti

“Mrizi i zanave”. I vendosur në zonën e Kallmetit,  në fshatin Fishtë ky oaz i ushqimit ka mbërthyer vlerësimin e thuajse të gjithë klientëve që kanë kaluar sëpaku njëherë në mjediset e tij. Në rreth 6 vitet e aktivitetit ky restorant që frekuentohet nga qindra klientë në ditë, ku në shërbim të ushqimit dhe gatimit vihen rreth 30 punonjës i  ka dhënë një tjetër frymëmarrje kuzhinës shqiptare përmes gatimeve autoktone. Restoranti pjesë e grupimit për ruajtjen dhe kultivimin e biodiversitetit  i njohur me emrin “Slow Food Fishta” ngre në art gatimin duke ruajtur në ekuilibër mundësitë e prodhimit të zonës me nevojat për konsum të restorantit, gjë e cila e bën dhe më të çmuar këtë model.  Përballë këtyre dy personazheve, të cilët përfaqësojnë edhe mjaft të tjerë që lëvrojnë dhe ndihmojnë gatimin tradicional shqiptar duke e pasuruar me artin e tyre, qëndrojmë ne të tjerët,  që zhvillojmë intervista apo vëzhgime, si instrumenta me rëndësi për njohjen.

Edhe pse në kushtet e një shoqërie të varfër, rëndësia e gatimit dhe e ushqimit ka nevojë të kuptohet që të mbështetetet nga shoqëria.

Hapa para janë bërë, të tjerë duhet të pasojnë. Por kjo kërkon edhe më shumë punë për të zbuluar atë që na përfaqëson dhe që e bën shijen e gatimeve shqiptare dhe ushqimin pjesën racionale të krenarisë sonë.



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora